Marrëveshja e Gjelbër e Bashkimit Europian: risitë dhe sfidat

Marrëveshja e Gjelbër e Bashkimit Europian: risitë dhe sfidat

 

***

Zbatimi i Marrëveshjes së Gjelbër do të thotë kalimi nga një ekonomi kryesisht lineare në një model të ekonomisë qarkulluese. Bashkimi Europian miratoi Planin e Veprimit për Ekonominë Qarkulluese në vitin 2015; dhe me miratimin e Marrëveshjes së Gjelbër, sapo ka prezantuar Planin e ri të Veprimit për Ekonominë Qarkulluese. Marrëveshja e Gjelbër e BE-së përcakton objektiva shumë ambicioze për krijimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe konkurruese. Por zbatimi i saj shoqërohet nga sfida të ndryshme. Ky artikull jep një pasqyrë të risive dhe sfidave të Marrëveshjes së Gjelbër, të cilat do të ushqejnë analizat e mëtejshme me rekomandime.

Hyrje

Me ardhjen e Presidentes Ursula von der Leyen në krye të Komisionit Europian, rëndësia e mjedisit dhe rritjes së gjelbër ekonomike u ritheksua, nëpërmjet zotimit të saj për të miratuar një Marrëveshje të Gjelbër të Bashkimit Europian (BE) brenda 100 ditëve të para të qeverisjes.

Marrëveshja e Gjelbër e BE-së është një nga 6 prioritetet e Udhëzuesit Politik të Komisionit Europian për periudhën 2019 – 2024. Kjo Marrëveshje paraqet një sërë masash që synojnë krijimin e një ekonomie të qëndrueshme në BE, nëpërmjet përdorimit eficient të burimeve, uljes së ndotjes dhe reduktimin e emetimit të gazrave serrë, mbrojtjes së biodiversitetit dhe luftimin e ndryshimeve klimatike. E gjithë kjo nënkupton përqafimin e një modeli të ri ekonomik – modelin e  ekonomisë qarkulluese. Akoma në ditët e sotme, ekonomia e BE-së mbetet më së shumti lineare. Vetëm 12% e materialeve të përdorua në industrinë e BE-së janë rezultat i riciklimit, ndërkohë që industria e BE-së përbën 20% të emetimit të gazrave serrë nga Bashkimi Europian (Komisioni Europian 2019).

Përpjekjet e para për kalimin drejt një ekonomie qarkulluese filluan në vitin 2015 me miratimin e Planit të Veprimit për Ekonominë Qarkulluese (Komisioni Europian 2015). Ky plan synon kalimin nga modeli linear i ekonomisë drejt modelit qarkullues. Ky plan, i cili nxit inovacionin, konkurrueshmërinë dhe krijimin e vendeve të punës, është në përputhje me disa prioritete të BE-së, në fushat mjedisore, sociale, industriale, si dhe në linjë me parimet e krijimit të një ekonomie të qëndrueshme, pa karbon (carbon-free) dhe efikase në përdorimin e energjisë (energy efficient). Vetëm në vitin 2016, punësimi në sektorët që lidhen me ekonominë qarkulluese u rrit me 6% krahasuar me vitin 2012 (Komisioni Europian 2019).

Në fakt, krijimi i një ekonomie të qëndrueshme dhe efikase në përdorimin e energjisë theksohet nga Parlamenti Europian që në vitin 2010, ku nëpërmjet rezolutës së datës 16 qershor 2010 mbi Strategjinë Europa 2020, Parlamenti thekson se kjo strategji duhet të synojë kalimin drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe efikase në përdorimin e energjisë.

 

Risitë e Marrëveshjes së Gjelbër

Marrëveshja e Gjelbër e BE-së konsiston në një udhërrëfyes me masa afatshkurtra dhe afatmesme. Masat më afatshkurtra që trajton Marrëveshja e Gjelbër fokusohen në ndryshimet klimatike: krijimi i Ligjit Europian të Klimës dhe ndryshime ligjore në legjislacionin relevant ekzistues, me qëllim arritjen e objektivave ambicioze të klimës së BE-së në 2030 dhe 2050  – uljen e mëtejshme të emetimeve të gazrave serrë deri në të paktën 50% për vitin 2030 (me synimin e mëtejshëm deri në 55%) dhe arritjen e objektivit të 2050 të BE-së për të pasur një klimë neutrale. 

Krijimi i Ligjit të parë Europian për Klimën është një nga risitë më të rëndësishme të kësaj Marrëveshjeje. Ajo e kthen objektivin e klimës neutrale në 2050 në një objektiv ligjor, dhe me miratimin e këtij ligji, Vendet Anëtare do të duhet të marrin masa për zbatimin e tij. Por, arritja e objektivave të klimës nuk është e mundur pa kaluar në një model ekonomik qarkullues.

Kështu, Marrëveshja e Gjelbër sjell një Plan të ri Veprimi për Ekonominë Qarkulluese (EQ), i prezantuar në mars të këtij viti. Ky Plan e shtrin veprimin e tij në disa sektorë të rinj, të cilët nuk janë adresuar më parë dhe nuk i nënshtroheshin Planit të Veprimit të 2015. Plani i ri prek sektorë si tekstilet, elektronika dhe ndërtimi, që përdorin burimet natyrore në mënyrë intensive. Sipas një studimi (Cambridge Econometrics 2018) të përmendur në Planin e ri të EQ, aplikimi i modelit ekonomik të Ekonomisë Qarkulluese mund të rrisë GDP e BE-së me një 0.5% shtesë deri në vitin 2030, çka krijon rreth 700 000 vende të reja pune. Ky Plan Veprimi sjell koncepte të reja si “e drejta për të riparuar”, veçanërisht për sektorin e elektronikës, të cilat pritet të krijojnë modele të reja biznesi.

Risia tjetër e kësaj marrëveshjeje është propozimi i një mekanizmi të rregullimit të kufirit të karbonit. Ky mekanizëm vjen si nevojë e kontrollit të rrjedhjeve të karbonit në sektorë të veçantë për shkak të diferencave në objektivat e një ekonomie pa karbon mes vendeve të ndryshme në botë.

Me rëndësi për tu theksuar është edhe përfshirja e Ballkanit Perëndimor në këtë Marrëveshje, nëpërmjet planifikimit të një Axhende të Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Marrëveshja e Gjelbër rikonfirmon perspektivën Europiane të Ballkanit Perëndimor duke e bërë atë një pjesë të pandashme të një plani ambicioz ekonomik, mjedisor dhe social.

Marrëveshja e Gjelbër e BE-së është shumë ambicioze dhe synon ta pozicionojë BE-në si lider botëror në fushën e mjedisit dhe të ndryshimeve klimatike. Ajo sjell një numër masash, që variojnë nga risitë tek rishikimi i legjislacionit dhe iniciativave ekzistuese. Por, një Marrëveshje kaq ambicioze pritet të ketë dhe sfidat e veta.

 

Sfidat dhe rekomandimet:

Tranzicioni drejt një ekonomie qarkulluese dhe zgjerimi i tregut të produkteve të gjelbra kërkon investim, si nga sektori publik, ashtu edhe ai privat. Komisioni Europian ka përllogaritur që për të arritur objektivat e v. 2030 të klimës dhe të energjisë, nevojiten investime vjetore shtesë në vlerën e 260 miliardë Euro (Komisioni Europian 2019). Bizneset duhet të përqafojnë praktika inovatore të të bërit biznes, bazuar në teknologji të reja dhe eficiente. Të gjitha këto janë kosto shtesë, ndaj gjetja e burimeve financiare dhe përdorimi i mekanizmave financiare për mbështetjen e këtij tranzicioni janë kyçe.

Njëkohësisht, zhvillimi i inovacionit kërkon aftësitë e duhura. Krahas investimeve fizike, do të duhet të investohet dhe në kapitalin njerëzor. Kornizat e kompetencave duhet të përditësohen duke përfshirë më në detaje çështjet mjedisore si eficienca e energjisë, ndryshimet klimatike etj., por njëkohësisht edhe fuqia punëtore ekzistuese duhet trajnuar më aftësitë e reja që kërkon tregu i punës në një ekonomi qarkulluese.

Ndërkohë që sektori privat eksploron me qasjet e reja të ekonomisë qarkulluese, kalimi drejt një ekonomie qarkulluese kërkon angazhimin e qytetarëve për të ndryshuar mënyrat e blerjes dhe konsumit. Kështu, promovimi dhe rritja e ndërgjegjësimit për ekonominë qarkulluese luan një rol shumë të rëndësishëm në krijimin e marrëdhënieve biznes – konsumator.

Konceptet e reja si “e drejta për të riparuar” janë një risi që mund të përqafohet nga konsumatorët, por mund të hasin në rezistencë nga sektori privat. Sektori privat duhet informuar në mënyrë të vazhdueshme mbi përfitimet afatgjata që sjell ekonomia qarkulluese, pavarësisht vështirësive në periudhat afatshkurtra. Humbjet afatshkurtra mund të balancohen nëpërmjet mbështetjeve me mekanizma financiare, si subvencione, etj. Në tranzicionin nga ekonomia lineare në ekonominë qarkulluese nevojitet të mbështeten veçanërisht bizneset e vogla dhe të mesme (SME), që përbëjnë shtyllën e ekonomisë së BE-së.

Do të jetë e rëndësishme që në mënyrë që të zbatohet Marrëveshja e Gjelbër dhe të arrihen objektivat e krijimit të një ekonomie pa karbon, të ketë një bashkëpunim mes aktorëve shtetërorë dhe privatë. Gjithashtu, me mbështetjen e institucioneve të BE-së, duhet të shkëmbehet informacion mes Vendeve Anëtare mbi praktikat më të mira. Komisioni Europian (KE) e ka bërë këtë në disa sektorë në zbatim të Planit të Veprimit (2015) të Ekonomisë Qarkulluese. Psh. në sektorin e minierave, KE ka përgatitur udhëzime për menaxhimin e mbetjeve të minierave, bazuar në praktikat më të mira. Sa i përket mbetjeve ushqimore, në gusht 2016 u krijua një platformë e aktorëve “Platforma e BE-së për humbjet dhe mbetjet ushqimore”(SWD 2019) e përbërë nga organizata ndërkombëtare, vendet anëtare dhe aktorë të tjerë relevantë. Kjo platformë synon të mbështesë BE-në në arritjen e objektivit 12.3 të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) duke rritur bashkëpunimin mes aktorëve, bashkëpunimin ndërsektorial dhe duke promovuar praktikat më të mira.

Marrëveshja e Gjelbër  është një udhërrëfyes paraprak me disa masa kryesore që synojnë arritjen e objektivave të mëdha. Ajo pritet të përditësohet në vijim sipas ecurisë dhe rezultateve të masave që do të ndërmerren. Por, në një botë që ecën me ritëm të shpejtë, përcaktimi i objektivave të qarta në periudha kohore afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata, si dhe përcaktimi i objektivave të qarta për sektorë të ndryshëm që preken nga ky tranzicion, do ta bëjë përpjekjen drejt një ekonomie të gjelbër dhe të qëndrueshme më të thjeshtë. Objektivat duhet të vendosen edhe për sektorin privat, ashtu si për atë publik.

Revolucioni i katërt industrial po lëviz me hapa marramendëse. Ndryshimet klimatike lëvizin po ashtu me shpejtësi të madhe. Të gjitha këto ndikojnë në jetën tonë të përditshme. Ndaj, mënyra më e mirë për të vepruar në arritjen objektivave është me koordinim mes aktorëve dhe me aksione konkrete

Evisi Kopliku, prill 2020

*Evisi Kopliku është Drejtore e Departamentit të Integrimit, Koordinimit, Asistencës dhe Marrëveshjeve në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit. Gjithashtu, ajo është pedagoge e jashtme e në Fakultetin Ekonomik të UT dhe në Institutin Kanadez të Teknologjisë. Znj. Kopliku ka punuar si këshilltare ekonomike e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes

Referencat:

COM (2019) 640

COM (2015) 614

Cambridge Econometrics, Trinomics, and ICF (2018), Impacts of circular economy policies on the labour market.

SWD (2019) 90

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk