***
COVID-19 ka pasur një ndikim të madh në sektorin e udhëtimit dhe turizmit, dy sektorë shumë thelbësorë për zhvillimin e sektorit kulturor. Që nga fillimi i pandemisë COVID-19, 95 % e muzeve të botës dhe 80 % e siteve të shpallura si trashëgimi botërore prej UNESCO-s, u detyruan të mbylleshin përkohësisht, duke rrezikuar sigurinë ekonomike të profesionistëve të fushës, por edhe ekonominë e bizneseve lokale të zhvilluar pranë këtyre siteve (UNWTO, 2020).
Megjithatë, përkundër të gjitha sfidave, sektorët e turizmit dhe kulturës po përballen me një mundësi për të krijuar audiencë dhe bashkëpunime të reja. Ato janë të detyruara të tërheqin audiencë të re, të zhvillojnë aftësi të reja, duke përmirësuar komunikimin përmes mjeteve dixhitale, siç është sigurimi i aksesit në trashëgiminë kulturore përmes faqeve virtuale. Kjo do të ishte një formë e mirë komunikimi në nivelin lokal, por që do të siguronte edhe bashkëpunim dhe përfshirje ndërkombëtare. Megjithatë, audienca online kërkon aftësi teknike, organizim dhe investime, të cilat jo të gjithë shtetet ose institucionet kulturore kanë mundësi për t’i zhvilluar (UNWTO, 2020).
Kriza e shkaktuar nga pandemia e Covid-19 ndikoi në shtyrjen e shumë aktiviteteve dhe festivaleve kulturore. Për në pranverën e vitit 2021, është shtyrë edhe Festivali Folklorik i Gjirokastrës, që konsiderohet edhe si eventi më i rëndësishëm i trashëgimisë jomateriale, në Shqipëri, i organizuar çdo 5 vjet që prej vitit 1968. Megjithatë, institucionet më të rëndësishme kulturore europiane, gjithashtu edhe ato shqiptare, gjetën mënyrën e komunikimit me publikun duke i ardhur sa më pranë, nëpërmjet tureve virtuale dhe shfaqjeve online, pasi miliarda njerëz në mbarë botën, më shumë se kurrë kishin nevojë për kulturë për të kapërcyer izolimin shoqëror, do të shpreheshin përfaqësuesit e UNESCO-s. Pandemia e Covid-19 do të vinte theksin në të drejtën e çdo njeriu për kulturë. Për këtë arsye, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës do t’i rekomandonte mundësitë e reja teknologjike për të forcuar aksesin dhe pjesëmarrjen në kulturë, duke forcuar kështu demokracinë (Kużelewska & Tomaszuk, 2020).
Aktualisht, kuptohet dhe pranohet gjerësisht që trashëgimia kulturore mund të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik. Për më tepër, ekziston një lidhje e fortë midis rritjes ekonomike dhe shfrytëzimit të vendeve të trashëgimisë kulturore për turizmin, pasi duhet përmendur që turizmi kulturor përbën gati 40% të të ardhurave të turizmit botëror. (UNWTO). Për Europën, sektorët e turizmit dhe kulturës nuk janë vëtëm promovuese të vlerave, diversitetit dhe trashëgimisë së përbashkët kulturore, këta sektorë kanë edhe një ndikim ekonomik sepse Europa është kontinenti me numrin më të madh të turistëve ndërkombëtarë (745 milion) çdo vit. (UNWTO, statistikat e vitit 2019)
Shtetet Anëtare të BE-së reaguan shpejt për të balancuar pasojat e masave të Covid-19, me mbështetje për institucionet kulturore dhe artistët. Këto shtete kanë prezantuar masa për të mbështetur organizatat kulturore dhe krijuese (mikro, të vogla dhe të mesme) për të mundësuar funksionimin e tyre gjatë dhe pas krizës përmes financimit; kanë prezantuar masa mbështetëse për të vetëpunësuarit, të cilët janë të shumtë në mesin e artistëve në sektorin kulturor dhe krijues; si dhe masa për ata që kanë humbur punën e tyre, gjithashtu edhe fonde dhe investime për zhvillimin e teknologjisë në këtë sektor. Masat specifike sektoriale janë diskutuar për të mbrojtur më të prekurit, si për shembull artistët interpretues sepse punësimi në fushën e trashëgimisë jomateriale është i pasigurt për nga vetë natyra, me punësimin sezonal në projekte dhe festivale kryesisht verore (UNESCO, 2020)
Bashkimi Europian ka krijuar dy platforma për të ndihmuar në ndarjen e sfidave dhe zgjidhjeve në nivelin e BE-së në lidhje me ndikimin Covid-19 në sektorët kulturorë dhe krijues: një për të lejuar ministritë e kulturës të shkëmbejnë praktika të mira dhe, e dyta, Creatives Unite, për të ndihmuar njerëzit në sektorët kulturorë dhe krijues të ndajnë më lehtë informacionin dhe zgjidhjet (UNESCO, 2020).
Në Shqipëri, institucionet kulturore u mbyllën në datën 11 mars 2020 për shkak të COVID 19, për të rifilluar një hapje graduale në muajin maj 2020. Sipas statistikave të INSTAT-it, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar, numri i vizitorëve në sitet e trashëgimisë kulturore në Shqipëri ka rënë me 96,6% (INSTAT, 2020). Për shkak të situatës post-Covid dhe krizës ekonomike të krijuar gjatë periudhës së izolimit, Ministria e Kulturës do ulte çmimet e biletave, të cilat u ngritën në 1 janar të këtij viti për të përballuar mirëmbajtjen e vetë muzeve, siteve dhe kalave.
Për të rikthyer vëmendjen te vizitorët vendas, por edhe tek ata të huaj, janë vendosur paketa të reja çmimesh për çdo muze, kala dhe park arkeologjik. Për më tepër ishte vendosur që çdo e diel e muajit, jo vetëm e diela e fundit e muajit siç zbatohej vitet e shkuara, të ishte falas për çdo vizitor deri në datë 31 gusht. Në fillim të shtatorit, ministrja e Kulturës do të njoftonte se oferta e çmimeve të ulura, do të shtyhej prej 31 gushtit deri në 30 shtator. (Gazeta Sot) Paketa e re e çmimeve, duke përkuar njëkohësisht me lehtësimin e disa masave anti-covid, mesa duket ka ndikuar në rritjen e vizitorëve. Sipas statistikave të publikuara nga Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe”, në muajin korrik, në këtë muze ka një rritje me 183% të numrit të vizitorëve krahasuar me ato të muajit qershor, megjithatë numri i vizitorëve mbetet ende shumë larg shifrave të vitit të kaluar. (Koha e Jonë, 2020)
Tërheqja e turistëve nëpërmjet paketave të reja të çmimeve, ndihmon në ruajtjen e marrëdhënies së trashëgimisë kulturore me publikun, gjithashtu ndihmon edhe turizmin, ekonominë e bizneseve lokale pranë zonave të trashëgimisë kulturore, por a e ndihmon sektorin e trashëgimisë kulturore në vetvete?
Mund të themi se këto masa të ndërmarra për sektorin e trashëgimisë kulturore në Shqipëri, më shumë se sa rimëkëmbjen ekonomike të vetë sektorit kulturor dhe të punësuarve në këtë sektor, sigurojnë vazhdimësinë e marrëdhënies të publikut ose vizitorëve me trashëgiminë kulturore, marrëdhënie që është shumë thelbësore për çdo fushë të kulturës, duke qenë se kultura nuk mund të ekzistojë pa audiencën dhe ndonjëherë është audienca që krijon vetë kulturën. (Kużelewska & Tomaszuk, 2020)
Siç është përmendur edhe më lart, institucionet kulturore në Shqipëri ofruan ture dhe shfaqje virtuale, gjithashtu në mediat sociale e disa prej muzeve kryesorë në Shqipëri, u zhvilluan konkurse dhe programe edukimi për të tërhequr grupmoshat më të reja. Më lart, në artikull, janë përmendur masat e ndërmarra nga shtetet e BE-së dhe nga Shqipëria, megjithatë është thelbësore të paraqiten edhe masat që të punësuarit në këtë sektor i shohin si më të nevojshme për t’u ndërmarrë.
Në një sondazh të kryer nga CAE-ECF me të punësuarit në sektorin kulturor, rezulton se të punësuarit në këtë sektor shohin si më të nevojshme për rimëkëmbjen ekonomike, mbështetjen financiare nga qeveria për individët dhe organizatat për të kompensuar humbjet dhe pasigurinë e përkohshme të të ardhurave; zbutjen e përkohshme të taksave për sektorët kulturorë dhe krijues gjatë dhe pas mbylljes; subvencione dhe grante fleksibël, që japin hapësirë për t'u rikuperuar nga humbjet dhe mundësitë e humbura; investimin në teknologji dhe mbështetjen nga sektori filantropik, mbështetjen nga rajonet etj. (Culture Action Europe, 2020).
Pandemia COVID-19 do të ketë një ndikim të madh në ekonomi në nivelin global, por nuk dihet efekti që mund të ketë kjo krizë për sektorin e kulturës dhe të punësuarit e këtij sektori në vitet e ardhshme nëse nuk ndërmerren masa mbështetëse dhe investime afatgjata. Duhet thënë se natyra globale e Covid-19 ndikoi edhe në një reagim të përbashkët ndërkombëtar për sektorin kulturor, duke nxjerrë në pah rëndësinë e investimit në teknologji, përshtatjes me audiencën dhe rëndësinë e bashkëpunimit dhe projekteve ndërkombëtare. Megjithatë, ajo që përbën diferencën në reagimin ndaj Covid-19, nuk është përshtatja e sektorit kulturor ndaj situatës së krijuar nga pandemia, por është qasja dhe vëmendja që çdo shtet i ka dhënë sektorit kulturor në vetvete.
Duhet përmendur se edhe brenda BE-së, Gjermania përbën diferencën në masat e ndërmarra, në subvencionet dhe grantet e ofruara për organizatat kulturore dhe të vetpunësuarit në këtë sektor, duke u cilësuar si një shtet që mundet dhe dëshiron të përballojë investimin afatgjatë në kulturë (Politico, 2020), sepse kultura ashtu siç nuk mund të ekzistojë pa audiencën, nuk mund të ekzistojë edhe pa ata që e krijojnë, e ruajnë dhe e transmetojnë atë.
Oriada Dajko, shtator 2020
*Oriada Dajko ka përfunduar studimet e saj Bachelor për Gjuhë-letërsi, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në Universitetin e Tiranës. Aktualisht, është në përfundim të studimeve në profilin Master i Shkencave në "Trashëgimi Kulturore", pranë këtij fakulteti. Njëkohësisht me studimet akademike, është duke ndjekur studimet profesionale në drejtimin juridik, "Njohës Ligjesh". Ka qenë pjesëmarrëse në projekte të ndryshme, në fushën e trashëgimisë kulturore. Në vitin 2020, është përzgjedhur si një ndër 10 shkrimtarët e rinj, që do të promovojnë nëpërmjet prozës artistike, trashëgiminë kulturore të Gjirokastrës, në programin ndërrajonal Itali-Shqipëri-Mali i Zi, të projektit HAMLET. Disa nga fushat e saj të interesit janë: etnologjia, legjislacioni dhe trashëgimia kulturore, edukimi, të drejtat e minoriteteve dhe personave me nevoja të veçanta për kulturë, barazia gjinore etj.
Referenca
- Culture Action Europe. (2020). COVID-19 Solidarity and Emergency Response in Europe. Retrieved Gusht 25, 2020 from https://cultureactioneurope.org/news/covid-19-solidarity-and-emergency-response-in-europe-in-arts-culture-cultural-heritage-and-creative-sectors/
- Gazeta Koha e Jonë. (2020, gusht, 6). Rritje e numrit të vizitorëve në Muzeun Shtëpia me Gjethe Retrieved Gusht 25, 2020 from https://kohajone.com/rritje-e-numrit-te-vizitoreve-ne-muzeun-shtepia-me-gjethe/
- Gazeta Sot. (2020,shtator). Muzetë dhe parqet arkeologjike, çmime të ulëta deri në 30 shtator. Retrieved Shtator 14, 2020 from https://sot.com.al/kultura/muzete-dhe-parqet-arkeologjike-cmime-te-uleta-deri-ne-30-shtator-493
- INSTAT, (2020, gusht, 3). Statistikat e Kulturës, T2 – 2020, Retrieved Gusht 25, 2020 from http://www.instat.gov.al/al/temat/treguesit-demografik%C3%AB-dhe-social%C3%AB/kultura/#tab3
- Kużelewska & Tomaszuk. (2020, maj, 4). European Human Rights Dimension of the Online Access to Cultural Heritage in Times of the COVID-19 Outbreak retrieved Gusht 25, 2020 from https://link.springer.com/article/10.1007/s11196-020-09712-x
- Resula, L. (2020). Kriza post-Covid/ Bileta të reja për muzetë, parqet dhe kalatë, ulen drastikisht çmimet. Gazeta Shekulli online. Retrieved Gusht 25, 2020 nga http://shekulli.com.al/kriza-post-covid-bileta-te-reja-per-muzete-parqet-dhe-kalate-ulen-drastikisht-cmimet/
- https://en.unesco.org/sites/default/files/special_issue_en_culture_covid-19_tracker.pdf
- https://www.unwto.org/cultural-tourism-covid-19