Gjithsesi shumë qytetarë vendosin në pikpyetje legjitimitetin e zgjedhjeve, sepse partisë që ata kishin planifikuar të votonin iu ndalua pjesëmarrja në zgjedhje. Më 29 nëntor Gjykata Supreme e Moldavisë konfirmoi një vendim të mëparshëm i cili argumentonte se partia e re e udhëhequr nga Renato Usatii, një biznesmen i pasur, nuk mund të lejohej në zgjedhje sepse kjo parti ishte financuar nga fonde të jashtme, të paligjshme. Zoti Usatii e kishte pozicionuar partinë e tij të re si pro-ruse, dhe bënte thirrje për tu bërë pjesë e një bashkimi të ri doganor euroaziatik, së bashku me ish-republikat e tjera sovjetike. Për më tepër tre ditë para zgjedhjeve befas iku në Moskë kështu mesa duket dhe financimet i vinin nga Rusia.
Një tjetër situatë që ngjall dyshime është krijimi i të ashtuquajturës "parti klon" e cila u krijua pak para zgjedhjeve ku emri dhe simboli i së cilës ishin të ngjashme me Partinë Komuniste të zakonshme. Dorin Chirtoaca, kryetari i bashkisë së Kishinaut pavarësisht se është një pro-europian i patundur, thotë se ai mendon se kjo “parti klon” është krijuar për të ngatërruar votuesit e moshuar. Kjo parti mori 5% të votave, që është më pak se pragu i nevojshëm për të hyrë në parlament, por nëse të gjithë votat e saj do të kishin shkuar në favor të Partisë Komuniste aktuale, pro-evropianët do ti kishin humbur zgjedhjet.
Zoti Chirtoaca, përfaqësues i Partisë Liberale, parti e cila me shumë gjasa do të përfshihet në koalicionin e ri, thotë se BE-ja dhe Amerika duhet të insistojnë shumë që politikanët moldavë ta luftojnë korrupsionin. Victor Chirila, drejtor i Shoqatës për Politikat e Jashtme të vendit, një organizatë think-tank, shprehet se prioritet i momentit është stabilizimi i qeverisë së re dhe të brishtë. Një mënyrë e mirë për ta bërë këtë do të jetë kërkimi i mbështetjes nga komunistët. Në të kundërt, votuesit moldavë, pro-rusë mund të ndjehen sikur bashkëqytetarët e tyre pro-europiane janë duke u thënë atyre "ju nuk llogariteni dhe ne do të bëjmë ashtu si mendojmë ne".
Bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm për Moldavinë për përparimin e saj ekonomik dhe për të sfiduar ndarjet të cilat sjellin efekte mjaft negative për një vend të vogël.
The Economist, Dhjetor 2014