Dorëheqja e shumëkërkuar e kryeministrit rumun Ponta dhe perspektivat e së ardhmes për shoqërinë rumune

Dorëheqja e shumëkërkuar e kryeministrit rumun Ponta dhe perspektivat e së ardhmes për shoqërinë rumune

Protestuesit mbanin në duar pankarta me shprehjet “Korrupsioni vret”, si dhe flamuj kombëtarë të dëmtuar dhe me vrima, simbol ky që nga “Revolucioni i Kadifenjtë” kundër Ceaușescus. Akti i dorëheqjes u cilësua nga vetë kryeministri si një detyrim nga ana e tij për të pasur parasysh pakënaqësinë brenda shoqërisë dhe nevojën e tyre për më shumë. Por reagimi i Presidentit rumun, Klaus Iohannis, i cili i përket partisë opozitare liberale dhe ka kërkuar edhe më parë dorëheqjen e kryeministrit është shprehur: “Duhet të vdisnin njerëz që dorëheqja të vinte. Por ata njerëz nuk do të vdisnin nëse rregulli dhe ligji do të respektoheshin” duke nënkuptuar nivelin e lartë të korrupsionit të qeverisë dhe veçanërisht të kryeministrit.

Kjo pakënaqësi ishte e akumuluar, pasi dorëheqja e kryeministrit Ponta është kërkuar si fillim kur dolën akuzat për plagjiaturë në tezën e tij të doktoraturës, por edhe nga ato më të rëndat për korrupsion, evazion fiskal dhe pastrim parash, duke e bërë atë kryeministrin e parë rumun që përballet me akuza të tilla. Gjatë viteve 2007-2008, në të njëjtën kohë që ai ishte politikan, Ponta ka deklaruar se punonte edhe si avokat në firmën ligjore të aleatit të tij politik Dan Sova, i cili më vonë do të emërohej tre herë ministër gjatë kohës që Ponta ishte në pushtet. Por për prokurorët kjo është thjesht një manovër për të justifikuar paratë e Pontës të përfituara nga firma ligjore, të cilat u përdorën për dy apartamente dhe një makinë luksoze. Edhe pse ai u akuzua gjatë kohës që ishte kryeministër, ai nuk kishte imunitet mbi akuzat e evazionit dhe pastrimit të parave, por përsëri ai i injoroi thirrjet në gjykatë deri tani që u detyrua të dorëhiqej. Gjithashtu gjatë kohës në qeverisje aktet e tij politike janë vlerësuar si ndërhyrje në legjislacion për të bërë të mundur largimin e Presidentit të atëhershëm si dhe për të vënë në kontroll sistemin e drejtësisë.

Rumania tani ndodhet në një udhëkryq, ku Presidenti ka lajmëruar një takim me partitë politike në ditët në vazhdim për formimin e qeverisë së re, por duke nënkuptuar se Rumanisë realisht i duhet një transformim më i thellë, pasi thjesht ndryshimi i qeverisë nuk i zgjidh dot problemet e klasës politike rumune. Skenarët e së ardhmes janë disa, partia e Pontes mund të tentojë të formojë një qeveri të re më aleatët e saj UNPR, por që ky veprim ka rrezik, pasi me uljen e besueshmërisë së figurës së kryetarit të UNPR, njëkohësisht ministrit të brendshëm ajo mund të ketë pasoja negative për vetë partinë dhe koalicionin. Një zgjidhje tjetër është të krijohet një qeveri teknike deri në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm 2016.

Sidoqoftë dorëheqja e Pontes dhe kabinetit të tij qeverisës mund të nënkuptojë një fazë të re për shoqërinë rumune dhe klasën e saj politike. Kishte ardhur koha që politikanët e së shkuarës të largohen për të lënë hapësira për një politikë të denjë për qytetarët rumun dhe për respektimin e ligjit, vendosjen e shtetit ligjor dhe demokratik. Domosdoshmëria e reformave në vend është e dukshme dhe pakënaqësia me klasën politike në pushtet u pa qartë në zgjedhjet presidenciale të kaluara ku u votua partia opozitare. Korrupsioni, nepotizmi dhe varësia nga politika e pushteti duket se kishin kohë në Rumani dhe u desh një zjarr në një klub nate për të shpërthyer këtë ndërtesë politike të korruptuar, që nuk kishte më asnjë lloj përgjegjshmërie morale dhe politike. Çfarëdo të ndodhë më tej është në dorën e qytetarëve dhe klasës politike, që duhet të fillojë reformat si fillim nga vetja.

Euractiv, nëntor 2015

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk