Konsolidimi i diasporës shqiptare në vendet e Bashkimit Europian

Konsolidimi i diasporës shqiptare në vendet e Bashkimit Europian

“Diaspora e vjetër” lidhet me valën e parë të emigrimit të popullsisë shqiptare në drejtim të vendeve europiane, por jo vetëm. Arbëreshët u vendosën në Itali në shekujt XIV-XV dhe emigruan kryesisht për shkak të zhvillimeve politike e luftarake në Shqipëri. Komuniteti arbëresh ka ruajtur origjinën, gjuhën, kulturën e traditat shqiptare dhe prej tyre kanë dalë një sërë personalitetesh të rëndësishëm.

Ndërsa "diaspora e re" përbëhet nga ata që kanë emigruar pas viteve 1990 dhe përkon me valën e madhe të migrimit pas rënies së komunizmit. Shumica e tyre janë vendosur apo bëjnë përpjekje të vendosen në shtetet e Europës Perëndimore. Këtu vlen të përmendim edhe 500 mijë qytetarë të Shqipërisë, të cilët në fillim të viteve ’90, pas hapjes së Shqipërisë ndaj botës, u shpërngulën në Greqi, Itali si dhe në vende të tjera europiane. Shqiptarët që emigruan masivisht drejt Italisë, kanë formuar atje për nga numri, komunitetin e dytë më të madh të imigrantëve në këtë vend. 

Po a u përshtatën shqiptarët në vendet pritëse europiane? Cilat janë shtetet europiane ku u vendosën  më shumë ata gjatë lëvizjes së madhe migratore të vitit 1990? Sa është numri i tyre në këto vende europiane? A ka vijuar emigracioni pas viteve 1990? Cilat ishin dhe janë arsyet e emigrimit?

Shumë pak dihet për numrin vjetor aktual të migrantëve në të gjithë botën dhe informacioni i pakët i disponueshëm është kontradiktor.  BE përmes dispozitave për migracionin dhe azilin synon  të sigurojë një politikë më të plotë për migracionin, nga një politikë që kryesisht ka reaguar në luftën ndaj flukseve të parregullta në një politikë më të plotë bazuar në menaxhimin e migracionit, dhe në mënyrë të veçantë të flukseve të tij. Migracioni është shndërruar tashmë në një dukuri globale që në një formë a një tjetër prek të  gjithë shtetet në mbarë botën. Ndikimet e tij janë të konsiderueshme si në aspektin shoqëror dhe atë individual. Migracioni vazhdon të jetë një çështje e rëndësishme për shumë vende në botë, duke ndikuar si në vendet e origjinës, ashtu edhe në ato pritëse.

Kjo dukuri është e hershme për shumë vende të botës. Secili prej tyre në periudha të caktuara është ballafaquar me procesin e emigrimit. Një proces i tillë ndodhi dhe me shqiptarët gjatë periudhës së rënies së regjimit komunist në vitet ‘90. Ndonëse niveli i migrimit ka pasur luhatje gjatë dy dekadave të fundit, ecuria e përgjithshme ka prirje të rritet më kalimin e kohës. Termi “një jetë më e mire” përfshin një gamë të gjerë faktorësh që i detyrojnë shqiptarët të largohen dhe është e reflektuar në mungesën e njëtrajtshmërisë ndërmjet emigrantëve shqiptarë.

 Ata janë  vendosur kryesisht në vende me pozicion gjeografik afër Shqipërisë, si rasti i Italisë, apo dhe në vende ku mund të kenë kërkesa për fuqi punëtore në fusha të ndryshme si në rastin e Gjermanisë e cila kohët e fundit po ofron shumë hapësirë për emigrantët shqiptarë të specializuar në fushën e mjekësisë. Prirja për të emigruar drejt  vendeve të BE po vihet re nga të gjitha shtresat sociale, ndonëse kohët e fundit vihet re më shumë një “emigrim i trurit”. Përveç  Gjermanisë, preferencat e emigrantëve shqiptarë janë dhe vendet e tjera fqinje, si rasti i Greqisë. Afërsisht 3/5 e migrantëve jetojnë në Greqi, 1/5 në Itali dhe 1/5 në Europën Perëndimore dhe vende të tjera të botës (Papanagos Harry, Sanfey Peter, 2001). Diaspora e vjetër ka qenë e vendosur kryesisht në SHBA dhe disa vende të Europës Perëndimore, ndërsa diaspora e re është vendosur në Greqi, Itali, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Zvicër, Francë etj. 

Historiku i krijimit të Diasporës shqiptare dhe zgjerimi i saj

Diaspora në Itali

Shqipëria dhe Italia janë dy vende fqinje të cilat ndonëse me tradita dhe kultura të ndryshme kanë ditur të ruajnë dhe forcojnë  lidhjet mes tyre. Italia dhe Shqipëria ndahen nga njëra –tjetra  vetëm nga një det me një gjatësi 75 km. Për raportet mes dy palëve dhe kryesisht emigrimet e shqiptarëve drejt Italisë janë munduar të hedhin dritë shumë studime ndonëse ende sot ka mjaft pikëpyetje. Ka vështirësi sepse shqiptarët që emigruan nuk ndenjën në një vend të caktuar, por shpesh kaluan nga një fshat në tjetrin, nga një krahinë në tjetrën për të gjetur kushte të mira jetese dhe njëkohësisht për t`u ruajtur nga asimilimi (Kamsi, 2006). Megjithatë sot dihet se në Italinë e Jugut, nga trevat e Abruzzos e deri në skaj të Kalabrisë e në Siçili gjenden një numër i madh shqiptarësh (Tirta, 2004).

Sipas dokumenteve të gjetura në arkivin e Napolit nga studiues si Francesco Tajani, Lorenzo Giustiniani, dhe arkivisti Manfredi Polumbo thuhet se numri i shqiptarëve arrin 200.000 mijë frymë të shpërndarë në 80 vende. Sipas studimeve dhe të dhënave thuhet se arbëreshët u vendosën edhe në shumë vende, disa prej të cilave u zhdukën me kalimin e viteve. Kjo na bën të kuptojmë që numri i arbëreshëve mund të ketë qenë më i madh sesa ky që deklarohet nga studimet e fundit. Shumë prej fshatrave apo qyteteve janë zhdukur e bashkë me to dhe popullsia arbëreshe e cila është asimiluar me popullsinë vendase.

Emigrimi i shqiptarëve në Itali ndikoi që të formoheshin koloni të rëndësishme ndër të cilat përmendim Provincën e Cosenzës. Prej vitit 1999, gjuha “arbëreshe” njihet nga qeveria italiane si gjuha e “pakicës etnike dhe gjuhësore.” Në fillim të viteve 1990 një valë masive emigrantësh shqiptarë u drejtuan drejt Italisë, duke formuar për nga numri komunitetin e dytë më të madh të imigrantëve në këtë vend ( INSTAT,2020).

Diaspora në Greqi e vende të tjera

Migrimi i arbëreshëve në Greqi filloi në fund të shekullit të XIII dhe mbaroi rreth vitit 1600 nga një rajon e quajtur Arbëria, e cila ishte pjesë e Despotetit të Epirit (rajoni qendror i Shqipërisë moderne).  Gjithashtu në Greqi ndodhet komuniteti më i madh i emigrantëve shqiptarë, të cilët u vendosën në këtë vend pas vitit 1990. Emigrantët shqiptarë janë një vlerë e shtuar për ekonominë dhe shoqërinë në Greqi. Ata janë integruar me sukses në tregun e punës dhe në shoqërinë vendase (INSTAT, 2020).

Shqiptarët kanë emigruar dhe në shumë vende të tjera ku krijuan komunitetet e tyre si në Rumani, Turqi, Bullgari, Egjipt, Zvicër, Gjermani, Francë, Britani e Madhe madje deri në Amerikë e Australi. 

Statistikat për rezidencën dhe moshën e shqiptarëve të vendosur në vendet europiane

Të dhënat e censuseve të fundit të popullsisë dhe banesave, raundi 2010 tregojnë se 905 mijë individë të lindur në Shqipëri kanë qenë rezidentë të zakonshëm në 28 vende të Europës; nga ana tjetër, statistikat që lidhen me shtetësinë tregojnë se 962 mijë shtetas shqiptarë jetojnë në 15 vende të Europës (Eurostat, 2011). Italia dhe Greqia kanë përqindjen më të madhe të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit (rreth 75%). Ato ndiqen nga SHBA, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Belgjika, etj. Emigrimi në dekadën e fundit shënonte: 56 % meshkuj në Gjermani dhe Greqi, dhe 51% meshkuj në Itali. Emigrimi në Gjermani akoma ka të ngjarë të jetë i lidhur ngushtë me punësimin (dhe studimin) e cila tregohet nga raporti i ulët i fëmijëve migrantë (France The National Institute of Statistics and Economic, 2017). Në krahasim me të, Italia dhe veçanërisht Greqia kanë një shpërndarje moshore më të gjerë, treguese e migrimit familjar. Këto shpërndarje moshore të emigrimit reflektohen tek të dhënat në strukturën e popullsisë së Shqipërisë që aktualisht jeton jashtë vendit siç raportohet në Censusin e 2011. Sipas të dhënave të raundit të censuseve të 2010, shtetas shqiptarë që jetojnë në Europë figurojnë të jenë të një moshe të re. Rreth 36% e tyre i përkasin grupmoshës 30-49 vjeç. Shifrat tregojnë se janë femrat ato që dominojnë për grup moshat nën 15 vjeç dhe 15-29 vjeç, ndërsa meshkujt janë më të shumtë në numër në grup moshën 30-49 vjeç (38,6%) (UNDESA, 2019).

A vijon emigracioni i shqiptarëve drejt vendeve të BE? Cilat janë arsyet e emigrimit aktual në raport me të kaluarën? Cilat janë vendet me përqindjet më të larta të emigrantëve shqiptarë?

Shumë pak dihet për numrin vjetor aktual të migrantëve në të gjithë botën dhe informacioni i pakët i disponueshëm është kontradiktor. Shpesh është theksuar se informacioni statistikor mbi migracionin është i pamjaftueshëm dhe jo i plotë sa i përket disponueshmërisë, harmonizimit të koncepteve dhe saktësisëProf. Russel King, në Shkollën për Studime Globale, në Universitetin e Sussex në Britaninë e Madhe si dhe Drejtor i Qendrës Sussex për Kërkime mbi emigracionin, e njohur në të gjithë botën thekson se sipas situatës së të dhënave  emigrimi i shqiptarëve vazhdon, që prej afër 30 vitesh. Por natyra e tij po ndryshon: nuk është më një dukuri për arsye ekonomike apo politike, por një dukuri që po prek të gjitha shtresat e shoqërisë, grupmoshat, klasat e ndryshme shoqërore për nga të ardhurat. Emigrimi potencial është rritur në vitin 2018 në 52% nga 44% që ka qenë në 2007. 

Studimi tregon se tendenca më e fundit është ajo e emigrimit të njerëzve që kanë mbaruar universitetin, i rinisë së kualifikuar në nivel të lartë, që ka dëshirë të madhe të emigrojë. 57%  e grupmoshës 18-40 vjeç synojnë të emigrojnë. 46%  e atyre që nuk  kanë emigruar asnjëherë synojnë të emigrojnë. 72%  e emigrantëve të  kthyer, pra e atyre që kanë qenë një herë në emigracion, dëshirojnë të ikin përsëri. Për shkak të krizës financiare në Greqi dhe Itali në 2008, rreth 134 mijë emigrantë në këto dy vende fqinje u detyruan të kthehen në Shqipëri, sepse humbën vendet e punës. Rreth 1.4 milion vetë, pothuajse gjysma e popullsisë së tanishme të Shqipërisë,  ka emigruar në Europën Perëndimore, SHBA dhe Kanada, që nga rënia e regjimit komunist në 1991 e deri më sot (Ballkanbooster, 2018). Shqipërisë po i ikën truri, po i ikin përvoja dhe kualifikime të nivelit të lartë. Por kjo dukuri nuk po ndodh vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe Europën Lindore. Pasojat bëhen edhe më të rënda nga kombinimi i ikjes me rënien e numrit të lindjeve. Gjithsesi, nëse zhvillimi ekonomiko-social në Shqipëri ndodh në drejtimin e duhur, ai  mund të ndalojë rininë të emigrojë. Industria e turizmit ofron mundësi për rininë, jo domosdoshmërisht për ata që kanë kualifikime të nivelit të lartë si doktorë, juristë etj, por për ata që kanë kualifikime të nivelit të mesëm, po kështu manifaktura, sektori bankar dhe ai financiar, menaxhimi. Por duhet ngritur një sistem meritokracie transparence në emërime, që mungon në Shqipëri. Duhen përmirësuar standardet e rekrutimit në tregun e punës. Shqipëria ka burime për t'u zhvilluar nëse ato përdoren si duhet. 

A e favorizon situata në Europë dhe në botë dëshirën e shqiptarëve për të emigruar?

Nëse shohim skenarin global të emigracionit, shumë vende kërkojnë emigrantë me eksperiencë profesionale. Kanadaja, Australia apo vende të tjera, kanë politika emigrimi që tërheqin njerëzit me përvoja të nivelit të lartë në disa sektorë të ekonomisë. Të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, që kanë nivel të lartë njohurish, gjejnë punë në këto vende. Shqipëria humbet rininë e saj të kualifikuar, për të cilën ajo ka investuar vite të tëra, e cila kur ikën kontribuon jo për vendin e saj, por për vendet ku emigron (Ballkanbooster,2018).

 

Denisa Tare, maj 2021

*Dr. Denisa Tare ka përfunduar studimet universitare ne degën Histori pranë Fakultetit Histori-Filologji, Tiranë. Ajo ka kryer studimet pasuniversitare po në këtë fakultet, ku teza e mbrojtur ka qenë "Arbëreshët e Italisë dhe çështja kombëtare shqiptare". Prej vitit 2019 mban pozicionin e lektores së brendshme pranë Universitetit "Aleksandër Moisiu", në Fakultetin e Shkencave Politike Juridike. Është autore e një sërë botimesh, ku ndër to edhe e librit "Arbëreshët e Italisë dhe çështja kombëtare shqiptare në vitet 1878-1912".

 

Referenca:

Papanagos Harry,S,P,  (2001) “Intention to emigrate in transition countries: “The case of Albania in Journal or Population Economics”

INSTAT,  2020  Disapora shqiptare në shifra

Ballkanbooster, https://p.dw.com/p/37Mh5, Shqipëria e para në Evropë dhe e pesta në botë për emigracionin potencial

UNDESA (2019) International migrant stock : https://www..un.org/en/development/desa/population/migration/data/estimates2/estimates19.asp

France The National Institute of Statistics and Economic (2017), Foreigners - Immigrants: country of birth and detailed nationalities: https://www.insee.fr/fr/statistiques/4510549?sommaire=4510556#consulter-sommair

Eurostat, https://ec.europa.eu/CensusHub2/query.do?step=selectHyperCube&qhc=false

Zangari, D. “Le colonie italo-albanezi di Calabria, Storia e Demografia sex XV-XIX,. Napoli: Casella, 1941,.f.50

Petrotta R. Arbëreshët e Siqelisë, Tiranë,1941, f.18-20

Costanza, C. Cenno storico sugli albanesi d’Italia,Napoli, 1908

Demetrio, E. Arbëria: storia, kultura, folklore, Castrovillari: il Coscile, 1988

Cabej,  E . Në botën e arbëreshëve të Italisë: përmbledhje studimesh” Tiranë: 8 Nëntori, 1987

Procacci, G. Historia e Italianëve .Toena, Tiranë.2000

Scaglione, P. Historia e Shqiptarëvet  t’ Italisë, Neë  York, 1921

Kamsi, K. Shqipëtarët e Italisë, Tiranë, Phohemix, 2006, f. 29                                 

Tirta, M. Vazhdimsi mërgimi dhe mbijetesë etnik., “Kultura Popullore”, nr.1, 2004, f.6

Kamsi, K . Arbëreshët e Italisë, “Leka”, viti VII, nr,1, 1935,f.28-29

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk