BERZH mbledh Liderët e Ballkanit Perëndimor në Londër

BERZH mbledh Liderët e Ballkanit Perëndimor në Londër

Pjesëmarrësit në këtë takim diskutuan zhvillimet lidhur mbi rrjetet e transportit, projektet për energjinë e rinovueshme dhe agjendës së privatizimeve në rajon. BERZH është një nga investitorët më të mëdhenj në Ballkanin Perëndimor dhe vitin e kaluar, e vetme banka shpenzoi rreth 1 miliardë € në projekte të ndryshme duke filluar që nga eficienca energjetike, infrastruktura, mbështetja për institucionet financiare deri te agrobiznesi.

Një treg rajonal sa më i integruar e afron Ballkanin Perëndimor me BE-në

Gjatë fjalës së tij të hapjes së bashku me Ministrin britanik për Tregtinë dhe Investimet Lord Maurde of Horsham, Presidenti i BERZH-it Chakrabanti u shpreh se ky takim përfaqësonte një tjetër mundësi për vendet e Ballkanit Perëndimor, ekonomitë e të cilave patën një rritje vitin e kaluar, për të tërhequr sa më shumë investime. Sipas tij, ekonomistët e BERZH-t kanë parashikuar një rritje të mëtejshme në vitin 2016, pavarësisht se janë akoma poshtë nivelit të tyre potencial. Më tej, ai shtoi se bashkëpunimi rajonal është tashmë një realitet dhe kjo është dëshmi për maturinë dhe stabilitetin e arritur në rajon. Chakrabartin vazhdoi duke thënë se intensifikimi i bashkëpunimit rajonal është një nga arritjet më të mëdha të Ballkanit Perëndimor, një tregues i vizionit të ri të liderëve politikë të saj. Ai tha se rajoni po përjeton një moment mjaft të rëndësishëm, duke përmendur avancimin e Malit të Zi përgjatë rrugëtimit europian, ristrukturimin e kompanive publike në Serbi, vazhdimin e programit modernizues të Shqipërisë dhe fillimin e zbatimit të agjendës së reformave në Bosnjë-Hercegovinë, të përgatitura me ndihmën e Komisionit Europian.
Kryeministrat e Ballkanit theksuan se vizioni i një tregu sa më të integruar të rajonit ka bërë një hap tjetër përpara, duke patur parasysh se Serbia dhe Sllovenia konfirmuan vendimin e tyre për t’u anëtarësuar në rrjetin SEE, një rrjet rajonal i mbështetur nga BERZH për siguritë tregtare, duke ndihmuar kështu në integrimin e tregjeve të brendshme të aksioneve. Rrjeti SEE u iniciua nga bursat e Maqedonisë, Bullgarisë dhe të Kroacisë.

Gjithashtu, Kryeministrat e vendeve të Ballkanit shprehën vendosmërinë e tyre për të vazhduar progresin e tyre drejt BE-së. “Unë nuk pajtohem me deklaratën e Kryetarit të Bashkisë së Londrës që BE është bërë e mërzitshme”, deklaroi Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, duke iu referuar vendimit të qytetarit të parë të Londrës për të bërë fushatë që Britania e Madhe të votojë largimin e saj nga BE-ja në referendumin e qershorit të ardhshëm. Ndërsa Kryeministri i Malit të Zi Milo Gjukanoviç u shpreh se “Pavarësisht të gjitha sfidave, vendet e Ballkanit Perëndimor besojnë në një Europë të bashkuar.

Zgjerimi i Rrjetit të Transportit Trans-Europian (TEN T)

Pjesa më kryesore e samitit u fokusua në diskutimet e liderëve të Ballkanit rreth projekteve madhore dhe të investimeve energjetike, ku përfshihen autostrada Nish-Prishtinë dhe një linjë bashkëkomunikimi ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë, e cila do të financohet nga BE me një grant prej 12 milionë €.

“Ne nuk presim vetëm paratë, ne kemi nevojë për mbështetje politike për reformat, edukimin dhe krijimin e një tregu të përbashkët”, deklaroi Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç.
Në panelin “Zgjerimi i Rrjetit të Transportit Trans-Europian (TEN T) dhe lidhja rajonale”, e kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv i BERZH për Infrastukturën Thomas Maier, u diskutua sesi rrjetet e transportit përreth Ballkanit mund të mundësojnë rritjen dhe prosperitetin ashtu si edhe paqen dhe stabilitetin rajonal. Pjesëmarrësit në këtë panel theksuan nevojën e përfshirjes së sektorit privat në financimin e projekteve ambicioze të infrastrukturës, heqja e barrierave rregullatore të konektivitetit dhe të liberalizijnë klimën ndaj biznesit në Ballkan.

Sesioni mbyllës për “Agjendën e Privatizimit”, u kryesua nga Holger Muent, Drejtori i BERZH për Ballkanin Perëndimor, në të cilën ekspertët u fukusuan në hapat e nevojshme për përgatitjen e rrugës për privatizimin e suksesshëm, ku Ministri i Financave i Serbisë Dusan Vujoviç parashtroi eksperiencat dhe leksionet nga vendi i tij. Debati u fokusua më pas në forcimin e rrjeteve ekonomike në rajonin e gjerë, ku përfshihet edhe BE-ja.
Po ashtu pati edhe një përqendrim në zhvillimin e aftësive, ku Emil Tedeschi, Drejtori i Grupa Atlantic u shpreh se ndryshimet kulturore janë të nevojshme. Ai bëri thirrje për një ndryshim të modelit, dhe vendosi një theks të madh ndaj krijimit të vendeve të punës se në ruajtjen e vendeve të punës.

BERZH miraton strategjinë e re për Shqipërinë për periudhën 2016-2019

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka miratuar një strategji të re për Shqipërinë, e cila nxjerr në pah prioritetet e investimeve të Bankës për katër vitet e ardhshme. Strategjia 2016-2019 synon të përmirësojë konkurrueshmërinë e sektorit privat, të zgjerojë dhe të forcojë lidhjet rajonale si dhe të promovojë qëndrueshmërinë e ndërmarrjeve të shërbimeve publike.

Në fjalën e tij Kryeministri Edi Rama deklaroi se ky forum ofron një mundësi unike për të mësuar më shumë për vendet e Ballkanit dhe Shqipërinë në veçanti, duke pasur kontakt me vendimmarrësit kryesore dhe përfaqësuesit e biznesit. “Ne besojmë se rritja e bashkëpunimit ekonomik mes nesh është themeli për rritje të qëndrueshme në secilin prej vendeve tona. Ekonomitë tona janë shumë të vogla për të konkurruar me njëri-tjetrin, ose të vetëm brenda një peizashi global, por ekonomia jonë si rajon nuk është më një ekonomi e vogël”, tha ndër të tjera Kryeministri shqiptar. Ai ka shtuar se është me rëndësi për Shqipërinë që të mbështetet zhvillimi i Bankës për Zhvillim Rajonal, projekt që është paraqitur në Vjenë.

“Në lidhje me këtë, ne presim me padurim që të kemi mbështetjen tuaj në zhvillimin e idesë së Bankës për Zhvillim Rajonal, të cilën e kemi paraqitur tashmë në Vjenë, me kolegun tim serb, Aleksandar Vuçiç.”
“Shqipëria është në një proces transformimi të modelit të saj ekonomik, duke kaluar nga një model rritjeje të bazuar në konsum, në një model të ri të bazuar në investime dhe eksporte. Në të kaluarën, rritja ekonomike ka qenë e financuar kryesisht nga remitancat dhe rritja sektoriale e nxitur nga zhvillimi i sektorit të ndërtimit. Zhvillimet në ekonominë botërore dhe ekonominë e brendshme të Shqipërisë kanë detyruar zbatimin e një modeli të ri ekonomik. Qeveria shqiptare ka ndërmarrë reforma të forta strukturore, me qëllim që të rrisë potencialin e zhvillimit, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik.” u shpreh më tej zoti Rama.

Por ai pranoi se Shqipëria ka ende punë për të bërë sa i takon klimës ndaj biznesit. Në këtë kuadër, Kreu i qeverisë informoi për një sërë reformash që po zbatohen si ajo në sektorin energjetik, për informalitetin në ekonomi, arsim, shëndetësi, bujqësi si dhe reformën territoriale. Kryeministri Rama vuri në dukje se prioriteti i qeverisë së tij është promovimi dhe zhvillimi i sektorit privat, si dhe forcimi i bashkëpunimit me fqinjët. Sipas tij Procesi i Berlinit, i cili nisi dy vite më parë, po rezulton shumë i rëndësishëm sa i përket bashkëpunimit rajonal.

Në fjalën e tij Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto u ndal te fryma pozitive që ka krijuar Procesi i Berlinit, por theksoi se tani ka ardhur koha të kalohet në projekte konkrete në infrastrukturë. Përveç BERZH-it, Ministri Haxhinasto u ndal edhe te investitorët kinezë, që mund të japin kontribut në zhvillimet e transportit në rajonin e Ballkanit. Ai i lëshoi një apel përfaqësuesve nga rajoni se duhet më shumë bashkëpunim për të hequr barrierat jo fizike, duke shkaktuar një kosto 5 herë më të lartë se në pikat e kalimit kufitar mes vendeve të rajonit. Gjithashtu zoti Haxhinasto përmendi zgjidhjen që Shqipëria e ka gjetur me Malin e Zi, me një pikë kontrolli kufitar dhe një doganë, si një model i mirë që mund të aplikohet në rajon. Ai bëri thirrje për bashkëpunim mes vendeve të rajonit për të unifikuar projektet dhe për t’i trajtuar jo vetëm në rrafshin kombëtar, por edhe në atë rajonal pasi vetëm në këtë formë mund të jenë tërheqëse për investitorët.
                                                                 European Bank for Reconstruction and Development, shkurt 2016

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk