Në një situatë të tensionuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe me ndikimin e palëve të treta, Bashkimi Europian shfaqi qasjen e tij për stabilitet dhe forcim të marrëdhënieve ndërshtetërore. Mes tensioneve Kosovë-Serbi, BE-ja dëshmoi gatishmërinë duke shpalosur qasjet e saj. Këto të fundit arritën të stabilizojnërajonin në kohë krize dhe përçarjeje. BE-ja vazhdon mbështetjen për rajonin duke synuar zhvillim dhe anëtarësim sa më të shpejtë. Por cila është mbështetja dhe qasja e saj ndaj vendeve të rajonit? Sa fonde ka dhënë BE-ja për Ballkanin Perëndimor? Si i përgjigjen vendet e rajonit këtyre qasjeve?
Qasja gjeopolitike vs. Qasja kozmopolite
Bashkimi Europian vazhdon përpjekjet për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai ka synuar të shmangë rritjen e ndikimit të palëve të treta në Ballkan (sidomos ndikimin rus) duke forcuar marrëdhënien e tij me rajonin nëpërmjet disa qasjeve. Sipas Mary Kaldor, “Bashkimi Europian ka prirur të zbatojë qasjet gjeopolitike dhe kozmopolite, me kalimin e kohës si rezultat i përvojave të tij në Ballkan qasja kozmopolite është bërë më e spikatur” (Kaldor, f 1, 2003). Qasja gjeopolitike (është e bazuar në interpretimet dominuese të luftërave ballkanike) vërehet duke bërë presion diplomatik, ekonomik, për të ndikuar liderët dhe palët që përfshihen në tensione dhe konflikte.
Së pari, presionet diplomatike mund të vërehen mes Kosovës dhe Serbisë. Për shembull (raste që kanë synime gjeopolitike apo rivalitet): Bashkimi Europian është shfaqur mes tensioneve Kosovë-Serbi duke ushtruar presion te palët që të mos marrin veprime lufte, por të ulen në një tryezë diskutimi dhe të përmbahen. Këtë e ka bërë duke ushtruar presion diplomatik (të dërguarit e BE-së dhe mbështetësit e saj). Sipas DW deklarohet se: “Bashkimi Europian e njoftoi zyrtarisht qeverinë e Kosovës për masat ndëshkuese ndaj saj, për shkak se nuk janë ndërmarrë veprime për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. BE-ja ka pezulluar përkohësisht punën në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim dhe Kosova po ashtu nuk do të ftohet në takimet e nivelit të lartë” (DW, 2023). Gjithashtu ajo e ka treguar këtë qëndrim jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj vendeve të tjera të Ballkanit. Nga një këndvështrim tjetër, presioni diplomatik i BE-së është shfaqur për të rregulluar situatën e brendshme politike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke i bërë thirrje palëve politike të respektojnë të drejtat dhe të kenë konsensus. Por edhe duke treguar me presion kushtet demokratike të integrimit. Këto lidhen me qasjen gjeopolitike.
Së dyti, presioni ekonomik u shfaq dhe u vendos ndaj Kosovës. Bashkimi Europian shfaqi presionin dhe ndëshkimin ekonomik për Kosovën. Një nga masat ekonomike që BE-ja mori ishte pezullimi i fondeve IPA 2024 (përjashtimi për të përfituar nga fondi për investim), pezullimi i projekteve që mbështeteshin nga BE-ja dhe masat e përmendura më lart. Në fondet e vëna në dispozicion për vitin 2024, Kosovës iu përjashtua mundësia që të aplikojë për projekte. Një presion i tillë u tregua edhe ndaj Serbisë. Bashkimi Europian po monitoron përmbushjen e kërkesave të Brukselit nga Serbia, nëse kjo nuk arrihet është e gatshme të marri masa. BE-ja e shfaqte ndikimin e saj tek liderët. Duke bërë takime me liderat e dy vendeve, duke i treguar masat e BE-së dhe duke i paralajmëruar për vendimet e gabuara. Për shembull, BE-ja ushtroi presion ndaj Kryeministrit të Kosovës, aq sa disa studime europiane e konsideronin atë si kryeministër kokëfortë. I gjithë presioni diplomatik, ekonomik, që shfaq qasja gjeopolitike, bien mbi liderin. Këto masa detyrojnë opozitën dhe një pjesë të opinionit publik të protestojë dhe në këtë mënyrë presioni i ardhur nga lart - poshtë krijon ndikimin tek lideri.
Krahas qasjes gjeopolitike, sipas Mary Kaldor, “Për shkak të situatës së Ballkanit dhe përvojës së tij qasja kozmopolite e BE-së ka qenë më e fortë” (Kaldor, fq 1, 2003). Këtë e dëshmojnë edhe qendrimet e BE-së për mbrojtjen e vlerave njerëzore në Ballkanin Perëndimor. Si qasje nga poshtë-lart ajo ka të bëjë me mbrojtjen e qenieve njerëzore, respektimin e të drejtave të njeriut, mbështetjen e shoqërisë civile dhe bashkëpunimin rajonal. Për shembull, kur mbron të drejtat e minoriteteve në Kosovë, kur dënon aktin e dhunës, kur mbështet bashkëpunimin dhe marrëveshjet dypalëshe Kosovë – Serbi, kur mbështet fuqizimin e shoqërisë civile, etj. Sipas portalit Njeshi: “Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog u shpreh se BE-ja mbetet e përkushtuar që të angazhohet me aktorët e shoqërisë civile në nxitjen e progresit social, promovimin e të drejtave themelore dhe mbikëqyrjen e punës së qeverisë për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë” (Njeshi, 2022). Që të ndryshohet politika e brendshme në bazë të parimeve demokratike duhet që vendet kandidate të përafrojnë legjislacionin (acquis) me Bashkimin Europian. Në këtë hap BE mbështet fuqizimin e shoqërisë civile. Të gjitha këto qëndrime që ajo ka shfaqur ndaj Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit përfshihen tek qasja kozmopolite.
Gjithashtu në rastin e Kosovës, BE-ja mbron të drejtën për ekzistencën dhe njohjen ndërkombëtare të vendit, respekton vendimin e shumicës si në çdo vend tjetër dhe dënon aktet e paligjshme që ndërmerren ndaj shoqërisë.
Aspekti ekonomik i qasjes gjeopolitike
Aspekti ekonomik lidhet me presionet për ndërprerjen e përfitimeve dhe projekteve që ofron BE-ja. Disa nga kontributet e Bashkimit Europian në vendet e Ballkanit Perëndimor janë fondet financiare që BE-ja jep për secilin vend, qëndrueshmëria mjedisore, zhvillimi, transformimi dixhital, mbështetja politike, etj.
Sipas Bankës Europiane të Investimeve, “BE-ja investoi 853 milion euro për Ballkanin Perëndimor në vitin 2021. Ajo mbështet rimëkëmbjen e shpejtë dhe të gjelbër të rajonit me 1.7 miliardë euro. Investoi 257 milionë euro në projekte të qëndrueshme në rajon në vitin 2021. Ofroi rreth 200 milionë euro për sektorin dixhital në rajon dhe investoi 560 milionë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në vitin 2021, të cilat i ndihmuan bizneset të ruajnë likuiditetin dhe investimet që të përshtaten dhe të krijojnë vende pune” (European Investment Bank, 2022). Serbia ka qenë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që ka tërhequr më shumë fonde investimi nga BE-ja. BE është partneri kryesor tregtar në Ballkanin Perëndimor. Që nga viti 2011 e deri në vitin 2021 tregtia e BE-së me Ballkanin Perëndimor është rritur. Sipas EEAS-it, (2024) ”Banka Europiane e Investimeve për aktivitete jashtë Bashkimit Europian investoi 1.2 miliardë euro në të gjithë Ballkanin Perëndimor për vitin 2023 (365 milion euro më shumë se në vitin 2022).”
E gjithë prezenca dhe ndihma e BE-së varet nga konteksti në të cilin ndodhet rajoni dhe vendet e tij, politikat e BE-së, pozicionimet e elitave politike dhe mbështetja e popullsisë vendase. Me rolin e saj shtetformues, stabilizues, demokratizues, frenues të konfliktit, krijimit të marrëveshjeve dypalëshe (në Kosovë),etj, BE-ja shfaq një potencial të lartë dhe shumë të rëndësishëm për rajonin. Bashkimi Europian ushtron më shumë qasjen kozmopolite se sa qasjen gjeopolitike. Sipas këtij studimi dal në përfundimin se në rastin e tensioneve Kosovë – Serbi janë përdorur të dyja qasjet, por më shumë është përdorur qasja gjeopolitike për shkak të llojit të problemit. Këtë e mbështesin argumentat e zhvillimit të artikullit. Mënyra e qasjes që përdor BE-ja varet nga shteti dhe problemet që shfaq ai vend.
Në vetvete BE-ja tregon që përdor më shumë qasjen kozmopolite, kjo vërtetohet me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mbështetjen e shoqërisë civile, etj. Por vitet e fundit po shfaq një përdorim të të dyja qasjeve. Kjo shfaqet si pasojë e çështjeve gjeopolitike që janë rihapur. Sepse për vendet kandidate për integrim, synon të respektojë dhe të mbrojë të drejtat e njeriut, demokracinë, mbështetjen e shoqërisë civile, bashkëpunimin rajonal, etj. Gjatë tensionit Kosovë – Serbi të dyja vendet shfaqën rezistencë ndaj këtyre qasjeve. Kosova duke kundërshtuar masat dhe sugjerimet e BE-së, ndërsa Serbia me heshtjen për qëndrimin e dyzuar (BE vs. Rusi). Kjo vërehet tek qasja gjeopolitike. Vendet e tjera të rajonit sipas rasteve i janë përgjigjur qasjes së BE-së.
Vendet kandidate për integrim synojnë përafrimin e legjislacionit, por duhet të kenë kujdes, sepse metodologjia ose strategjia që ka përdorur ai vend europian për të njëjtën problematikë mund të mos realizohet nga vendi kandidat që e aplikon. Sepse mund të mos plotësojë kapacitetet njerëzore, ekonomike etj. Si pasojë, mund të hartohen ligje shumë efektive, por në realitet nuk ka përmirësim. Kjo mund të sjelli dështim të strategjive dhe vonesë në përmbushjen e pritshmërive europiane. Përfitimi i fondeve nga BE-ja varet edhe nga aplikimi ose kushtet e vendit për ta përfituar atë fond. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë në një kohë ku duhet të forcojnë akoma më shumë marrëdhëniet me BE-në.
Qasjet e BE-së në rastin e Kosovës janë vendimtare dhe të domosdoshme për të shmangur luftën dhe për të arritur një zgjidhje. Do të ishte shumë efektive që vendet të bien dakord politikisht, pa qenë e nevojshme që BE të ndërhyjë me qasjen gjeopolitike nëpërmjet presioneve. Prezenca e BE-së në Ballkan duhet të rritet akoma më tepër dhe t’i bëj ballë ndikimeve të jashtme destabilizuese. Vendet e Ballkanit duhet të europianizohen sa më shpejt. Me zbatimin e parimeve europiane, anëtarësohen në BE dhe, si rrjedhojë, me anëtarësimin mund të eleminojnë problemet e mëdha. Qeveritë e vendeve të rajonit duhet të forcojnë marrëdhëniet me BE-në. Nëse krijohet një zinxhir i tillë do të jetë i vështirë të këputet dhe do të shfaqi funksion të madh.
Fetah Salliu, maj 2024
*Fetah Salliu përfundoi studimet Bachelor në degën “Shkenca Politike” në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës dhe aktualisht është në përfundim të Masterit Shkencor për “Studime Rajonale Politike” në të njëjtin fakultet. Fetahu ka zhvilluar praktikën pranë Kuvendit të Shqipërisë. Ka marrë pjesë në disa çështje që lidhen me aktivizmin në kujdesjen e disa organizatave. Gjithashtu është autor i dy artikujve - “Financimi dhe ndërveprimi i qeverisjes vendore” në Buletinin Shkencor dhe “Financimi e Partive Politike në Shqipëri 2017-2021 (Kuadri ligjor & Realiteti)”. Ai ka marrë pjesë në trajnime për politikën dhe integrimin europian, siç është shkolla dimërore me temë “Financimi i Partive Politike”. Për një periudhë të shkurtër kohore ka punuar tek INSTAT-i si mbikëqyrës në një zonë të Njësisë Administrative Nr. 4, Tiranë, në kuadër të zhvillimit të Cens 2023. Salliu ka marrë pjesë në disa konferenca të ndryshme në Shqipëri.
Referenca
Banka Europiane e Investimeve (2022). Investimet e BEI-së në Ballkanin Perëndimor kapën vlerën e 853 milionë eurove në vitin 2021, duke rritur mbështetjen për projektet e gjelbra dhe dixhitale. https://www.eib.org/en/press/all/2022-077-eib-investments-reached-eur853-million-in-the-western-balkans-in-2021-increasing-support-for-green-and-digital-projects?lang=sq
Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, (2024) BEI Globale investoi 1.2 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor në vitin 2023, EEAS. https://www.eeas.europa.eu/delegations/albania/bei-globale-investon-nj%C3%AB-vler%C3%AB-rekord-prej-12-miliard%C3%AB-eurosh-n%C3%AB-ballkanin-per%C3%ABndimor-n%C3%AB-2023_sq?s=214
DW, (2023). BE njoftoi zyrtarisht Kosovën për masat ndëshkuese. https://www.dw.com/sq/be-njofton-zyrtarisht-qeverin%C3%AB-e-kosov%C3%ABs-p%C3%ABr-masat-nd%C3%ABshkuese/a-66095715
Kaldor, Mary (2003). Intervention in the Balkans. In Peter Siani-Davies. International Intervention in the Balkans since 2015. Taylor & Francis Group. https://www.taylorfrancis.com/books/edit/10.4324/9780203634028/international-intervention-balkans-since-1995-peter-siani-davies?refId=2d3bbc48-bf4e-48b1-bb64-3712988732ef&context=ubx
Portali Njeshi, (2022). BE-ja mbështet 20 organizata të shoqërisë civile dhe mediale në angazhimin e qytetarëve në jetën politike dhe sociale. https://www.njeshi.com/be-ja-mbeshtet-20-organizata-te-shoqerise-civile-dhe-mediale-ne-angazhimin-e-qytetareve-ne-jeten-politike-dhe-sociale/