Rikthimi i Trumpit – Një epokë e re proteksionizmi?

Rikthimi i Trumpit – Një epokë e re proteksionizmi?

Më 20 janar të këtij viti u betua presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një ceremoni të rrallë mbajtur në një arenë të mbyllur në Washington DC. Megjithëse Trump nuk është presidenti i parë që nuk betohet jashtë Capitol Hill,[1] kjo simbolikë duket se ka peshën e saj në atë që perëndimin e pret përgjate katër viteve pasardhëse. Bota ka kohë që sytë i mban drejt kontinentit të fuqisë hegjemone të këtij shekulli, por kësaj here më të shqetësuar duket se janë aleatët europianë që ndjejnë, ndoshta si pasojë e së shkuarës, rrezikun e narrativës që Trump ka mbajtur në fjalimet dhe daljet e tij publike gjatë e pas fushatës për Zyrën Ovale.


-        Proteksionizmi, një rrymë e rilindur

Shtetet e Bashkuara kanë një histori të gjatë përplasjesh midis rrymës proteksioniste dhe asaj liberale ekonomike në mënyrën se si, në varësi të një administrate apo një tjetre, janë zgjedhur politikat e jashtme dhe ato ekonomike të vendit. Prej pas Depresionit të Madh të viteve ’30 rryma proteksioniste filloi të humbte forcën e saj e me Luftën e Dytë Botërore dhe ndërhyrjen amerikane në Europë u duk se mori një goditje përfundimtare pasi rishfaqej mjaft rrallë në poltitikat amerikane, rrallë derisa Donald Trump mori pushtetin ne vitin 2016.[2] Ndonëse Trump i mandatit të parë ishte mjaft i ndryshëm nga ai që potencialisht mund të jetë në këtë mandat, duket qartazi prirja e tij për te kufizuar sa më shumë investimin amerikan matanë oqeaneve që e rrethojnë. E tregoi këtë me largimin e trupave amerikane nga Siria apo gjatë luftës së tarifave me Kinën në vitin 2018, por edhe në pafund raste me më pak bujë mediatike ku u pa qartazi se mënyra se si ai i bënte gjerat ishte shumë e ndryshme nga ajo e paraardhësve të tij.


-        Përse një Amerikë e cila shikon pak ose aspak jashtë kufijve të saj është e frikshme për Kontinentin e Vjetër?

Reziku i mundshëm ndaj Europës nuk vjen vetëm nga pikëpamja ekonomike ku Trump, duke qenë një biznesmen, është treguar vazhdimisht agresiv dhe ‘proteksionist’ ndaj interesave sipas tij të nëpërkëmbura të Shteteve të Bashkuara, por edhe për vetë sigurinë e kontinentit që pa të nisnin dy nga luftërat më shkatërrimtare të historisë së njerëzimit gjatë shekullit të shkuar. Kjo theksohet sidomos nga gjendja aktuale ku Europa ndodhet, me luftën në Ukrainë dhe Rusinë përherë e më agresive që troket në portat e të gjithë kufirit lindor të kontinentit. Qysh nga fundi i Luftës së Ftohtë, të gjitha vendet europiane kanë ulur drastikisht financimin për industritë e mbrojtjes dhe kanë zvogëluar dukshëm ushtritë e tyre. Në këtë periudhë pesha më ë madhe e mbrojtjes së perëndimit nga pikëpamja ushtarake i mbeti në dorë ShBA-ve dhe kjo gjë u pa qartë nga vështirësitë e vendeve europiane për t’i ardhur në ndihmë të menjëhershme Ukrainës me logjistikë ushtarake në fillim të luftës, ashtu si edhe nga kapaciteti jo i mjaftueshëm prodhues i indsutrive ushtarake të kontinentit.[3]

Kërcënimi i një braktisjeje të mundshme nga ana e ShBA-ve ka ngritur kambana alarmi nëpër kancelaritë kryesore të kontinentit dhe rreziku duket real teksa me të marrë detyrën presidenti i ri ka kërkuar uljen e numrit të trupave amerikane që janë pjese e organizmit te mbrojtjes së përbashkët të NATO-s në Europë.[4] Një tjetër pikë e nxehtë përgjatë javëve të fundit është ajo e Groenlandës, një ishull gjigand që ndodhet midis dy kontinenteve e shumë pranë Polit të Veriut. E ideuar që në mandatin e tij të parë duket se kësaj herë po merr një rijetëzim me këmbënguljen, shpesh pa dorashka apo gjuhë diplomatike të presidentit Trump për ta blerë ishullin ashtu si paraardhës të tij në atë zyrë kanë bërë me territore si Alaska përgjatë viteve. Reagimi i Danimarkës ka qenë pak, por i ashpër, me tonet që ngrihen dita-ditës e me Trump që nuk duket se ka ndërmend të tërhiqet.[5][6] Është e qartë që Groenlanda përfaqëson një ‘kufi’ të ri ku shtrihen interesat amerikanë me tërheqjen e mundshme të amerikës si garantuese e sigurisë në kontinentin europian.


-        Mundësia e një pike bashkimi mes dy kontinenteve

Ndërkohë që pjesa më e madhe e liderëve të unionit duket se janë në pasiguri e me sytë nga matanë Atlantikut një prej tyre mund të përfaqësojë urën lidhëse mes Trump dhe Europës. E vetmja shefe qeverie e një shteti europian që u ftua në inagurimin e presidentit Trump ishte kryeministrja italiane Giorgia Meloni.[7] Politikania e djathtë italiane kishte treguar afërsi me një nga mbështetësit kryesorë të presidentit, Elon Musk, kohë përpara zgjedhjeve në Amerikë. Musk dhe vetë Trump nuk kanë hezituar të shprehin konsideratën e tyre për Melonin në disa raste të ndryshme duke e cilësuar atë si ‘një lidere dhe njeri fantastik’.[8] Miliarderi Elon Musk nuk është i vetmi që bashkon dy liderët pasi shumë nga politikat e tyre janë lehtësisht të rakordueshme në realitetet respektive të secilit shtet. Qoftë lufta ndaj emigracionit të paligjshëm apo retorika nacionaliste që i kanë prirë gjatë fushatave dhe kanë tërhequr elektoratin e tyre. Po si do jetë marrëdhënia midis dy liderëve nëse Trump vazhdon me planin e tij per tarifa doganore ndaj Europës dhe jo vetëm?[9] Vetë Italia është po ashtu një ndër shtetet e mëdha pjesë e NATO-s që nuk e respekton minimumin prej 2% të sugjeruar si shpenzim minimal për mbrojtjen nga aleanca e madje ministri italian i mbrojtjes, Guido Crosetto, e bëri të qartë se Italia ka ende rrugë përpara se të arrijë shifrën, e cila nuk është tanimë as ajo që vetë Trump kërkon, duke qenë se presidenti i sapozgjedhur ka folur për një rritje të hendekut nga 2 në 5%.[10] Mbetet për t’u parë nëse retorika mjaft e ashpër do të trumpetojë mbi lidhjet ideologjike apo edhe vetë nevojat e çdo vendi, pavarësisht fuqisë a përmasave të tij, për aleatë. Një gjë është e sigurt, Meloni mund të jetë e vetmja lidere europiane që të arrijë të zbusë tonet me Trump pasi çdokush tjetër, qoftë Orban për nga përkatësia ideologjike apo Macron në ikje për nga pesha në arenën ndërkombëtare, nuk mund të zënë vendin që ajo ka zënë midis dy anëve të Atlantikut. Kjo frymë e re në politikën e jashtme të unionit u vu re edhe në revistën Politico ku kryeministrja italiane u cilësua si njeriu me më shumë influencë në kontinent.


-        Nevoja e Europës për të vepruar

Perëndimi e për rrjedhojë një pjesë e madhe e globit po kalon një epokë ndryshimi. Në është ky ndryshim progres a regres do e tregojë koha, por marrëdhënjet në të gjithë qytetërimin perëndimor po përshkojnë kriza dhe sforcime që do çojnë në thyerjen apo kalitjen e tyre. Europa do duhet të reagojë, menjëherë, gjë që ajo rrallë herë dekadat e fundit ka ditur ta bëjë, në mbrojtje të qytetarëve të saj dhe rendit të paqes në kontinent, pasi që Trump nuk është një anomali e sistemit, e dëshmon qartazi zgjedhja e tij për herë te dytë në krye të shtetit më të pushtetshëm në botë. Duket se tashmë parimet e tij, jo krejt të panjohura në politikëbërjen amerikane, janë vlerat e reja pseudo-patriotike të një kombi thellësisht patriot, dhe Europa duhet të jetë gati të dalë nga ombrella amerikane që deri më sot e ka mbrojtur nga stuhitë e kohës, jo vetëm prej rrezikut të Trump-it, por edhe për të rifituar pozitën e saj si djepi i civilizimit.

 

                                                                                                                                                                                              Andri Ferati, mars 2025


*Andri Ferati është student në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Firences, Itali. Gjatë studimeve të tij, ai ka zhvilluar një interes të thellë në marrëdhëniet ndërkombëtare, me një fokus të veçantë te historia dhe politika globale. Përpara se të fillonte studimet jashtë vendit, ai ka qenë i angazhuar në disa iniciativa rinore dhe organizata vullnetare, ku vlen të përmendet Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane – USEYCA dhe Re- Debate. Një nga fushat e tij kryesore të interesit është dinamika transatlantike midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

 

 

Referencat

 

CBS News. Presidential inaugurations not always held outside the Capitol. https://www.cbsnews.com/news/presidential-inaugurations-not-outside-capitol/

Cato Institute. Doomed to repeat it: The long history of America's protectionist failures. https://www.cato.org/policy-analysis/doomed-repeat-it-long-history-americas-protectionist-failures

Intereconomics. Defense spending for Europe’s security: How much is enough? https://www.intereconomics.eu/contents/year/2024/number/4/article/defence-spending-for-europe-s-security-how-much-is-enough.html

Stars and Stripes. Trump orders U.S. troop cuts in Europe, pushing NATO allies to increase defense spending.                                                                         https://www.stripes.com/theaters/europe/2025-01-24/trump-europe-troop-cuts-16590074.html

Reuters. Trump interest in buying Greenland not a joke. https://www.reuters.com/world/us/trump-interest-buying-greenland-not-joke-rubio-says-2025-01-30/

Al Jazeera. Greenland does not want to be American or Danish, PM says. https://www.aljazeera.com/news/2025/1/10/greenland-pm-says-ready-to-talk-to-trump

Le Monde. Trump inauguration to be first attended by foreign leaders. https://www.lemonde.fr/en/united-states/article/2025/01/20/trump-inauguration-to-be-first-attended-by-foreign-leaders_6737215_133.html

Politico. Trump gushes over Meloni: ‘She’s a fantastic leader and person’. https://www.politico.eu/article/trump-gushes-over-meloni-shes-a-fantastic-leader-and-person/

The Guardian. Trump threatens tariffs on Mexico, Canada, China, and Europe in retaliation. https://www.theguardian.com/us-news/2025/feb/02/trump-tariffs-mexico-canada-china-retaliation

Reuters. Italy getting further away from NATO 2% defense spending target, minister says.                                                               https://www.reuters.com/world/europe/italy-getting-further-away-nato-2-defence-spending-target-minister-says-2024-02-28/



[1] Presidential inaugurations not always held outside the Capitol. CBS News. https://www.cbsnews.com/news/presidential-inaugurations-not-outside-capitol/

[2]Doomed to repeat it: The long history of America's protectionist failures. https://www.cato.org/policy-analysis/doomed-repeat-it-long-history-americas-protectionist-failures

[4]Trump orders U.S. troop cuts in Europe, pushing NATO allies to increase defense spending. Stars and Stripes. https://www.stripes.com/theaters/europe/2025-01-24/trump-europe-troop-cuts-16590074.html

[8] Trump gushes over Meloni: ‘She’s a fantastic leader and person’. Politico. https://www.politico.eu/article/trump-gushes-over-meloni-shes-a-fantastic-leader-and-person/

[9]Trump threatens tariffs on Mexico, Canada, China, and Europe in retaliation. The Guardian. https://www.theguardian.com/us-news/2025/feb/02/trump-tariffs-mexico-canada-china-retaliation

[10] Italy getting further away from NATO 2% defense spending target, minister says. Reuters. https://www.reuters.com/world/europe/italy-getting-further-away-nato-2-defence-spending-target-minister-says-2024-02-28/

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk