Sllovaki dhe Slloveni: Dorëheqja e kryeministrave të dy vendeve në të njëjtën kohë dhe konfuzioni i krijuar

Sllovaki dhe Slloveni: Dorëheqja e kryeministrave të dy vendeve në të njëjtën kohë dhe konfuzioni i krijuar

Duket se ngatërresat mes dy shteteve evidentohen në shumë ngjarje, siç është eventi i vitit 2017 në Kampionatin Botëror të Hokej-it në Gjermani. Himnet e dy shteteve u ngatërruan, duke shkaktuar pakënaqësi mes tifozëve dhe duke u justifikuar nga organizatorët si gabim teknik. Konfuzione shfaqen dhe tek politikanët më në zë, si Xhorxh W. Bush, i cili dikur përmendi takimin e tij me ministrin e jashtëm sllovak, një takim që në fakt nuk ndodhi kurrë, apo në 2003 kur kryeministri italian i periudhës, Silvio Berluskoni, prezantoi kryeministrin e Sllovakisë në një konferencë shtypi, kur në të vërtetë personi në fjalë ishte Anton Rop, nga Sllovenia. Ngjarje që ndodhin aq shpesh, sa që revista The New York Times raportoi një aktivitet me titullin “Si të dalloni Slloveninë nga Sllovakia” apo BBC në spektaklin e kuizeve duke shpërndarë mitin se në Uashington, ambasadat Sllovake dhe Sllovene takohen një herë në muaj për të shkëmbyer adresën e postës që është shpërndarë gabimisht.

Ndërkohë që dorëheqja e dy kryeministrave nxori dhe një herë në pah ngjashmërinë mes dy shteteve dhe ‘leksionet’ dhe ‘sugjerimet’ si ti dallosh ato nga njëri-tjetrin, arsyet e dorëheqjes së tyre dhe rrjedha e ngjarjeve nuk është e njëjta për të dy.

Kryeministri sllovak largohet pas vrasjes së gazetarit, por koalicioni i tij mbetet në pushtet

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, dha dorëheqjen më 15 mars, pas vrasjes së një gazetari investigativ që provokoi protestat më të mëdha të vendit që prej rënies së komunizmit.
Presidenti Andrej Kiska i kërkoi zëvendëskryeministrit Peter Pellegrini të formojë qeverinë e ardhshme, duke hapur rrugën që koalicioni trepartiak të qëndrojë në pushtet, edhe pse dhjetëra mijëra sllovakë po kërkojnë zgjedhje të parakohshme.

Vrasja ende e pazgjidhur e gazetarit Jan Kuciak, i cili po hetonte mashtrimin që përfshinte biznesmenë me lidhje politike, ka nxitur zemërimin publik mbi korrupsionin dhe ka kërcënuar të rrëzojë koalicionin. Edhe pse jo më në postin e kryeministrit, Fico u zotua se do të qëndrojë në politikë si lider aktiv i partisë së tij “Smer”. Ndërkohë, zëvendëskryeministri Peter Pellegrini paraqiti një listë me nënshkrime tek Presidenti, që garantojnë një shumicë parlamentare dhe e mbështesin kalimin e tij si kryeministër. Pellegrini do të përballet me testin e tij të parë të premten, 23 mars ndërsa protestat janë planifikuar të vazhdojnë në një javë të tretë. Organizatorët e protestave kërkojnë zgjedhje të reja dhe një hetim tërësor të vrasjes së gazetarit Kuciak.

Kuciak është gazetari i dytë që vritet në Europë në muajt e fundit, i cili u gjet i vdekur së bashku me partneren e tij në shtëpinë e tyre më 25 shkurt. Ashtu si gazetarja Daphne Caruana Galizia në Maltë, Kuciak duket se e ka paguar çmimin për raportimin e tij hetimor. Në kohën e vdekjes së tij, ai kishte punuar për një histori mbi influencën e mafies kalabreze, 'Ndrangheta', në biznesin dhe politikën në Sllovaki.

Kryeministri i Sllovenisë jep gjithashtu dorëheqjen

Në të njëjtën periudhë që kryeministri Robert Fico jep dorëheqjen në Sllovaki, kryeministri i Sllovenisë, Miro Cerar, deklaron dorëheqjen e tij pas një projekti kyç të investimeve që Gjykata e Lartë e anuloi edhe pas rezultatit të referendumit të zhvilluar në shtator që miratoi një projekt hekurudhor prej 1 miliard € i vlerësuar nga qeveria ‘më një rëndësi të madhe strategjike dhe mundësi zhvillimi’. Sipas Associated Press, gjykata vendosi se duhet të ketë një votim të ri, data e të cilit nuk u vendos menjëherë, duke argumentuar se mbështetja e qeverisë për projektin gjatë fushatës mund të ketë ndikuar në rezultatin e votimit. Cerar shprehu se do të vazhdojë të mbajë postin e tij si kryeministër, derisa të formohet një qeveri e re, por prej kësaj situate pritet që Sllovenia do ti mbajë më herët, zgjedhjet parlamentare të parashikuara në javët e para të qershorit. Cerar gjithashtu ka vlerësuar arritjet e qeverisë së tij, si renditja në vendin e tretë në BE për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe si vendi i BE-së me nivelin më të ulët të papunësisë që pas vitit 2009. Nga ana tjetër, qeveria sllovene është përballur me një valë grevash dhe protestash nga punëtorët e sektorit publik që kërkojnë paga më të larta pas ringritjes ekonomike. Shumë shkolla në Slloveni u mbyllën të mërkurën pasi mësuesit të pakënaqur filluan grevën për herë të dytë brenda një muaji.

Në një situatë të tillë të brendshme të paqëndrueshme për dy vendet: Sllovaki dhe Slloveni, pikëpyetje lindin dhe për vetë situatën e Bashkimit Europian, vendet anëtare të të cilit po shfaqin momente krizash dhe pasigurish kur vjen fjala tek zhvillimet politike dhe ato të brendshme. Sikur të mos mjaftonte Brexit, zgjedhjet në Itali apo ngërçet në Gjermani dy shtete të tjera të BE-së gjenden përballë udhëkryqesh politike. Sa do të ndikojë kjo në politikat dhe zhvillimet europiane mbetet për tu parë.

                                                                                                                         Stafi i EuroSpeak, mars 2018

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk