Strategjia e Tregut të Vetëm Dixhital mund të kontribuojë me 415 miliard € në vit në ekonominë e BE-së dhe të krijojë qindra mijëra vende të reja pune. Kjo strategji synon që të:
• përmirësojë aksesin në të mira materiale, shërbime dhe në përmbajtjen e tyre,
• krijojë një kuadër ligjor të përshtatshëm për rrjetet dhe shërbimet dixhitale,
• rrisë përfitimet e një ekonomie të bazuar në të dhëna.
Këto qëllime hartohen sipas tre shtyllave kryesore, që janë:
1. Aksesi më i mirë për konsumatorët dhe bizneset si: tregtia online (E-commerce), heqja e ‘bllokadës gjeografike’, të drejtat e autorit.
2. Rrjete dixhitale të avancuara dhe shërbime inovative si: tregu Telekom, shërbimet e medias, krijimi i besimit dhe sigurisë.
3. Përmirësim i ekonomisë dixhitale si: të dhënat ekonomike, ekonomi dhe shoqëri dixhitale gjithëpërfshirëse, dixhitalizim i industrisë Europiane, ndërveprueshmëria dhe standardizimi.
Për të realizuar objektivat e mësipërme të Shoqërisë 2025 "Gigabit", është e nevojshme të investohen 500 miliard € në rrjete shumë të mëdha, që do të financohen kryesisht nga burime private. Bazuar në trendin aktual, është parashikuar të ketë një deficit prej 155 miliard €. Si rrjedhojë, është e rëndësishme të arrihen marrëveshje për një kuadër ligjor që favorizon investimet në BE. Ky kuadër ligjor i propozuar nga Komisioni Europian është Kodi i ri Europian i Komunikimeve Elektronike. Krahasuar me kuadrin ligjor ekzistues, Kodi i ri do të:
• Detyrojë rregullatorët që të përcaktojnë synimet e investimeve në rrjet dhe të organizojnë thirrje për interes për vendosjen e rrjetit në fusha më pak tërheqëse.
• Krijimi i një rregullimi miqësor për investimet, ku operatorët rivalë investojnë në rrjete shumë të mëdha dhe ua lehtësojnë investitorëve më të vegjël pjesëmarrjen në projekte investimi, falë bashkimit të kostove, tejkalimit të barrierave etj.
• Bërja e investimeve të parashikueshme për "nismëtarët", që marrin rrezikun për të investuar në rrjete me zona me më pak përfitim, siç janë zonat rurale.
• Krijimi i lehtësive për investitorët, që të zgjerohen dhe përtej kufijve falë një koordinimi më të mirë të caktimit të spektrit të radios, një burim kyç për komunikimet wireless.
1- Por si është situata sot në Europë në teknologjinë dixhitale?
• Për 48% të Europianëve, faktori më i rëndësishëm kur zgjedhin një ofrues interneti është shpejtësia maksimale e shkarkimit ose e ngarkimit.
• 76% e popullatës në BE dhe vetëm 40% e zonave rurale ka akses në internet të shpejtë.
• 24% e individëve dhe 9% në zonat rurale në BE kanë internet shumë të shpejtë me fibër.
• 18% e ndërmarrjeve në BE dërgojnë fatura elektronike dhe 17% e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shesin në internet.
Në punë, në shtëpi ose në udhëtime, europianët presin një lidhje interneti që është e shpejtë dhe e besueshme. Inkurajimi i investimeve në rrjete me kapacitet të lartë është gjithnjë e më e rëndësishme për të gjithë sektorët, por në veçanti për arsimin, kujdesin shëndetësor, prodhimin ose transportin. Të gjithë drejtuesit kryesorë socio-ekonomikë do të kenë nevojë për akses në lidhje jashtëzakonisht të lartë – gigabit, në çdo cep të BE-së. Këto objektiva mund të arrihen vetëm me investime masive, kryesisht nga burime private, por do të nevojitet mbështetje gjithashtu nga burimet publike.
2- Çfarë është arritur?
Deri më sot janë miratuar nga Parlamenti dhe Këshilli Europian disa iniciativa të Tregut të Vetëm Dixhital si:
• Transferimi ndërkufitar i përmbajtjes, e cila, që nga fillimi i vitit 2018, do t'u lejojë Europianëve të udhëtojnë me filmat, muzikën ose librat elektronikë që kanë blerë ose janë të abonuar në shtëpi.
• Shërbimi roaming, i cili, që nga data 15 qershor 2017, nuk tarifon më abonentët e shteteve anëtare kur udhëtojnë brenda vendeve të BE-së.
• Bashkërendimi i spektrit, i cili mundëson zhvillimin e rrjetit 5G dhe të shërbimeve të reja online të tilla si makina të ndërlidhura, kujdesi shëndetësor në vende të largëta, qytete ‘të zgjuara’ ose shkarkimi i videove në lëvizje dhe përtej kufijve.
• Zbatimi i Traktatit të Marrakeshit i cili lehtëson aksesin në veprat e publikuara për personat që janë të verbër, me shikim të dobësuar ose me aftësi të kufizuara.
Iniciativa “WiFi4EU”, e cila ofron hotspote publike të internetit në komunitetet lokale në të gjithë BE-në.
3- Çfarë pritet të realizohet në vitet në vazhdim?
• Në maj 2018 BE-ja do të pajiset me ligjin e saj të parë të përbashkët për sigurinë kibernetike, për të ndihmuar në ruajtjen e sistemeve të rrjetit dhe informacionit në të gjitha Shtetet Anëtare.
• Deri në vitin 2020, rrjeti 5G do jetë në dispozicion në të paktën një qytet të madh në çdo shtet anëtar të BE-së, duke mbuluar të gjitha zonat urbane, rrugët kryesore dhe hekurudhat.
• Numri i “Shtëpive të zgjuara”, që përdorin ndriçimin e kontrolluar dixhital, ngrohjen, ventilimin, ajrin, sigurinë, si dhe pajisjet shtëpiake do të rritet me 950% në vitin 2021.
• Vendosja e rrjetit 5G pritet të gjenerojë 213 miliard € të ardhura në mbarë botën në vitin 2025 dhe mund të krijojë 113 miliard € përfitime në vit për sektorët si: industria automobilistike, shëndetësia, transporti dhe energjia.
• Në vitin 2025 do të shndërrohen 100 Mbps në Gbps në të gjitha familjet e BE-së e do të jenë të disponueshme në shkolla, universitete, qendra kërkimore, shpërndarës të transportit, spitale dhe ndërmarrje administratash.
4- Sfidat që e presin BE-në gjatë 2018 & 2019?
Ndërkohë që janë bërë përparime, ka ende shumë më tepër punë për të arritur një treg të vetëm dixhital në Europë. Ndër pikat kryesore tek të cilat duhet të punojë BE gjatë këtyre dy viteve janë:
• Negociatat legjislative, që janë ende në vazhdim për një numër propozimesh kryesore në kuadër të Strategjisë. Këshilli Europian është i përkushtuar që Strategjia e Tregut të Vetëm Dixhital të jetë e zbatueshme deri në dhjetor 2018, por një plan i tillë do të kërkojë rritjen e ritmit të negociatave.
• Të dhënat përbëjnë qendrën e ekonomisë dixhitale dhe sigurimi i rrjedhës së lirë në të gjithë Bashkimin Europian është thelbësore. Por grumbullimi i të dhënave dhe lejimi i rrjedhjes së lirë nuk është e mjaftueshme. BE duhet të jetë në gjendje të kapë vlerën e tyre gjithashtu. Komisioni Europian kohët e fundit ka miratuar një propozim legjislativ mbi rrjedhën e lirë të të dhënave jo-personale. Në fund të vitit 2017, kaloi një propozim për një instrument ligjor që siguron një kuadër të prokurimit për informatikë të performancës së lartë. Deri në pranverën e 2018-ës, do të përgatitet një iniciativë për aksesin dhe ripërdorimin e të dhënave të financuara nga publiku dhe publikisht.
• Mbrojtja e bizneseve dhe qytetarëve në mjedisin dixhital.
Garantimi i sigurisë kibernetike në BE do të jetë një nga sfidat më të rëndësishme të dekadës së ardhshme. Numri gjithnjë në rritje dhe ashpërsia e sulmeve kibernetike kërkon një përgjigje të fortë dhe të koordinuar në nivel Europian.
Një strategji e rishikuar e kibernetikës u prezantua në shtator 2017. Në të propozohen masa për të rritur elasticitetin dhe për të përmirësuar reagimin përballë sulmeve kibernetike. Kjo shoqërohet nga një mandat i përhershëm i ENISA, Agjencia e Kibernetikës së BE-së, e cila do t'i ndihmojë shtetet anëtare në parandalimin efektiv dhe në reagimin ndaj sulmeve kibernetike. Për më tepër, deri në fund të 2017-ës, Komisioni do të propozojë nisma për klauzolat e padrejta kontraktore në marrëdhëniet platformë-biznes, si dhe për adresimin e heqjes së përmbajtjes ilegale online.
• Menaxhimi i transformimit dixhital të ekonomisë dhe shoqërisë. Një ekonomi e suksesshme është e ndërtuar mbi kreativitetin dhe inovacionin si motorë për krijimin e vendeve të punës dhe shtimin e vlerës. Komisioni Europian synon të parashikojë dhe menaxhojë me sukses revolucionin e ri dixhital, duke transformuar sektorë si shëndetësia, financimi ose transporti i automatizuar. Në përgjithësi, ndikimi i kombinuar ekonomik i automatizimit të njohurive, punës, robotëve dhe automjeteve autonome vlerësohet të arrijë në 6.5 deri në 12 trilion € në vit në 2025. Qeveritë luajnë rol vendimtar në ekonominë dixhitale dhe në të njëjtën kohë, duhet të vazhdojnë përpjekjet europiane, kombëtare dhe rajonale për të përmirësuar nivelin e përgjithshëm të aftësive dixhitale për qytetarët evropianë.
Nëse bashkërregulluesit dhe ligjvënësit europian bien dakord për një tekst që mban tiparet kryesore të propozimit të Komisionit, atëherë Europa do të ketë kuadrin e duhur ligjor që do të rrisë investimet e rrjetit, të nevojshme për përparimin e Shoqërisë Europiane të Gigabit-it dhe krijimin e një Tregu të Vetëm Dixhital për europianët.
Komisioni Europian, mars 2018