Me marrjen e presidencës së dytë, Trump nuk vonoi që të realizonte de facto të gjitha “premtimet” që ai kishte bërë gjatë fushatës së tij “Make America great again”. Trump ka kritikuar gjithnjë shpenzimet që Amerika akordonte jashtë vendit për shtete dhe projekte të ndryshme në këto vende, duke theksuar nevojën që këto fonde të përdoreshin brenda vendit. Jo më larg se në datën 20 janar 2025, me anë të Urdhrit Ekzekutiv të titulluar “Reevaluating and Realigning United States Foreign Aid” (“Rivlerësimi dhe riorganizimi i ndihmës së huaj të Shteteve të Bashkuara”), Shtëpia e Bardhë njoftoi: “Pezullimin prej 90-ditësh të ndihmës së huaj të zhvillimit të Shteteve të Bashkuara për vlerësimin e efikasitetit programor dhe konsistencës me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Të gjithë drejtuesit e departamenteve dhe agjencive me përgjegjësi për programet e ndihmës së huaj për zhvillim të Shteteve të Bashkuara do të ndalojnë menjëherë detyrimet dhe disbursimet e reja të fondeve të ndihmës zhvillimore për vendet e huaja dhe organizatat joqeveritare zbatuese, organizatat ndërkombëtare dhe kontraktorët në pritje të rishikimeve të këtyre programeve për efikasitet programor dhe konsistencë me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, që do të kryhen brenda 90 ditëve nga ky urdhër. (...)”1
Ky urdhër e jep qartë qëllimin e tij duke nënvizuar se instituti i ndihmës së huaj dhe burokracia e Shteteve të Bashkuara nuk janë në linjë me interesat amerikane dhe në shumë raste janë në kundërshtim me vlerat amerikane. Ato shërbejnë për të destabilizuar paqen botërore duke promovuar ide në vendet e huaja që janë drejtpërdrejt të kundërta ndaj marrëdhënieve harmonike dhe të qëndrueshme brenda dhe ndërmjet vendeve.2 Si rrjedhojë, shumë projekte të financuar nga USAID (United States Agency for International Development/Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar) për të mos thënë gati të gjitha u pezulluan në mbarë botën, duke përfshirë edhe Shqipërinë.
Për të pasur një tablo më të gjerë, USAID u krijua në vitin 1961 nga Kongresi Amerikan me urdhër ekzekutiv përmes Aktit të Ndihmës së Jashtme me themelues Presidentin John F. Kennedy. Ndihma që është akorduar nga SHBA nëpërmjet fondeve të saj i ka dhënë pasojat pozitive dhe efektin e saj. Statusi i saj si agjenci ekzekutive u sanksionua me ligj në 1998, dhe si rrjedhojë njohës të ligjit janë të mendimit që Trump nuk mund ta shfuqizojë USAID-in thjesht me një urdhër ekzekutiv, dhe çdo përpjekje për ta bërë këtë do të hasë sfida të forta në gjykata dhe Kongres. Aktivitetet e USAID-it variojnë nga ofrimi i gjymtyrëve protetike për ushtarët e lënduar në Ukrainë, deri te pastrimi i minave tokësore dhe frenimi i përhapjes së Ebolës në Afrikë.3 Një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të USAID-it ndahet për programet shëndetësore, duke përfshirë ofrimin e vaksinimeve kundër poliomielitit në vendet ku sëmundja mbetet aktive dhe duke punuar për të parandaluar përhapjen e viruseve që mund të çojnë në një pandemi, por jo vetëm, sepse kjo agjenci ka shtrirë ndihmën e saj edhe në fusha qe prekin gjyqësorin, të drejtat e njeriut, mjedisore etj.4
Por si u përkthye ky urdhër dhe çfarë pasojash pati në realitet? Referuar në raportimet në media, qindra anëtarë të stafit në një agjenci kryesore të ndihmës së huaj (USAID) u vunë në statusin “pushim pa pagesë” ose u pushuan nga puna, pavarësisht se administratës së Trump, i mungonte autoriteti ligjor për ta bërë këtë. Për më tepër, faqja zyrtare e agjencisë nuk funksiononte dhe një zëvendësim i pjesshëm u shfaq në faqen e internetit të Departamentit të
Shtetit.5 Urdhrat e Trump kanë kufizuar të paktën dhjetëra miliarda dollarë financime për projekte të energjisë së pastër, nisma ruajtjeje dhe projekte transporti në mbarë vendin. Administrata Trump nuk ka dhënë një vlerësim të përgjithshëm të financimit të ngrirë, por mijëra vende të reja pune në komunitete janë në rrezik, kanë shprehur punonjësit dhe përgjegjësit që punojnë në projektet e ndërprera.6 Gjithsesi, qeveria e Trump njoftoi dhe qartësoi disi panoramën me deklaratën që Marco Rubio, Sekretari i Shtetit Amerikan njoftoi më 27 janar, se nga kjo ngrirje 90 ditore janë përjashtuar rastet e tilla si, ofrimin e ushqimit emergjent dhe ndihmën ushtarake për Egjiptin dhe Izraelin. Të nesërmen, ai sqaroi se "ndihmat humanitare" si ilaçet shpëtimtare, shërbimet mjekësore, ushqimi dhe ndihma për jetesë nuk do të ndaloheshin, por përjashtime nuk do të bëheshin për aborte, planifikimin familjar, operacionet transgjinore ose ndihmë tjetër jo-shpëtuese. Rubio theksoi se programet ekzistuese të ndihmës humanitare mund të rifillojnë, por kontrata të reja do duhet të rishikohen në bazë të ndryshimeve të reja7, por që gjithsesi nuk la pa theksuar edhe njëherë që shpenzimet që Shtetet e Bashkuara kontribuojnë jashtë vendit përbëjnë 40% të ndihmës humanitare globale, dhe theksoi që amerikanët meritojnë transparencë dhe llogaridhënie si bazën kryesore të ngrirjes së fondeve. 8
Gjithsesi, kjo sagë përfundoi pranë strukturave gjyqësore, dhe këto të fundit nuk gjykuan aspak në favor të nismave Trump. Më 2 shkurt, një gjykatës federal, Carl Nichols, pengoi administratën Trump të vendosë 2,200 punonjës të USAID në leje administrative. Gjyqtari vendosi se sindikatat që përfaqësojnë punonjësit do të pësonin "dëm të pariparueshëm" nëse kjo masë zbatohej, ndërsa qeveria nuk do të kishte dëm të menjëhershëm. Urdhri i përkohshëm ndaloi pushimin e punonjësve dhe kthimin e personelit të USAID-it në SHBA, duke i rivendosur ata në punë deri në mesin e muajit shkurt. Gjykata caktoi një seancë të përshpejtuar në 12 shkurt, dhe punonjësit morën një email për t'u rikthyer në punë deri në atë datë. Në një seancë të mëvonshme, avokatët e sindikatave argumentuan se kjo masë shkaktonte ndarjen e familjeve dhe dëmtonte punonjësit, ndërsa qeveria nuk ofroi prova për akuzat e korrupsionit në USAID, siç pretendonte Trump. Vendimi i gjykatës erdhi pas disa orësh tensioni, pasi punëtorët filluan të largonin tabelat nga selia e USAID-it.9 Ky gjykatës me anë të këtij vendimi theksoi shkatërrimin financiar të shkaktuar nga ndërprerja e papritur e pagesave për furnizuesit dhe organizatat jofitimprurëse përgjegjës për ekzekutimin e pjesës më të madhe të ndihmës së SHBA-së jashtë vendit. Ky vendim shënoi sfidën e parë për ngrirjen e financimit të administratës republikane. Ky vendim erdhi në një kohë kur një numër në rritje padish po ngriheshin nga grupet e punonjësve të qeverisë, organizatat e ndihmës dhe furnizuesit, të gjitha duke kërkuar ndërhyrjen e gjykatës për të ndalur shpërbërjen e shpejtë të Agjencisë së SHBA për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe shkurtime më të gjera për ndihmën e huaj të SHBA.10
Por nuk, ishte vetëm ndërprerja e ndihmës së huaj një kthesë e madhe në politikën ndërkombëtare por, shumë janë përfolur edhe për tërheqjen e SHBA-së nga traktate me rëndësi për të ardhmen globale. Pikërisht më 20 janar, Presidenti Trump nënshkroi Urdhrat Ekzekutive që mandatojnë tërheqjen e SHBA nga Marrëveshja e Parisit për Klimën dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Këto lëvizje kanë ngritur shqetësime për ndikimin e tyre në ndryshimet klimatike, shëndetin global dhe bashkëpunimin shumëpalësh mes vendeve. Urdhri Ekzekutiv për tërheqjen nga Marrëveshja e Parisit për Klimën udhëzon Ambasadorin e SHBA- së në OKB që të njoftojë zyrtarisht tërheqjen nga Marrëveshja e Parisit dhe angazhimet e tjera mjedisore të lidhura me to, që hyjnë në fuqi menjëherë. Pavarësisht ribashkimit nën Presidentin Biden në vitin 2021, vendimi i Trump përfaqëson një ndryshim drejt prioritizimit të prodhimit të karburanteve fosile dhe minimit të përpjekjeve globale për klimën.
Urdhri Ekzekutiv për tërheqjen nga OBSH përmend kërkesat e saj të larta financiare dhe qëndrimin e tij ndaj pandemisë COVID-19. Ndërsa Trump nisi tërheqjen në vitin 2020, Biden e ndaloi atë në 2021. Urdhri Ekzekutiv i ri ndalon mbështetjen financiare të SHBA-së për OBSH-në, tërheq stafin dhe ndalon pjesëmarrjen në negociatat për marrëveshjet globale të shëndetit. Si kontribuesi më i madh financiar i OBSH-së, këto veprime pritet të ndikojnë rëndë përpjekjet globale shëndetësore. 11
Siç nuk po ngurrohet të vërehet, administrata Trump po riformulon shpejt qeverinë e SHBA-së, me vendimet e saj që tashmë kanë një ndikim të rëndësishëm global, duke përfshirë pezullimin e ndihmës së huaj dhe tërheqjet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe marrëveshja e Parisit për klimën. Kuptimi i shtrirjes së plotë të këtyre ndryshimeve është thelbësor, duke e bërë këtë një moment kyç për raportim të detajuar dhe të saktë duke analizuar pasojat që vijnë nga kjo kthesë në politikën amerikane, ku shumë nga ato kanë pasoja në dukje të pariparueshme sipas raportimeve.
Përtej veprimeve të Trump, Bashkimi Europian me në krye presidenten e tyre Ursula von der Leyen reaguan me një deklaratë ku theksuan se Marrëveshja e Parisit mbetet shpresa më e mirë e njerëzimit dhe ripohoi angazhimin e Europës për të qëndruar në frontin e luftës kundër ngrohjes globale. Ajo shprehu synimin e Europës për të vazhduar punën me të gjitha kombet e përkushtuara për mbrojtjen e natyrës. Komisioneri i BE-së për Klimën Wopke Hoekstra dhe Presidenti i Këshillit Europian António Costa i bënë jehonë këtij qëndrimi duke ndarë mendime të njëjta mbi situatën. Komisioni Europian shprehu gjithashtu shqetësime për tërheqjen e SHBA nga OBSH, duke shpresuar se SHBA do të rishqyrtonte vendimin e saj. Në janar, Parlamenti Europian mbajti debatin e tij të parë mbi ndikimin gjeopolitik dhe ekonomik të administratës së re Trump në marrëdhëniet transatlantike, me kontributin e përfaqësuesve të Presidencës së Këshillit polak dhe Komisionit.12 Nga ana tjetër, edhe OKB-ja theksoi se revolucioni i vazhdueshëm i energjisë së rinovueshme po krijonte mundësi të reja pune dhe po kontribuonte në prosperitetin ekonomik. Sekretari i Përgjithshëm shprehu besimin se qytetet, shtetet dhe bizneset e SHBA, së bashku me kombet e tjera, do të vazhdojnë të udhëheqin rrugën në promovimin e rritjes ekonomike me karbon të ulët dhe elastike. Deklarata përfundoi duke theksuar rolin vendimtar që luajnë Shtetet e Bashkuara në udhëheqjen globale mjedisore.13
Kthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë përbën një sfidë komplekse për Evropën. Ndër çfarë u tha më sipër, ai është zotuar të vendosë tarifa të gjera ndaj vendeve evropiane, të zvogëlojë mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën dhe të kërkojë rritje të mprehta në shpenzimet evropiane të mbrojtjes dhe të gjitha këto i ka realizuar nëpërmjet firmosjes së urdhrave ekzekutivë. Ndikimi i Elon Musk, i cili mbështet partitë evropiane të ekstremit të djathtë, dhe një aleancë në rritje midis Trump dhe gjigantëve të teknologjisë amerikane, pritet të tendosin më tej unitetin e Europës. Si përgjigje, liderët evropianë po punojnë për të kufizuar pasojat, me disa takime me Trump siç ishte takimi mes tij dhe Presidentit francez Emmanuel Macron në Paris dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni në Florida, por ende është e paqartë nëse mes tyre liderët kanë arritur të flasin mbi kufizimet dhe tarifat që Trump ka parashikuar për vendet europiane. Komisioni Europian ka përgatitur një paketë për të lehtësuar tensionet dhe për të parandaluar një konflikt tregtar transatlantik. Mënyra se si shpaloset ky bllokim do të ndikojë ndjeshëm në marrëdhëniet transatlantike dhe unitetin më të gjerë të G7 përballë sfidave në rritje ekonomike dhe të sigurisë.14 Gjithsesi, pritet të monitorohet situata në vijim, pasi jemi vetëm në fillimin e mandatit të tij për të parë, për evidentimin e pasojave reale që tronditi marrëdhëniet globale që në hyrjen e 2025-ës.
aid/aksesuar më 02.02.2025
2 Po aty
3https://www.bbc.com/news/articles/clyezjwnx5koaksesuar më 01.02.2025
say-2025-02-06/aksesuar më 10.02.2025
mistakenly-believe-about-it-248979aksesuar më 10.02.2025
6https://www.reuters.com/world/us/billions-dollars-us-projects-remain-frozen-by-trump-managers-
7 Owen Dyer, “Trump’s foreign aid freeze throws relief services into chaos worldwide” https://www.bmj.com/content/388/bmj.r228.full,Publikuar më 03 Shkurt 2025
8https://www.state.gov/emergency-humanitarian-waiver-to-foreign-assistance-pause/?fbclid=IwY2xjawIgJkBleHRuA2FlbQIxMQABHa4OQtfFIDLoI8lpMfDfJh4ihL0_jGLnzPDOdEmMrjzaIg5BkPIxdEwRJg_aem_loXtDi3d0uEe7gfkZWCe7Qaksesuar më 03.02.2025
9https://www.cbsnews.com/news/usaid-leave-judge-trump-administration/aksesuar më 09.02.2025
10https://www.theguardian.com/us-news/2025/feb/14/trump-usaid-foreign-aid-funding
11 Lazarou, Elena and Gabija Lecl “US withdrawal from the Paris Climate Agreement and from the WHO”. European Parliamentary Research Service. February 2025. Available at https://www.europarl.europa.eu/RegData/etudes/ATAG/2025/767230/EPRS_ATA(2025)767230_EN.pdf
12 Special Address by President von der Leyen at the World Economic Forum
https://ec.europa.eu/commission/presscorner/detail/en/speech_25_285. /Lazarou, Elena & Gabija Leclerc. US withdrawal from the Paris Climate Agreement and from the WHO. European Parliamentary Research Service. February 2025. https://www.europarl.europa.eu/RegData/etudes/ATAG/2025/767230/EPRS_ATA(2025)767230_EN.pdf
13 United Nations. UN regrets US exit from global cooperation on health, climate change agreement. 21 January 2025. https://news.un.org/en/story/2025/01/1159211
Haxhire Vezi, mars 2025
*Haxhire Vezi është diplomuar në Universitetin e Tiranës (2019) dhe zotëron diplomë Master të Shkencave në të Drejtë Penale (2021) nga i njëjti universitet. Me më shumë se 5 vjet praktikim të ligjit shqiptar dhe ekspertizë të konsiderueshme edhe në arenën ndërkombëtare, ka qenë në gjendje të mbështes disa entitete kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjithashtu në vitin 2019 është certifikuar në fushën e anti-korrupsionit dhe pastrimit të parave me ndjekjen e një kursi 3 mujor (online) nën drejtimin e Washington and Lee University (SHBA) dhe Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Që nga 2019 punon si konsulente ligjore në fusha të ndryshme ligjore, Compliance, çështjet e të dhënave personale, dhe së fundmi edhe aspektet që lidhen me teknologjinë me fokus sigurinë e informacionit. Më tej, ka kontribuar në projekte të shoqërisë civile në reduktimin e çështjeve të prapambetura në Gjykatën e Lartë dhe ka si fokus ndër të tjera edhe studimin e legjislacionit europian, përafrimin me atë shqiptar - EU acquis dhe aspekte të tjera të lidhura me të.