Për më tepër, e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Europë ka qenë si një udhëtim zig-zag i mbushur me kërkesa të cilat rriten skepticizmin dhe pasigurinë nëse drita e gjelbër do të jepej apo jo. Vendimi i dhënies së dritës së gjelbër në 24 mars për të hapur negociatat nxjerr në pah paqartësi nëse Shqipëria ka aftësi dhe vullnet për t’iu përmbajtur kushteve të reja dhe metodologjisë së pranimit (ende për tu miratuar) të vendosur nga Komisioni Europian (KE).
Pavarësisht pengesave të hasura gjatë rrugës, Shqipëria ka adresuar pozitivisht disa nga rekomandimet kritike të Komisionit Europian. Disa prej tyre përfshijnë reformën e administratës publike; rritjen e efikasitetit dhe transparencës së qeverisë; luftën kundër korrupsionit dhe vetingun e gjyqësorit; dënimi i zyrtarëve të rangut të lartë dhe të mesëm; dhe lufta kundër krimit të organizuar. Sipas raportit të vitit 2019 të publikuar nga Komisioni Europian, vlerësohet se vendi ka përparuar përsa i përket forcimit të aftësive për hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të nivelit të lartë të korrupsionit. Fillimi i procesit të vetingut ka dhënë rezultate pozitive në largimin nga detyra të gjyqtarëve të rangut të lartë dhe prokurorët, përfshirë edhe ata që shërbejnë në Gjykatën Kushtetuese, por ka krijuar një hendek dhe vështirësi në emërimet e reja të gjyqtarve në Gjykatën Kushtetuese e cila deri tani është jo-funksionale. Sidoqoftë, përkundër përparimit të rëndësishëm, raporti nënvizon se korrupsioni i përgjithshëm është i përhapur në shumë fusha dhe mbetet një çështje shqetësuese.
A janë pesëmbëdhjetë parakushtet të arritshme?
Në vendimin e 24 marsit nga ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian (BE), Shtetet Anëtare vendosën kushte shtesë për Shqipërinë në kuadër të fushës së shtetit ligjor dhe masat antikorrupsion, të cilat Tirana duhet të përmbushë përpara se të fillojnë negociatat. Disa nga këto kushte kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, funksionimin e gjykatës kushtetuese, gjykatën e lartë dhe funksionimin e strukturave të specializuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar – pika të cilat përsëriten shpesh dhe janë bërë si "detyra shtëpie" për qeverinë shqiptare.
Angazhimi i Shqipërisë për t'u anëtarësuar në BE bëhet disi i dukshëm me miratimin e rezolutës "Për mbështetjen e procesit të fillimit të negociatave për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian", më 3 tetor 2019. Bazuar në përmbajtjen e rezolutës parlamenti shqiptar inkurajon veten të forcojë më tej rolin e tij në mbikëqyrjen e reformave të integrimit në vend ndërsa premton angazhimin institucional për të përmbushur rekomandimet e Komisionit Europian dhe zbatimin e përfundimeve të Këshillit Europian. Që kjo përpjekje të jetë e suksesshme, parlamenti dhe qeveria duhet të kthehen dhe t'u përmbahen angazhimeve të nënvizuara në dokumentin që ata miratuan në tetor 2019, pasi është kundër produktive vendosja e një to-do list për veten dhe më pas neglizhimi i saj. Parlamenti shqiptar gjithashtu duhet të përfitojë nga ekspertiza dhe sugjerimet e zyrave të BE-së që operojnë në territor, dhe të synojë të rritet bashkëpunimi politik dhe mirëkuptimi institucional për të adresuar çështjet e reja të nënvizuara nga BE.
Parakushtet e reja të bëjnë të ulesh të mendosh e reflektosh nëse Shqipëria ka aftësi dhe vullnet për t'u përmirësuar sipas rekomandimeve. Kritikët e qeverisë, ndërsa duartrokasin vendimin për hapjen e negociatave, deklarojnë se Integrimi Europian i Shqipërisë është më larg se kurrë, pasi vendi shkoi nga 12 në 5, në 15 parakushte. Për më tepër, kur dikush lexon për një "listë shumë të gjatë" mund ti kujtohet fjalimi i Kryeministrit të Francës në Lidhjen e Kombeve Georges Clemenceau (1841-1929), pasi dëgjoi mbi katërmbëdhjetë pikat e Woodrow Wilson, u shpreh: "Zoti na dha Dhjetë Urdhëresa, dhe ne i thyem ato". Wilson na jep Katërmbëdhjetë Pika. Ne do të shohim." "Do të shohim" duket si skenari më i afërt me pesëmbëdhjetë parakushtet për anëtarësimin në BE të përcaktuara nga Komisioni Europian të cilat duken se po thyhen pa u marrë ende në konsideratë.
Ka gjasa se bisedimet mbi pranimin do të zgjasin me vite pasi parimi kryesor mbi negocimin e kapitujve/grupimeve (nëse do të zbatohet metodologjia e re) është se asgjë nuk është dakordësuar derisa të bihet dakord mbi gjithçka. Një metodë e tillë vlen për përmbushjen e pesëmbëdhjetë parakushteve, si dhe për të gjithë procesin e negociatave. Marrëveshja e propozuar e rishikuar plotëson kërkesat e vendeve të BE-së që ishin skeptike ndaj zgjerimit duke imponuar kushte më të gjera për Shqipërinë. Këto përfshijnë reformën zgjedhore dhe gjyqësore, luftën kundër korrupsionit, ndryshimin e ligjit të ri për median dhe masa më të forta kundër migrimit të parregullt.
A ka Shqipëria aftësinë për të zbatuar ndryshimet sipas metodologjisë së re të propozuar?
Në fillim të shkurtit, KE paraqiti një propozim për metodologjinë e re të zgjerimit. Projekti pret që "të shtyjë përpara procesin e pranimit në BE, duke e bërë atë më të besueshëm, me një drejtim më të fortë politik, më dinamik dhe të parashikueshëm". Propozimi i KE synon të përqendrohet në shtyllat kryesore, siç është ndërtimi i besimit dhe përqendrimi në reformat themelore që theksojnë shtetin ligjor, funksionimin e institucioneve demokratike, administratën publike dhe funksionimin e një ekonomie tregu.Për më tepër, propozimi synon gjithashtu forcimin e drejtimit politik dhe angazhimin në nivelet më të larta - përfshirë samitin midis BE - Ballkanit Perëndimor dhe përmirësimin e diplomacisë në një nivel ndërkombëtar. Zhvillimi i ri, megjithatë, është ndryshimi i sistemit nga negocimi i 35 kapitujve të pranimit një nga një, në gjashtë grupime tematike. Grupimet janë: çështjet themelore; konkurrenca e tregut të brendshëm dhe rritjen gjithëpërfshirëse; axhendën e gjelbër dhe ndërlidhshmërinë e qëndrueshme; burimet, bujqësia dhe kohezioni; dhe marrëdhëniet me jashtë.
Ende nuk është e sigurt se çfarë ndikimi do të ketë metodologjia e re e propozuar në administratën publike shqiptare e cila ka kohë që punon dhe merr pjesë në takimet shpjeguese para-pranuese për secilin kapitull në Komisionin Europian. Disa problematika mund të lindin në lidhje me sigurimin e trajnimit të duhur (të përshtatur me metodat e Grupimeve) për Drejtoritë e Integrimit në ministritë qendrore shqiptare dhe institucionet që janë përgjegjëse për zbatimin dhe transpozimin e Acquis. Sepse që nga sot, projekti GIZ që synon të mbështesë negociatat e pranimit për Shqipërinë në Kapitujt Ekonomikë të Acquis (SANECA), është mbështetur në modele trajnimi të nxjerra nga modeli serb dhe kroat të takimeve të para-pranimit (screening). Metodologjia e trajnimit të shablloneve e zhvilluar nga përvoja serbe përfshin "analizën e boshllëkut ligjor (legal gap analysis)", "vlerësimin e hendekut institucional dhe administrativ” (institutional and administrative gap assessment)" dhe “udhëzimet për përgatitjen e procesit të shqyrtimit” (screening). Me ndryshimin e propozuar të metodologjisë së pranimit për Shqipërinë (dhe Maqedoninë e Veriut), duhet të adresohet një rishikim i qasjeve për ndërtimin e kapaciteteve e cila mund të hedhë poshtë investimin e bërë deri tani.
Për më tepër, një nga problematikat kryesore që mbizotëron brenda qeverisë shqiptare është administrimi i dobët i burimeve njerëzore dhe qarkullimi i vazhdueshëm i stafit. Megjithë trajnimin e vazhdueshëm të administratës publike, për shkak të lëvizjeve të vazhdueshme të stafit, punësimit afatshkurtër të personelit kyç, dhe menaxhimit jo të duhur të burimeve njerëzore - krijojnë vështirësi në sigurimin e raportimit të saktë për Komisionin e BE për çështje të tilla si Raportet Tremujore të Progresit, dhe raportet e nën-komitetit. Për më tepër, Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) menaxhon 13 kapituj të paketës së integrimit në BE dhe ka barrën më të madhe në krahasim me ministritë e tjera të vendit. Prandaj ristrukturimi i propozuar i MFE* mund të sjellë sfida të reja në shpërndarjen e nevojshme të burimeve njerëzore. Për të adresuar mangësitë siç u përmendën më herët, qeveria do të duhet të investojë më tej në efikasitetin e menaxhimit të burimeve njerëzore, duke siguruar trajnime të domosdoshme të bëra me porosi për zyrtarët publikë, në vend që të ofrojë ekspertë të jashtëm të cilët kryejnë punën në vend të punonjëseve publik duke krijojuar një rreth vicioz varësise. Përtej krijimit të rrethit vicioz të varësisë, ky fenomen i kontraktimit të “ekspertëve” të huaj dhe të jashtëm ushqen frymën negative të menduarit se të huajt i dinë dhe i bëjnë më mirë gjërat se ne – e cila ndikon në modelin e paradigmës së rremë**.
Konkluzione
Prandaj, është akoma e pasigurt sesi qeveria do të menaxhojë dhe përshtatet me metodologjinë e re të grupimeve. Për më tepër, një vendim përfundimtar për miratimin e propozimit të Komisionit Europian pritet nga vendet anëtare të BE-së. Në të kundërt, një prezantim përfundimtar i metodologjisë dhe dorëzimeve është planifikuar të fillojë së shpejti. Duke lënë vullnetin politik mënjanë, faktori shtytës për një anëtarësim të suksesshëm mund të jetë ndërtimi i kapaciteteve dhe stabiliteti i administratës publike. Në kohën e tanishme, qarkullimi i stafit dhe ristrukturimi i vazhdueshëm i ministrive kryesore dëshmojnë se duket e pamundur për të mbajtur administratën publike të qëndrueshme dhe të mirëtrajnuar, kyç për të kufizuar varësinë nga ekspertët e jashtëm.
Sidoqoftë, ajo që është e sigurtë është se qeveria do të jetë nën monitorim të vazhdueshëm nga KE për zbatimin e parakushteve të pranimit. Për më tepër, gjatë bisedimeve të anëtarësimit me Komisionin dhe takimet ndërministrore, vendet kandidate duhet të dëshmojnë dhe të tregojnë përparim të hollësishëm. Vendet kandidate duhet të demonstrojnë se po arrijnë standardet e BE-së në fusha të tilla si lëvizja e lirë e mallrave, taksimi, energjia dhe politikat ekonomike.
Jetnor Kasmi, gusht 2020
*Jetnor Kasmi është një Ekonomist i Zhvillimit me eksperiencë në politikat zhvillimore dhe ekonominë politike. Ai është diplomuar në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti Metodist, ShBA dhe mban gradën MA në Politika Zhvillimi nga Shkolla e KDI për Politika Publike dhe Menaxhim, Kore e Jugut. Po ashtu Kasmi ka ndjekur programin IB DP në Kolegjin e Bashkuar Botëror në Norvegji. Ai ka përvojë të gjerë në punën me qeverinë shqiptare në nivelin lokal dhe qendror, në koordinimin e politikave dhe ekspertizë në ngritjen e kapaciteteve për komunitetin dhe zyrtarët e pushtetit vendor. Interesat e tij përfshijnë konfliktet kulturore dhe sigurinë, migracionin dhe politikat e arsimit, si edhe qeverisjen pjesëmarrëse.
Shpjegime
*Autori ka përvojë pune në Departamentin e Integrimit dhe Koordinimit të institucionit të përmendur, dhe opinionet nxirren nga përvoja.
**Modeli i paradigmës false - propozimi që vendet në zhvillim nuk kanë arritur të zhvillojnë sepse strategjitë e tyre të zhvillimit kanë qenë të bazuara në një model të pasaktë të zhvillimit. Për shembull, akumulimi i kapitalit të mbingarkuar pa e marrë parasysh ndryshimin e nevojshëm shoqëror dhe institucional - Todaro & Smith, Economic Development, 12th Edition | Pearson
Referenca
BBC News . EU Blocks Albania and North Macedonia Membership Bids. 18 Oct. 2019, www.bbc.com/news/world-europe-50100201.
EU Delegation to Turkey. “Accession Negotiations.” EU Delegation to Turkey, 2020, www.avrupa.info.tr/en/accession-negotiations-720.
European Commission . “Albania 2019 Report - Communication from the Commission to the European Parliament, the Council, the European Economic and Social Committee and the Committee of the Regions 2019 Communication on EU Enlargement Policy.” European Commission, SWD(2019) 215 final - 29 May 2019, https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/sites/near/files/20190529-albania-report.pdf
European Commission . “Albania 2019 Report - Communication from the Commission to the European Parliament, the Council, the European Economic and Social Committee and the Committee of the Regions 2019 Communication on EU Enlargement Policy.” European Commission , COM(2019) 260 final - 29 May 2019, https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/sites/near/files/20190529-communication-on-eu-enlargement-policy_en.pdf
GIZ. “Support to Accession Negotiations for Albania in Economic Chapters of Acquis (SANECA).” Startseite, 2019, www.giz.de/en/worldwide/81957.html.
Peel, Michael. “North Macedonia and Albania Set to Begin EU Accession Talks.” Subscribe to Read | Financial Times, Financial Times, 23 Mar. 2020, www.ft.com/content/554b20da-6d0b-11ea-89df-41bea055720b.
Pirsonero-Hernandez, Ana, and Alceo Smereli. “A More Credible, Dynamic, Predictable and Political EU Accession Process - Commission Lays out Its Proposals.” European Commission , 2020, https://ec.europa.eu/commission/presscorner/detail/en/IP_20_181
Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë. “Për mbështetjen e procesit të fillimit të negociatave për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.” Parlament.al, Albanian Parlament , 3 Dec. 2019, www.parlament.al/Files/Projekte/20191008111429Rezoluta per mbeshtjeten e hapjes se negociatave, dt. 3.10.2019.pdf.
Laniol, Vincent: Clemenceau, Georges , in: 1914-1918-online. International Encyclopedia of the First World War, ed. by Ute Daniel, Peter Gatrell, Oliver Janz, Heather Jones, Jennifer Keene, Alan Kramer, and Bill Nasson, issued by Freie Universität Berlin, Berlin 2015-12-17. DOI: 10.15463/ie1418.10787.
Vasili, Petrit. “‘E Filluam Me 5 Kushte Dhe Përfunduam Me 15’- Petrit Vasili: Integrimi Është Sot Më Larg Së Asnjëherë. Nëse Rama Është Kryelartë, Atëherë...” Gazeta Panorama Online, 24 Mar. 2020, www.panorama.com.al/e-filluam-me-5-kushte-dhe-perfunduam-me-15-petrit-vasili-integrimi-eshte-sot-me-larg-se-asnjehere-nese-rama-eshte-kryelarte-atehere/.