Analizë e problematikave të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore të kthim/kompensimit të pronave në Shqipëri

Analizë e problematikave të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore të kthim/kompensimit të pronave në Shqipëri

***

Jurisprudenca e Gjykatës Europiane së të Drejtave të Njeriut mbi çështjen e e ekzekutimit të vendimeve të së drejtës së pronësisë në vendin tonë

Qindra vendime të Gjykatës së Strasburgut e kanë gjobitur shtetin shqiptar për shkak të problemeve që shtetasit shqiptarë kanë pasur me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Është theksuar në vendimet e Strasburgut detyrimi që ka shteti shqiptar për të ekzekutuar vendimet gjyqesore, pasi ky mosekzekutim cenon thelbin e vetë të drejtës dhe mohon parimin e një procesi të rregullt gjyqësor (Avokati i Popullit, 2018)Pikërisht deri në vitin 2006 Gjykata Kushtetuese e konsideronte ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë si një çështje jashtë juridiksionit të saj pasi sipas saj mosekzekutimi i vendimeve gjyqesore nuk cënonte procesin e rregullt ligjor, konkretisht nenin 42 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së. Për pasojë të gjitha kërkesat që ankimoheshin në këtë gjykatë për mosekzekutim të vendimeve gjyqësore konsideroheshin nga gjykata si çështje jashtë juridiksionit të saj. Në këtë mënyrë individët detyroheshin që ta ankimonin çështjen në GJEDNJ me shpresën se do të gjenin një zgjidhje. Për shkak të numrit të madh të çështjeve me po të njëjtën objekt gjykimi, GJEDNJ-ja u shpreh përfundimisht në çështjen “Qufaj Co.sh.p.k.kundër Shqipërisë”. Sipas gjykatës së Strasburgut Gjykata Kushtetuese, por edhe organet e tjera gjyqësore dhe administrative shqiptare duhet të mbajnë parasysh mirë obiter dicta-n themelore të Gjykatës së Strasburgut në paragrafin 38 të këtij vendimi sipas të cilit “ekzekutimi i një vendimi gjyqësor të dhënë nga cilado gjykatë duhet konsideruar si pjesë përbërëse e ‘procesit të drejtë’ për qëllimet e nenit 6 të KEDNJ-së (Bianko, Kumbaro, 2017). Pra sikurse theksohet qartë në jurisprudencën e GJEDNJ-së ekzekutimi i vendimeve gjyqësore duhet të shikohet si pjesë e pandashme e procesit të drejtë gjyqësor sepse në të kundërt vendimi gjyqësor nuk do të kishte asnjë vlerë për aq kohë sa e drejta nuk ekzekutohet. Ndërsa në vendimin pilot “Manushaqe Puto kundër Shqipërisë”, GJEDNJ ka konstatuar se ka patur shkelje të Konventës Europiane e të Drejtave  Njeriut për shkak të mosfunksionimit të mekanizmit ekzistues të kthimit dhe kompensimit të pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist (Avokati i Popullit, 2018). Ky mekanizëm ka rezultuar jo efikas, pasi po zgjat tashmë prej mbi 30 vjet pa ofruar zgjidhje të drejtë dhe përfundimtare për subjektet e shpronësuara gjatë regjimit komunist. Gjykata ka konstatuar shkelje të Nenit 6.1 të Konventës, nenit 13 dhe Nenit 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës (Çështja Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, (Ankimi nr. 609/07). Sipas saj moszbatimi i vendimeve të formës së prerë që njohin të drejtën e kthimit/kompensimit për pronat e konfiskuara gjatë regjimit komunist, është pa dyshim një problem i hershëm strukturor i sistemit ligjor shqiptar. Vënia në funksionim e një mekanizmi efektiv të kthimit/kompensimit të pronës mbetej një sfidë për shtetin shqiptar, neglizhenca e të cilës i ka sjelle sot një faturë të madhe financiare.

Ligji nr 133/2015 "Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” dhe risitë e tij

Për zgjidhjen e kësaj çështje qeveria iu përgjigj kësaj kërkese të GJEDNJ-së dhe finalizoi miratimin e ligjit nr 133/2015 "Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Por duhet theksuar fakti që deri në vitin 2015, prona trajtohej me dy mekanizma të ndryshëm ligjorë, me atë të ndarjes së tokës bujqësore nëpërmjet Ligjit nr. 7501/1991 i cili nuk i referohej të drejtës së ish-pronarëve, dhe me ligjin nr 9235 datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” për pronarin apo trashëgimtarin e tij. Prona gjithashtu trajtohej nga organe të ndryshme të zbatimit të këtyre ligjeve. Kjo situate ligjore dhe institucionale solli nga njëra anë ngushtim të plotësimit të kërkesave të ish-pronarëve për t’iu kthyer prona dhe, nga ana tjetër krijoi një konflikt juridiksioni i cili gjeneroi mosmarrëveshje në zgjidhjen e çështjeve konkrete. Legjislacioni jo i plotë, praktika gjyqësore e pastabilizuar dhe me mungesa të shumta koherence bëri që ky proces jo vetëm të zgjaste në kohë, por edhe të mos jepte rezultatet e kërkuara. Nevoja për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare raportit të pronarit me pronën e shpronësuar, çoi në hartimin dhe miratimin e Ligjit 133/2015, i cili merr përsipër t’i japë zgjidhje përfundimtare, sipas afateve të përcaktuara në këtë ligj, çështjes së kompensimit të ish-pronarëve (Komentar mbi ligjin nr 133/2015). Ligji nr 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” padyshim që solli risi të medha duke treguar një qasje të re për përfundimin e procesit të kompensimit. Për herë të parë ky ligj vendosi afate realiste dhe statusore.

Sipas tij, procesi 25 vjeçar i njohjes së pronësisë do të mbyllej brenda 3 vitesh dhe do të përfundojë vlerësimin ekonomik të 26 mijë vendimeve për kompensim. Për këtë u krijua një fond i qëndrueshëm dhe i paprekshëm për kompensimin, si edhe, kompensimit fizik iu dha përparësi kundrejt çdo forme kompensimi tjetër (Ligj nr 133/2015). Për ta vlerësuar efektivitetin e këtij ligji në vendimin e fundit të vitit 2020 Beshiri kundër Shqipërisë, GJEDNJ- ja u ndal dhe e shqyrtoi me imtësi skemën e re për shqyrtimin e shumë kërkesave të pazgjidhura për mosekzekutim të vendimeve të kompensimit të cilat nuk ishin ekzekutuar prej disa dekadash (COE, 2020). Sipas gjykatës skema, e cila hyri në fuqi më anë të Ligjit nr 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, ishte një përgjigje ndaj vendimit pilot të Gjykatës në çështjen Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë, të shpallur më 2012. Gjykata arriti në përfundimin se skema e ofruar me “Ligjin për Trajtimin e Pronës” ishte një mjet ligjor efektiv i cili duhej shteruar nga kërkuesit, edhe pse kërkesat e tyre ishin regjistruar shumë kohë përpara hyrjes në fuqi të ligjit. Ndaj kërkesat u deklaruan të papranueshme për mosshterim të mjeteve të brendshme, ose si të parakohshme, ose sepse kërkuesit nuk gëzonin më cilësinë e viktimës për shkelje të të drejtave të tyre (COE, 2020). Gjykata shtoi edhe një kusht kyç: ajo çmoi se, në disa raste, vlerësimi i pronave sipas këtij ligji mund të rezultonte në nivele shumë më të ulëta të kompensimit (për disa ish-pronarë) në krahasim me legjislacionin e mëparshëm. Për të shmangur një barrë ekstreme mbi këtë kategori të ish-pronarëve, kompensimi sipas skemës së re duhet të jetë jo më pak se 10% e vlerës së pronës që ish-pronarët do të përfitonin nëse vlerësimi financiar do të llogaritej mbi bazën e zërit kadastral aktual të pronës së shpronësuar.

Mosveprimi i qeverisë shqiptare dhe ndikimet negative të këtyre vendimeve në ekonomi

Por pavarësisht qëndrimit pozitiv që ka mbajtur GJEDNJ-ja në këtë vendim duke e cilësuar kështu skemën e re të kompensimit të ish-pronarëve në Shqipëri si një mjet ligjor efektiv, sërish angazhimi i Qeverisë për të përfunduar ekzekutimin e gjithë vendimeve gjyqësore të formës së prerë (titujve ekzekutiv) të dhëna në vite, sipas të cilëve ishte vendosur detyrimi i institucioneve buxhetore të paguajnë detyrime në të holla apo të kryejnë përmbushjen e një veprimi të caktuar ndaj subjekteve të ndryshëm gjyqfitues, nuk është në nivelin e angazhimit të marrë. Pra, problemi i mosekzekutimit të titujve ekzekutiv vazhdon të mbetet një nga problemet e përsëritura me të cilin është ndeshur edhe institucioni i Avokatit të Popullit. Rezulton e qartë nga praktika se në mospërputhje me parashikimet e akteve ligjore si dhe atyre të nxjerra në funksion të tyre, Shërbimi i Përmbarimit Gjyqësor Shtetëror, në procesin e ekzekutimit të titujve ekzekutiv, me rastin e mospërmbushjes së detyrimit në mënyrë vullnetare prej vetë palës debitore, nuk kryen në mënyrë aktive veprimet përmbarimore të cilat do të mund të sjellin ekzekutimin e detyrueshëm të tyre, duke mos luajtur në këtë mënyrë rolin vendimtar që i takon në procesin e ekzekutimit. Që nga viti 2000 e deri më sot, janë evidentuar mjaft ankesa dhe janë bërë publike qindra vendime gjyqësore, me faturë financiare të konsiderueshme të cilat shteti shqiptar, i përfaqësuar nga institucione qendrore dhe lokale ia ka borxh shtetasve të tij. Ky borxh vetëm për shkak të mosrespektimit të parimit të ligjshmërisë nga ana e autoriteteve të ngarkuara me ligj për ekzekutimin e tyre, rrit faturën financiare nga dita në ditë për shkak të mospërmbushjes së tij që në momentin e marrjes formë të prerë të vendimit gjyqësor. Gjithashtu paqartësitë mbi pronësinë e sendit të paluajtshëm kufizojnë investitorët dhe pengojnë zhvillimin ekonomik dhe financiar të vendit duke qenë se të drejtat e pronësisë të mirëpërcaktuara e të detyrueshme për t’u zbatuar janë parakusht për funksionimin e ekonomisë së tregut. Për sa kohë këto të drejta janë të dobëta, një ekonomi tregu nuk mund të shërbejë me efiçencë dhe progresi ekonomik është thellësisht i penguar (Xhihani, 2018). Në këtë konkluzion ka arritur edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në çështjen “Ramadhi dhe të tjerët kundër Shqipërisë” duke i cilësuar vendimet e paankimuara të Komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave si vendime “të formës së prerë dhe të ekzekutueshme”. Ndërsa tentativat për të vendosur një ligj që lejon rishikimin administrativ janë cilësuar sipas Gjykatës Kushtetuese si antikushtetuese.

Konkluzione

Megjithatë unë mendoj që në vitet e fundit legjislacioni shqiptar është përmirësuar ndjeshëm dhe janë bërë ndryshime mjaft drastike në shumë institute të së drejtës së pronësisë. Pikërisht ligji nr 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë” ka parashikuar një rregullim të posacëm për pronarët joposedues, pasuritë e të cilëve janë zënë nga parcelat e ndërtimeve të legalizuara. Sipas këtij ligji është pikërisht Këshilli i Ministrave, organi i cili miraton vlerën e kompensimit financiar për sipërfaqet takuese. Llogaritja e vlerës së kompensimit sipas ligjit bëhet në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së pronës, për llojin e pasurisë “truall”. Në këtë ligj gjithashtu i është kushtuar një rëndësi e veçantë edhe dixhitalizimit dhe hartëzimit të pronës së paluajtshme shtetërore e publike, si edhe, ASHK-ja si organi më i ri i krijuar ka detyrimin ligjor për të korrigjuar pasaktësitë hartografike dhe gabimet e tjera materiale të titujve të pronësisë, që kanë si origjinë aktet administrative të lëshuara nga institucionet shtetërore, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ky reformim vjen në vazhdimësi të sugjerimeve të bëra në progres raportet e Komisionit Europian dhe ka si qëllim përputhshmërinë e të dhënave të titujve të pronësisë me gjendjen, pozicionin dhe konfigurimin faktik të pasurisë. Pavarësisht se në dukje ky parashikim duket si dicka normale në fakt ka një rëndësi mjaft të madhe pasi eviton mjaft procese gjyqësore për zgjidhjen e këtyre pasaktësive materiale të bëra po nga vetë organet administrative. Për ta përmbyllur mund të them se problemet me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të kthim kompensimit në Shqipëri vazhdojnë të mbeten edhe sot pavarësisht ndërhyrjeve ligjore që në teori kanë qenë efektive, por që në praktikë sjellin një faturë të kripur për shtetin shqiptar. Gjithsesi pa marrë parasysh gjëndjen e vështirë ekonomike të shtetit shqiptar në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga këto vendime, jurisprudenca e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut ka mbajtur qëndrimin se faza e ekzekutimit të vendimit është faza e realizimit të së drejtës së kërkuesit efektivisht dhe si e tillë është pjesë përbërëse e konceptit të gjykimit brenda një afati të arsyeshëm duke ndryshuar keshtu edhe vete qasjen e Gjykates Kushtetuese. Realizimi i gjykimit brenda një afati të arsyeshëm përcakton në një masë të ndjeshme efektivitetin e gjykimit. Ndaj sipas saj ekzekutimi i vendimit të formës së prerë të gjykatës konsiderohet si faza përfundimtare e realizimit të një të drejte të fituar gjyqësisht. Vetëm pas realizimit të kësaj faze mund të konsiderohet se individi e ka vendosur plotësisht në vend të drejtën e tij të fituar gjyqësisht.

Evanthi Suli, janar 2021

*Evanthi Suli ka kryer studimet pranë Fakultetit të Drejtësisë në nivelin bachelor në vitet akademike 2017-2020 duke u vlerësuar me medalje të artë. Ajo është duke ndjekur në mënyrë paralele programin e studimit Master Shkencor në të Drejtë Publike, pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe programin e studimit Master Shkencor në Administrim Publik pranë Fakultetit të Ekonomise, Universiteti i Tiranës. Momentalisht është e punësuar si juriste. Fushat kryesore të kërkimit përfshijnë të drejtën administrative, të drejtën kushtetuese dhe të drejtën sociale etj.

Referenca:

https://www.avokatipopullit.gov.al/media/manager/website/reports/Raporti i vecante

http://www.avokaturashtetit.gov.al/wp-content/uploads/2013/12/Ceshtja-Qufaj1.doc

https://www.coe.int/sq/web/tirana/-/court-endorses-new-albanian-scheme-for-compensating-former-owners-as-an-effective-remedy

http://www.doktoratura.unitir.edu.al/wp-content/uploads/2018/06/Eliona Elezi Xhihani.pdf

Qeverisja në mbrojtjen e të drejtave mbi pronën e paluajtshme në Shqipëri: sfidë e vazhdueshme” Dokument informativ i Bankës Botërore (prill 2012)

Ledi Bianku “Jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut

Vendimi i GJEDNJ “Çështja Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë” (Ankimi nr. 609/07)

Komentar mbi ligjin nr 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e proçesit të.kompensimit të pronave” CoE

Ligj nr 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e proçesit të.kompensimit të pronave

 


1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk