***
Në kushtet e një katastrofe natyrore, si përmbytje, tërmete, stuhi etj., ngjarja shpesh herë prek një territor të madh, por pasi kriza përfundon, zona e dëmtuar është e kufizuar dhe mund të menaxhohet më lehtë. Përkundrazi, një krizë pandemike si ajo e Covid-19 mund të prekë një zonë të pakufizuar, në çdo kohë, duke qenë edhe e padukshme, pasi mbartësit e virusit mund të mos njihen apo të jenë asimptomatik. Pra, katastrofat biologjike kanë natyrë tinëzare. Të dhënat sugjerojnë që gjasat e pandemisë janë rritur gjatë shekullit XX për shkak të globalizimit, urbanizimit, dhe keqpërdorimit të mjedisit natyror (Jones et al, 2008; Morse 1995). Këto tendenca ka të ngjarë të vazhdojnë dhe të intensifikohen.
Ky artikull do të përqendrohet në rëndësinë e planifikimit dhe parapërgatitjes si faza të ciklit të menaxhimit të katastrofës – duke marrë si shembull pandeminë që po kalon bota aktualisht. Që procesi i planifikimit dhe parapërgatitjes të zbatohet në mënyrë të suksesshme, është e domosdoshme t’i komunikohet publikut qartë risku. Komunikimi ndikon në perceptimin e risqeve nga popullsia dhe rrjedhimisht në reagimin e popullsisë ndaj një katastrofe.
Në vijim diskutohen fillimisht konceptet e perceptimit dhe komunikimit të riskut në kushtet e Covid-19. Më pas artikulli përqendrohet në fazat e parapërgatitjes dhe planifikimit, ku diskutohen raste të ndryshme suksesi apo dështimi në botë dhe në Shqipëri. Artikulli përmbyllet me rekomandime të lidhura me politikat e emergjencave civile në Shqipëri.
Komunikimi dhe perceptimi i riskut në kushtet e Covid-19
Perceptimi i riskut lidhet me interpretimin apo kuptimin që individi u jep kërcënimeve të ndryshme që mund të shkaktojnë humbje të jetës ose pronës. Perceptimi ndryshon në varësi të llojit të riskut (p.sh., sa i shpeshtë dhe i rëndë është dëmi i mundshëm), kontekstit politiko-ekonomik të vendit, personalitetit të individit dhe rrethit shoqëror (Renn, 2008). Një faktor tjetër është roli i autoriteteve në lidhje me komunikimin dhe reduktimin e riskut (Weichselgartner, J. 2001;
Schmidt-Thomé P. 2004). Sjellja e publikut dhe rrjedhimisht dinamika e menaxhimit të një fatkeqësie ndikohen thellë nga informacioni që komunikohet nga autoritetet (qeveritë, ekspertët, etj.) (Fischhoff, B 1997; Lundgren, R 1998).
Kur risku merret përsipër në mënyrë vullnetare, si p.sh. gjatë drejtimit të makinës me shpejtësi apo pirjes se duhanit, ai perceptohet si më pak i dëmshëm. Ndërkohë, fatkeqësitë natyrore si tërmetet apo epidemitë perceptohen si më të frikshme pasi janë të imponuara nga forca të jashtme dhe si rezultat janë të pakontrollueshme jo vetëm nga individët, por dhe nga qeveritë apo sistemet shëndetësore. Po ashtu, njohuritë në lidhje me një risk te caktuar influencojnë perceptimet e publikut. Rreziqet e panjohura, të pavullnetshme, dhe me pasoja të mëvonshme, konsiderohen si më cenuese për jetën sesa shkaqet e rëndomta (Slovic, P. 1992).
Në rastin e Covid-19, perceptimi i riskut ndryshon nga vendi në vend apo edhe nga individi në individ. Por në përgjithësi, si një risk i panjohur më parë dhe njëkohësisht i bujshëm, Covid-19 perceptohet si më i frikshëm. Në fakt, mos-njohja e riskut nga ana e popullsisë, qeverive, madje edhe ekspertëve ndikoi në dinamikën e perceptimit të riskut. Fillimisht shumë ekspertë e konsideruan Covid-19 si një “grip të thjeshtë” dhe kjo ndikoi shumë në sjelljen shpërfillëse të individëve në fillimet e shfaqjes së virusit, të cilët patën tendencën fillimisht të nënvlerësonin rrezikun. Ndërsa numri i rasteve dhe fataliteteve rritej dita-ditës, fushatat e informimit, të shoqëruara me intensifikimin e masave kundër Covid-19, deri në shpalljen e karantinës në shumicën e vendeve të prekura, morën trajtë të re, qëllim të ri dhe drejtim më të përcaktuar. Situata që kaloi vendi fqinj, Italia, ishte një zile alarmi, dhe shërbeu si fushata e parë masive informuese/komunikuese për shumë vende të tjera (Ruiu, M. L. 2020).
Aktualisht individët kanë tendencë të mbivlerësojnë rrezikun e vdekjes nga Covid-19 – po ashtu siç mbivlerësojnë rrezikun e vdekjes nga katastrofat natyrore apo vrasjet (Slovic, P. 1992). Pasojat e këtyre perceptimeve të shtrembëruara të riskut janë serioze. Për shembull, Covid-19 ka përhapur panik dhe frikë në popull (jo tërësisht pa baza) ndërkohë që rreziku i vdekjes nga shkaqe të zakonshme si infarkti, gripi, duhanpirja, apo tumori nënvlerësohet. Statistikat tregojnë se gjatë periudhës prill-maj 2020 vdekjet totale në Shqipëri ranë me 3.1% në krahasim me periudhën Prill-Maj 2019. Në këtë periudhë janë regjistruar 49 vdekje me Covid-19 ndër 208 në total (23.6%). Çdo vit, më shumë se 4 100 njerëz vdesin nga sëmundjet e shkaktuara nga duhani (Tobacco Atlas Organisazion). Instituti i Shëndetit Publik raportonte 19 433 deri në 25 368 raste të prekurish me grip sezonal gjatë periudhës shkurt-mars 2020, me një ecuri pak më të lartë se viti 2019 (ISHP 2020). Në vitin 2019, vdekjet nga grup-sëmundja “Aparati i qarkullimit të gjakut” zunë 53,4 % të vdekjeve gjithsej. Ky grup sëmundjesh vazhdon të jetë shkaku kryesor i vdekjeve, me një nivel vdekshmërie 410,0 për 100 mijë banorë dhe krahasuar me vitin paraardhës ka një rritje prej 0,9% (INSTAT 2019).
Në Shqipëri, me qëllim informimin dhe ndërgjegjësimin e popullsisë në fillim të pandemisë u vunë re fushata masive në media, duke përfshirë hapësira informative të përditshme nga institucionet përgjegjëse shëndetësore, hapësira të shkurtra informative gjatë pushimeve të programacioneve televizive (disa herë në ditë), programacione të dedikuara me panel ekspertësh mbi situatën, hapësira të dedikuara (për shumë ditë edhe ekskluzive) mbi ecurinë e pandemisë gjatë edicioneve të lajmeve, si edhe fushata ndërgjegjësimi të udhëhequra nga individë me influencë (personazhe publike, etj.). U përdor masivisht edhe media sociale.
Këto fushata informuese-ndërgjegjësuese patën efekt të menjëhershëm në fillimet e pandemisë, duke bërë që popullsia masivisht t’u bindej rregullave të karantinimit dhe masave detyruese të qeverisë. Risku i Covid-19 u perceptua si shumë i lartë, dhe frika, siç u parashtrua edhe në paragrafin paraardhës, orientoi sjelljen e individëve. Megjithatë, në mënyrë paradoksale, me lehtësimin e masave, por jo kjo e shoqëruar me ulje të shifrave të të prekurve dhe fataliteteve, perceptimi i riskut u ul, pavarësisht se fushatat informuese-ndërgjegjësuese vazhdojnë pothuajse me të njëjtin intensitet. Ndonëse rreziku mbetet i pandryshuar, për sa kohë vaksina e Covid- 19 nuk është prodhuar akoma, vihet re mos-respektim masiv nga ana e popullsisë i masave dhe kufizimeve të ndërmarra nga qeveria. Sjellje si, mungesa e ruajtjes së distancës, mos-vendosja e maskës, frekuentimi i vendeve me dendësi të lartë me njerëz, etj. janë të zakonshme në Shqipëri dhe tregojnë se popullsia është ambientuar me riskun e Covid-19.
Sfidat e qeverive në menaxhimin e riskut të katastrofave dhe rekomandime
Në vende të zhvilluara, menaxhimi i rrezikut nga katastrofat përfshin tre faza, si vijon (Coppola, D.P. 2007; Mechler, R. 2005):
Faza I përfshin parapërgatitjen, planifikimin, zbutjen dhe gatishmërinë - nën objektivin e uljes së riskut. Kjo është strategjia e ashtuquajtur ex-ante. Disa instrumente të mundshme për të financuar rrezikun ex-ante janë: transferimi i riskut përmes sigurimit dhe risigurimit, fondet rezervë, dhe marrëveshjet e kredisë së kushtëzuar.
Në Fazën e II të emergjencës aktivizohen mekanizmat e reagimit.
Faza e III pas emergjencës përfshin rikuperimin dhe zhvillimin, e ashtuquajtur ex-post.
Në vende më pak të zhvilluara, si Shqipëria, menaxhimi i një krize është më rastësor, dhe përfshin kryesisht fazat e reagimit dhe rikuperimit. Pavarësisht se Shqipëria klasifikohet si një vend me risk të lartë ndaj katastrofave natyrore, strategjitë e ndjekura janë kryesisht ex-post. Ndihma dhe rimëkëmbja pas katastrofave mbështetet financiarisht në buxhetin e shtetit, donacione private dhe publike, dhe huamarrje ndërkombëtare.
Për t’u rikthyer tek pandemia: menaxhimi i situatës ka vënë në provë shumë shtete, edhe ato më të zhvilluarat, duke sfiduar edhe planet me të mira ex-ante. Ndërsa politikat e ndërmarra nga qeveritë në mbarë botën do të analizohen, kritikohen, rrëzohen dhe lavdërohen në vitet e ardhshme, që tani është e qartë se cilat ishin dështimet dhe sukseset e kësaj lufte kudër një armiku të padukshëm (Martin, R. & P. Sunley. 2020).
Kina ishte shteti ku lindi dhe u përhap virusi. Në Kinë, një kombinim kompleks i karakteristikave të krizës aktuale Covid-19, përvoja institucionale e trajtimit të krizave të mëparshme dhe epidemike, skemat e mbështetjes së qeverisë, si dhe strukturat industriale rajonale, ndikuan në rikuperimin e mundshëm dhe shkallën e rezistencës (Gong, H et al 2020). Ndërkohë flitet për histori suksesi në menaxhimin e krizës së Covid-19 në Zelandën e Re, ku kryeministrja shumë e re (në detyrë edhe në moshë) mori masa drastike që në fazat shumë të hershme të pandemisë. Kjo rezultoi në një numër shumë të ulët fatalitetesh dhe rastesh në këtë shtet. Ndërkohë kritizerët e qeverisë së saj theksuan pasojat ekonomike të masave në periudha afatgjatë, duke adresuar goditjen që mori sektori i turizmit, dhe natyrën gjithsesi reaktive dhe joparashikuese të masave të marra (Mazey, S. and Richardson, J. 2020). Sipas vlerësimeve të dala në lidhje me menaxhimin e pandemisë, SHBA-ja, vonoi në reagimin ndaj situatës, gjë që ndikoi në përhapjen dhe numrin e fataliteteve nga Covid-19. Probleme pati edhe në raportimet statistikore për shkak të numrit të ulët të testeve ditore të zhvilluara (Schneider, M.D 2020). Janë tashmë të njohura problemet e theksuara në menaxhimin e situatës në fillimet e pandemisë në Itali, veçanërisht në rajonet Lombardi, Emilia-Romanja Veriore dhe Piemonti Lindor. Për këtë, dëshmojnë shifrat shumë të larta të fataliteteve, veprimet e vonuara të qeverisë, roli i medias, dhe nënvlerësimi i rolit të ekspertëve (Ruiu, M. L. 2020).
British Medical Journal ka hartuar një info-grafik përmbledhës të masave të marra në vende të ndryshme në BE lidhur me menaxhimin e krizës, duke theksuar aspektet kryesore pozitive dhe negative në çdo shtet. Mbretëria e Bashkuar u karakterizua fillimisht nga “hezitime” dhe vonesa në marrjen e masave. Suedia është ndër vendet që ndërmori masat më të buta në të gjithë Europën, duke mos detyruar karantinën, si edhe duke mbështetur popullsinë me ndihma ekonomike. Edhe në Gjermani masat ishin më të lehta dhe nuk u shoqëruan me detyrimin për të qëndruar në shtëpi nëse zona e banimit plotësonte kriteret e sigurisë. Gjithashtu, pati bllokim shumë më të ulët të aktivitetit të punës.
Nën shembullin e vendeve të tjera dhe nën udhëzimet e OBSH-së, Shqipëria ndërmori një seri masash të parashikueshme. Masat sensibilizuese, kontrolluese, dhe ndëshkimore, gjatë javëve të para të karantinës në Shqipëri ishin intensive dhe produktive. Me ndryshimet e kodit penal në 23 prill 2020 parashikohen ndëshkime të rrepta për thyerjet e rregullave (vendosja e maskës, ruajtja e distancës etj.). Por, ndëshkimet e vetme të raportuara janë vendosur për subjekte ekonomike (lokale, bare, restorante) ndërsa janë zbatuar rrallë ndëshkime për qytetarët. Kontrolli i sjelljes së individëve tashmë ka mbetur në dorë të bizneseve që kërkojnë të zbatojnë masat në ambientet e tyre.
Menjëherë pas shfaqjes së rasteve të para të Covid-19 qeveria shqiptare ndërmori disa politika në nivel kombëtar për të mëkëmbur ekonominë e vendit. Në mënyrë të veçantë, Banka Qendrore Europiane luajti një rol kyç në hartimin e politikave monetare stimuluese. Më 25 mars 2020, Këshilli i Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë vendosi të reduktojë kostot e huamarrjes së re duke ulur normën bazë të interesit nga 1.0% në 0.5%. Njëkohësisht, qeveria shqiptare kreu disa ndryshime në portofolet e politikave fiskale për të mbështetur bizneset e vogla të bllokuara apo edhe individët në karantinë. Më konkretisht, qeveria ofroi (a) dy paketa financiare si mbështetje sociale për qytetarët dhe bizneset; (b) buxhet shtesë për sektorin e shëndetësisë; (c) buxhet shtesë për sektorin e mbrojtjes për punën e tyre humanitare; dhe (d) shtesë në fondin rezervë për shpenzime të tjera të nevojshme dhe të paparashikuara (Ministria e Financave dhe Ekonomisë 2020).
Politikat ekonomike ex-post të ndërmarra nuk janë gjithnjë të mjaftueshme për t’i dhënë fund një krize. Në Shqipëri, tërmeti i nëntorit 2019 apo kriza e Covid-19 ndikuan në rritjen e kërkesës për financim gjë që solli dhe rritjen e nivelit të borxhit publik. Mësimi kryesor i nxjerrë nga këto dy katastrofa është që qeveria duhet të jetë më shumë e fokusuar në parapërgatitjen, planifikimin, dhe gatishmërinë. Formulimi i politikave adekuate parashikuese dhe veçanërisht zbatimi i tyre është i kushtueshëm dhe kërkon kohë; por, për risqe të tilla madhore kjo është mënyra më eficiente për zbutjen dhe zvogëlimin e pasojave në periudhën afatgjatë.
Dr. Perseta Grabova dhe Dr. Elona Pojani, tetor 2020
*Dr. Perseta Grabova është lektore në Departamentin e Financës, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës që prej vitit 2008, dhe jep lëndë kryesisht në fushën e Menaxhimit të Riskut, Menaxhimit të riskut të katastrofave natyrore dhe Financave Personale. Në vitin 2013 ajo mbrojti Doktoraturën në Universitetin e Tiranën në fushën e Sjelljes Financiare
*Dr. Elona Pojani është pedagoge në Universitetin e Tiranës që prej vitit 2008. Në vitin 2014, ka mbrojtur disertacionin e saj për marrjen e gradës “Doktor” në Universitetin e Tiranës me temë vlerësimin e mjedisit në zonat e mbrojtura në Shqipëri. Dr. Pojani është konsulente për ekonominë e mjedisit në Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) që prej vitit 2010.
Referenca:
British Medical Journal website: https://www.bmj.com/infographics
Coppola, D.P. 2007. Introduction to International Disaster Management. Oxford, Butterworth-Heinemann, 547pp.
Fischhoff, B., Bostrom, A., & Quadrel, M. J. 1997. Risk perception and communication. In R. Detels, J. McEwen, & G. Omenn (Eds.), Oxford textbook of public health (pp. 987-1002). London: Oxford University Press.
Gong, H., Hassink, R., Tan, J. and Huang, D. 2020. Regional Resilience in Times of a Pandemic Crisis: The Case of COVID‐19 in China. Tijds. voor econ. en Soc. Geog., 111: 497-512. doi:10.1111/tesg.12447
Instituti i Statistikave (INSTAT). 2019. Publikimi - Shkaqet e Vdekjeve, 2019
Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) 2020 – Departamenti i Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive- Buletini i Gripit 2020
Jones K E, Patel N G, Levy M A, Storeygard A, Balk D., and others. 2008. Global Trends in Emerging Infectious Diseases. Nature 451 (7181): 990–93.
Lundgren, R., & McMakin, A. 1998. Risk communication: A handbook for communicating environmental, safety, and health risks. Columbus: Battelle Press.
Martin, R. & P. Sunley. 2020. Regional Economic Resilience: Evolution and Evaluation. In: G. Bristow & A. Healy, eds., Handbook on Regional Economic Resilience, pp. 10– 35. Cheltenham: Edward Elgar.
Mazey, S. and Richardson, J. 2020. Lesson‐Drawing from New Zealand and Covid‐19: The Need for Anticipatory Policy Making. The Political Quarterly. doi:10.1111/1467-923X.12893
Mechler, R. 2005. Financing Disaster Risk in Developing and Emerging Economy Countries. In OECD (eds.). Catastrophe Risks and Insurance, OECD.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë- Masat e marra për Covid-19 website: https://financa.gov.al/masae-e-marra/
Morse S S. 1995. Factors in the Emergence of Infectious Diseases. Emerging Infectious Diseases 1 (1): 7–15.
OECD 2011. Future Global Shocks: Improving Risk Governance. Paris: OECD.
Renn, O. 2008. Risk Governance: Coping with Uncertainty in a Complex World. doi. 10.1007/978-1-4020-6799-0.
Ruiu, M. L. 2020. Mismanagement of Covid-19: lessons learned from Italy, Journal of Risk Research, 14, Routledge, 1366-9877 doi: 10.1080/13669877.2020.1758755
Schmidt-Thomé P. 2004. The Spatial Effects and Management of Natural and Technological Hazards in Europe. ESPON 2000-2006 Programme
Schneider, M.D 2020. Failing the Test — The Tragic Data Gap Undermining the U.S. Pandemic Response- The New England Journal of Medicine
Slovic, P. 1992. Perception of risk: Reflections on the psychometric paradigm. In Social Theories of Risk; Krimsky, S., Golding, D., Eds.; Praeger: Westport, CT, USA; pp. 117–178.
Tobacco Atlas Organisazion 6th edition- Country Fact Sheet Albania website: https://tobaccoatlas.org/country/albania/
Weichselgartner, J. 2001. Disaster mitigation: the concept of vulnerability revisited. Disaster Prevention and Management, Vol. 10 No. 2, pp. 85-94