Arena ndërkombëtare ka qenë gjithmonë një vullkan që pret nga momenti në moment të shpërthej, ndaj lajmi i luftës së tretë botërore pas konflikteve të aktorëve botërorë nuk duhet të na befasojë, pasi nëse ka pasur një luftë të parë dhe të dytë botërore, atëherë pse të mos e pranojnë mundësinë për një të tretë.
SHBA, Irani dhe Iraku, janë gur mjaft të rëndësishëm në tablon e shahut të botës. Gjërat nuk po shkojnë dhe aq mirë në marrëdhëniet midis këtyre shteteve dhe si çdo herë Bashkimi Europian mundohet të jetë një ndërmjetës i devotshëm për të qetësuar konfliktet dhe për ti ulur palët në një tavolinë.
Kush ishte “molla e sherrit”?
Gjatë dy muajve të fundit në vendin e zjarrit, në Lindjen e Mesme kanë ndodhur shumë sulme të përsëritura, sidomos në luftën e vazhdueshme kundër armikut më të madh të dekadës që lamë pas, ISIS. Ditët e fundit, këto lufëtra kanë shkaktuar vdekjen e një shtetasi amerikan dhe personelit të Forcave të Sigurisë Irakiane.
Të enjten, më datë 2 janar 2020, forcat amerikane vrasin gjeneralin iranian Qassem Soleimani i çili udhëhiqte Forcat Iraniane në vend. Në një deklaratë për shtyp Pentagoni konfirmoi se vdekja e gjeneralit vjen si rezultat i një “veprimi mbrojtës”. Por mediat irakiane kanë shpërndarë lajmin se Soleimani vdiq nga një sulm ajror në aeroportin e Bagdadit nga një sulm ajror, ndërkohë që Pentagoni nuk e specifikoi këtë gjë.
“Nën urdhrin e presidentit, ushtria amerikane ka ndërmarrë një veprim mbrojtës për të mbrojtur personelin amerikan jashtë vendit, duke vrarë kështu Qassem Soleimani, kreun e Forcave të Trupave të Gardës Revolucionare të Iranit, pjesë e një organizate terroriste”, tha Pentagoni në deklaratën për shtyp. “Gjenerali Soleimani po ndërmerrte plane për të sulmuar diplomatët amerikanë dhe anëtarët e shërbimit amerikan në Irak,” shtoi ai.
Reagim të menjëhershëm kanë pasur aktorë të ndryshëm botërorë. Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif, akuzoi SHBA-n për “terrorizëm ndërkombëtar” dhe tha se “SHBA mban përgjegjësi për të gjitha pasojat e këtij aventurizmi mashtrues”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump shkroi në rrjetin e tij social Twitter: “Ky postim në media le të shërbejë si njoftim për Kongresin e Shteteve të Bashkuara, që të kuptoj se nëse Irani godet cilindo person amerikan ose ka në shënjestër një të tillë, Shtetet e Bashkuara do të sulmojnë shpejt dhe plotësisht, dhe ndoshta në një mënyrë disproporcionale”. Nga ana tjetër, demokrati Eliot Engel, kryetar i Komisioni të Punëve të Jashtme të Shtëpisë së Bardhë, u përgjigj në Twitter pas deklaratës së presidentit: "Ky postim le të shërbejë si një kujtesë që fuqitë e luftës janë pjesë e Kongresit, sipas Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Dhe që ju, president duhet të lexoni Aktin e Fuqive së Luftës. Ju nuk jeni një diktator”.
Sipas POLITICO, shkëmbimi i postimeve të tilla midis këtyre dy figurave erdhi në të njëjtën ditë kur Trump u tha gazetarëve në bordin e Forcës Ajrore 1, se ai kishte autoritetin presidencial të vepronte kundër Iranit siç e shihte të arsyeshme dhe gjithashtu kërcënoi Irakun me sanksione, nëse ky shtet tregohej armiqësor ndaj Amerikës. Presidenti gjithashtu tha se Iraku ka akoma për t'i paguar SHBA-së, pasi “Ne kemi një bazë ajrore shumë të shtrenjtë në Irak. Harxhuam miliarda dollarë për ta ndërtuar. Shumë kohë para kohës së presidencës sime. Ne nuk do të largohemi nëse Iraku nuk na paguan për këtë.”
Demokratët kanë shprehur zhgënjimin e tyre për fshehtësinë e administratës Trump në kryerjen e aksionit ushtarak që vrau komandantin iranian Qassem Soleimani. Të Shtunën, Shtëpia e Bardhë nuk e njoftoi Kongresin për veprimin e saj, siç kërkohej në bazë të Ligjit të Fuqive të Luftës në 1973, por ofroi vetëm informacione të shkurtra, të cilat nuk dhanë përgjigje por ngritën më shumë pikëpyetje.
Sipas SHBA, Soleimani ishte kryetar i Forcave Quds, një organizatë terroriste, brenda Korpusit të Gardës Revolucionare iraniane. Gjatë dy dekadave, ai mbikëqyri krijimin dhe rritjen e forcave të ndryshme të milicisë në Liban, Irak dhe Siri, të cilat u akuzuan më vonë për krime lufte.
Reagimi i aktorëve kryesorë të BE
Në daljen e saj zyrtare Presidentja e Komisionit Europian von der Leyen u shpreh se: “Pas zhvillimeve të fundit në Irak, është e rëndësishme që të ngadalësohet cikli i dhunës në mënyrë që një veprim i nxituar të mos shkaktojë një tjetër, dhe në vend të kësaj të krijojë boshllëk në diplomaci.” Sipas von der Leyen, Bashkimi Europian ka një përgjegjësi të veçantë në zgjidhjen e këtij konflikti dhe është e gatshme të flasë me aktorët që janë të përfshirë. Prandaj Përfaqësuesi i Lartë do të mbledhë Ministrat e Jashtëm në një mbledhje të Këshillit për të aktivizuar trupat diplomatik.
Sigurisht që lajmi zyrtar i Iranit pak ditë më parë për mosrespektimin e Planit të Përbashkët të Veprimit (JCPOA) është një shqetësim i madh për BE. Rikujtojmë se ky plan është një marrëveshje e firmosur nga shtete si Irani, Kina, Franca, Gjermania, Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA, e miratuar në korrik të vitit 2015. JCPOA është një marrëveshje e cila vendos një varg kufizimesh në përdorimin e armëve bërthamore të Iranit, duke marrë masa të shumta monitorimesh dhe verifikimesh në lehtësimin e sanksioneve dhe në të mirë të bashkëpunimit ekonomik. Në maj të vitit 2018, Shtetet e Bashkuara njoftuan tërheqjen e saj nga marrëveshja dhe më pas vendosën sanksione ndaj Iranit.
Nga ana tjetër Franca, e cila është përpjekur të ndërmjetësojë në lehtësimin e tensioneve midis SHBA dhe Iranit që nga qershori i këtij viti shprehet se: “Prioriteti ynë është stabiliteti i rajonit.” Kryeministri Macron dhe Ministri i Jashtëm Jean-Yves Le Drian do të kenë, gjatë ditëve të ardhshme, takime me të gjithë partnerët e rajonit pasi një ngjarje e tillë ka ndikim në paqen e deritanishme. Nëpërmjet deklaratave të tyre, ata treguan në mënyrë të qartë arsyet e ligjshme të cilat bëjnë që të ketë të pranishme në Irak, forca ushtarake amerikane dhe europiane, në përpjekje për t'u mbrojtur nga kërkesat e mundshme irakiane që këto forca të tërhiqen. Gjithashtu, Macron deklaroi se ekziston shqetësimi i të gjithëve, sidomos shtetit të Francës, në lidhje me situatën e krijuar dhe përsëriti se është e nevojshme që Irani të mos jetë ai i cili do t’i përkeqësojë gjërat duke kërkuar hakmarrje. Reagim pati edhe nga Mbretëria e Bashkuar, ku Boris Johnson ka deklaruar se kërcënimet nuk janë në interes të rajonit.
Ndërkohë shtetet kryesore të BE-së, Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar ranë dakord se është kryesisht Irani, ai i cili duhet të thirret për të rregulluar situatën e krijuar dhe për të gjetur një zgjidhje të mesme.
Në një deklaratë të përbashkët të dielën, më datë 12 janar, udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, deklaruan se Irani duhet të rikthehet në përmbushjen e përgjegjësive të tij sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. “Ne shprehim shqetësimin tonë ndaj veprimeve të ndërmarra nga Irani që nga korriku i vitit 2019, veprime të cilat janë në kundërshtim me marrëveshjen. Këto veprime duhet të ndërpriten.”
Deklarata vjen pasi Teherani deklaroi se do të shkelte marrëveshjen bërthamore, pas vdekjes së gjeneralit Qassem Soleimani. Tensionet janë rritur mjaft midis Teheranit dhe Perëndimit pas lëshimit të raketave të Iranit kundër bazave ajrore irakiane që strehojnë trupat e SHBA dhe rrëzimin e një aeroplani ukrainas duke shkaktuar vdekjen e 176 civilëve, ku Irani deklaroi se ishte një gabim njerëzor dhe jo një hakmarrje e paramenduar. Megjithatë hetimet vazhdojnë.
Gjithashtu nuk u la pa përmendur edhe tërheqja e SHBA nga marrëveshja bërthamore në vitin 2018, veprim të cilin shtetet e Europës e mendojnë si të nxituar duke deklaruar “keqardhjen” e tyre.
Çfarë pritet të ndodhë në vazhdim?
Është vështirë të analizosh atë çfarë pritet të ndodhë kur bëhet fjalë për fushën ndërkombëtare, pasi marrëdhëniet ndërkombëtare janë të paparashikueshme dhe nga momenti në moment krijohen lidhje të reja të cilat shkatërrojnë ato të vjetrat.
Sigurisht që NATO do të zhvillojë një takim të veçantë me anëtarët e Këshillit të Atlantikut të Veriut për të qartësuar situatën në rajon. Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg vendosi të thërrasë në një takim urgjent ambasadorët e NATO-s në Bruksel, pas konsultimeve me aleatët përfshirë këtu edhe Sekretarin e Mbrojtjes së SHBA, Mark Esper.
Nga ana tjetër Brukseli, po shtron tapetin e kuq për Ministrin e Jashtëm të Iranit Mohammad Javad Zarif. Shërbimi diplomatik i BE deklaroi se Përfaqësuesi i Lartë Europian për Politikën e Jashtme, Josep Borrell i ka dërguar një ftesë personale ministrit Zarif, në përpjekje për të ruajtur marrëdhëniet e mira dhe për të mbrojtur marrëveshjen bërthamore.
Sigurisht që spekulimet e një hakmarrjeje të mundshme qarkullojnë në të gjithë mediat e botës. Mohsen Rezaee, një ish udhëheqës i Gardës Revolucionare të Iranit, tha se qytetet izraelite të Tel Aviv dhe Haifa mund të jenë në shënjestër si hakmarrje ndaj vdekjes së Soleimani dhe se Esmail Ghaani, gjenerali iranian që zëvendësoi Soleimani, gjithashtu ka premtuar ndëshkim, raporton Associated Press. Por sipas POLITICO, Udhëheqësi i Lartë i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka mundësi të kufizuara për hakmarrje ndaj SHBA. Ndërkohë, në Irak Parlamenti ka bërë thirrje për dëbimin e të gjitha trupave amerikane nga toka irakiane.
Ndërkohë, në letrat e shkëmbyera midis Josep Borrell me ministrin Zarif, Borell u shpreh se Irani nuk e dëshiron një përshkallëzim të situatës, ndërsa nga ana tjetër ministri Zarif deklaroi se Irani priste një reagim të OKB për çështjen në fjalë, por ky reagim nuk erdhi.
Vdekja e gjeneralit ka marrë duartrokitje nga aktorë të Lindjes së Mesme, veçanërisht nga Izraeli, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara, të cilët e konsiderojnë Iranin një armik të pangopur dhe të prirur për manipulimin e rajonit në favor të tij.
Ajo çfarë pritet të ndodhë, është një reagim i menjëhershëm i Iranit ndaj SHBA-së dhe sigurisht ky reagim mund të jetë sa befasues aq dhe i kuptueshëm. Situata duket kritike dhe BE po mundohet të bëj maksimumin e saj për të ruajtur paqen në rajon, pasi sigurisht që interesi i saj primar është Unioni Europian, dhe vlerat që ai kërkon të ndajë si paqja, siguria dhe demokrcia, dhe nuk e nënvlerëson ndikimin që mund të kenë aktorë të tjerë në prishjen e ekuilibrit.
A do t’ia arrijë BE që të ulë në tavolinën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve SHBA-në dhe Iranin dhe a do të pranojnë këto shtete të heqin dorë nga konflikti për të mirën botërore?
Kjo mbetet për tu parë!
Stafi i EuroSpeak , janar 2020