Në Londër para sheshit Trafalgar, protestuesit u ulën në gjunjë dhe më pas marshuan drejt kullës Grenfell. Në Gjermani protestuesit u vendosën para ambasadës Amerikane. Ndërsa ka spikatur grafiti në murin e Berlinit, me imazhin e George Floyd dhe parullën #ICantBreathe. Në Francë protestave u është bashkëngjitur dhe grupi, "La Vérité Pour Adama". Rast ky i ngjashëm me rastin e Floyd, ku tre oficerë policie shkaktuan vdekjen e një protestueseje.
Në Australi priten protesta në ditët e ardhshme paçka deklaratës së Kryeministrit, Scott Morrison se "nuk ka nevojë të importojnë ngjarje të ndodhura në shtetet e tjera...". Australia gjithashtu ka raste të ngjashme, ku mund të përmendim vdekjen e David Dungay i cili thirri 12 herë "Nuk mund të marrë frymë", para se të vdiste.
Kina dhe Irani nga ana tjetër kanë pasur një qasje ndryshe, ku me sa duket kanë zgjedhur të ironizojnë presidentin Donald Trump. Parulla "BunkerBoy", u bë hit në mediat Kineze.
Reagime nuk ka vetëm në rrugë, por edhe në rrjetet sociale.
Si po reagojnë rrjetet sociale?
Rrjetet sociale kanë marrë iniciativën për ta çuar këtë kauzë të përbashkët përpara. Çfarë dallon së fundmi është nisma "Black Out Tuesday" e zhvilluar më 2 qershor 2020, inicuar nga industria muzikore dhe e përkrahur mjaft edhe nga figura të njohura publike. Koncepti kryesor i kësaj lëvizjeje, sipas ideatorëve të saj është që njerëzit të shkëputen një ditë nga rrjetet sociale dhe ta kushtojnë kohën pa to në komunitetet ose në ndihmë të komunitetit.
Kjo lëvizje megjithatë nuk ka kaluar pa u kritikuar ku një pjesë janë shprehur se ka gjasa të bëjë më shumë dëme se sa të mira. Duke u kapur pas hashtag-ut, #blacklivesmatter arsyetimi që kanë zgjedhur personat të cilët e kundërshtojnë është se hashtag-ët kanë për synim të perditësojnë informacionin për individët. Rikujtojmë se #blacklivesmatter është përdorur në protesta të mëparshme. Gjithashtu disa kanë shprehur shqetësimin në lidhje me numrin e lartë të postimeve të cilat do të zënë murin e rrjeteve sociale me imazhe të cilat në përmbajtjen e tyre kanë vetëm sfond të zi.
Ndërkohë që qytetarët europianë dolën në protesta kundër racizmit, pyetja që mund të ngrihet është.. a ishin këto protesta thjesht akt solidarizimi me atë çka po ndodh në ShBA apo racizmi vazhdon të jetë po aq problematik dhe në Europë?
Raporti i nxjerrë nga EU Agency for Fundamental Rights, më 2019-tën, nxjerr në pah të dhëna shqetësuese për rajonin e Europës, sa i përket racizmit dhe trajtimit të diferencuar që i bëhet personave me ngjyrë.
Sipas raportit të EU Agency for Fundamental Rights, të titulluar "Të jesh person me ngjyrë në BE", ku janë intervistuar më shumë se 28 mijë persona me origjinë etnike të ndryshme apo me historik migrimi në Europë vetëm, 14% e rasteve të ngacmimit me bazë raciale janë raportuar në polici gjë e cila ngre shqetësimin se pjesa më e madhe prej tyre nuk raportohen. Gjithashtu pjesa më e madhe e ngacmimeve ndodh tek të rinjtë dhe të dhënat vijnë në ulje teksa mosha rritet.
Dhuna e shkaktuar nga racizmi ku nuk mungon dhe ajo e ushtruar nga forcat policore, në 5 vitet para kryerjes së studimit kap shifrën mesatare në Europë prej 5%. Vendet më problematike sipas studimit janë Finlanda(14%), Austria(13%) dhe Luksemburgu(11%).
Për sa i përket dhunës raciale në ndarjen e hulumtimit mbi bazë gjinore nuk vihet re ndryshim i madh midis meshkujve dhe femrave (5% dhe 7%).39% e respondentëve me origjinë afrikane kanë përjetuar të paktën një herë trajtim diskriminues për shkak të racës në 5 vitet e fundit. Ngjyra e lëkurës cilësohet si arsyeja kryesore e diskriminimit përmendur nga 1 në 4 respondentë, shkaku i dytë është etnia e tyre, përmendur nga 19% dhe si shkak i tretë përmendet besimi i tyre fetar (5%). Megjithatë vërehet se meshkujt të cilët veshin veshje tradicionale janë dy herë më të ekspozuar ndaj sulmeve se sa meshkujt të cilët nuk veshin veshje tradicionale. Nuk vihet re e njëjta gjë për femrat, ku veshja duket se nuk përbën ndonjë ndryshim,
Arbër Ndreaj, Stafi i Eurospeak, qershor 2020
***
Insider: Thousands across the UK, Germany, Italy, New Zealand, Canada, and more condemn racism and
demand justice at global Black Lives Matter protests, aksesuar përmes linkut:
https://www.insider.com/global-george-floyd-black-lives-matter-protests-photos-2020-5
Express: Blackout Tuesday: What is Blackout Tuesday? How to take part, aksesuar përmes linkut:
https://www-express-co-
uk.cdn.ampproject.org/v/s/www.express.co.uk/news/world/1290244/blackout-tuesday-what-is-
blackout-tuesday
uk%2Fnews%2Fworld%2F1290244%2Fblackout-tuesday-what-is-blackout-tuesday-Instagram-george-
floyd-black-lives-matter
FRA: Being Black in the EU Second European Union Minorities and Discrimination Survey, aksesuar
përmes linkut: https://fra.europa.eu/sites/default/files/fra_uploads/fra-2019-being-black-in-the-eu-
summary_en.pdf