Europa në krizë politike

Europa në krizë politike

Sa i përket Brexit

Në Bratislavë, Slloveni, përpara 27 ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian + Britaninë, Johnson tha: “Qeveria britanike, drejtuar nga Theresa May, është absolutisht e përkushtuar në pjesëmarrjen e politikave të jashtme të bashkëpunimit dhe në bashkëpunimin për mbrojtjen dhe sigurinë europiane”. Me pak fjalë, Londra aspiron të vazhdojë pjesëmarrjen në SPPJS edhe pasi vendi të largohet nga BE-ja.
Shtuar kësaj kërkesën e Londrës që Britania të ruajë të drejta të plota në tregun europian dhe se Brexit mund të bëhet kështu një epokë e artë për britanikët.

Po në lidhje me qytetin e Londrës?

Nëse kjo është vërtetë ajo çfarë ka në mendje kryeministrja Theresa May për qasjen e konsultimeve, atëherë Brukseli duhet t’i përgjigjet duke përjashtuar Britaninë në mënyrë të plotë dhe vertikale nga të gjitha veprimtaritë e Bashkimit Europian dhe vetëm më pas të fillojë të flasë për marrëdhëniet ekonomike. Për fat të keq, një zhvillim i tillë do të çonte në përfundime të pasuksesshme dhe përballje të padëshiruara. Në një rast të tillë, e para që do të vuajë do të jetë qendra financiare e qytetit të Londrës, një milje katror e tokës britanike, e cila prodhon 10% të GDP-së së vendit. Rastësisht, një nga arsyet më të rëndësishme se pse britanikët jometropolitanë votuan pro Brexit, është se ky 10% i GDP-së përvetësohet ekskluzivisht nga vetëm disa qindra bankierë dhe manjatë të pasurive të patundshme të vendosura në Londër. Ishin pikërisht ata që luftuan dëshpërimisht për të ndenjur në Union në referendumin e 23 qershorit.

Shi në Spanjë

Një tjetër shtet anëtar madhor i BE-së, i cili vuan gjithashtu nga moti i keq politik, Spanja, po përgatitet për zgjedhjet e treta të përgjithshme në disa muaj. Peizashi politik i vendit është totalisht i ngrirë. Ishte ndryshe rasti i Belgjikës në 2010-2011, kur ky vend europian qendror jetoi për 541 ditë nën administrim kujdestar, në kuptimin që nuk çoi në përsëritjen e zgjedhjeve. Ndërsa në rastin e vendit iberik, paaftësia e elektoratit për të prodhuar një qeveri të qëndrueshme ka ngrirë tashmë jetën ekonomike dhe politike.

Problemi me Spanjën është se ekonomia e zonës së katërt më të madhe të euros nuk mund të ndërhyjë me vendosmëri në axhendën momentalisht tejet të ngarkuar të Bashkimit Europian. Në takimin e “Rinisjes së Europës” të Merkelit-Hollande-Renzit të 22 gushtit në Napoli, ishte më se e dallueshme mungesa e një lideri të fortë spanjoll. Matteo Renzi, i pasigurt politikisht, nuk mund ta mbronte dot jugun tërësisht i vetëm. Rezultoi se ishte një fitore e plotë e Merkelit. Kancelarja gjermane refuzoi të reflektonte në përçarjen veri-jug, gjë që me shumë gjasa ka traumatizuar thellësisht Eurozonën. Nëse Spanja vazhdon të mungojë në procesin Europian dhe nëse Gjermania ruan kokëfortësinë, qëndrimin e rreptë dhe të rrezikshëm, anija e Bashkimit Europian me siguri do të përmbyset.

Goditja irlandeze

Eurozona është tronditur më shumë nga vendimi i qeverisë irlandeze për të marrë anën e Apple, në kundërshtimin e taksës prej 13 miliardë euro, imponuar nga Komisioni Europian kundrejt gjigandit të teknologjisë amerikane. Partneri i vogël i koalicionit të qeverisë, Aleanca e Pavarur, pati mëdyshje për këtë çështje, por Ministri i Financave Michael Noonan, fitoi votat e kabinetit. Kështu, Irlanda çuditërisht mbajti anën e Apple dhe jo Brukselit. Në këtë mënyrë, Republika humbi të ardhurën prej 13 miliardë eurosh.

Politikisht, ky vendim i kabinetit irlandez është disi i çuditshëm. Një vend me shumë borxhe, që vuan nga papunësia e lartë dhe që nuk është në gjendje të financojë një sistem të shëndetit publik efektiv, mohon mbledhjen e një takse të ngarkuar nga Brukseli mbi një kompani informacioni amerikane jashtëzakonisht të pasur. Për t'u theksuar është se ky vendim i Komisionit për të ngarkuar një taksë ndaj Apple, ka shkaktuar kundërvënie midis SH.B.A.-ve dhe B.E.-së, e cila mbase mund të çojë në një luftë të vërtetë ekonomike.

Vive la Revolution

Së fundi, fermerët francezë, të cilët çdo vit humbin një pjesë të mirë të të ardhurave të tyre, ndoqën traditën revolucionare të vendit të tyre. Ata ‘bllokuan’ ministrat e agrikulturës së BE-së në kështjellën e rinovuar të Shambordit në rajonin e Luarës. Fermerët protestuan jashtë saj dhe thërrisnin “Ministrat në kështjellë, fermerët në rrugë.”

Organizata e “Bashkëpunimit Rural” inskenoi protestën, për shkak të antitezës tronditëse midis gjendjes degraduese të sektorit bujqësor në Francë dhe luksit të vendit të takimit të ministrave të agrikulturës së BE-së. Njëzetë ministrat që morën pjesë supozohej të diskutonin të ardhmen e agrikulturës europiane. Ndërkohë, e ardhmja e agrobiznesit francez – dikur të fuqishëm – po venitet vazhdimisht. Këtë vit është prodhimi i drithërave ai që ka rënë, për shkak të reshjeve të rënda të pranverës. Sa i përket çmimeve të mishit dhe qumështit, ato kanë pësuar rënie prej vitesh, duke e bërë kursimin francez progresivisht të paqëndrueshëm.

Strategjia europiane e globalizimit

Fermerët francezë janë në një gjendje të përhershme zemërimi, sepse Brukseli hap vazhdimisht kufijtë për prodhime të lira të bujqësisë, të importuara nga jashtë. Prej njëzet vitesh, Brukseli e ka braktisur parimin e “vetë mjaftueshmërisë”, e cila ka udhëhequr Politikën e Përbashkët Bujqësore të Europës deri në fillim të viteve 1990. Që prej atëherë, në vend të saj Bashkimi Europian aplikon versionin e vetë të një strategjie të "globalizimit". Nuk është rastësi fakti se partitë politike ekstremiste të së majtës dhe të djathtës po lulëzojnë në provincat franceze.

Në të gjitha çështjet e diskutuara më sipër - Brexit, ngrirja spanjolle, dilema irlandeze dhe revolucioni i fermerëve francezë - shkaku më i thellë i zemërimit popullor është politika afatgjatë e Unionit për të “eksportuar punë” si në sektorin bujqësor, edhe në atë industrial. Irlanda ka qenë një vend agrikulturor, i cili tashmë po mundohet dëshpërimisht të industrializohet. E njëta gjë vlen në një masë të madhe edhe për Spanjën.

Franca, Italia si Britania

Sa për Britaninë dhe Francën, që prej viteve 1980, eksporti i punës ka lënë gjurmë si në industri, edhe në bujqësi. Rezultatet politike dhe ekonomike tashmë mund të shihen nga kushdo. Nëse Gjermania – i vetmi vend që ka lulëzuar nga globalizimi dhe hapja e kufijve - është aq egoiste sa të neglizhojë problemet ekzistenciale të partnerëve të saj europianë, do të sjellë përshpejtimin e shpërbërjes së Bashkimit Europian. Nëse Italia do t’i thotë “jo” referendumit të Renzit për reformë kushtetuese, goditja mund t’i pasohet Brukselit. Takimi i 16 shtatorit në Bratislavë i 27 krerëve të shteteve apo qeverive të Vendeve Anëtare, i ngriti temperaturat e vjeshtës.

 European Sting, shtator 2016

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk