Liria e shprehjes në raport me detyrimin për të respektuar dinjitetin dhe personalitetin e individit

Liria e shprehjes në raport me detyrimin për të respektuar dinjitetin dhe personalitetin e individit

Ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri, u pasua me ndryshime ligjore, ekonomike, sociale, kulturore, të cilat patën një ndikim të drejtëpërdrejtë në mënyrën e respektimit të të drejtave dhe lirive të individit.

Në qendër të shtetit të së drejtës janë njohja dhe garantimi i të drejtave të njeriut, të cilat janë parashikuar në aktin themeltar që është Kushtetuta (KRSh, nenet 15-58). Shtetet kanë jo vetëm detyrimin për ti njohur këto të drejta (detyrim negativ), por edhe detyrimin për të marrë çdo masë me qëllim që këto të drejta të garantohen për çdo person (detyrim pozitiv).

Të drejtat dhe liritë e njeriut, të cilave i është dhënë një mbrojtje ndërkombëtare që pas Luftës së Dytë Botërore, shpesh i janë nënshtruar interpretimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe kombëtare, të cilat janë përpjekur të përcaktojnë “kufijtë” e shtrirjes së këtyre të drejtave dhe vendosjen e një balance kur dy të drejta mund të përplasen me njëra tjetrën.

Dy nga të drejtat, të cilat në mënyrë të vazhdueshme mund të krijojnë përplasje, sidomos vitet e fundit, me masivizimin e përdorimit të internetit dhe rrjeteve sociale, janë liria e shprehjes nga njëra anë dhe e drejta për një jetë private, mbrojtja e dinjitetit dhe reputacionit nga ana tjetër.

Ky punim tenton të bëjë një analizë të këtyre dy të drejtave, ndryshimet dhe debatet e fundit që kanë ndodhur në vendin tonë në lidhje me monitorimin dhe vendosjen e masave për mediat dhe portalet online, ndikimi që kanë përdorimi i portaleve/rrjeteve sociale nën ombrellën e lirisë së shprehjes dhe mbrojtja e dinjitetit dhe reputacionit të personit. Duhet të theksojmë që është e pamundur të ezaurosh në një punim të vetëm të gjitha elementet, kufizimet dhe përplasjet që mund të kenë këto dy të drejta, por mund të shërbejë si një shënjues për analiza dhe debate juridike të mëtejshme.

Respektimi i dinjitetit dhe reputacionit të njeriut, si një gur themeli mbi të cilën ngrihet shteti i së drejtës

Për konceptin “dinjiteti i njeriut”, si baza mbi të cilin janë ngritur të gjithë të drejtat dhe liritë e individit nuk ka një përkufizim konkret, por ky term është i parashikuar në të gjitha aktet ndërkombëtare dhe kombëtare dhe paraprin çdo parashikim për të drejtat dhe liritë e njeriut.

Aspirata për të mbrojtur dinjitetin njerëzor të të gjitha qenieve njerëzore, paraqet thelbin e konceptit për të drejtat e njeriut. Kjo aspiratë e vë qenien njerëzore në qendër të interesit. Kjo aspiratë është e bazuar në sistemin e përbashkët universal të vlerave të përkushtuara të të drejtës për jetë, si një e drejtë e paprekshme, dhe ofron një kornizë për ndërtimin e sistemit të të drejtave të njeriut, të mbrojtur nga normat dhe standardet e pranuara ndërkombëtarisht (QETHDNjD, 2003).

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, si akti i parë, i cili i dha një njohje dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut në nivel ndërkombëtar, në nenin 1 parashikon: “Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta. Ata kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri tjetrit me frymë vëllazërimi.

Referuar interpretimeve dhe përkufizimeve që i janë dhënë konceptit të dinjitetit të njeriut, konkludojmë që me dinjitet do të kuptojmëtërësinë e vlerave morale të njeriut ose të një grupi njerëzish (nderi, krenaria etj.), vetëdija që ka njeriu ose një grup njerëzish për këto vlera dhe për të drejtat e veta në shoqëri dhe nderimi i tij për vetveten, shfaqja e jashtme e kësaj vetëdije dhe e këtij nderimi.

Sa më sipër, dinjiteti i një personi lidhet me vlerat e tij vetjake, reputacionin dhe nderin e tij, me titujt, me gjendjen që ka dhe vendin që zë në një shoqëri apo komunitet të caktuar. Ciceroni është i pari filozof që ka folur mbi dinjitetin, me konceptin dignitas, ai bënte dallimin midis qenieve njerëzore dhe qenieve të tjera. “Dignitas hominis”, në Romën klasike nënkuptonte dhe lidhej me ‘statusin’ që kishte një person. Nderi dhe respekti i njihej dhe e gëzonin vetëm personat që kishin një status të veçantë. Një tjetër filozof, Kanti shprehet se: "Dinjiteti i njeriut është pa dyshim ideja kryesore humaniste, dinjiteti është qëllimi absolut. Njeriu kurrë nuk duhet të përdoret vetëm si mjet, por ai duhet respektuar si qëllim përfundimtar. Tradicionalisht dinjiteti i njeriut shikohej si çështje fetare, filozofike por nuk parashikohej në normat ligjore (Kurti.A, Elezi.E).

Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, dinjiteti, reputacioni dhe të drejtat dhe liritë e individit janë të parashikuara që në preambul, si dhe i është dhënë një vend i veçantë nga neni 15 deri në nenin 59. Konkretisht në preambul parashikohet se: “Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjiteti…”

Shtatëdhjetë vite pas miratimit të aktit të parë ndërkombëtar për njohjen dhe garantimin e të drejtave të njeriut, ndryshimet ekonomike, sociale, teknologjike, politike, sidomos ngjarjet e ndodhura vitin e fundit, ku e gjithë bota ndodhet nën trysnin e pandemisë, të shkaktuar nga virusi Covid-19 kanë sjellë një mënyrë të re të perceptimit për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të individit.

Disa nga pikëpyetjet që kanë qenë pjesë e debateve gjyqësore, politike dhe publike lidhen me analizën e proporcionalitetit të cënimit të dinjitetit dhe lirisë së individit për shkak të interesit publik, kufizimit të lirisë së shprehjes në rastet kur përdoren fjalë fyese, ofenduese, të dhunshme ose kur publikohen fakte apo informacione rreth një individi tjetër, pavarësisht statusit që përmban ky i fundit në shoqëri.

Të gjithë këto çështje i janë nënshtruar debateve të ndryshme midis doktrinalistëve, debate të cilat nuk kanë ngelur vetëm në planin doktrinal, por i janë nënshtruar dhe interpretimit nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, e cila numëron sot një sërë vendimesh në lidhje me lirinë e shprehjes, kufijtë e shtrirjes së kësaj të drejte, proporcionaliteti i kufizimit të lirisë së shprehjes dhe rëndësia që ka mbrojtja e dinjitetit dhe reputacionit të individit, i cili duhet të respektohet në çdo rast, sidomos kur kemi të bëjmë me persona të cilat nuk kanë një status publik.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, e cila e ka trajtuar konventën si një instrument të gjallë, pasi interepretimin e të drejtave e bën në mënyrë dinamike (GjEDNj, 2020), ka deklaruar që të shprehurit, që është në papajtueshmëri me vlerat e shpallura dhe të garantuara nga Konventa nuk është i mbrojtur nga neni 10 i Konventës. E drejta e mbrojtjes së reputacionit është e drejtë, e cila është e mbrojtur nga neni 8 i Konventës, si pjesë e së drejtës për respektim të jetës private (shih Chauvy dhe të Tjerë, cituar lart, § 70; Pfeifer kundër Austrisë, nr. 12556/03, § 35, 15 nëntor 2007; dhe Polanco Torres dhe Movilla Polanco kundër Spanjës, nr. 34147/06, § 40, 21 shtator 2010) (GjEDNj, 2013).

Kufijtë e shtrirjes së lirisë së shprehjes

Krahas mbrojtjes dhe respektimit të dinjitetit dhe reputacionit të individit, një e drejtë tjetër themelore është liria e shprehjes, e cila është njohur dhe garantuar në aktet më të rëndësishme ndërkombëtare dhe kombëtare, duke u rënditur në të njëjtin nivel me të drejtat e tjera, si e drejta e jetës, ndalimi i torturës, e drejta private etj.

Liria e shprehjes ka një rëndësi të veçantë, sidomos në Shqipëri, ku për gjysëm dekade, qytetarët jo vetëm që nuk kishin lirinë të shpreheshin, por as të mendonin. Shprehja e një mendimi mund të sillte pasoja të rënda, si burgosje, internime jo vetëm për individin që kishte guxuar të shprehej, por për të gjithë familjen e tij. Ndyshimet politike që ndodhën në vitet ’90, sollën dhe ridimensionimin e të drejtave dhe lirive të individit në Shqipëri, ku një vend të veçantë i’u dha medias së lirë dhe të pavarur, duke e konsideruar si pushtet të katërt.

Megjithëse Shqipëria ka bërë hapa përpara në lidhje me garantimin dhe respektimin e të drejtave, sidomos lirisë së shprehjes, progres raportet konstatojnë që vendi ynë ka ende për të bërë, me qëllim që të garantohet në mënyrë të plotë liria e shprehjes dhe rëndësia e pasjes të medias së lirë dhe të pavarur. E drejta e lirisë së shprehjes përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë shtetëror (Reporter.al, Manuali i Drejtësisë).

Në kohën e internetit, dixhitalizimit dhe mediave online, portaleve dhe rrjeteve sociale, e drejta për tu shprehur është më e lehtë për tu ushtruar, pasi çdo person nëpërmjet një llogarie personale, blog, vlog etj. ka mundësinë të shprehë mendimin e tij ndaj një personi, fenomeni, situate apo problematike. Me të njëjtin trend që është rritur hapësira për të shprehur mendimin, për të marrë dhe dhënë informacione, shkëmbyer opinione, është rritur dhe rreziku i cënimit të jetës private, dinjitetit dhe reputacionit të individit, të të miturve.

Liria e shprehjes nuk është një e drejtë absolute, ajo mund të kufizohet, me kusht që këto kufizime të jenë të parashikuara me ligj, të jenë në përputhje me gjendjen që i ka diktuar dhe të jenë proporcionale për interes publik. Pra, ushtrimi i lirisë së shprehjes përmban detyrime dhe përgjegjësi dhe kjo liri mund t’u nënshtrohet formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike. Kjo e drejtë nuk kufizon autoritetet shtetërore që t’u kërkojnë ndërmarrjeve të transmetimit audioviziv, televiziv ose kinematografik (medias) të pajisen me licencë (Reporter.al, Manuali i Drejtësisë).

Një rol të rëndësishëm në dhënien e informacionit dhe krijimit të një ure lidhëse midis institucioneve publike dhe qytetarëve janë mediat, të cilat kanë një rol të rëndësishëm informues, investigues, duke mundësuar bërjen sa më transparente të veprimtarisë së institucioneve publike dhe dhënien e informacioneve në fusha të ndryshme. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (GjEDNj) i sheh gazetarët si mbikëqyrës publik, roli i të cilëve është të shpërndajnë informacione dhe ide [iv] përmes mjeteve të ndryshme si televizioni, [v] gazetat, [vi] mediat online [vii] dhe mjeteve tjera të informimit (Reporter.al, Manuali i Drejtësisë).

Ndërkohë që media dhe shtypi janë të organizuara dhe të rregulluara, në shumë shtete media online, portalet nuk përfshihen në rrethin e “medias”, duke e lënë këtë kategori të parregulluar dhe të pambikqyrur. Edhe në shtetet anëtare të BE-së, fusha e zbatimit të kornizës rregullatore të mediave është e kufizuar në shërbimet e mediave audiovizive siç përcaktohet nga Direktiva AVMS dhe për këtë arsye nuk përfshin mediat online, të cilat nuk janë kryesisht ato audiovizive (Furnemont.J, 2019).

Në dekadën e dytë pas pluralizmit politik në Shqipëri, kemi një zhvillim marramendës në fushën e medias dhe tekonologjive të komunikimit. Mediat online u shtuan ndjeshëm dhe pa kuptuar mirë rëndësinë dhe ndikimin e tyre, shumë shpejt numri i individëve që përdornin rrjetet sociale artikulohej me “qindra mijëra” (Çela E., 2015). Shtimi i medias online, portaleve dhe përdorimit në mënyrë masive të internetit ka sjellë që shpeshherë të mos arrihet të monitorohet përmbajtja e informacionit që publikohet, duke cënuar në këtë mënyrë dinjitetin, reputacionin apo të drejtën private të një individi apo një grupi shoqëror.

Lehtësia, fushëveprimi dhe shpejtësia e përhapjes së informacionit në internet, dhe qëndrueshmëria e informacionit, mund të rëndojë në mënyrë të konsiderueshme efektet e përdorimit të gjuhës së paligjshme në internet krahasuar me mediat tradicionale. Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Europian në çështjen e Google Spain kundër Spanjës, analizoi problemin e ekzistencës në internet të informacioneve që ndërhynin në mënyrë serioze në jetën private të një personi për një periudhe të gjatë kohore, dhe konstatoi që të drejtat themelore të individit, si rregull, ishin mbi interesat ekonomike të operatorit të makinerisë së kërkimit dhe interesave të përdoruesve të tjerë të internetit (GjEDNj, 2013).

 

Kufizimet e lirisë së shprehjes, kur bien ndesh me një të drejtë tjetër dhe cënojnë reputacionin apo integritetin e një personi tjetër duhet të gjejnë zbatim për të gjithë personat pavarësisht statusit dhe pozicionit shoqëror, funksionit që kryejnë, për të gjithë llojet e mediave audiovizive, të shkruar, online pavarësisht mënyrës dhe vendit ku publikohet lajmi/informacioni.

Monitorimi dhe “ndëshkimi” i mediave online që “abuzojnë” me lirinë e shprehjes

Kuadri ligjor vendas ka parashikuar një sërë aktesh ligjore të cilat rregullojnë mënyrën e ushtrimit të lirisë së shprehjes, duke i dhënë mundësinë çdo individi, i cili cënohet në dinjitetin, reputacionin, integritetin, jetën private të kërkojë rivendosjen në vend të së drejtës së shkelur dhe ngarkimin me përgjegjësi civile dhe/ose penale personin përgjegjës.

Gjithashtu mediat audiovizive janë të organizuara, rregulluara dhe monitorohen nga organet kompetente në bazë të një ligji të posaçëm, i cili ka për objekt rregullimin e  veprimtarisë së mediave audiovizive dhe shërbimeve mbështetëse të tyre(Ligji nr.97, 2013).

Në Korrik të vitit 2019, Këshilli i Ministrave, propozoi miratimin e ndryshimeve në ligjin për mediat audiovizive, me qëllim që krahas mediave audiovizive, objekt i ligjit të ishin dhe mediat online. Në relacionin që shoqëronte projektligjin, arsyetohej se në kushtet kur mediat elektronike (online) janë një trend në rritje, të cilat po shmangin dhe po zëvendësojnë mediat tradicionale, për shkak të lehtësisë së aksesit së çdo individi dhe përdorimit të portaleve online nga një numër i pakufizuar personash, me qëllim që të mbrohet veçanërisht dinjiteti dhe reputacioni i individit, të miturit nga përmbajtjet e dëmshme dhe të gjithë qytetarëve nga nxitja ndaj urrejtjes, dhunës etj. propozohet amendimi i këtij ligji, si një nismë e domosdoshme mbështetëse për zbatimin më efikas të ligjit për mediat audiovizive, i cili parashikohet të përfshijë në objektin e tij edhe rregullimin e mediave elektronike. Duke mbajtur në fokus veçanërisht influencën e portaleve online gjatë viteve të fundit është e nevojshme që të ndërmerret kjo nismë me qëllim që zhvillimet teknologjike, sociale, etj. të ecin paralelisht me evoluimin e kuadrit ligjor (KEMIP, 2019).

Ky projekt ligj u kritikua dhe u kundërshtua nga shoqëria civile, gazetarë, media, politikanë, aktorët ndërkombëtar, shkak që detyroi qeverinë për të kërkuar një opinion nga Komisioni i Venecias. Sipas Komisionit të Venecias, zgjerimi i regjimit administrativ, që aktualisht shtrihet në fushën e mediave transmetuese, për të gjithë përdoruesit e internetit është i diskutueshëm sepse rrezikon të ekspozojë blogerët individualë dhe përdoruesit e rrjeteve sociale ndaj kufizimeve të padrejta të lirisë së tyre të shprehjes. AMA do të merrte fuqi të rëndësishme administrative për sa i përket pothuajse të gjithë përdoruesve shqiptarë të internetit, në veçanti atë të vendosjes së gjobave të rënda, menjëherë të zbatueshme, për përmbajtje të pahijshme në media. Para se t'i jepen kompetenca kaq të gjera AMA-s dhe KA-së, është e nevojshme të rishikohet përbërja e këtyre organeve, në mënyrë që të sigurohet autonomia e tyre nga kontrolli i qeverisë dhe i korporatave dhe të forcohet profesionalizmi i tyre. Media në internet duhet të përfitojë nga procesi i rregullt ligjor dhe çdo vendim administrativ duhet t'i nënshtrohet shqyrtimit të plotë gjyqësor. Sanksionet duhet të jenë proporcionale (KiE, 2020).

Pavarësisht problematikave që u konstatuan në projektligj, në progres raportin për vitin 2020, është parashikuar që Shqipëria duhet të sigurojë vetërregullimin e mediave online. Nga ana tjetër në progres raport parashikohet se duke shkuar kundër praktikave të vetërregullimit të mbrojtura nga Komisioni për Mediat Online, paketa e re e mediave e cila po rishikohet nga Kuvendi mund të ketë efekt të kundërt mbi lirinë e shprehjes në internet. Paketa i vendos kanalet online nën detyrimin për t'u regjistruar zyrtarisht pranë AMA. Përfaqësues të shumicës qeverisëse janë shprehur publikisht pro ndjekjes së udhëzimeve të Opinionit të Komisionit të Venecias mbi këtë çështje (KiE, 2020).

Aktualisht ende nuk kemi një finalizim të projektligjit, i cili po rishikohet nën udhëzimet e Komisionit të Venecias, si rrjedhojë nuk mund të japim një analizë në lidhje me rregullat, institucionet monitoruese dhe masat që do të parashikohen për “ndëshkimin” e mediave online/portaleve që do të cënojnë dinjitetin, integritetin apo të drejtën private të një personi tjetër. Respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut është i rëndësishëm të bëhet si në planin vertikal, në raportin institucione publike-individ, ashtu dhe në planin horizontal, në raportin individ – individ. Asnjë e drejtë nuk është absolute dhe në asnjë rast nuk duhet që në emër të ushtrimit të një të drejte të cënohet një e drejtë tjetër.

Dinjiteti, reputacioni dhe jeta private e individit, në asnjë rast nuk duhet të cënohen duke u justifikuar me ushtrimin e lirisë së shprehjes, përfitimeve pasurore ose jo pasurore, pasi përdorimi në mënyrë ta pakufishme dhe në mënyrë abuzive të lirisë së shprehjes, mund të sjellë ngarkimin me përgjegjësi civile dhe/ose penale. Masivizimi i përdorimit të medias online/portaleve/rrjeteve sociale, dikton nevojën për marrjen e masave për rregullimin dhe monitorimin e përdorimit të tyre, me qëllim që çdokujt ti respektohet e drejta dhe liria për tu shprehur, por pa rrezikuar dhe cënuar dinjitetin, integritetin, jetën private të dikujt tjetër, sidomos kur objekt i këtyre lajmeve/informacioneve është një i mitur.

Për të vendosur nëse liria e shprehjes është tejkaluar dhe është cënuar nderi, dinjiteti, ose jeta private e një individi, gjykatat kompetente duhet të shqyrtojnë rast pas rasti, duke hetuar dhe analizuar shkeljen e kryer, proporcionalitetin midis dy të drejtave, përmbajtjen e informacionit nëse përmban fakte apo opinione, statusi i personit ndaj të cilit janë shprehur opinionet apo faktet, me qëllim që të krijohet një balancë e drejtë në respektimin e dy të drejtave.

Arbesa Kurti, maj 2021

*Msc. Av.Arbesa Kurti është diplomuar në vitin 2014 në Shkollën Kombëtare të Avokatisë. Prej vitesh ajo punon në këtë fushë, dhe po ashtu është angazhuar ndër vite pranë disa OJF-ve duke mbajtur pozicione të ndryshme. Angazhimet e saj përfshijnë po ashtu konferenca të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, si edhe është bashkëautore e shumë punimeve në lëmin e drejtësisë.

 

Referenca:

“Kuptimi i të drejtave të njeriut”, Doracak mbi arsimin për të drejtat e njeriut”, Qendra Evropiane e Trajnimin dhe Hulumtimit për të Drejtat e Njeriut dhe Demokraci, 2003, Vjenë, Austri, aksesuar në linkun http://www.etc-graz.eu/ëp-content/uploads/2020/08/Manual_vollversion_albanisch.pdf

Çela E. “Roli i medias sociale në zhvillimin e medias tradicionale në Shqipëri”, Tiranë, Shtator 2015 Fq. 67, aksesuar  ne  linkun https://uet.edu.al/images/doktoratura/Erlis_Cela.pdf

Kurti.A, Elezi.E “Aspekte juridiko – penale të mbrojtjes së dinjitetit të njeriut”- Universiteti Hëna e Plotë Bedër në bashkpunim me Universitetin e Tiranës, referuar te linku http://www.dadalos.org/alb/menschenrechte/grundkurs_mr2/Menschenëuerde/menschen.htm

https://www.echr.coe.int/Documents/Convention_Instrument_SQI.pdf

Vendimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut “Delfi vs. Estonisë”, kërkesa nr. 64569/09,  aksesuar në linkun  https://hudoc.echr.coe.int

 “Liria e Shprehjes dhe Media”, aksesuar në linkun https://www.reporter.al/manualidrejtesise/download/LIRIA

Furnemont.J ”Media Regulatory Frameëork and the Online Media- The Macedonian Case”, aksesuar në linkun https://rm.coe.int/media-regulatory-framework-and-the-online-media-the-macedonian-case/16808c9c76

Vendimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut “Delfi vs. Estonisë”, kërkesa nr. 64569/09

https://hudoc.echr.coe.int

Opinionin e Komisionit të Venecias, aksesuar në linkun https://www.coe.int/sq/web/tirana/-/venice-commission-adopts-opinions-on-the-laë-on-audio-visual-media-services-and-on-the-appointment-of-judges-to-the-constitutional-court

Raporti për Shqipërinë 2020, Bruksel 06.10.2020, aksesuar në linkun https://www.parlament.al/DokumentaIntegrimi?integrimId=2

https://fjale.al/dinjitet

Ligji nr.97/2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”

Relacion “Për projektligjin” “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918, datë 19.05.2008 “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar

 

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk