Demonstrimi i njohur si “Ruga Katalanase drejt pavarësisë” tregoi se shumica e popullsisë (rreth 80%) dëshiron të ketë më shumë kontroll mbi ekonominë e kësaj zone, shërbimet sociale dhe politikën. Presidenti i Katalunias Artur Mas është shprehur se krahina paguan shumë mbi mesataren e rajoneve të tjera për qeverinë qendrore, por merr më pak shpenzime publike për banor si shpërblim. Në deklaratat e tij, ai ka theksuar se Katalunia është një partner i Bashkimit Europian në forcimin e një uniteti politik, sigurisë dhe rritjes ekonomike.
Nga ana tjetër, Brukseli ka paralajmëruar rajonin verilindor të Katalunias se nëse do të fitojë pavarësinë nga Spanja, nuk do të jetë anëtar i Bashkimit Europian. Pak ditë më parë, Komisioni Europian paraqiti pozicionin e tij për debatin e vetëvendosjes së Katalunias, dhe refuzoi të komentonte rreth protestave masive pro-pavarësisë. “Krijimi i një shteti të ri si rezultat i shkëputjes nga një shtet ekzistues do të sjellë një shtet të tretë në marrëdhëniet me BE-në. Që në momentin e fitimit të pavarësisë, nëse kjo gjë do të ndodhë, traktatet e BE-së nuk do të aplikohen më tej në këtë krahinë”- u shpreh zëdhënësja e Komisionit Europian Pia Ahrenkilde Hansen.
Por, gazeta e specializuar në çështje europiane EU Observer, ngre disa argumente kundërshtuese që vlen të shqyrtohen. Sipas këtij burimi, në këtë debat është e domosdoshme të qartësohen disa çështje. Së pari, traktatet e BE-së nuk parashikojnë qartësisht së çfarë ndodh kur një pjesë e një shteti anëtar bëhet e pavarur. Mundësia e një zgjerimi të brendshëm, që është një zgjerim i BE-së me shtete të reja që rezultojnë nga procese vetëvendosëse brenda shteteve anëtare të BE-së, nuk është as e përjashtuar dhe as e parashikuar nga traktatet. Rrjedhimisht, qëndrimet e institucioneve të BE-së dhe përfaqësuesve të tyre janë me natyrë politike dhe jo juridike. Së dyti, në situata të mëparshme BE-ja ka adoptuar sjellje të bazuara në negociata dhe marrëveshje. Bashkimi Europian u treguar pragmatik kur Gjermania Lindore u bashkua me Gjermaninë Perëndimore apo kur Groenlanda vendosi të largohej nga BE-ja edhe pse duke qenë pjesë e një shteti anëtar (Danimarkës). Nuk ka arsye që BE-ja të mos tregohet pragmatike dhe me Katalunian. Për më tepër, Katalunia i plotëson të gjitha kërkesat dhe kriteret që të vazhdojë të jetë pjesë e BE-së dhe përderisa ka aplikuar për një kohë të gjatë legjislacionin e BE-së, nuk duhet të kalojë nëpërmjet një procesi të plotë anëtarësimi. Sigurisht që çështje konkrete duhet të rinegocionohen, të tilla si kuotat për përfaqësimin në institucionet e BE-së apo kontributi i Katalunias për buxhetin, por kjo marrëveshje duhet të jetë e shkurtër dhe jo problematike. Për më tepër qytetarët katalanë i kanë fituar disa të drejta dhe liri të cilat nuk mund t’u hiqen aq lehtësisht, sidomos kur qytetarët në mënyrë demokratike vendosin të lënë një shtet anëtar të BE-së, por jo BE-në.
Demokracia është një parim themelor i traktateve të BE-së. BE-ja është e përkushtuar të promovojë demokracinë brenda bashkimit dhe rreth globit. Ajo nuk mundet dhe nuk duhet të dënojë katalanasit. Një Katalunia e pavarur (nëse kjo ndodh) brenda BE-së, është në vetë interesin ekonomik të BE-së dhe shteteve anëtare, përfshirë këtu Spanjën. Në mbrojtje të interesave të qytetarëve të vsaj dhe kompanive, shtetet anëtare duan që Katalunia të qëndrojë. A do ta lejojë BE-ja qëndrimin jashtë të një shteti europian jugor me potencial shumë të lartë tregtar dhe me vendndodhje strategjike? Në kohë krize ekonomike, a do e përjashtojnë një pjesë të Europës duke rrezikuar kështu vetë projektin e integrimit europian?
Stafi i EuroSpeak, tetor 2013