Pavarësisht suksesit të arritur në brigjet e Mesdheut Lindor, një situatë tjetër paraqitet në Mesdheun Qendror, ku numri i kalimeve dhe vdekjeve është pothuajse i njëjtë me atë të një viti më parë. Shkak për këtë kontrast të thellë në këtë zonë, mendohet të jetë fakti se BE ka një plan të mirëmenduar sa i përket krizës në Egje, por jo një program të njëjtë për Mesdheun Qendror. Megjithatë, disa çështje të rëndësishme duhet të adresohen urgjentisht për të siguruar suksesin e vazhdueshëm të kësaj marrëveshjeje mes palëve, ndaj le t’i hedhim një sy njëmbëdhjetë fakteve mbi atë çka është arrirë apo jo nga nënshkrimi i marrëveshjes Turqi-BE.
1. Kriza e refugjatëve në vitin 2015 ishte e përqendruar kryesisht rreth Egjeut, ku dhe u zhvilluan më shumë se 85% e të gjitha kalimeve në BE. Ndërkohë që në Mesdheun Qendror kanë kaluar për gjithë vitin 2015 rreth 150 mijë persona, nga Egjeu kanë kaluar pothuaj 900 mijë të tillë. Vihet re që diferenca është mjaft e madhe, dhe situata në këtë pjesë të Mesdheut ka qenë më e rënduar.
2. Lajmi pozitiv është që ka pasur një rënie dramatike të numrit të kalimeve të refugjatëve në Egje që nga marsi i vitit 2016. Sipas të dhënave, vihet re një fluks i lartë i refugjatëve gjatë muajve janar dhe shkurt, mbi 50 mijë persona në muaj, pas muajit mars, nga ku fillon dhe nënshkrimi i marrëveshjes Turqi-BE pati një rënie të dukshme të fluksit.
3. Ndërsa marrëveshja Turqi-BE ka reduktuar numrin e kalimeve në Egje, politikat e BE-së nuk kanë arritur të bëjnë të njëjtën gjë me kalimet në Mesdheun Qendror drejt Italisë. Kalimet në Mesdheun Qendror në vitin 2016 janë të ngjashme me ato në vitin 2015 madje në disa muaj edhe më shumë se të një viti më parë.
4. Nuk janë evidentuar raste që persona që vijnë nga Egjeu të ndërrojnë destinacion drejt vendeve si Italia që preken nga Mesdheu Qendror. Pra mund të themi me siguri se grupet e personave që ndjekin këto dy rrugë të ndryshme të Mesdheut për të arritur Europën janë të ndara dhe të pavarura. Kjo tregohet edhe nga kombësitë e tyre. Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e të ardhurve në Greqi nëpërmjet Egjeut, janë nga Siria (48%), të ndjekur më pas nga Afganistani dhe Iraku. Ndërsa, sa i përket emigrantëve që synojnë Italinë rreth 124 mijë të tillë, janë më së shumti nga Afrika, ku 20% e tyre vijnë nga Nigeria, kurse pjesa tjetër përfshin Eritrenë, Gambian apo Sudanin.
5. Që nga marsi i këtij viti, numri i njerëzve të mbytur në Egje ka rënë dukshëm, nga rreth 272 vdekje të regjistruara në janar të 2016 në vetëm 3 vdekje të regjistruara në fund të muajit gusht.
6. Nuk ka pasur dëbime masive nga Greqia në bazë të marrëveshjes së arrirë (në fakt, dy herë më shumë migrantë të parregullt janë ripranuar nga Greqia për në Turqi në bazë të një marrëveshjeje dypalëshe ripranimi para se Marrëveshja BE-Turqi të hynte ne fuqi.) Zhvendosja e migrantëve nga Greqia në Turqi arriti kulmin përgjatë muajit prill me 202 emigrantë të zhvendosur dhe më pas u vu re një ulje në vazhdim ku në muajin gusht janë zhvendosur vetëm 3 emigrantë.
7. Numri i njerëzve të mbetur në ishujt grekë është ende i lartë; po kështu është, megjithëse ende i ngadaltë - numri i mbërritjeve të përditshme. Mbërritjet ditore nga Turqia gjithashtu kanë pësuar një rënie të dukshme gjatë muajve në vazhdim. Shifrat e larta të muajit janar ( 1 932 mbërritje ditore në ishujt grekë) janë ulur ndjeshëm në vazhdim ku vihet re se gjatë muajit gusht ky numër arrin në një mesatare prej 111 të ardhurve në ditë.
8. Numri i njerëzve të vendosur në ishujt grekë është përtej kapaciteteve pritëse të shtetit grek. Ishulli me i prekur është ishulli Lesbos dhe Chios që mbajnë më shumë se 2 mijë persona mbi kapacitetin e tyre.
9. Numri i refugjatëve që BE-ja ka zhvendosur nga Turqia, mbetet ende shumë i ulët. Zhvendosja e refugjatëve sirianë nga Turqia në shtetet e BE-së arrin një total prej 1 500 refugjatësh të cilët ndodhen më së shumti në Gjermani (609), Suedi dhe Francë.
10. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga Komisioni Europian, vetëm 3 500 azil-kërkues janë zhvendosur nga Greqia në këto 15 muaj. (Vendimi i shtatorit 2015 parashikonte të paktën 60 mijë.)
11. BE-ja nuk ka dërguar mjaftueshëm përkthyes të rasteve për azil në Greqi. (Në qoftë se një zyrtar/përkthyes do të bëjë një intervistë në ditë, 200 zyrtarë janë të mjaftueshme për të proceduar 4 000 raste në një muaj). Edhe pse janë kërkuar më shumë se 400 përkthyes, deri më tani nuk janë vendosur më shumë se 70 të tillë në Greqi.
Marrëveshja Turqi-BE pati shumë reagime pro dhe kundër, optimiste dhe pesimiste për suksesin dhe realizimin e saj si dhe për ndikimin që do të kishte në zgjidhjen e situatës së refugjatëve. Nga faktet dhe të dhënat e përmendura më sipër nuk mund të bëhet një vlerësim i prerë i progresit të saj si negativ apo pozitiv, por mund të thuhet se ndërkohë që disa elemente janë zhvilluar mirë pjesë të tjera kanë akoma shumë nevojë për politika, aksion dhe strategji të reja. Çfarë mbetet e rëndësishme është që kriza e refugjatëve do të vazhdojë të jetë një sfidë e madhe edhe për një kohë të gjatë jo vetëm për BE-në, por për të gjithë globin.
European Stability Initiative, shtator 2016