Ajo që fillimisht ishte një krizë financiare u shndërrua në një krizë bankare dhe një krizë borxhi duke ndikuar drejtpërdrejt në ekonomi. Institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare morën vendime të forta politike për të përballuar krizën si dhe për të ruajtur integritetin e euros. BE ka punuar për të rregulluar sektorin financiar dhe për të përmirësuar qeverisjen ekonomike duke mbështetur vendet në gjendje të vështirë financiare. Për përmirësimin e financave publike të shteteve anëtare janë ndërmarrë reforma strukturore dhe inkurajuar investimet për të luftuar papunësinë e të rinjve.
Si rezultat i këtyre veprimeve, Bashkimi Ekonomik dhe Monetar i Europës është përmirësuar ndjeshëm dhe ekonomia europiane - veçanërisht ekonomia e eurozonës - është kthyer në formë. Nga tetë shtetet anëtare të BE që kanë marrë ndihmë financiare, vetëm Greqia është ende në program dhe parashikohet që do të dalë nga mesi i vitit 2018. Vetëm tre shtete anëtare tani i nënshtrohen Paktit të Stabilitetit dhe Rritjes, të ashtuquajtur Procedura e Deficitit të Tepërt.
Zhvillimi i Bashkimit Europian – Rritje Ekonomike?
Komisioni Europian mbështet fuqimisht tezën se BE është më e fortë krahasuar me dhjetë vjet më parë që kur filloi kriza financiare duke treguar përmirësim në të gjitha aspektet. Reagimi i Bashkimit Europian më anë të politikave të ndryshme të ndërmarra ka bërë që Bashkimi Ekonomik dhe ai Monetar të jenë më të fortë. Theksi u vendos në hapat e mëtejshëm që duhen ndërmarrë duke përfunduar bashkimin financiar, duke reformuar ekonomitë si dhe duke përfshirë dhe mbajtjur financa të qëndrueshme publike. Orientimi drejt një qasjeje të ekuilibruar duke reduktuar rrezikun si dhe duke shkëmbyer riskun duhet të jenë në vëmendje të shteteve anëtare në mënyrë që të mbrohet Tregu i Vetëm.
Për më tepër, Komisioneri Pierre Moscovici, përgjegjës për çështjet ekonomike, taksat dhe doganat, përmendi se rritja ekonomike e BE-së ka qenë intensive dhe se dhjetë vjet pas fillimit të krizës globale rimëkëmbja e ekonomisë europiane është konfirmuar dhe zgjeruar. Ky moment pozitiv duhet të përdoret për të përfunduar reformën e Bashkimit Ekonomik dhe Monetar si dhe për të shuar divergjencat shoqërore dhe ekonomike mes vendeve anëtare.
BE po tregon shenja shërimi pasi biznesi dhe besimi i konsumatorëve janë rritur si dhe norma e papunësisë e Eurozonës është zvogëluar në 9,1%. Kjo normë papunësie rezulton 2,9% më e ulët krahasuar me nivelet e publikuara gjatë krizës financiare. Niveli i papunësisë ka filluar të ulet që nga 2012 ku arriti kulmin me më shumë se 12%, dhe në 2016 ajo kap vlerat mes 9-10% dhe parashikohet që në 2018 të jetë nën 9%. Deficiti publik në zonën euro gjithashtu ka pësuar uljen duke filluar nga viti 2009 deri në 2016. Edhe investimet janë rritur që nga kriza e 2008, ndërkohë që në 2012-2013 ato arritën pikën më të ulët, ato kanë filluar të rriten në mënyrë graduale që nga viti 2014. Rënia kryesore ka ndodhur në Spanjë dhe në Gjermani, ndërkohë që Italia dhe Franca ende vuajnë nga një shkallë e lartë papunësie.
Gjermania konfirmon edhe një herë titullin e saj si ekonomia më e madhe e BE-së, me një rritje prej 0,6% në tremujorin e dytë sipas Zyrës së Statistikave. Rritja u nxit nga kërkesa e brendshme ndërsa konsumatorët dhe qeveria vazhdonin të shpenzonin. Përveç kësaj, importet u rritën në masë të madhe dhe investimet në pajisje dhe ndërtime kontribuan në këtë rezultat pozitiv.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) gjithashtu deklaroi se rritja e punësimit është e fortë, shkalla e papunësisë është në nivele të ulëta, rritja e prodhimit është mbi potencialin dhe pozicioni fiskal vazhdon të forcohet. Gjermania padyshim është duke kontribuar në ringjalljen e ekonomisë së BE-së, ndërsa Angela Merkel po bëhet gjithnjë e më popullore duke rritur mundësinë për t'u rizgjedhur për mandatin e katërt radhazi në zgjedhjet e ardhshme gjermane që do të mbahen në shtator. Megjithatë, ka më shumë sfida për ekonominë e BE-së, pasi Brexit ende nuk ka treguar ndikimin dhe pasojat e saj ndaj ekonomisë.
Hapat e ardhshëm?
Në tërësi, rritja ekonomike e BE ka shfaqur shifra pozitive gjatë gjysmës së parë të vitit dhe duket se vazhdon me të njëjtin ritëm dhe në pjesën tjetër të vitit 2017. Megjithatë, është e domosdoshme që BE të bëhet më e fortë për të qenë në gjendje për t'u marrë me krizat si ajo që ndodhi dhjetë vjet më parë dhe gjithashtu për menaxhimin e çështjeve kritike si Brexit, të cilat mund të ndikojnë në BE duke ndryshuar perspektivën pozitive të rritjes.
Mbikqyrja e sektorit bankar duke rritur aftësinë e institucioneve financiare për të përballuar sfidat e ardhshme do të jetë një nga pikat kyçe të strategjisë për vitet në vazhdim. Bashkimi Europian dhe vendet anëtare duhet të krijojnë mënyra të reja për të menaxhuar dhe për të parandaluar më mirë krizat e mundshme.
Sot Bashkimi Ekonomik dhe Monetar po përqendrohet në 10 aspekte kryesore që do të ndihmojnë në përballimin e mëtejshëm të krizës dhe në rritjen e ekonomike. Do të ofrohen disa instrumenta që do të lehtësojnë procesin e përballimit të krizës duke ndërtuar një zonë ekonomike të qëndrueshme me perspektiva të larta zhvillimi, të tilla si: Traktati mbi Stabilitetin, Bashkërendimin dhe Qeverisjen në Bashkimin Ekonomik dhe Monetar (TSCG); Procedura e Çekuilibrave Makroekonomike; Mekanizmi Europian i Stabilitetit (ESM); Shtylla Europiane e të Drejtave Sociale; Bashkimi Bankar; Bashkimi Fiskal; Plani i Investimeve për Europën i quajtur edhe 'Plani Juncker' që do të krijojë investime prej më shumë se 225 miliardë euro në 28 shtetet anëtare për bizneset europiane si dhe Bashkimi i Tregjeve të Kapitalit (CMU) që është një tjetër plan i Komisionit Europian për mobilizimin e kapitalit në Europë.
A do të përjetojë Europa një krizë kaq të fortë apo dhe më të thellë në ekonominë e saj? Kriza globale financiare që filloi 10 vjet më parë e çoi në recesionin më të rëndë që kishte përjetuar ndonjëherë Bashkimi Europian në historinë e tij prej gjashtë dekadash, nuk kishte zanafillën në Europë, por institucionet e BE dhe shtetet anëtare duhej të vepronin me vendosmëri për të kundërshtuar ndikimin e saj. Fatura është paguar: e sot ekonomia e BE po zgjerohet për të pestin vit rradhazi. Zhvillimet e fundit ekonomike janë inkurajuese, por mbetet shumë për t'u bërë në mënyrë që të kapërcehet trashëgimia e viteve të krizës.
European Sting, gusht 2017