Avancimi i Negociatave të Tregtisë midis BE dhe SHBA

Avancimi i Negociatave të Tregtisë midis BE dhe SHBA

Ai gjithashtu do të rrisë ndikimin e Europës në botë, me formimin e tregtisë globale, duke shpalosur vlera dhe duke tërhequr më shumë investime. BE-ja dhe SHBA-të kanë marrëdhënien dypalëshe më të madhe të tregtisë në botë, dhe dy ekonomitë së bashku përbëjnë rreth gjysmën e PBB-së të të gjithë botës. SHBA-ja është tregu më i madh i eksportit të BE-së,ndërkohë që BE-ja eksporton rreth 310 miliardë € në mallra dhe 160 miliardë € në shërbime në SHBA. Në vitin 2013 SHBA ishte investitori kryesor në BE me 1,650 miliardë €. Megjithatë barrierat tarifore dhe jo- tarifore të investimeve midis BE-së dhe SHBA mbeten ende të larta .

Më 14 qershor 2013, institucionet e BE-së në mënyrë unanime i dhanë Komisionit Europian një mandat për të negociuar Partneritetin Transatlantik të Tregtisë dhe Investimeve me Shtetet e Bashkuara. Këto bisedime i hapin rrugën një marrëveshjeje të përbashkët tregtie.

Negociatat kryesore kanë ngecur mbi kapitujt e bujqësisë, shërbimeve, dhe prokurimit publik. Mbrojtja mjedisore nga mbetjet e nxjerrjes së naftës si dhe puna në miniera janë disa nga pikat e debatueshme që mund të dalin nga dispozita të caktuara të kapitullit mbi energjinë. Versioni i fundit i draftit të marrëveshjes mund të rrezikojë përpjekjet e BE-së për ruajtjen e energjisë dhe kalimit drejt përdorimit të energjisë së rinovueshme. Nëse traktati nënshkruhet, kjo do të ndikojë në pothuajse 40% të PBB-së botërore. Tregu transatlantik është tashmë më i rëndësishmi në botë. Kjo marrëveshje mund të ndihmojë kompanitë në kursimin e miliona eurove dhe në krijimin e mijërave vendeve pune në të dy krahët e Atlantikut.

Ne deklaratën përmbyllëse për shtyp të datës 15 korrik, Shefi Negociator i BE-së për TTIP u shpreh se kjo marrëveshje do të përmbajë rreth 30 kapituj. Shumica e këtyre kapitujve janë në faza të ndryshme të konsolidimit. TTIP përbëhet nga 3 pjesë kryesore: hyrjen në treg për kompanitë e BE-së dhe SHBA-së, bashkëpunimin mbi çështjet rregullatore dhe rregullat globale të tregtisë si një zhvillim i qëndrueshëm apo politika konkurruese.

Debatet mbi këtë marrëveshje kanë qenë të shumta duke shpalosur si anët pozitive ashtu edhe ato negative që kjo marrëveshje mund të sjellë. Disa nga aspektet pozitive të saj janë rritja e PBB-së, lehtësira për bizneset, mundësi të reja tregtie dhe standarde globale. TTIP ka potencialin për të rritur PBB-në e ekonomive të secilit shtet me 0.5%, duke bërë të mundur që secili qytetar në Europë të fitojë 545€ më shumë çdo vit, edhe pse kjo është një llogaritje optimiste. Duke hequr barrierat dhe duke harmonizuar rregullat dhe standartdet do të bëhet e mundur një tregti më e lehtë midis BE-së dhe SHBA-ve. Kjo do të reduktojë kostot dhe kohën e prodhimit. Produktet e mbrojtura nga rregullat proteksioniste do të mund të shiten në tregje të reja, gjë e cila do të rriste bizneset.

Anët negative që mendohet se do të konstatohen nga kjo marrëveshje janë ulja e standardeve të produkteve, mungesë transparence me konsumatorin dhe zhdukje e ngadaltë e karakteristikave të trashëgimisë kulturore kombëtare të secilit shtet. Ekziston perceptimi se Europa është përpara Shteteve të Bashkuara përsa i përket standardeve, dhe ekziston frika se harmonizimi mund t’i rrezikojë këto standarte. Shumë prej bisedimeve mbi TTIP janë vënë re se janë zhvilluar në fshehtësi midis përfaqësuesve të shteteve dhe drejtuesve të bizneseve kryesore, gjë e cila është konsideruar si anti demokratike dhe e padrejtë.

Me hyrjen në treg, BE-ja synon një nivel tarifor, shërbime dhe prokurim publik të përballueshëm. Kjo gjë nuk është arritur ende. Mbi tarifat janë shkëmbyer oferta dy herë, gjë e cila i hapi rrugën një faze më të avancuar negociatash. Në tryezë tashmë gjenden oferta shumë të mira nga të dyja palët, që përfshijnë 97% të të gjithë linjave tarifore. Po punohet ende për përmirësimin e këtyre ofertave duke u munduar që të eliminohen në mënyrë më të shpejtë shumica e tarifave. Ende duhet gjetur ekuilibri në fushën e bujqësisë midis progresit mbi tarifat dhe progresit mbi çështje të tjera të BE-së si indikatorët gjeografik dhe verërat.

Mbi shërbimet janë shkëmbyer gjithashty dy oferta. Palët janë dakort mbi rëndësinë e një rezultati ambicioz që shkon përtej asaj që është arritur deri më sot. Mbi aksesin në tregun e prokurimeve janë shkëmbyer oferta vetëm një herë. Një çështje shqetësuese mbetet hendeku midis nivelit të ambicies për tarifat dhe prokurimit. Për BE-në, përmirësimi i aksesit në treg për të gjitha nivelet shtetërore si një prej objektivave kyçe të negociatave kërkon ende shumë punë për tu bërë që të arrihet ky rezultat.

Pjesa e dytë e marrëveshjes përfshin çështjet rregullatore, ku kërkohet të thjeshtëzohen rregullat teknike mbi pranimin dhe shitjen të produkteve të ndryshme. Në tavolinë gjenden dispozitat e Praktikave të Mira Rregullatore. Bashkëpunimi rregullues nuk është një term i ri në BE dhe ShBA, pasi këto dy fuqi kanë punuar sëbashku në të kaluarën për standardet e makinave elektrike dhe në sektorin e aviacionit mbi këtë concept. Suksesi i arritur në këto fusha ka inkurajuar vazhdimin e bashkëpunimit edhe në sektorë të tjerë. Propozimet për bashkëpunim përfshijnë shtatë fusha të industrisë; mbi kimikatet, kozmetikën, inxhinierinë, pajisjet mjekësore, farmaceutikën, tekstilet, dhe makinat. Në fusha të tjera janë konsoliduar tekstet mbi barrierat teknike të tregtisë si psh. mbi shëndetin e kafshëve dhe të bimëve, apo çështjet sanitare dhe fitosanitare.

Një objektivë e rëndësishme e BE-së është reduktimi i kostos për eksportuesit e Bashkimit në sektorin e makinerive. Si SHBA, ashtu dhe BE-ja kanë të dyja sisteme të sofistikuara rregullatore. Raundet e shumta të bisedimeve përfshinë dhënien e opinioneve dhe nga të interesuarit kryesorë të kësaj marrëveshjeje duke përfshirë grupet e tregtarëve, konsumatorëve dhe kompani të vogla dhe të mëdha. Bashkëpunimi do të jetë i frytshëm vetëm nëse niveli i mbrojtjes së qytetarëve do të përmirësohet, ose të paktën të mbetet i njëjtë.

Sipas deklaratave të negociatorëve përfaqësues, çdo gjë do të bëhet plotësisht transparente dhe do të respektojë pavarësinë e rregullave të brendshme të secilit shtet. Nuk do të ndryshojë as përkushtimi mbi politikat publike si siguria ushqimore apo mbrojtja mjedisore. Të dyja fuqitë janë të vetëdijshme se asnjë veprim ndërmarrë nuk mund të reduktojë autonominë respektive të secilit shtet.
Çështja e fundit e marrëveshjes ka të bëjë me rregullat e tregtisë. Për herë të parë në një marrëveshje të BE-së do të ketë një kapitull dedikuar firmave të vogla dhe të mesme. Ekzistojnë 600.000 biznese të tilla që eksportojnë në SHBA, por pas TTIP do të kenë mundësinë që të shtojnë tregtinë dhe me një cilësi më të mirë. Gjithashtu shpresohet se ata që nuk eksportojnë sot për shkak se janë të dekurajuar prej rregullave të ndërlikuara do të kenë më shumë avantazhe pas arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare. Kjo përfshin psh. eliminimin e tarifave dhe taksave të tepërta.

Është propozuar gjithashtu një kapitull mbi tregtinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm, që përfshin sektorin e punës dhe atë mjedisor, së bashku me një kapitull për energjinë dhe materialet e papërpunuara, që përfshin propozime për të promovuar fushën e teknologjisë së gjelbërt. Propozimet përfshijnë sugjerime për heqjen e licensave ekzistuese të transportit në SHBA mbi eksportimin e naftës. Kjo mund të ndihmojë në shtimin e llojeve të ndryshme të burimeve të energjisë duke kontribuar në sigurinë e energjisë në BE, gjë e cila forcon objektivat klimaterike.

Konteksti politik i tregtisë po bëhet gjithnjë e më shumë sfidues për të dy anët e Atlantikut. Siç është thënë edhe në deklaratat e negociatorëve, BE-ja ka një axhendë ambicioze tregtie dhe i qëndron angazhimit për përmbylljen e negociatave që ka ndërmarrë. TTIP ka një rëndësi të madhe ekonomike, politike dhe strategjike. Kjo marrëveshje është gjithashtu një përgjigje pozitive ndaj shqetësimeve mbi globalizimin nga ana e kritikuesve të saj. Në këtë mënyrë ajo nuk është vetëm e rëndësishme për mundësitë ekonomike që sjell, por është edhe një mundësi për t’i dhënë globalizimit influencën e duhur në bazë të vlerave përkatëse të secilit shtet.


                                                                                                                 Komisioni Europian, korrik 2016

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk