Gjatë javës së Europës, EMA organizoi forumin “Procesi i Integrimit të Shqipërisë në BE”me të ftuar zv. Ministrin e Integrimit Europian z. Gentian Elezi, duke i ofruar mundësi studentëve të njihen më afër me sfidat e Shqipërisë drejt Integrimit, programin e hartuar nga qeveria mbi 5 prioritetet kyçe të Shqipërisë për hapjen e negociatave, angazhimin e institucioneve për raportimin para statusit, nevojën për bashkëpunim dhe angazhim të aktorëve pjesëmarrës në proces etj. Disa nga çështjet e ngritura për diskutim nga studentët ishin mbi kostot e Shqipërisë dhe vështirësitë ekonomike për përballjen me konkurrencën europiane, mbi reformën administrative ne vend, rëndësinë e një lobimi më efektiv, luftën ndaj korrupsionit dhe funksionimin e shtetit të së drejtës, etj.
Në sajë të bashkëpunimit të vendosur me Lëvizjet Europiane në Finlandë, Irlandë dhe Slloveni, EMA mirëpriti në Tiranë përfaqësues të këtyre organizatave të cilët ndoqën nga afër festimet e javës së Europës. Liisa Ketolainen nga EMFinland u shpreh kështu për eksperiencën e saj në Tiranë: “E kam shijuar tërësisht qëndrimin tim në kryeqytetin shqiptar. Nga dikush qe vjen nga një shtet euroskeptik si Finlanda, ishte surprizuese të dëgjoje se shumica e vendasve në Shqipëri e konsideronin aq të dëshirueshëm anëtarësimin në BE. Shqipëria i ka rezistuar një periudhe të gjatë izolimi komunist, dhe tashmë pas shumë ndryshimesh në vend, unë besoj se integrimi në BE i vendit do të vazhdojë e do thellohet. Vendet që kam vizituar, njerëzit që kam patur fat t’i takoj më kanë hapur sytë për një vend, për të cilin s’dija shumë paraprakisht, dhe më kanë rritur dëshirën e kuriozitetin të kthehem sërish.”
Ndërkohë që festimet vazhdonin në Helsinki, por të përqendruara më shumë në zgjedhjet parlamentare europiane, vullnetarja e EMA-s ndan ekperiencën e saj në kryeqytetin finlandez: “Praktikisht EM Finland po merret me fushatën zgjedhore të disa partive që kanë shprehur dëshirën të propagandohen, kështu që lëvizin përditë në një qytet të ri. Është një fushatë e thjeshtë, më tepër se për partitë në fjalë, propagandohet votimi si një e drejtë dhe një detyrim qytetar ndaj vendit. Kjo është një nismë shumë qytetare dhe e moralshme, dhe me aq sa pashë mendoj se lëvizja po bën një punë produktive. Finlandezët, ndryshe nga ç’i përshkruajnë, janë të afrueshëm dhe gazmorë. Ndryshe nga qytetet e tjera turistike, Helsinki nuk kishte as madhështinë e Romës, as romantizmin e Parisit. Ashtu sikurse dhe banorët, qytetin e gjeta të rregullt, të disiplinuar por miqësor edhe pse në pamje të parë të ftohtë”.
Dita e Europës s’mund të ishte e njëjta pa Konkursin Europian të Fotografisë, ku secili i pasionuar kishte mundësinë të shprehte cfarë domethënie kishte të qenit europian për të. Shqipëria u përfaqësua denjësisht, pasi në kategorinë Juvenes (nën 18 vjeç) fotoja e një gjimnazisteje shqipatre Doris Rapi doli e para, dhe në kategorinë Europa( mbi 18 vjeç) ndër 10 fotografitë më të mira janë përzgjedhur ato të Erdjol Yzeiri, Ervin Gjokutaj dhe Edi Sara nga Shqipëria.
Stafi i EuroSpeak, qershor 2014