Shqipëria është në një fazë shumë delikate në raportet me Bashkimin Europian. Përgjegjësitë dhe serioziteti që pritet të marri procesi i integrimit me hapjen e negociatave është shumë i madh. Në këtë kontekst institucionet shqiptare në të gjitha nivelet duhet të jenë gati për një sërë detyrash që lidhen me kapituj të ndryshëm të Acquis-it. Një nga politikat që lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e qëndrueshme dhe të gjithanshëm të ekonomisë së vendit është “Politika Rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore”. Në plotësim të detyrimeve dhe kompletimit të kuadrit ligjor në datën 29 korrik 2020, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin Nr. 102 “Për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin”. Krahas ndihmës financiare të Bashkimin Europian ky ligj angazhon dhe Shtetin Shqiptar që të kontribuojë më shumë në arritjen e objektivave që ka të përcaktuara “Politika Rajonale”. Duhet theksuar që Politikat Rajonale janë tepër të rëndësishme për BE-në dhe vendet anëtare të cilat janë dhe përgjegjëset për zbatimin e saj. Në këtë kontekst ky artikull do të analizojë aspektet e rëndësishme në kuadër të sfidave që vendi ynë do të përballet në zbatimin me sukses të detyrave që rrjedhin nga aplikimi i kësaj politike. Punimi do të pasqyrojë një tablo të gjerë të aspekteve të kësaj politike në nivel europian dhe në nivel kombëtar.
Hyrje
Politika e zhvillimit rajonal në kuptimin më të thjeshtë ka të bëjë me qasjen rajonale të ekonomisë së përgjithshme kombëtare. Zbatimi i politikës rajonale në radhë të parë kërkon kapacitete të përshtatshme administrative dhe një regjim dhe menaxhim të shëndoshë financiar. Në thelb kjo politikë mundëson shfrytëzimin e faktorëve të prodhimit në të gjithë territorin e vendit duke tentuar një zhvillim më harmonik territorial
Kjo situatë tregon për dy fenomene:
Së pari, egziston një raport i zhdrejtë i lëvizjes së popullsisë nga zonat rurale drejt qendrave urbane dhe pikësynimi i kësaj lëvizjeje ndërvite ka qenë Tirana, dhe së dyti natyra mbizotëruese e popullsisë migratore ka qenë popullsi me origjinë nga zonat rurale duke shpopulluar këto të fundit. Ndër vite këto lëvizje të popullsisë brenda territorit të vendit kanë manifestuar probleme të mprehta të zhvillimit urban, të natyrës dhe zhvillimit të ekonomisë dhe probleme të shumta sociale. Duhet theksuar gjithashtu fakti që lëvizjet e pakontrolluara të popullsisë janë stimuluar dhe nga mungesa e një kuadrit ligjor rregullues, shpërndarjes së pabarabartë të investimeve, mungesa e politikave me fokus zhvillimin rajonal dhe puna e dobët e institucioneve shtetërore për menaxhimin e territorit. Megjithëse të vonuar në kohë, në këto 10 vitet e fundit janë bërë përpjekje të herëpashershme nga qeveritë shqiptare për të ndërtuar programe apo politika të cilat kanë objektiv frenimin dhe rehabilitimin e gjendjes socio-ekonomike në vend.
Burimi: INSTAT http://www.instat.gov.al/ (aksesuar më: 02 -05-2021)
Rëndësia e Politikës Rajonale në nivel europian dhe kombëtar
Politika rajonale e Bashkimit Europian është një politikë investimesh ku gati një e treta (1/3) e buxhetit të përgjithshëm të BE-së me rreth 355.1 miliardë Euro i është dedikuar Politikës së Kohezionit për periudhën 2014 – 2020. Aktualisht BE-ja ka shpallur vizionin e kësaj politike për periudhën 2021 – 2027 me pesë përparësi investimesh si: “Europa e zgjuar”; “Një Europë e gjelbër”; “Një Europë më e lidhur”; “Një Europë më sociale” dhe “Një Europë më afër qytetarëve”
Ato përcaktojnë rregullat për hartimin, miratimin dhe zbatimin e Fondeve Strukturore dhe programeve të Fondit të Kohezionit që reflektojnë organizimin territorial të vendit përkatës. Këto programe negociohen dhe dakortësohen me Komisionin, por zbatimi është përgjegjësi e Shteteve Anëtare
Në angazhimin e Shqipërisë drejt proceseve integruese, një vend të rëndësishëm zë dhe Politika Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore e cila korrespondon me kapitullin 22 të Acquis-it. Proceset që lidhen me infrastrukturën për ngritjen e kësaj politike nga ana e qeverisë shqiptare janë intensifikuar sidomos pas miratimit të Reformës për ndarjet Administrativo –Territoriale të njësive të qeverisjes vendore e vitit 2014. Nga kjo ndarje e re, territori i vendit administrohet nga 61 bashki të vendosura në 12 qarqe.
Gjithashtu nën frymën e mirë administrimit dhe rritjes së efektivitetit në vitin 2018 me VKM nr. 438, të gjitha agjencitë që lidheshin me zhvillimin rajonal u shkrinë dhe funksionet e tyre u transferuan tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit (Relacioni Shpjegues për Projektligjin Nr. 102). Një sukses i shtuar në këtë rrugëtim ka qenë dhe miratimi i ligjit Nr. 102/2020 “Për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin” duke përcaktuar kështu parimet bazë dhe kuadrin rregullator për zhvillimin rajonal dhe kohezionin në vend. Në këtë ligj përcaktohet Fondi Shqiptar i Zhvillimit si aktori kryesor në përgatitjen e dokumenteve të planifikimit dhe programimit të Zhvillimit Rajonal, gjithashtu në cilësinë e Autoritetit Menaxhues ky ligj i jep përgjegjësinë për menaxhimin e programit operacional në përputhje me parimin e menaxhimit të qëndrueshëm financiar
Cilat janë sfidat e zhvillimit dhe zbatimit të Politikës Rajonale dhe e Kohezionit në Shqipëri?
Politika Rajonale dhe e Kohezionit synon të përmbushë një ‘Axhendë” me prioritete në fusha shumë ambicioze që lidhen me frenimin e shpopullimit/ripopullimin e zonave rurale; zvogëlimin e pabarazive territoriale; nxitjen e punësimit sidomos tek të rinjtë; zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme etj. Ajo është një politikë e orientuar kundrejt të gjitha rajoneve dhe territoreve të Shqipërisë por çështja që shtrohet për diskutim është se realiteti e gjen Shqipërinë, nëse do të përdorim fjalët e raportit të Komisionit Europian të vitit 2020: “pak të përgatitur në fushën e politikës rajonale dhe të koordinimit të instrumenteve strukturorë” gjë që thekson sfidat për një zbatim të suksesshëm të kësaj politike. Në fakt, për të arritur një përafrim më të madh me legjislacionin europian në kuadër të Kapitullit 22, Shqipëria duhet të ketë një kornizë legjislative e cila lejon zbatimin e dispozitave specifike; një kuadër institucional dhe kapacitet administrativ, ku përcaktohen detyrat dhe përgjegjësitë e qarta të të gjitha organeve dhe institucioneve të përfshira dhe ku sigurohet një koordinim efikas ndërministror, kapaciteti i programimit me të cilin vendi mund të hartojë një plan zhvillimi... etj.
Politika Rajonale dhe e Kohezionit mbështetet në tetë parime bazë: (a)Partneriteti; (b)Subsidiariteti; (c)Qëndrueshmëria; (ç)Planifikimi; (d)Programimi; (dh)Transparenca; (e)Përqendrimi; (ë)Bashkërendimi” (Neni 6 i ligjit nr. 102/2020). Megjithëse ligji nr. 102/2020 nuk përafron në mënyrë specifike me Acquis-in, parimet e partneritetit dhe subsidiaritetit janë të rëndësishme për politikën rajonale dhe Komisionin Europian. Në këtë zinxhir parimesh themelore mbi të cilat mbështetet kjo politikë vështirësitë që mund të hasen në respektimin dhe zbatimin e tyre në realitetin shqiptar janë të shumta. Ajo që mund të jetë një sfidë apo pengesë për zbatimin korrekt të kësaj politike lidhet pikësëpari me parimin e partneritetit dhe subsidiaritetit. Sikundër analizohet në punimin me titull “Sfidat dhe rruga drejt zhvillimit rajonal në Shqipëri”, mjedisi politik shqiptar karakterizohet nga varësia vertikale midis niveleve të qeverisjes, mungesa e bashkëveprimit horizontal dhe koordinimit midis palëve të interesuara në sektorë të ndryshëm, si dhe mungesa e partneritetit midis aktorëve publikë dhe privatë
Ky realitet nëse është i tillë mund të kompromentojë qeverisjen në shumë nivele, proceset e decentralizimit dhe mbështetjen e nevojshme për bashkëpunim dhe vendimmarrje lokale apo rajonale.Në këtë kontekst, një nga pikat e dobëta të implementimit të kësaj politike mund të jetë bashkëpunimi apo partneriteti midis aktorëve. Një sërë hallkash institucionale që nga organet e qeverisjes në nivel qendror dhe lokal së bashku me aktorët e shoqërisë civile, sektori privat dhe institucionet akademike dhe shkencore duhet të bashkëpunojnë për përmbushjen e objektivave të kësaj politike.
Situata mund të komplikohet dhe nga ndarja në katër rajone zhvillimi që ky ligj i bën territorit pasi secila prej tyre do të përfshijë disa njësi të vetëqeverisjes vendore, gjë që mund të krijojë konfuzion si në kompetenca, menaxhimin dhe zbatimin e tij nga njësitë dhe aktorët përgjegjës. Përcaktimi i ndarjes së katër rajoneve të zhvillimit duhet që të jetë si rezultat i një procedure të hapur, transparente me përfshirje të lartë të të gjithë aktorëve nga baza deri në qendër për të konkluduar në finalizimin e vendimit që do të marri Këshilli i Ministrave në këtë drejtim
Plotësimi me akte ligjore dhe nënligjore për zbatimin e kësaj politike është një tjetër komponent që duhet të mbahet në konsideratë pasi çdo vonesë si në hartim dhe në miratim mund të minojë zbatimin me sukses të objektivave të politikës rajonale dhe të kohezionit. Marrja në konsideratë dhe aplikimi i parimit të subsidiaritetit do ketë impakt të madh në zbatimin me sukses të kësaj politike. Ky parim ka për qëllim të sigurojë që vendimet të merren sa më afër të jetë e mundur me qytetarët dhe që të kryhen kontrolle të vazhdueshme mbi faktin nëse veprimet në nivelin e Komunitetit janë të arsyeshme, duke i krahasuar me mundësitë në nivel kombëtar, rajonal apo vendor
Duke njohur situatën dhe nivelin e demokracisë në vend, mënyrën sesi zbatohen praktikat nëpër institucionet e shtetit shqiptar konsideroj që respektimi i këtij parimi mund të hasë në indiferentizëm, mospërfshirje dhe rrjedhimisht në mungesë të rezultateve të pritshme për të adresuar gjithë ato problematika që lidhen me reduktimin e pabarazive ndërmjet rajoneve, rritjen e punësimit, frenimin e shpopullimit dhe në fund arritjen e kohezionit socio-ekonomik në vend. Pa u konsideruar me seriozitet dhe përpikmëri respektimi rigoroz i këtij parimi, vështirësitë për ecjen përpara në këtë fushë do të jenë serioze. Gjithashtu zbatimi i kësaj politike kërkon kapacitete të larta administrative gjë e cila ende është një sfidë serioze për institucionet shqiptare. Në tërësi respektimi i të tetë parimeve në kuadër të zbatimit të Politikës Rajonale dhe të Kohezionit përbën një sfidë për të testuar maturinë e politikës dhe institucioneve të shtetit shqiptar drejt procesit integrues europian.
Përfundime
Si përfundim mund të themi se zhvillimi i deritanishëm i vendit ka rritur ndjeshëm pabarazitë demografike, ekonomike dhe territoriale. Pas shumë vonesash kryesisht të natyrës politike më në fund në 29 korrik të vitit 2020 u miratua ligji nr. 102/2020 për “Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin”. Reforma që mbështetet në këtë ligj përcaktohet si një nga reformat kyçe, që kontribuon në shtyllën e katërt të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim – Rritja përmes përdorimit të qëndrueshëm të burimeve dhe zhvillimit territorial, dhe synon zhvillimin e balancuar dhe bashkëpunimin mes rajoneve të vendit
Në një panoramë të përgjithshme, vështirësitë lidhen sa me burimet financiare në dispozicion ashtu dhe me aftësitë përthithëse dhe menaxhuese të administratës në nivel qendror e vendor. Në zonat më të thella të vendit shqetësim mbeten aftësitë e pamjaftueshme të burimeve njerëzore në nivel vendor për të përballuar përditësimet më të fundit të praktikave dhe standardeve me të cilat duhet të operohet në kuadër të kësaj politike. Gjithashtu forcimi i autonomisë vendore, evitimi i mbivendosjes së kompetencave ndërmjet institucioneve apo dhe rritja e standardeve në ofrimin e shërbimeve vendore dhe politikave orientuese është një tjetër sfidë për zbatimin me sukses të saj. Ndër vite politizimi i lartë si dhe mungesa e konsensusit midis zyrtarëve të zgjedhur në nivel vendor ka qenë një fenomen shqetësues, sikundër dhe problemet politike të zgjedhjeve të 30 qershorit të vitit 2019 kanë dëmtuar ndjeshëm pushtetin vendor duke cenuar rëndë integritetin e tij. Sfidat që shtrihen në rrugën e zbatimit të politikës rajonale dhe të kohezionit duhet të jenë të studiuara dhe të adresuara mirë me këmbëngulje dhe vizion nga instancat shtetërore në mënyrë që rezultatet pozitive të çojnë në zhvillimin e vendit.
Dr. Elda Zotaj, maj 2021
*Dr. Elda Zotaj është lektore në Departamentin e Shkencave Politike, në Fakultetin e Shkencave Politike Juridike, në Universitetin "Aleksandër Moisiu", Durrës. Dr. Elda Zotaj është autore e më shumë se dhjetëra publikimeve në revista shkencore në konferenca rajonale, kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e Shkencave Politike.
Referencat:
European Commission. (2020). Progres Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë. Bruksel
European Commission. https://ec.europa.eu/regional_policy/en/. Retrieved Maj 02, 2021
European Commission. https://ec.europa.eu/regional_policy/en/2021_2027/. Retrieved Maj 02, 2021
Fondi Shqiptar i Zhvillimit. (2020). Aktiviteti Institucional FSHZH-it; Raport Vjetor 2020. Tiranë
Haxhimali A, Canaj A, Xhani B. (2021). Qeverisja Vendore 2020. Tiranë: Shoqata e Bashkive të Shqipërisë.
Imami F, Bejko A, Shutina D. (2018). Sfidat dhe rruga drejt zhvillimit rajonal në Shqipëri. Annual Review of Territorial Governance in Albania, I, , 08-23.
Këshilli i Ministrave. (2020, Janar). https://konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/262. Retrieved Maj 02, 2021, from Tabela e përputhshmërisë.
Ministria e Integrimit. (2010). Fjalorth për Integrimin Europian, Institucionet dhe Politikat e bashkimit Evropian. Tiranë
OECD. http://www.oecd.org/regional/regionaldevelopment.htm. Retrieved Maj 02, 2021
SKZHI-II. (2016). Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim. Retrieved Maj 02, 2021, from http://dap.gov.al/publikime/dokumenta-strategjik/278-strategjia-kombetare-per-zhvillim-dhe-integrim
Sulçe, A. (2020, korrik 15). https://portavendore.al/2020/08/17/pertej-politikes-debati-pro-dhe-kunder-mes-eksperteve-per-ligjin-e-zhvillimit-te-rajoneve/. Retrieved maj 01, 2021, from Përtej politikës, debati pro dhe kundër mes ekspertëve për ligjin e zhvillimit të rajoneve.