e-voting: Dixhitalizimi i proceseve elektorale si garanci për sigurimin e demokracisë në kohë pandemie

e-voting: Dixhitalizimi i proceseve elektorale si garanci për sigurimin e demokracisë në kohë pandemie

Demokracia është një nga vlerat themelore të Bashkimit Europian (neni 2 i kreut II të Traktatit të Bashkimit Europian TFEU) dhe demokracia nuk mund të mendohet pa një proces elektoral të besueshëm. Neni 21(3) i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut dhe neni 25 i Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike specifikojnë se qytetarët duhet të kenë mundësinë për të marrë pjesë në zgjedhje periodike nëpërmjet votës universale, të barabartë e të fshehtë, për të garantuar shprehjen e lirë të vullnetit të tyre. Sa i përket kontekstit europian dhe të drejtës për zgjedhje të lira, neni 3 i Protokollit 1 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR) parashikon në mënyrë eksplicite të drejtën për zgjedhje periodike në intervale të arsyeshme, për shprehjen e lirë dhe të fshehtë të votës. Kombet e Bashkuara e quajtën pandeminë Covid-19 si krizën më të madhe ndërkombëtare të disa gjeneratave, dhe kjo preku edhe jetën dhe të drejtat e njerëzve në Europë. Duke qenë se numri i të infektuarve nisi të rritej me shpejtësi, qeveritë morën disa masa të cilat treguan se si emergjencat mund të kenë impakt në ushtrimin dhe garantimin e të drejtave themelore dhe praktikave demokratike. Election-Watch.EU Rapid Assessment (1) shqyrtoi impaktin e Covid-19 në zgjedhjet në 27 Shteteve Anëtare të BE, në dy vende me perspektivë aderimi si Shqipëria e Maqedonia e Veriut, si dhe në Mbretërinë e Bashkuar si ish Shtet Anëtar, për të hedhur dritë mbi pyetjet kyçe: Cilat zgjedhje u mbajtën, cilat u shtynë dhe si duhet vlerësuar kjo sipas një perspektive të të drejtave themelore?

Bilanci i 2020 mbi zgjedhjet

Në të drejtën ndërkombëtare, nuk ekziston një rregull formal që ndalon shtetet të mbajnë zgjedhjet apo referendumet në situata emergjencash. Sidoqoftë shumë kushtetuta parashikojnë shtyrjen e tyre gjatë gjendjes së jashtëzakonshme duke shtyrë edhe mandatin e parlamentit. Ky është rasti i Kroacisë, Italisë, Gjermanisë, Greqisë, Polonisë, Lituanisë, Sllovenisë, Spanjës e Hungarisë. (2) Sipas të dhënave të grumbulluara nga Elecdata (3), 2 zgjedhje parlamentare, 1 presidenciale, 5 referendume dhe 5 zgjedhje lokale në vendet e Këshillit të Europës u shtynë në vitin 2020 për shkak të pandemisë Covid-19. Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Demokracinë dhë Asistencën Zgjedhore (IDEA) (4), nga 21 shkurti 2020 deri në 28 mars 2021, të paktën 78 vende në botë vendosën të shtyjnë zgjedhjet kombëtare, lokale apo referendumet për shkak të Covid-19, të paktën 113 vende vendosën ti mbajnë zgjedhjet dhe të paktën 52 shtete i mbajtën zgjedhjet pas një shtyrjeje fillestare. Pavarësisht vendimit të shteteve për mbajtjen ose shtyrjen e zgjedhjeve, situata pandemike diktoi nevojën për angazhim të veçantë për sigurimin e të drejtës së votës për qytetarët. Në Francë, zgjedhjet lokale u shtynë pasi vendi u fut në “fazën 3” të pandemisë dhe në sondazhe votuesve iu kërkua të qendronin 2 metër larg njëri-tjetrit dhe të merrnin stilolapsët e tyre me vete. Përgjigjë e votuesve ra nga 63% në sondazhet lokale të 2014 në 45 % në mars të vitit 2020 dhe kjo solli një shtyrje të zgjedhjeve dhe mandateve të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë.  Në Gjermani, në zgjedhjet rajonale të 15 marsit të vitit të kaluar, punonjësit elektoralë veshën dorashka dhe votuesit u lejuan të merrnin stilolapsë me vete. Bilanci qe më i lartë se zgjedhjet e fundit të mbajtura 6 vite më parë, por u vu re një numër më i lartë i votimit me postë. Gjithashtu, situata emergjente solli edhe një ndryshim të kuorumit për vendimmarrjen parlamentare në Gjermani (nga 50% në 25% të anëtarëve të parlamentit) madje në disa vende si Qipro, Letonia e Shqipëria seancat parlamentare u zhvendosën online.  Në Itali, në muajin mars 2020, ishte programuar krahas zgjedhjeve lokale edhe një referendum për reduktimin e numrit të anëtarëve të parlamentit. Duke parë seriozitetin e situatës në Itali zgjedhjet lokale dhe referendumi u shtynë në shtator të po atij viti. Në Mbretërinë e Bashkuar ishin programuar zgjedhjet lokale dhe bashkiake për datën 7 maj dhe pavarësisht kritikave mbi dembelizmin me të cilin po menaxhohej ndalimi i përhapjes së koronavirusit, qeveria britanike ishte e para në Europë që eleminoi sondazhet dhe zgjedhjet u shtynë për një vit më vonë pavarësisht oponencës në lidhje me këtë. Në Hungari, Ligji për Mbrojtjen nga Koronavirusi (XII/2020) miratuar në 30 mars 2020 specifikonte se nuk do të mbahen zgjedhje deri në fund të periudhës së emergjencës, zgjedhjet e programuara do të anulloheshin dhe zgjedhjet e parashikuara përgjatë periudhës së emergjencës do të organizoheshin 15 ditë pasi emergjenca të kishte përfunduar.

Edhe pse pati shumë dyshime se pandemia mund të shërbente si justifikim për të ndërfutur kufizime të reja në demokracitë e vendeve dhe të drejtat themelore, si partitë politike edhe elektorati e kuptuan arsyen e shtyrjes së zgjedhjeve, sidomos duke parë rëndësinë e ruajtjes së distancimit social për reduktimin e përhapjes së sëmundjes. Të gjitha qeveritë, përfshirë ato mandatet e të cilave u zgjatën, u fokusuan në menaxhimin e situatës emergjente por për shkak të situatave politike të disa vendeve si dhe rëndësisë së gëzimit të së drejtës të votës nga qytetarët, i riskeduluan zgjedhjet në kohën më të afërt të përshtatshme dhe menduan për alternativa ndaj procesit të votimit tradicional.

e-voting si garanci për sigurimin e demokracisë 

Kur vjen puna te zgjedhjet, vendimmarrësit duhet të jenë shumë të kujdesshëm në marrjen e vendimit të mbajtjes apo shtyrjes së tyre duke lundruar me kujdes nëpër parametrat kushtetues e ligjorë, pasi në rast shtyrjeje, shtyrja e mandateve për rrjedhojë do të ishtë antidemokratike. Nga ana tjetër, vendimi për ti mbajtur zgjedhjet në rrethana të rrezikut nga Covid-19 do të limitonte fushatat dhe do të reduktonte pjesëmarrjen e votuesve, duke minuar ligjshmërinë e institucioneve të zgjedhura. (5) Sipas Këshillit të Europës, dixhitalizimi i proceseve elektorale mund të jetë një alternativë e mirë për sigurimin e demokracisë edhe në kohë krizash akute si pandemia aktuale. KiE vazhdon të mbetet e vetmja organizatë ndërqeveritare që ka vendosur një sërë standardesh në fushën e e-voting për të garantuar të drejtën e votës nëpërmjet kanaleve të ndryshme në mënyrë që të rritet pjesëmarrja në zgjedhje, si dhe për të reduktuar kostot elektorale. Rekomandimi Rec(2004)11 (6) mbi standardet ligjore, operacionale e teknike të votimit elektronik, mbetet i vetmi burim për referencë rreth kësaj teme. Ky dokument është përdorur gjerësisht nga jurisprudenca kombëtare edhe në shtete jo-anëtare, si dhe nga aktorë të tjerë ndërkombëtarë. Më pas, me rekomandimin e ri CM/Rec(2017)5 (7) u qartësuan aspektet themelore të e-voting dhe u caktuan edhe linja guidë mbi implementimin e parashikimeve të Rekomandimit, i cili merret me pjesët më kritike të teknologjisë së zgjedhjeve në procesin nga hedhja e fletëve të votimit deri te numërimi i votave. Ka patur shumë zhvillime nga momenti kur u miratua nga Komiteti i Ministrave (Rec(2004)11): disa vende realizuan e-zgjedhje pilote dhe vendosën të mos e fusin si skemë në sistemet e tyre të brendshme, ndërsa të tjera vazhdojnë të përdorin skema pilote dhe të ndërfusin e-voting. Ka ndërkohë edhe vende të tjera (përfshirë Shqipërinë) ku ekziston vullneti për të lançuar skema pilote të e-voting por nuk kanë ekzaminuar ende të gjitha alternativat. Për këtë, Këshilli i Europës ka publikuar një udhëzues me hapat kyç për implementimin e këtyre skemave. Ndër standardet kryesore që duhen siguruar nëse implementohet sistemi e-voting sipas KiE, duhet patur parasysh se sistemi duhet të jetë i çertifikuar, i auditueshëm, si dhe i sigurt për agregimin dhe numërimin e të gjitha votave. Në çdo rast, Këshilli rekomandon që vendet të cilat dëshirojnë të ndërfusin në sistemet e tyre edhe e-voting, duhet ta bëjnë këtë në mënyrë graduale dhe progresive, duke u kujdesur të bëjnë paraprakisht të gjitha ndryshimet ligjore dhe të konstituojnë një trupë menaxhimi elektoral që do të jetë përgjegjëse për mirëfunksionimin e sistemit zgjedhor dixhital. Duke parë kriteret e listuara më sipër, kuptojmë se iniciativa për ndërfutje të menjëhershme të e-voting në Shqipëri nё zgjedhjet e 25 prillit, do të ishte e parakohshme pavarësisht situatës që e dikton dhe objektivit për të përfshirë aktivisht edhe elektoratin me vendbanim jashtë Shqipërisë, personat me aftësi të kufizuara dhe persona në gjendje të pamundësisë për tu paraqitur në qendrat e votimit. Edhe Komisioni i Venecias në Raportin mbi masat e marra nga vendet e BE-së si rrjedhojë e krizës Covid-19 dhe impaktin e tyre në demokraci, kujtoi se modalitetet e votimit ndikojnë drejtpërdrejt të pjesëmarrja. Të gjitha metodat e votimit në distancë (votimi me postë, votimi me internet apo telefon) e shtojnë pjesëmarrjen në votime, sidomos në rastin e pandemisë. Sidoqoftë të gjitha këto metoda përfshijnë rreziqe të ndryshme në terma të lirisë dhe fshehtësisë së votës duke patur parasysh edhe rreziqet e hakerimit apo sulmeve kibernetike nё rastin e votimit me internet. Siç është përcaktuar në Kodin e Praktikave të Mira në Çështjet Elektorale, votimi me postë përshembull, duhet lejuar vetëm në ato vende ku shërbimi postar është i sigurt dhe i besueshëm, votimi në internet nga ana tjetër duhet të jetë teknologjikisht i sigurt, i besueshëm, i hapur për vertifikim të pavarur dhe lehtësisht i akesueshëm për zgjedhësit. Veç të tjerash, të gjitha format e-voting kanë  vështirësi në mbikëqyrje, prandaj Komisioni i Venecias ka nënvizuar se, votimi elektronik është menduar për të plotësuar dhe jo për të zëvendësuar votimin tradicional.

Gerta Mehmeti, prill 2021

 

*Dr. Gerta Mehmeti është pedagoge në Kolegjin Universitar “Pavarësia” Vlorë që prej vitit 2018. Në vitin 2012, ka marrë titullin Master në “E drejta private europiane” pranë Universitetit “La Sapienza” në Romë dhe më pas në vitin 2016 ka mbrojtur disertacionin për marrjen e gradës “Doktor” në Universitetin “Tor Vergata” në Romë, me temë “Kontrata e drejtë. Të drejtat themelore të njeriut në kontratat e rrezikshme”. Pas një eksperience dy-vjeçare pranë Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, Dr. Mehmeti prej vitit 2018, është oficere projektesh pranë organizatës jo-fitimprurëse CELIM me seli në Milano.

 

Referenca

  1. Election-Watch.EU Rapid Assessment: Covid-19 & Elections in Europe file:///C:/Users/EA/Downloads/election-watch.eu_ra-covid19-report_30-april-2020.pdf
  2. Compilation of Venice Commission opinions and reports on states of emergency https://www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-PI(2020)003-e
  3. Impact of COVID-19 on elections and referenda in Europe https://www.coe.int/en/web/electoral-assistance/elecdata
  4. https://www.idea.int/news-media/multimedia-reports/global-overview-covid-19-impact-elections
  5. Elections and Covid 19 https://rm.coe.int/election-and-covid-19/16809e20fe
  6. Legal, operational and technical standards for e-voting. Recommendation Rec(2004)11 adopted by the Committee of Ministers of the Council of Europe on 30 September 2004 and explanatory memorandum, Council of Europe Publishing https://www.coe.int/t/dgap/goodgovernance/Activities/Key-Texts/Recommendations/Rec(2004)11_Eng_Evoting_and_Expl_Memo_en.pdf
  7. Recommendation CM/Rec(2017)51 of the Committee of Ministers to member States on standards for e-voting, https://rm.coe.int/0900001680726f6f

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk