Zhvillimet e legjislacionit europian në fushën e Prokurimit të Gjelbër

Zhvillimet e legjislacionit europian në fushën e Prokurimit të Gjelbër

Me Prokurim të gjelbër, kuptohet realizimi i procedurave prokuruese të cilat duhet të zhvillohen në respekt të kritereve mjedisore. Pra duhen pasur parasysh mallra, shërbime apo punë si kompjutera apo ndërtime energjitikisht efektive, pajisje zyrash të përbëra nga lëndë druri e qëndrueshme nga pikëpamja mjedisore, letër e riciklueshme, automjete elektrike, transport publik i padëmshëm për mjedisin, ushqim organik apo energji elektrike e prodhuar nga burime energjitike të rinovueshme.

 

Nisur nga nevoja e ndërmarrjes së veprimeve që reduktojnë efektet negative në mjedis gjatë procesit të prodhimit, shpërndarjes dhe konsumit të mallrave, shoqëria njerëzore është detyruar të marrë masat e parandalimit dhe reduktimit të këtyre ndikimeve[1].

 

Këto masa janë artikuluar përmes politikave institucionale të shumë vendeve, duke aplikuar masa dhe mekanizma zbatues që nga nxjerrja e ligjeve, arritjes së marrëveshjeve të ndryshme, nënshkrimi i traktateve ndërkombëtare e sensibilizimi alarmues nëpër samite të liderëve të vendeve më të zhvilluara industriale me qëllim të parandalimit  të këtyre efekteve. Në këtë kontekst,  lider i aktivizimit në këtë fushë padyshim është Bashkimi Europian, i cili ka miratuar politika të qëndrueshme në mbrojtje të mjedisit, duke krijuar standarde të larta të mbrojtjes, parandalimit dhe zbatimit.

Këto masa janë zhvilluar nga vendet anëtare të BE-së përmes krijimit dhe implementimit të politikave si:

  • Janë krijuar disa korniza të politikave dhe masa mbështetëse për të stimuluar zbatimin e gjerë të praktikave të qëndrueshme brenda Shteteve Anëtare
  • Nevoja për udhëzime, trajnime, ngritje të kapaciteteve dhe mjete praktike për një integrim më të mirë të praktikës së qëndrueshme në prokurimin publik.[2]

 

Komisioni Europian ka qenë historikisht hezitues për të nxitur përdorimin e prokurimit si mjet për implementimin e politikës mjedisore. Tashmë kjo qasje po ndryshon dhe Komisioni ka ofruar një shembull për të treguar sesi mund të përfshihen çështjet mjedisore në procesin e prokurimit. Në të kaluarën ka ekzistuar shqetësimi se përdorimi i ndikimeve mjedisore në prokurim mund të rezultojë në shkelje të parimeve të Traktatit, duke nxitur praktikat diskriminuese, trajtimin e pabarabartë dhe kufizimet në lirinë e lëvizjes dhe zhvillimin e tregut të brendshëm. Këto shqetësime ende mbesin të rëndësishme kur merret në shqyrtim mënyra sesi duhet të përfshihen më së miri ndikimet mjedisore në prokurimin publik, por tashmë ka më tepër shembuj për mënyrën si mund të arrihet kjo në një mënyrë që të përputhet me acquis e BE-së.

Në direktivat origjinale për prokurimin nuk përmendej shumë (përpara Direktivës 2004/18) se deri ku ishte e lejueshme të merreshin parasysh  ndikimet sociale dhe mjedisore në procesin e prokurimit. Autoritetet kontraktuese mbështeteshin në praktikat gjyqësore dhe në Komunikatat Interpretuese të Komisionit (të cilat nuk ishin të detyrueshme me ligj) kur shqyrtonin mundësitë për integrimin e ndikimeve mjedisore në prokurimin publik dhe kur vendosnin se çfarë ishte e lejueshme dhe çfarë nuk ishte.

 

Gjatë negociatave për draft Direktivën 2004/18 pati shumë debat për këtë çështje. Siç mund të shikohet dhe nga skema e përmbajtjes së Direktivës, pozicioni ka ndryshuar me përfshirjen e një sërë dispozitash që trajtojnë çështjet mjedisore dhe përfshirjen e një sërë parimesh që rrjedhin nga praktika gjyqësore.

 

Gjithsesi, Direktiva nuk është gjithëpërfshirëse në trajtimin e çështjes se kur mund të përdoren apo jo ndikimet mjedisore. Komunikata Interpretuese e Komisionit u lëshua përpara Direktivës së re dhe ka pasur vendime të mëtejshme nga GJED-ja për çështjet në lidhje me përfshirjen e kritereve mjedisore. Komunikimi Interpretues ende tregon mënyrën e të menduarit të Komisionit për këto çështje[3].

 

Prokurimi i gjelbër i referuar edhe si prokurimi me qendër mjedisin, me të drejtë mund të quhet qendra e prokurimit të qëndrueshëm, për faktin se shqetësimet mjedisore janë fokusi  kryesor për vendosjen e praktikave të qëndrueshme të prokurimit në mbarë botën. Ndërsa shihet kryesisht si një mjet për të trajtuar ndryshimet klimatike, prokurimi i gjelbër ofron gjithashtu një kapacitet më të gjerë për të zbutur mbi-shfrytëzimin e çdo burimi të pakët, si uji dhe lëndët djegëse fosile. Programet e prokurimit të gjelbër mund të jenë po aq të thjeshta sa blerja e energjisë së rinovueshme ose letrave të ricikluara të zyrës, të tilla si vendosja e kërkesave mjedisore për furnitorët dhe kontraktorët.[4]

E Drejta e Bashkimit Europian ka luajtur një rol kyç në zhvillimin dhe drejtimin  e legjislacioneve kombëtare drejt procedurave të prokurimit publik, ku në fokus të tij  ka qenë mbrojtja  e mjedisit. Për shkak se subjektet publike ushtrojnë fuqi blerëse në shkallë të gjerë me anë të kontraktimit për mallra, shërbime, ndërtimi i infrastrukturës, fokusimi në politikat me infrastruktura e si: ndërtesa, rrugë, hekurudha apo shërbime të tilla si, transporti publik dhe energjia, përbëjnë një përqindje të madhe të emetimeve të dioksidit të karbonit. Po të marrim sektorin e ndërtimit, vetëm ai përbën rreth 35% të emetimeve të CO2, me një pjesë të madhe të këtyre emetimeve që i atribuohen materialeve të ndërtimit si çimentoja, çeliku dhe asfalti. Duhet theksuar se jo të gjitha ndërtimet e përfshira në këto statistika kryhen nga subjekte publike, por projektet e ndërtimit të qeverisë priren të jenë në shkallë të gjerë, e për rrjedhojë politikat e prokurimit publik të gjelbër mund të kenë një ndikim thelbësor në reduktimin  e emetimeve të lidhura me sektorin e ndërtimit.[5]

Prioriteti mjedisor dhe social, mund t’i drejtojë tregjet drejt qëndrueshmërisë. Prokurimet publike zënë mesatarisht 12% të GDP në vendet e OECD, dhe deri në 30% të GDP në shumë vende në zhvillim.

Prokurimi publik i gjelbër i përket politikës mjedisore të BE-së. Kjo politikë mbështetet nga mjete të ndryshme legjislative dhe instrumente jo legjislative, bazat e rregullimit normativ në fushën e prokurimit publik (në përgjithësi) rregullohen nga Traktatet e BE-së (Traktati për Funksionimin e Bashkimit Europian, Traktati për Bashkimin Europian). Parimet themelore të lëvizjes së lirë, parandalimi i diskriminimit, veprimet dhe legjislacioni i BE-së janë përcaktuar në Traktatet. Organet publike në nivel europian dhe kombëtar janë përgjegjës për respektimin e  rregullave përkatëse. Pjesa më e rëndësishme e kuadrit legjislativ në fushën e prokurimi publik të  gjelbër rregullohet nga dy direktiva (Direktiva 2014/24/BE dhe Direktiva 2014/25/BE). Këto direktiva zëvendësuan direktivën e vjetër (Direktiva 2004/18/KE) për koordinimin e procedurave për dhënien e punëve publike, kontratat e furnizimit publik dhe kontratat e shërbimeve publike. Nuk duhet lënë pa përmendur, që Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në kuadër të interpretimit të normave juridike të BE-së në fushën e Prokurimit Publik të Gjelbër.

Siç tregohet nga Komisioni Europian janë katër raste: Rasti C-368/10, Rasti T-331/06, Rasti C-448/01 dhe Rasti C-513/99, këto janë në lidhje me përfshirjen e karakteristikave mjedisore, specifikimin e karakteristikave mjedisore dhe vlerësimin e kritereve mjedisore.[6]

Aktualisht, Prokurimi Gjelbër  është një praktikë vullnetare në BE me përjashtim të disa kërkesave të detyrueshme futur në direktivat specifike sektoriale. Megjithatë, roli i tij si instrument kyç në përpjekjet e BE-së për t'u bërë një ekonomi më eficente ndaj burimeve njihet në disa ligje (Direktiva 2014/24/BE). Komisioni Europian filloi promovimin e Prokurimit të Gjelbër  në 2003, duke rekomanduar miratimin e “Planeve kombëtare të veprimit të PPP në Shtetet Anëtare të BE-së” para fundit të vitit 2006. Më pas, në vitin 2008, Komisioni e njohu rolin e PPGj-së si instrument politikash në dokumentin “Prokurimi Publik për një mjedis më të mirë”. Si masë fillestare, Komisioni sugjeroi që “të paktën 50% e të gjitha procedurave të tenderimit duhet të jenë të gjelbra”, që do të thotë "në përputhje me kriteret e miratuara të përbashkëta bazë të PPGj" deri në vitin 2010. Nga kjo pikë, Shtetet Anëtare vendosin objektivat e tyre të PPP-ve, të mbledhura në një bazë  të përbashkët publike  të dhënash kombëtare.[7]

Nga gjithçka u trajtua më lart mund të themi që është i nevojshëm zhvillimi i fushatave informuese të detajuara për të shpjeguar se ndërkohë që investimi fillestar në produkte dhe shërbime “miqësore me mjedisin” mund të jetë pak më i lartë, kostoja e ciklit të tyre jetësor i bën ato mundësinë e duhur në një periudhë afatgjatë. Një pengesë tjetër që haset ndjeshëm  është edhe vështirësia që kanë zyrtarët për të vlerësuar dhe përcaktuar se cilat janë ato kritere “të gjelbërta”, që mund të çojnë në rezultate më të mira ekonomike, kjo edhe si rrjedhojë e kompleksitetit të çështjeve.[8] Krahas kësaj, kriteret e prokurimit publik të gjelbër duke mos qenë të detyrueshme, e bën akoma më të vështirë arritjen e rezultateve të duhura në këtë sektor. Duhet theksuar  që për një zbatim sa më të gjerë të prokurimit të gjelbër është shumë e  nevojshme mbështetja e zyrtarëve të lartë të Prokurimit Publik si dhe përfshirja e kësaj çështje në axhendat e tyre të diskutimit.

Endi Kalemaj dhe Kejsi Marku, nëntor 2023

 

 

*Endi Kalemaj ka mbaruar studimet në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, si dhe është specializuar në Master Shkencor në të Drejtë Civile në të njëjtin fakultet. Aktualisht vijon studimet pranë Shkollës Kombëtare të Avokatisë. Ai mban pozicionin e specialistit në sektorin e projekteve rinore, pranë Agjencisë Kombëtare të Rinisë në Ministrinë e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët. Gjithashtu është i angazhuar në nisma të shoqërisë civile si dhe, ka punuar si ekspert ligjor, asistent avokat.                                                                                                                                     Gjatë këtyre viteve ka marrë pjesë në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare(autor dhe bashkëautor i disa punimeve) me punime kërkimore të karakterit ligjor të fokusuara më së shumti në fushën ndërkombëtare. Endi është fitues i disa konkurseve kombëtare dhe ndërkombëtare. Fushat e tij të interesit përfshijnë politikat e orientuara drejt të rinjve, marrëdhëniet ndërkombëtare private, të drejtat e njeriut, marrëdhëniet në fushën civile si dhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor.

 

*Kejsi Marku ka mbaruar studimet në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, si dhe është specializuar në Master Shkencor në të Drejtë Civile në të njëjtin fakultet. Ajo ka qenë pjesë e shumë aktiviteteve dhe  trajnimeve, ku  së fundmi ishte pjesëmarrëse e trajnimit 3 mujor “You are Credins” të bankës Credins, ku dhe punon aktualisht. Fusha e saj e interesit është puna kërkimore në çështje që lidhen me Bashkimin Europian.

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk