***
Polonia renditet tashmë si shteti me rregullimin më kufizues të abortit në Europë, pas Andorrës, Maltës dhe San Marinos, ku aborti është absolutisht i ndaluar (Krajewska, 2020). Për pasojë, kryerja e abortit ne Poloni justifikohet vetëm në rastet kur shtatzania: rrezikon jetën apo shëndetin e gruas; ka ardhur si rezultat i një akti të paligjshëm (Ligji Polak për Planifikimin Familjar, Mbrojtjen e Fetuseve dhe Arsyet për Lejimin e Ndërprerjes së Shtatzanisë, 1993). GjKP shpalli si të papajtueshëm me nenin 30*, 31(3)** dhe 38*** të Kushtetutës Polake pikën 2, të paragrafit 1, të nenit 4a të ligjit polak për abortin duke u shprehur se:
“Fëmija i palindur, si qënie njerëzore e cila gëzon të drejtën e patjetërsueshme të dinjitetit njerëzor, përbën subjekt të së drejtës për të jetuar dhe për pasojë, sistemi ligjor duhet të garantojë mbrojtjen e duhur, pa të cilën përfitimi nga kjo e drejtë do të anulohej. Pranueshmëria e përfundimit të parakohshëm të shtatzanisë nuk mund të vendoset bazuar thjesht mbi konstatimin e ekzistencës së një sëmundjeje të pasherueshme, apo nje të mete në lidhje me fetusin.”
Me fjalë të tjera, sipas Gjykatës, aborti i kryer për arsye të konstatimit të një defekti, sëmundjeje, apo anomalie serioze të fëmijës së palindur përbën ndërhyrje joproporcionale me dinjitetin njerëzor dhe të drejtën për të jetuar të fetusit dhe për pasojë është në kundërshtim me Kushtetutën Polake. Megjithatë, mungesa e paraqitjes së një arsyetimi shterues nga ana e GjKP, në gjykimin tim, legjitimon pretendimet ekzistuese se vendimi është arbitrar. Për këtë arsye, mendoj se është e nevojshme që të shqyrtohet përputhshmëria e vendimit K 1/20 dhe më gjërë, kuadrit ligjor polak, me standardet dhe katalogjet Europiane e ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut.
Si fillim, është vënë në dukje në literaturën juridike se katalogjet e të drejtave themelore të njeriut****, si mishërim i sistemeve tona të vlerave, domosdoshmërisht dhe në menyrë të pashmangshme, përmbajnë tension dhe të drejta që konfliktojnë në nivel politikash dhe aplikimi gjyqësor (Jääskinen, 2015). Rrjedhimisht, në rastet kur dy të drejta kushtetuese, njësoj themelore, konfliktojnë njëra-tjetrën, gjykatat kompetente duhet të ushtrojnë testin delikat të balancimit, sipas të cilit niveli i interferences apo pakënaqësisë që i shkaktohet njërës të drejtë varet nga rëndësia relative e kënaqjes së të drejtës tjetër (Alexy, 1985). Thënë ndryshe, interesat e mbrojtura nga dy të drejtat konfliktuese duhet te peshohen me qëllim garantimin e një balance të drejtë si rezultat i së cilës arrihet optimizimi i njëkohshëm i dy të drejtave.
Duke patur të mësipërmen parasysh, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (GjEDNj), në Strasbourg, është shprehur në lidhje me abortin si më poshtë:
“Duke qënë se të drejtat e pretenduara në emër të fetusit dhe të drejtat e pretenduara në emër të nënës janë të lidhura bashkë në mënyrë të pazgjidhshme, liria e veprimit që gëzon një shtet për të mbrojtur fëmijën e palindur, domosdoshmërisht përkthehet në lirinë e veprimit që ai shtet gëzon në lidhje me balancimin e të drejtave konfliktuese të nënës.” (Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, R.R kundër Polonisë, 2011)
Sipas GjEDNj-së, Shtetet Anëtare të Konventës Europiane gëzojnë liri veprimi në lidhje me përcaktimin e momentit të fillimit të jetës së fetusit dhe për rrjedhojë, garantimin e mbrojtjes së të drejtës së tij për të jetuar në përputhje me nenin 2 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (R.R kundër Polonisë, 2011). Në këtë aspekt, GjEDNj nuk ekzaminon nëse Konventa garanton në vetëvete të drejtën eksplicite për të abortuar (Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, Tysiac kundër Polonisë, 2007). Megjithatë, Gjykata e Strasbourg-ut ka konfirmuar vazhdimisht përgjatë jurisprudencës së saj se aborti bën pjesë në fushën e zbatimit të nenit 7 të Konventës (Ibid, 2011) dhe për rrjedhojë, gëzon mbrojtjen e saj të plotë. Prandaj, është e domosdoshme që liria e veprimit të Shteteve të vijë si rezultat i ushtrimit të testit të balancimit dhe peshimit të interesave të fetusit dhe të gruas shtatzënë, për të treguar se mbrojtja e integritetit fizik dhe psikologjik të gruas shtatzënë është gjithashtu themelore dhe, si e tillë, duhet garantuar e jo interpretuar në mënyrë strikte.
Për sa i përket perspektivës së Bashkimit Europian, Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Europian është përpjekur të shfaqet diplomatike duke shmangur konsiderimet në lidhje me moralitetin apo ligjshmërinë e abortit. Megjithatë, në formulimin e vendimit të saj në cështjën Grogan (Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian, Shoqëria për Mbrojtjen e Fëmijëve të Palindur Irlandë (Ltd) kundër Stephen Grogan dhe të tjerë ), ka disa elementë të cilët, duket se shprehin një qasje liberale dhe lehtësuese ndaj abortit. Gjykata, jo vetëm që solli në vëmendje faktin se në disa nga Vende Anëtare ndërprerja e shtatzanisë praktikohet në mënyrë të ligjshme (Ibid, 2011), por konfirmoi se aborti përbën një shërbim dhe për këtë arsye bie nën sferën e aplikimit të nenit 56 të Traktatit të Funksionimit të Bashkimit Europian (Ibid, 2011). Ky konfirmim është tregues i rëndësishëm i qasjes liberale të Gjykatës pasi u shpreh në kundërshtim me pretendimin e Shoqatës për Mbrojtjen e Fëmijëve të Palindur, sipas së cilës aborti nuk mund të konsiderohet shërbim duke qënë se është i pamoralshëm dhe përfshin shkatërrimin e jetës së njeriut (Ibid, 2011).
Në sferën ndërkombëtare, e drejta për të jetuar dhe e drejta për një jetë private parashikohen respektivisht në nenet 6 dhe 17 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike. Komiteti i të Drejtave të Njeriut, një organ me karakter kuazi-gjyqësor, kompetenca e të cilit është garantimi i mbrojtjes dhe implementimit të të drejtave të parashikuara në këtë Konventë, është shprehur në lidhje me ndërprerjen e shtatzanisë në Komentin e Përgjithshëm nr. 36. Sipas Komitetit, Shtetet Anëtare, megjithëse mund të miratojnë masa në lidhje me rregullimin e abortit, këto të fundit nuk mundet dhe nuk duhet të rezultojnë në shkeljen e të drejtës për të jetuar të gruas apo vajzës shtatzënë (Komenti i Përgjithshem nr. 36 për nenin 6 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, për të drejtën për të jetuar, 2018). Për më tepër, Shtetet nuk duhet të prezantojnë barriera të reja kufizuese dhe duhet të heqin ato ekzistuese (Ibid, 2011).
Për të përfunduar, nga cfarë u tha më sipër, vendimi i GjKP paraqitet problematik për shkak të arbitraritetit dhe papajtueshmërisë me jurisprudencën e GjEDNj. Sipas Vendimit K 1/20 aborti përbën ekskluzivisht masë ndërhyrëse me të drejtën për të jetuar të fetusit dhe jo pjesë përbërëse të së drejtës së privatësisë së gruas shtatzënë. Mungesa e ushtrimit hap pas hapi të testit të proporcionalitetit dhe balancimit e bën këtë vendim të diskutueshëm. Për më tepër, si pasojë, kuadri ligjor i Polonisë shkon kundër një trendi liberal të mirëpranuar në Europë, të bazuar mbi konsensusin e shumicës se Shteteve Anëtare të Konventës Europiane dhe Bashkimit Europian, i cili favorizon të drejtën e gruas shtatzënë për të patur gjithnjë e më shumë akses ndaj abortit (GjEDNj, R.R kundër Polonisë, 2011). Gjithashtu, prezantimi i barrierave të reja kufizuese në lidhje me abortin në Poloni duket se është i papajtueshëm me standardet ndërkombëtare të parashikuara në Konventën Ndërkombëtare të të Drejtave Civile dhe Politike, sipas të cilave ndërprerja e shtatzanisë, më shume se pjesë përbërëse e të drejtës së privatësisë së gruas shtatzënë, konsiderohet si pjesë integrale e te drejtës së saj për të jetuar.
Boris Belortaja, dhjetor 2020
*Boris Belortaja është në përfundim të studimeve pasuniversitare (program L.L.M) pranë Institutit të Studimeve Europiane (Europa Institut) në Universitetin e Saarland, Gjermani, në të drejtën Europiane dhe Ndërkombëtare, i specializuar në të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Pas përfundimit të studimeve Bachelor në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, ai ndoqi studimet Master duke marrë pjesë në një program të dyfishtë (double degree) të ofruar nga Universiteti Katolik i Leuven në Belgjikë dhe i Zurich në Zvicër, ku dhe fitoi njohuritë bazë mbi ligjin e Bashkimit Europian dhe të drejtën Ndërkombëtare. Borisi është angazhuar në një program të themeluar nga OSBE në kuader të të cilit profesionistë të rinj ofrojnë asistencë organizative dhe kërkimore. Për momentin, Borisi është në përfundim të temës së diplomës me anë te së cilës synohet të hidhet dritë mbi testin e proporcionalitetit të ushtruar nga Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Europian (Gjykata e Luksemburgut) për të balancuar konfliktin mes të drejtave themelore të levizjes së lirë dhe të drejtave themelore të njeriut në sistemin ligjor të Bashkimit Europian.
Referenca:
https://www.nytimes.com/2020/10/22/world/europe/poland-tribunal-abortions.html.
A. Krajewska, ‘The judgment of the Polish Constitutional Tribunal on abortion: a dark day for Poland, for Europe, and for democracy’, U.K. Const. L. Blog (12th Nov. 2020) (available at https://ukconstitutionallaë.org/)
Shiko Nenin 4a. 1. të Ligjit Polak të 7 Janarit 1993 për Planifikimin Familjar, Mbrojtjen e Fetuseve dhe Arsyet për Lejimin e Ndërprerjes së Shtatzanisë.
*Neni 30 i Kushtetutës Polake parashikon dinjitetin e njeriut, i cili eshte i patjetersueshem dhe absolutisht i pacënueshëm.
**Neni 38 i Kushtetutës Polake parashikon të drejtën themelore të njeriut per të jetuar.
***Neni 31(3) i Kushtetutës Polake përmban testin kushtetues të proporcionalitetit, sipas të cilit cdo ndërhyrje që kufizon një të drejtë të parashikuar në Kushtetutë duhet të jetë rigorozisht e nevojshme për garantimin e rregullit apo sigurisë publike dhe të drejtat e personave të tjerë në një shoqëri demokratike.
Gjykata Kushtetuese Polake, Vendimi i datës 22 Tetor 2020, K 1/20.
****Për shembull: Kushtetuta e Polonisë, Konventa Europiane e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, Statuti i të Drejtave Themelore të Bashkimit Europian, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike.
Niilo Jääskinen, Të Drejtat Themelore në BE, pp. 18. (Origjinalja ne Anglisht: Niilo Jääskinen, Fundamental Rights in the EU.)
Robert Alexy, Një Teori e të Drejtave Kushtetuese (2002), pp. 102. (Origjinalja në Gjermanisht: Robert Alexy, Theorie Der Grundrechte. {1985})
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, R.R kundër Polonisë, 2011, paragrafi 186. Shiko gjithashtu Tysiac kundër Polonisë, paragrafi 107 dhe 111.
Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian, Shoqëria për Mbrojtjen e Fëmijëve të Palindur Irlandë (Ltd) kundër Stephen Grogan dhe të tjerë.
Komenti i Përgjithshem nr. 36 (2018) për nenin 6 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, për të drejtën për të jetuar, paragrafi 8.
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, R.R kundër Polonisë, 2011, paragrafi 186.