Presidenca e shumëpërfolur e Hungarisë. A është ky programi që do ta bëjë Europën të ‘MADHE’ sërish?

Presidenca e shumëpërfolur e Hungarisë. A është ky programi që do ta bëjë Europën të ‘MADHE’ sërish?

Hungaria mori të gjithë vëmendjen më 1 korrik 2024[1] me marrjen e presidencës 6-mujore të radhës së Këshillit të Bashkimit Europian, presidencë kjo e mbajtur më parë nga Belgjika, duke finalizuar rrugën e trios Spanjë-Belgjikë-Hungari, përpara se t'ia kalojë stafetën e presidencës Polonisë më 1 janar 2025. Ky tranzicion shënon fillimin e treshes së ardhshme: Poloni-Danimarkë-Qipro. Hungaria duket se vjen me një vizion të guximshëm: "Ta bëjmë Europën Përsëri të Madhe".[2] Hungaria ka zgjedhur të simbolizojë presidencën e saj me Kubin ikonik të Rubikut, e cila personifikon ndër të tjera zgjuarsinë hungareze dhe natyrën e ndërlikuar të çështjeve të BE-së. Secili nga 27 elementet e kubit përfaqëson një shtet anëtar të BE-së, duke reflektuar kompleksitetin dhe ndërlidhjen e qeverisjes europiane.[3]

Me Viktor Orbán si kryeministër, presidenca e Hungarisë vjen në një moment kritik, dhe duket se Hungaria ka vendosur të drejtojë  BE-në përmes reformave thelbësore të qeverisjes mes ndryshimeve të rëndësishme politike, dhe kjo vjen në një moment ku  tensionet midis Hungarisë dhe udhëheqjes së BE-së mbi parimet demokratike dhe mosmarrëveshjet ligjore që prekin financimin e Hungarisë nga fondet e BE-së vazhdojnë të jenë të pranishme. Gjatë tre viteve të fundit, Hungaria është përballur me ngrirjen e mbi 30 miliardë eurove të fondeve të BE-së për shkak të problematikave lidhur me Shtetin e së Drejtës dhe mbetet i vetmi shtet anëtar që i nënshtrohet mekanizmit të ri të kushtëzimit të BE-së, duke prekur më shumë se 6 miliardë euro në fondet e kohezionit.[4] Për më tepër, Hungaria është nën shqyrtimin e një procedure nën nenin 7 të Traktatit të BE-së, e cila potencialisht mund të pezullojë të drejtat e anëtarësisë në BE, siç është e drejta e votës në Këshill, të drejta të cilat aktualisht Hungaria i gëzon si anëtare e Bashkimit Europian.[5]

Thënë kjo, sipas burimeve të shumta në brendësi të institucioneve të BE, mendohet se ministrat e Punëve të Jashtme të BE kanë planifikuar të kundërshtojnë Hungarinë duke mbajtur samitin e tyre në gusht në vend që të marrin pjesë në eventin e kryeministrit Viktor Orbán në Budapest. Sipas disa diplomatëve brenda KE, të cilët kanë preferuar anonamitetin për shkak të nivelit të ndjeshmërisë, Komisioni Europian ka udhëzuar gjithashtu komisionerët e tij që të mos marrin pjesë në takimet joformale ministrore gjatë presidencës hungareze të BE-së, duke protestuar ndaj veprimeve të pakoordinuara diplomatike të Orbanit mbi Ukrainën. Veprim ky i kundërshtuar nga zyrtarët hungarezë të cilët e kanë dënuar këtë vendim, me në krye Balazs Orban i cili akuzoi Komisionin e BE-së për veprime të motivuara politikisht.

Shtuar këtyre fakteve, Eric Mamer, kryezëdhënësi i shefes së Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen, deklaroi se vetëm nëpunësit e lartë civilë do të përfaqësonin Komisionin për shkak të keqinterpretimeve të fundit të Orbanit. Për më tepër, 15 ministra gjermanë konfirmuan pjesëmarrjen e një ministri federal në çdo ngjarje të ardhshme, duke lënë të nënkuptuar bojkotimin e takimeve joformale të Hungarisë, nga pjesa tjetër.[6] Gjithashtu, Ministri i Financave, Christian Lindnerm së bashku me Ministrin e Bujqësisë, Cem Özdemir njoftuan se po konsiderojnë anulimin e vizitave të tyre të planifikuara në Hungari, me këtë të fundit duke thënë se “po shqyrtonte me shumë kujdes” nëse do të merrte pjesë në takim.[7]

Megjithatë Hungaria nuk e ka për herë të parë presidencën e Këshillit të BE pasi në vitin 2011 ajo e ka mbajtur këtë presidencë, ku sipas raporteve, vendi arriti suksese të dukshme në avancimin e axhendave legjislative të BE-së, veçanërisht në qeverisjen ekonomike dhe adresimin e krizës së Eurozonës. Megjithatë, gjatë presidencës së saj nuk munguan kritikat dhe problematikat lidhur me politikat e saj të brendshme, mbi të gjitha sa i përket lirisë së medias dhe Shtetit të së Drejtës. Mbetet për tu parë nëse do të rindizet një konflikt i tillë brenda presidencës në 2024, kjo sepse Hungaria planifikon të sjellë nga njëra anë një axhendë dhe program mjaft ambicioz, ndërkohë që nga ana tjetër vazhdon të përballet me kritikat dhe problematikat që vijnë nga shkelja  e vazhdueshme e parimeve të shtetit të së drejtës dhe dobësimin e institucioneve demokratike në vend.[8]

Po me çfarë programi planifikon Hungaria të arrijë 'Europën e Madhe'?

Një gjysmë e dytë dinamike e vitit 2024 është paralajmëruar, pasi Hungaria merr drejtimin e Këshillit të BE-së me një axhendë vizionare që synon shtatë fusha kryesore për ta çuar BE-në drejt stabilitetit dhe rritjes. Presidenca e Hungarisë siç shprehet në prezantimin e programit të saj synon aktivizimin, inovacionin dhe unitetin. Shtatë fushat kryesore të programit të Presidencës Hungareze përfshijnë: 1- Fokusimin në Marrëveshjen e Re Europiane të Konkurreshmërisë, duke synuar rritjen e produktivitetit të BE-së, thellimin e tregut të brendshëm, mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe promovimin e tranzicionit të gjelbër dhe dixhital. 2- Rritjen e aftësive mbrojtëse të BE-së, duke forcuar bazën teknologjike dhe industriale europiane të mbrojtjes, përmirësimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe nxitjen e inovacionit midis Shteteve Anëtare. 3- Një politikë konsistente e zgjerimit me prioritetizimin e qasjes së bazuar në merita për Ballkanin Perëndimor, duke u fokusuar në përfitimet ekonomike, të sigurisë dhe ato gjeopolitike. 4- Trajtimin e migracionit të parregullt me anë të thellimit të bashkëpunimit mes  BE-së me vendet kufitare dhe ato tranzit, duke u fokusuar në kthimet efektive, inovacionin e politikave të azilit dhe financimin e mbrojtjes së kufirit Shengen. 5- Fokusimin në politikën e kohezionit me anë të reduktimit të pabarazive rajonale, promovimit të ekuilibrit ekonomik dhe social, diskutimit të roleve të ardhshme në konkurrencë dhe punësim. 6- Politika bujqësore miqësore për fermerët ku parimet e qëndrueshmërisë, sigurisë ushqimore dhe konkurrencës mes sfidave klimatike janë fokus qëndror. 7- Adresimim e sfidave demografike duke vënë theksin dhe vëmendjen në shoqëritë me rrezik plakjen, qëndrueshmërinë e mirëqenies sociale dhe mungesën e fuqisë punëtore, duke përdorur serinë e instrumentave të KE për zgjidhje të problematikave demografike që BE po has.[9]

Duket sikur diçka po gatuhet kur vijmë tek ideologjia e Punëve të Jashtme?!

Në muajt e ardhshëm, BE-ja do të emërojë një Komisioner të ri për zgjerimin, një rol kyç që deri më tani e ka mbajtur Hungaria. Gjatë diskutimeve në Bruksel, janë ngritur debate mbi potencialin e Hungarisë për të mbajtur këtë pozicion me rëndësi nën udhëheqjen e shumëpërfolur të Viktor Orbán, duke marrë parasysh të gjitha kritikat që komisioneri Varleyi ka pasur në lidhje me punën dhe raportimet e tij. Megjithatë e gjithë vëmendja është te negociatat e Ukrainës dhe Moldavisë, ku sa i përket marrëdhënieve Ukrainë-Hungari, gjatë vizitës së papritur të Orban në Kiev, ai shprehu hapur mendimin e tij, që Ukraina duhet të iniciojë negociatat për paqe, me propozimin e një armëpushimi të menjëhershëm pavarësisht se ka pasur tërheqje të forcave ruse. Sipas qeverisë hungareze, kjo nismë vë në pah përkushtimin e Orbanit për paqe lidhur me konfliktin mes Ukrainës me Rusinë, duke e bërë kryeministrin hungarez të vetë-pozicionohet si ‘zë kyç’ brenda BE-së.“Rregullat e diplomacisë ndërkombëtare janë të ngadalta dhe komplekse. I kërkova Presidentit të shqyrtojë nëse do të ishte e mundur të ndryshonte urdhrin dhe të përshpejtonte negociatat e paqes me një armëpushim të shpejtë," tha Orbán, sipas njoftimit të tij për shtyp. "Një armëpushim i lidhur me një kufi kohor që krijon një mundësi për Përshpejtimin e bisedimeve të paqes."[10]

Sipas hungaro-skeptikëve duket se presidenca e Hungarisë mund të mos sjellë momente favorizuese për vendet e Ballkanit Perëndimor. Nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe, zyrtarët hungarezë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë duket se kanë bashkëpunim të ngushtë me ministritë e integrimit në BP, me synim ndikimin në politikat dhe strategjitë teknike. Ndërsa Hungaria merr në duar presidencën e Këshillit të BE-së, përpjekjet e saj drejtuar Ballkanit Perëndimor nënvizojnë një vizion për një Europë më të fortë dhe më të integruar nga pikëpamja hungareze. Megjthatë duke marë në konsideratë aleancën që Orban ka me Vuçiç[11], qasja ndaj Ballkanit Perëndimor vihet në pikëpyetje nëse synimet e politikës hungareze për aderim të bazuar në merita nënkuptojnë lehtësim apo vështirësim të procesit të aderimit për vendet e BP-së përgjatë 6-mujorit presidencial.[12]

Ndërsa qasjet e lartpërmendura nga ky program i presidencës nuk janë të vetmet polemika të diskutuara nga zyrtarët ndërkombëtarët, disa polemika të ndryshme fokusuar në marrëdhëniet e Orban me aktorë të tjerë kryesorë ndërkombëtarë, përfshirë ish-presidentin e SHBA-së dhe njëkohësisht kandidat për president për zgjedhjet e ardhshme të SHBA-së, Donald Trump dhe Kinën, Hungaria është bërë kryefjalë e kritikave e instancave të BE-së. Pavarësisht premtimeve të qeverisë hungareze ku proklamohet se Hungaria do të shërbejë si një "ndërmjetës i ndershëm", euro-diplomatët mbeten skeptikë në lidhje me aftësinë e vendit për të lënë mënjanë interesat kombëtare. Ky skepticizëm daton në qëndrueshmëri me historinë e Hungarisë për kundërshtimin konstant të vlerave dhe politikave të BE-së. Duke analizuar moton e Hungarisë për këtë presidencë, ku rikujtojmë dhe moton elektorale binjake gjatë fushatës së tij për president të ish-presidentit amerikan Donald Trump “Ta bëjmë Amerikën Përsëri të Madhe”, rrit spekulimet se “TEPM” dhe “TAPM” mund të kenë një bashkëpunim mjaft të ngushtë nën interesat kombëtare hungarezë.[13]

Sa i përket marrëdhënies 'flirtuese' me Kinën, pozicionimi kyç i Hungarisë në Rrugën e Mëndafshit bën që marrëdhëniet e tyre diplomatike të forcohen dhe të bëhen akoma më të ngushta duke i dhënë Hungarisë përfitimin e afërsisht 16 miliardë euro në Investimet e Huaja Direkte kineze (FDI).[14] Orbán vazhdon të kundërshtojë qëndrimin e Brukselit ndaj Kinës, duke mbrojtur një partneritet ekonomik më bashkëpunues, pavarësisht polemikave mbi investimet e kryera si hekurudha Budapest-Beograd e financuar nga Kina dhe lidhjet me Huawei. Kjo presidencë kaotike mesa duket do të shënojë potencialisht një pikë krisjeje në marrëdhëniet BE-Kinë në muajt e ardhshëm.[15]

Ajo çka pritet në muajt në vazhdim është nëse Orban do të arrijë ta bëjë Europën përsëri të Madhe në këtë periudhë 6-mujore apo konfliktet e brendshme me kolegët e tij europianë dhe problematikat e qeverisjes së tij në Hungari, do t’ia vështirësojnë punën për realizimin e këtij programi ambicioz në letër.

Elira Sylshabani, korrik 2024

 

*Elira është studente në vitin e pestë në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës dhe pjesë e EMA që nga dhjetor 2023. Ajo është bashkëthemeluese e organizatës studentore Melius Albania dhe anëtare e Organizatës së Drejtësisë - Gardianët e të Drejtave të Njeriut, si dhe pjesë e shoqatës së Minoritetit Malazez në Shqipëri dhe ELSA Albania. Elira ka kryer një praktikë dy mujore në Zyrën Ligjore A&S dhe ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme akademike dhe profesionale, si Simulimi i Gjyqit Penal dhe Këshillit Bashkiak nga ELSA, Prishtina International Summer School 2022, si dhe Shkolla Dimërore 2023 për Harmonizimin Ligjor në BE. Ajo gjithashtu ka qenë pjesë e Kongresit Studentor 2023 dhe është aktiviste për të Drejtat e Njeriut dhe Studentëve.

 


[1]Për më shumë informacion mbi programin e Presidencës së Hungarisë për Këshillin e Bashkimit Europian, klikoni faqen zyrtare https://hungarian-presidency.consilium.europa.eu/en/ (aksesuar më 18 korrik 2024).

[2] The Guardian. ‘Make Europe Great Again’: Hungary sets scene for its EU presidency. https://www.theguardian.com/world/article/2024/jun/30/make-europe-great-again-hungary-sets-scene-eu-presidency  (aksesuar më 15 korrik 2024).

[3] Reporting Democracy. Hungary’s EU Presidency: What Can Conceivably Be Achieved?. https://balkaninsight.com/2023/08/08/hungarys-eu-presidency-what-can-conceivably-be-achieved/ (aksesuar më 12 korrik 2024).

[4] Politico.EU. Hungary’s rule of law disputes with Brussels explained.https://www.politico.eu/article/hungary-rule-of-law-eu-summit-viktor-orban-brussels/  (aksesuar më 5 korrik 2024).

Politico.EU - Hungary vows ‘STABILITY’ for its EU presidency under populist bannerBelgian EU presidency urges governments to move toward muzzling Hungary - https://www.politico.eu/article/hadja-lahbib-hungary-belgium-eu-governments-nuclear-option-article-7-sanction-budapest/ (aksesuar më 7 korrik 2024).
[5] Deutsche Welle’s. Euroskeptic Hungary takes over EU's rotating presidency. https://www.dw.com/en/euroskeptic-hungary-takes-over-eus-rotating-presidency/a-69508276 (aksesuar më 10 korrik 2024).
[6]Politico.EU. Hungary to boycott foreign affairs summit in protest over Ukraine, says Orbán.https://www.politico.eu/article/hungary-boycott-foreign-affairs-summit-eu-ukraine-pm-viktor-orban-event-august-budapest/ (aksesuar më 14 korrik 2024).
Real Instituto Elcano. Evaluation of the first Hungarian EU Council presidency.https://www.realinstitutoelcano.org/en/analyses/evaluation-of-the-first-hungarian-eu-council-presidency-ari/ (aksesuar më 13 korrik 2024).
[7] Euractiv. German ministers look to boycott Hungarian EU presidency.https://www.euractiv.com/section/politics/news/german-ministers-look-to-boycott-hungarian-eu-presidency/ (aksesuar më 14 korrik 2024).
[8] Bozóki, A., & Hegedűs, D. (2018). An externally constrained hybrid regime: Hungary in the European Union.https://www.tandfonline.com/doi/full/10.1080/13510347.2018.1455664 (aksesuar më 2 korrik 2024).
[9] HU24EU. Programme of the Hungarian Presidency of the Council of the European Union in the second half of 2024.https://hungarian-presidency.consilium.europa.eu/media/32nhoe0p/programme-and-priorities-of-the-hungarian-presidency.pdf (aksesuar më 2 korrik 2024).
[10] Politico.EU. Olivér Várhelyi: Europe’s under-fire gatekeeper.https://www.politico.eu/article/oliver-varhelyi-eu-commissioner-enlargement-western-balkans-serbia-human-rights-democracy-rule-of-law/ (aksesuar më 7 korrik 2024).
[11] Kosovo Online. What will Hungary's presidency of the EU Council bring to Serbia?https://www.kosovo-online.com/en/news/analysis/what-will-hungarys-presidency-eu-council-bring-serbia-30-6-2024 (aksesuar më 6 korrik 2024).
[12] BalkanInsight. Hungary vows ‘STABILITY’ for its EU presidency under populist banner.https://balkaninsight.com/2024/06/18/hungary-vows-stability-for-its-eu-presidency-under-populist-banner/ (aksesuar më 16 korrik 2024).
BalkanInsight.  Hungary's EU ‘ENLARGEMENT PRESIDENCY’ will achieve limited success for Western Balkans.https://balkaninsight.com/2024/06/26/hungarys-eu-enlargement-presidency-will-achieve-limited-success-for-western-balkans/ (aksesuar më 9 korrik 2024).
European Western Balkans. Hungarian EU Presidency will see strengthening of Orbán’s alliances, no major decisions on enlargement.https://europeanwesternbalkans.com/2024/07/07/hungarian-eu-presidency-will-see-strengthening-of-orbans-alliances-no-major-decisions-on-enlargement/ (aksesuar më 17 korrik 2024).
[13] The Guardian. Hungary’s Viktor Orbán to meet with Donald Trump at Mar-a-Lago.https://www.theguardian.com/world/article/2024/jul/11/orban-hungary-pm-trump-meeting (aksesuar më 15 korrik 2024).
[14] Euractiv. China’s Xi to woo close ally Hungary with more investment.https://www.euractiv.com/section/eu-china/news/chinas-xi-to-woo-close-ally-hungary-with-more-investment/ (aksesuar më 13 korrik 2024).
[15] Politico.EU. Hungary is flirting with China — at what cost to the EU?https://www.politico.eu/article/hungary-flirt-china-cost-eu-trade-foreign-direct-investment/ (aksesuar më 7 korrik 2024).
1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk