Raportet mes gjuhës dhe politikës janë bërë objekt studimi prej kohësh. Për Christinam (Christinam, 1997), një problem në kompleksin e gjuhës dhe politikës është se si të përcaktohet se çfarë është politikë. Veçanërisht në shekullin XX, si rezultat i zgjerimit masiv të shtypit dhe medias elektronike, gjithnjë e më shumë njerëz janë të ekspozuar ndaj ligjërimit që mund të karakterizohet si politikë në natyrë. Mundësitë për çdo person që të jetë pak a shumë i përfshirë në ligjërimin politik, janë rritur jashtëzakonisht.
Për Fairclough I. dhe Fairclough N. (Fairclough I., Faircloough N., 2012) ngjarjet ligjërimore formohen nga situatat, institucionet dhe strukturat sociale, por ajo gjithashtu i formon ata. Në analizën e ligjërimit, gjuha përdoret për të thënë dhe për të bërë diçka, duke qenë e lidhur me kontekstin në të cilin përdoret. Në të njëjtën linjë qëndron dhe Van Dijk (Van Dijk, 1977), i cili mendon se në ligjërimin politik, strategjitë dhe strukturat e argumentimit mund të organizojnë një diskutim politik, në të cilin qëndrimet e kundërta të të tjerëve sulmohen në mënyrë sistematike, ndërsa ata të grupit politik mbrohen ose luajnë me termat, në funksion të ekzagjerimit ose minimizimit të përmasave të një realiteti politik.
Nëse zbresim në kontekstin politik shqiptar, lojërat me termat në funksion të qëllimeve politike predominojnë ligjërimin politik. Termat përgjithësues si Europa dhe SHBA, janë ndër më të përdorurit dhe kjo ka një shpjegim, pasi, në tërësi, vendeve jashtë BE-së, ose në periferinë e saj, Europa dhe SHBA-ja nuk janë vetëm modele demokracie apo strategji legjitimimi i programeve dhe alternativave politike, por mbi të gjitha i ligjërimit politik të përditshëm. Shpesh, heterogjeniteti i qëndrimeve, interesave, konteksteve apo bindjeve të caktuara politike të aktorëve apo institucioneve të ndryshëm ndërkombëtare, zerohen në përmbajtjen e ligjërimit të aktorëve lokalë në Shqipëri kur lind nevoja për të legjitimuar në sytë e opinionit publik një kauzë apo aksion të caktuar politik, ndërsa kur interesi i tyre nuk përkon me komentet e përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare, gjuha dominohet nga terma të personalizuara, etiketues dhe fyes.
Gjetjet e studimit
Për arsye studimore kemi marrë si rast studimor dy liderët e forcave kryesore politike, Kryeministrin Rama dhe drejtuesin e Partisë Demokratike Basha për të parë natyrën e ligjërimit. Janë përzgjedhur deklaratat e tyre për periudhën janar 2018 – dhjetor 2019 në faqet zyrtare të partive politike që ata drejtojnë. Në faqen zyrtare të Partisë Demokratike janë analizuar 144 fjalime dhe deklarata për shtyp të kryetarit të kësaj partie Lulzim Basha për vitin 2018, dhe 127 për vitin 2019. Ndërsa në faqen zyrtare të Kryeministrit Rama janë analizuar fjalimet dhe deklaratat për shtyp, specifikisht 191 për vitin 2018 dhe 133 për vitin 2019. Metoda e përdorur është metoda e analizës së përmbajtjes e kombinuar me metodën e analizës së ligjërimit.
Liderët | Viti | Deklarata për shtyp | Fjalime | Totali |
Lulzim Basha | 2018 | 19 | 125 | 144 |
Edi Rama | 2018 | 28 | 163 | 191 |
Lulzim Basha | 2019 | 24 | 103 | 127 |
Edi Rama | 2019 | 19 | 114 | 133 |
Referuar termave më të përdorur në ligjërimin e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për vitin 2018 janë: Europa, Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Partitë Popullore Europiane dhe Budenstagu, ndërsa më pak përmenden termat: Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Shtetit, Komuniteti Ndërkombëtar, Eurodeputetët, Parlamenti Europian dhe Krerët e Bashkimit Europian. Bie në sy fakti që termat: Europë dhe Bashkim Europianjanë ndër më të përdorurit krahasuar me SHBA. Nisur nga kjo e dhënë mund të thuhet se për vitin 2018 Basha ka përdorur për referencë apo mbështetje në ligjërimin e tij më shumë termin: Europë, BE sesa SHBA.
Ndërsa në nivele shtetesh dhe qytetesh, Gjermania, Holanda, Italia, Brukseli dhe Franca përmenden më shpesh, ndërsa shtetet që gjejnë më pak përdorim si referencë apo mbështetje në ligjërim janë: Uashingtoni, Danimarka, Greqia, Zvicra etj. Gjermania, siç do të shikojmë edhe te lideri i Partisë Socialiste, zë vend më shumë si referencë apo mbështetje krahasuar me vendet e tjera, por për arsye të ndryshme nga ajo e Partisë Demokratike. Kjo e fundit i referohet më së shumti si mbështetje e kauzave të saj ose si vend që adreson kritika të forta ndaj qeverisë, ndërsa Partia Socialiste i referohet si mbështetëse e liderit Rama në veçanti dhe qeverisë në tërësi.
Në vitin 2019 vërejmë se termat më të përdorur nga Basha janë: Europa, Bashkimi Europian, Budenstagu gjerman, SHBA dhe Këshilli Europian, ndërsa termat më pak të përdorur janë: Shtëpia e Bardhë, ndërkombëtarët, komuniteti ndërkombëtar, eurodeputetët, Komisioni Europian etj. Siç shikohet përsëri dy temat përgjithësues Europa dhe Bashkimi Europian janë më të përdorurit për vitin 2019. Termi i parë përdoret në kuptimin e familjes politike, kulturore dhe ekonomike ku duhet të aderojë Shqipëria, ndërsa tjetra, si referencë e problemeve dhe kritikave që adresohen ndaj performancës së qeverisë.
Interesant është fakti se Basha i referohet më se shumti Europës dhe Bashkimit Europian krahasuar me SHBA. Kjo prirje nxjerr në pah edhe orientimin e liderit Basha që për problematikat që evidentohen në 2018 dhe 2019 të ketë si referencë më shumë atë çfarë deklarohet apo adresohet si kritikë apo sugjerim nga ana e përfaqësuesve të lartë të BE sesa përfaqësuesve apo institucioneve të SHBA.
Për sa i përket shpeshtësisë së përdorimit të termave përgjithësues vërehet dallim mes dy viteve. Një arsye lidhet me intensitetin e ngjarjeve të ndodhura në 2019, të cilat kanë nxitur nevojën për legjitimitetin e komunitetit ndërkombëtar. Në këto kushte është luajtur me strategjinë: sa më përgjithësues termi aq më impresionuese në sytë e publikut mbështetja e komunitetit ndërkombëtar. Po ashtu, sa më i përgjithshëm standardi që kërkohet për vende si ne të bëhen pjesë e familjes europiane, aq më legjitime nevoja për ta përmbushur atë standard.
Në lidhje me shpeshtësinë e përdorimit të shteteve apo qyteteve si mbështetje apo referencë, vërejmë se për vitin 2019 kryetari i opozitës Basha iu është referuar më së shumti shteteve si Gjermania, Britani e Madhe, Holanda, Franca dhe Belgjika, ndërsa më pak të artikuluar janë: Italia, Greqia, Uashingtoni dhe Zvicra.
Nga të dhënat e viteve 2018 dhe 2019 del në pah fakti se në artikulimin në nivel shtetesh dhe qytetesh, Gjermania ka një frekuencë përdorimi qartësisht të dukshme në raport me vendet e tjera. Kjo e dhënë tregon jo vetëm për rolin lider që ka ky vend në BE, por edhe për prezencën e saj krahasuar me vendet e tjera të BE në zhvillimet e fundit politike.
Referuar ligjërimit të kryeministrit Rama, vërejmë se gjatë vitit 2018 termat më shumë të përdorur janë: Bashkimi Europian, Europa, Komisioni Europian, Këshilli Europian dhe SHBA. Ndërsa, termat më pak të përdorur janë: Shtëpia e Bardhë, ndërkombëtarët, Departamenti i Shtetit, komuniteti ndërkombëtar, eurodeputetët, Parlamenti Europian, Institucionet ndërkombëtare etj.
Këto të dhëna tregojnë se gjatë këtij viti, kryeministri Rama ka pasur si fjalë kyçe Bashkimin Europian dhe Europa. Të parin si referencë për legjitimitetin dhe mbështetjen e performancës së qeverisë, ndërsa Europa si sistem vlerash ku mendohet të projektohet në të ardhmen shoqëria shqiptare.
Në nivel shtetesh dhe qytetesh, për 2018 Gjermania, Franca, Greqia, Holanda dhe Brukseli artikulohen më shpesh në ligjërimin e Ramës, krahasuar me shtetet si: Italia, Britania, Uashingtoni, Danimarka etj. Dhe në këtë rast, bie në sy prirja e liderëve shqiptarë për t’iu referuar më shumë vendeve të Europës sesa SHBA-së. Siç konstatuam në rastin e liderit Basha, edhe te Rama, Gjermania përdoret si referencë për të vlerësuar punën e qeverisë ose si mbështetje për aksionet e saj në raport me opozitën. Pra, të dy liderët i referohen Gjermanisë (institucioneve të saj), por për qëllime të kundërta.
Viti 2019 ka një dinamikë tjetër politike dhe ndërhyrja e komunitetit ndërkombëtar shikohet në disa momente si faktor zgjidhjeje. Bojkoti i parlamentit, mospjesëmarrja në zgjedhje lokale, vendimi për hapjen e negociatave, protestat e opozitës, ngërçi për ngritjen e institucioneve të reja, janë disa nga ngjarjet politike për të cilat kërkohet opinioni apo ndërhyrja e komunitetit ndërkombëtar. Në lidhje me shpeshtësinë e përdorimit të termave përgjithësues në këtë periudhë bie në sy fakti se më shumë të përdorur janë: Bashkimi Europian, Europa, SHBA, Këshilli Europian dhe Komisioni Europian, ndërsa, termat më pak të përdorur janë: Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Shtetit, ndërkombëtarët, Komuniteti Ndërkombëtar, eurodeputetët dhe Bundestagu.
Nga të dhënat, bie në sy shpeshtësia e përdorimit të termave përgjithësues Bashkimi Europian, krahasuar me Partinë Demokratike. Së dyti, ndryshe nga Partia Demokratike, SHBA zë më shumë vend në ligjërimin e Ramës për vitin 2019, krahasuar me liderin Basha.
Ndërsa shtetet që përmenden më shumë si burim legjitimiteti apo kritikë adresuar opozitës për 2019 janë: Gjermania, Franca, Holanda, Danimarka dhe Italia, ndërsa më pak të artikuluar janë: Britania e Madhe, Uashingtoni, Greqia dhe Zvicra. Edhe në rastin e Partisë Socialiste bie në sy prirja për t’iu referuar lidershipit të BE, Gjermanisë si burim legjitimiteti dhe mbështetjeje. Francës më shumë i referohet si kritikë për qëndrimin e mbajtur në shtyrjen e vendimit për hapjen e negociatave sesa si mbështetje.
Konkluzione
Të dhënat e mësipërme tregojnë se prirja e liderëve shqiptarë për të përdorur terma përgjithësues dhe shtete të veçanta si nevojë për mbështetje apo si referencë për të justifikuar në publik veprimet apo nismat e tyre është evidente. Së dyti, vërehet tendenca për t’iu referuar më shumë institucioneve të Bashkimit Europian sesa atyre të SHBA-ve. Pavarësisht se kjo e fundit është faktor me shumë influencë dhe ka rol në zhvillimet politike shqiptare, siç kemi argumentuar, në aspektin e peshës që zë në artikulimin e liderëve shqiptarë, SHBA (institucionet e saj) artikulohen më pak se BE. Së treti, të dy liderët i referohen Gjermanisë (institucioneve të saj, përfaqësuesve të rëndësishëm politikë), duke nxjerrë në pah rolin vendimtar që ka kjo e fundit në politikën e jashtme dhe brenda vendimeve që merren në institucionet e Bashkimit Europian. Së katërti, të dy liderët i referohen Gjermanisë, por për qëllime krejt të kundërta. I pari pretendon se mbështet qeverinë dhe kritikon kundërshtarin, ndërsa i dyti mendon për të kundërtën. Së pesti, lideri Basha i referohet më shumë Europës si sistem vlerash sesa Rama, ndërsa ky i fundit i referohet më së shumti Bashkimit Europian si referencë institucionale nisur nga rekomandimet, vendimet dhe opinionet qe adreson ndaj Shqipërisë krahasuar me Bashën.
Roland Lami, prill 2021
*Prof Asoc, Dr. Roland Lami mban gradën Doktor në Shkenca Politike, MA në Sociologji, MA në Studime Europiane dhe BA në Sociologji të Universitetit të Tiranës. Ai është autor i librave: “Njohuri Bazë të Kërkimit në Shkencat Sociale”, ”Komunikimi dhe Marrëdhënia Shoqërore”, “Identity of Political Parties in Albania (during the period 1990 – 2013)” “Kriza e demokracisë lokale” dhe “Ndërkombëtarët dhe partitokracia në Shqipëri”. Gjithashtu, ai ka botuar me dhjetra artikuj në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit si dhe studime në fushën e shkencave politike për llogari të disa institucioneve ndërkombëtare.
Referenca:
Bormann, E.G. (1986) Fantasy theme analysis of presidential debates. In T. Ensink, A. van Essen and T. van der Geest (eds) Discourse Analysis and Public Life. Papers of the Groningen Conference on Medical and Political Discourse (pp. 289-36).
Barbullusi, O. (2008) “Kështu foli Evropa – Mbi ndërtimin dhe përdorimin e europianizimit të ligjërimit zyrtar dhe politik,“ Ndërkombëtarët dhe demokratizimi, Revista Polis 4, Tirane : UET PRESS, .fq, 9
Christinam S (1997) Analysing Political Speeches, London: Blackwell Publishing Ltd, pp 6,
Chilton, P. (2004) Analysing Political Discourse, London and New York: Routledge pp 12.
Fairclough, I. Fairclough, N. (2012) Political Discourse Analysis: A Method for Advanced Students. Routledge: London.
Foucault, M (2011) Pushteti i dijes, Tirane: UET PRESS.
Kajsiu, B (2005) “ Ligjerimi steril,” Colloquium Liberal', Tirane: Dituria.