Integrimi i Shqipërisë në BE mes përpjekjeve kombëtare & rajonale

Integrimi i Shqipërisë në BE mes përpjekjeve kombëtare & rajonale


Shumë analiza të vlerësimit të procesit tonë integrues europian janë fokusuar në elementë të politikave dhe vendimmarrjeve që prodhojnë pasoja në plan kombëtar. Analiza e ecurisë dhe pozicionimit të zbatimit të politikës së fqinjësisë së mirë, mbetet një koordinatë e rëndësishme, e cila shpeshherë rezulton me pengesa si në planin politik dhe atë juridik. Ky artikull synon të: analizojë qasjen politike - juridike të BE ndaj vlerësimit të zbatimit të politikës së fqinjësisë së mirë si 'kriter integrues', duke dhënë disa mendime mbi zbatimin e alternativave të tjera për forcimin e promovimit të duhur të rolit të Shqipërisë si katalizator në rajonin e Ballkanit, si një tregues i qartë i procesit të integrimit.


Hyrje
Sa herë bëhet fjalë për kriteret e anëtarësimit të vendeve të reja në BE, vendimmarrja europiane paraqitet dinamike dhe duket hera-herës sikur ndryshon vazhdimisht, në mënyrë të shpeshtë dhe të shpejtë. Një nga këto dimensione të kësaj vendimmarrjeje është dhe vlerësimi i politikës së fqinjësisë së mirë. Ky destinacion vjen si një prej aspekteve të së drejtës ndërkombëtare dhe politikave shumëpalëshe që vendet aplikojnë. Në mënyrë direkte apo indirekte, Bashkimi Europian duket se i ka dhënë një hapësirë të konsiderueshme se si vendet që duan anëtarësimin qasen ndaj këtij parimi. Deklarata të shumta të zyrtarëve, institucioneve europiane, takimet dy apo shumëpalëshe e nxjerrin në pah këtë 'fenomen vlerësimi'.

Përtej të qenit një dinamikë deklaratash, kërkesa për zbatim të politikës së fqinjësisë së mirë, përbën dhe një koordinatë ligjore. Kriteret e Kopenhagenit, të vendosura në vitin 1993, kërkojnë ndër të tjera që shtetet që duan anëtarësimin, të respektojnë dhe mbrojnë minoritetet. Realiteti ballkanik përbën një serë vendesh të cilat gjeografikisht dhe politikisht ndodhen në kufi me njëri-tjetrin, duke bërë që edhe në planin historik minoritetet të jenë pika e takimit të tyre.

Edhe pse kriteri i Kopenhagenit i referohet vetëm minoriteteve, mesazhet zyrtare që vijnë nga progres raportet, takimet politike në nivel zyrtar ndërkombëtar e vendosin theksin te politika e fqinjësisë së mirë. Duke e zhvendosur arsyetimin përtej logjikës juridike, qasja e një vendi kandidat në arenën ndërkombëtare është tregues i konsiderueshëm se si do të 'sillet' ky shtet në bashkëjetesën e përbashkët europiane. Edhe pse jo ekzaktësisht një koordinatë ligjore e mirëpërcaktuar europiane, analogjia apo paralelizmi se si një shtet kandidat për në arenën europiane sillet me fqinjët e tij, për BE është një tregues garant se si ky shtet do të bashkëjetojë me rregullat dhe mjedisin europian.

Analiza
Politika e zgjerimit e Bashkimit Europian foli me tone të qarta në vitin 1993, në Kopenhagen, përmes Këshillit Europian duke përcaktuar ndër të tjera se shtetet kandidate duhet që të respektojnë të drejtat e minoriteteve. Më tej, në vitin 1995 përcaktoi se shtetet kandidatë përveç kritereve të Kopenhagenit do të duhet që të futeshin në ritmin e legjislacionit të BE përmes strukturave administrative.

Çështjet lidhur me minoritetet imponojnë për një fqinjësi të mirë mes shteteve. Rastet mes Serbisë dhe Kosovës, Shqipërisë dhe Greqisë janë shembuj tipikë të cilët kanë marrë jo pak herë vëmendjen e zyrtarëve europianë. Deklaratat e tyre thërrasin vazhdimisht për dialog. Edhe pse në kriteret e Kopenhagenit nuk gjejmë të sanksionuar kriterin e politikës së fqinjësisë së mirë si matës direkt i anëtarësimit të një shteti kandidat në BE, pozicionimi i këtij aspekti shihet si një urë që të adreson në mënyrë të tërthortë te zbatimi i politikës së fqinjësisë së mirë. Me këtë ritëm vëzhgues, BE luan edhe një funksion 'parandalues', pasi çështjet që lidhen me minoritetet në të ardhmen mund të përbëjnë kauza problematike rajonale në arenën europiane.

Porta të tjera, në të cilat 'indirekt' gjejmë të pozicionuar politikën e fqinjësisë së mirë janë Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe Procesi i Berlinit.

Procesi i Berlinit është një shembull konkret se si politika e fqinjësisë së mirë ndër vendet e Ballkanit do të mundësojë dhe hapë pranimin e tyre nga BE. Procesi i Berlinit, erdhi si një nismë e ndërmarrë nga shteti gjerman, që synon të mbledhë projektet rajonale në mjedisin ballkanik me mbështetjen e BE-së duke i orientuar rezultatet e tyre drejt integrimit. Edhe pse në përmbajtjen e dokumenteve të procesit të Berlinit nuk gjejmë konkretisht elementin e politikës së fqinjësisë së mirë, si nismë prezantohet qartë me kërkesën e bashkëpunimit ndërballkanik si element kryesor dhe bazë për anëtarësimin e këtyre vendeve sa më shpejt në BE.

Një tjetër dokument i rëndësishëm, MSA, parashikon se Shqipëria angazhohet të vazhdojë dhe të nxisë bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me vendet e tjera të rajonit sa i përket lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, shërbimeve, personave etj. Njëkohësisht, MSA-ja përcakton se dialogu politik duhet të përfshijë elementin e bashkëpunimit rajonal dhe politikës së fqinjësisë së mirë. MSA, prezantohet si dokumenti ligjor komunikues mes Shqipërisë dhe BE që flet haptazi për bashkëpunimin rajonal (Neni 12), duke i vendosur detyrën e promovimit të bashkëpunimit rajonal në mënyrë aktive. Ekzistenca e bazës ligjore e cila në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë sanksionon këtë parim, bën që fqinjësia e mirë të mos lihet në duart e preferencave politike, por mbi të gjitha të përcaktojë një detyrim ligjor me qëllim integrimin në Union.


Bashkëpunimi rajonal ballkanik mesa duket gjendet jo vetëm si një kërkesë me karakter opsional për Bashkimin Europian, por ajo hera-herës prezantohet me fuqi implementuese. Është e qartë që rezultatet e kësaj politike nuk janë ekskluzivisht të matshme apo në mënyrë të drejtpërdrejtë. Një mekanizëm interesant i BE-së, përveç deklaratave zyrtare dhe dokumenteve strategjikë në nivel politik janë dhe progresraportet. Edhe pse akte ligjore që adresojnë problematika dhe arritjet në nivel të brendshëm kombëtar, në përmbajtjen e tyre këto progresraporte shprehen me tone konkrete lidhur me vlerësimin e ecurisë së politikës së fqinjësisë së mirë.

Në raportin e fundit të Komisionit për progresin e vendit tonë për vitin që lamë pas (2019), shprehet qartë se Shqipëria ka vazhduar të marrë pjesë aktive në bashkëpunimin rajonal dhe të mbajë marrëdhënie të mira me fqinjët. Po ashtu, janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të zgjidhur marrëdhëniet dypalëshe me Greqinë. Raportet, duke qenë se japin bilancin vjetor të ecurisë së vendit tonë drejt Unionit, fakti që shprehen qartë, por jo në mënyrë detajuese për fqinjësinë e mirë, kjo tregon se është një fokus i cili nuk duhet harruar. Nëse do t'i konceptonim si dy drejtëza përpjekjet në nivel kombëtar dhe politikat ndër-rajonale, do të thoja që janë dy drejtëza që duhet të ecin paralelisht me njëra-tjetrën si procese pune, të cilat emëruesin e përbashkët kanë integrimin europian. Pavarësisht se në momente të caktuara, njëri proces mund të kërkojë më shumë vëmendje se tjetri, janë dy anë të medaljes për të cilat duhen punuar vazhdimisht nga qeverisja shqiptare. Këto procese, kërkojnë ndër të tjera një profil të qartë lobues e negociues.

Shqipëria, në vijim të pohimeve të vlerësimit europian, ka ndërtuar një profil lobues dhe negociues, edhe përtej marrëdhënieve zyrtare apo komunikimit zyrtar. Kujtojmë 'lëvizjen e fundit', dërgimi i një grupi mjekësh dhe infermierësh në Italinë fqinje. Ky kontribut dha disa mesazhe:

1. Vëmendjen e dedikuar nga një shtet i cili gjithashtu gjendej në vështirësi resursesh lidhur me situatën e Covid.

2. Solidaritetin ndërkombëtar, një vlerë e promovuar nga politikat europiane dhe Traktati i Lisbonës

3. Një mesazh që 'harresa europiane' ndaj Italisë në këtë situatë nuk ishte sjellja e shtetit fqinj, me të cilin i bashkon një histori shekullore e marrëdhënieve dypalëshe.

Në fillesat e para, Shqipëria loboi dhe negocioi në hapa që më tepër se të zbatonin, kishin nevojë të kuptonin raportin në planin e gjerë ndërkombëtar dhe veçanërisht atë ballkanik (fqinj). Një varg i gjerë negociatash vijuan deri në nënshkrimin e MSA-së më 12 qershor 2006, e cila do të hynte në fuqi në 1 Prill 2009.

E sjell këtë moment në vëmendjen e këtij punimi për të analizuar një dimension të rëndësishëm të aspektit lobues dhe negociues të shtetit në këtë pikë të rrugëtimit. MSA do të hynte në fuqi vetëm pasi të ishte ratifikuar nga Parlamenti Europian (PE), ai shqiptar dhe parlamentet e të gjitha vendeve anëtare të BE-së (që figuronin të tilla deri në momentin e nënshkrimit). Shqipëria loboi fort nëpërmjet takimeve të shpeshta me Gjermaninë, Francën dhe Greqinë të cilat nuk e ratifikonin MSA-në. Shteti shqiptar kërkonte dhe miratimin e parlamentit rumun dhe atij bullgar. Ky i fundit përbën një "lobim të panevojshëm" dhe "jo prioritar", sepse shtetit shqiptar i mjaftonte miratimi i 25 vendeve që ishin anëtare të BE-së deri në momentin e nënshkrimit të MSA. Gjithsesi, kjo shënon një mosorientim të saktë ligjor e politik në një nga destinacionet e MSA-së për periudhën e stacionuar.

Profili lobues dhe ai negociues në këto momente, pas marrjes së statusit të vendit kandidat, hapjes së negociatave në mars 2020, Shqipëria duhet të ketë në fokus specifik komunikimin e vazhdueshëm me institucionet europiane, por nga ana tjetër edhe me krerët e shteteve të BE-së.

Nga ana tjetër, lobimi dhe profili i saj në marrëdhëniet e krijuara në Ballkanin Perëndimor nuk duhet të mbeten një klauzolë e harruar. Shqipëria duhet t'ia rikujtojë vetes si dhe aktorëve të tjerë europianë rolin e saj si katalizator i stabilizimit të marrëdhënieve në rajon. Duke u cilësuar shpeshherë si epiqendra e trevave shqiptare, marrëdhënia e saj me vendet ballkanike duhet të shënojë rezultate të arrira bashkëpunimi, sidomos pas dhënies së këtij vendimi. Shengeni ballkanik, projekti i shumëpërfolur i vitit të kaluar, solli jo pak konfuzion në vetë vendet e Ballkanit Perëndimor, por dhe në vetë strukturat europiane.

Kjo ide u gjend mes hapave që shtetet po bëjnë për t'u integruar në BE dhe stabilitetit që vetë këto vende duhet të gjejnë me njëri - tjetrin. Ndër të tjera, analistët dhe deklaratat e shumta adresuan faktin se ku konsiston Shengeni ballkanik në një kohë ku secili prej këtyre vendeve është anëtar i Marrëveshjes së Shengenit. A është imitimi një zgjidhje dhe lobimi i duhur në këto raste për realitetin ballkanik?

E sidoqoftë......'Bashkimi Europian është një arenë vendimmarrjesh, por dhe ndjesish'. Në këtë kuadër, Shqipëria duhet të vijojë drejt anëtarësimit përmes vigjilencës me dy kahe: nga njëra anë strukturat e BE-së e nga ana tjetër ruajtja e paqes në rajon, duke u cilësuar kështu shpeshherë si terreni që mund të mbajë stabilitetin e Ballkanit edhe nëse në një të ardhme vendet anëtarësohen në BE.

Konkluzione dhe rekomandime

Në këtë optikë, mendoj se disa nga aspektet që ky shkrim përcjell si konkluzione dhe rekomandime janë:

1. Politika e fqinjësisë së mirë është një kërkesë dhe marzh vlerësues i BE ndaj Shqipërisë, si vend që kërkon anëtarësimin në BE. Ndoshta, ka ardhur momenti, sidomos pas dhënies së vendimit për hapjen e negociatave, që institucionet e BE-së të dalin me rekomandime konkrete në progres raporte apo në vlerësime dhe opinione gjatë seancave për hapat konkretë të cilat Shqipëria mund t'i marrë për bashkëpunimin rajonal me fqinjët dhe Ballkanin Perëndimor kryesisht.

2. Shqipëria në sjelljen e saj përballë BE duhet të ndërtojë një profil të qartë lobues dhe negociues paralelisht në të njëjtën kohë me vendet e Ballkanit dhe ato fqinje si dhe me institucionet e BE-së, duke ia transmetuar në mënyrë të qartë vendimmarrjen se politika e fqinjësisë së mirë, përtej të qenit një angazhim politik, është mbi të gjitha një detyrim ligjor dhe i normave të së drejtës ndërkombëtare, europiane.

3. Rekomandohet mbajtja në vëmendje e rolit të Shqipërisë si katalizator i stabilitetit në rajon nga vetë vendimmarrësit e vendit tonë si dhe nga strukturat përkatëse të BE-së, duke punuar më fort dhe vazhdimisht në këtë fushë për të përshpejtuar hapat e integrimit europian.

 

Olta Qejvani, maj 2020

*Olta Qejvani është lektore e së Drejtës së Bashkimit Europian që prej vitit 2016. Ajo është aktualisht studente e doktoraturës në Universitetin Kombëtar të Shkencave Politike në Bukuresht. Tema kërkimore ka në fokus studimin e iniciativave ligjore në BE dhe qasjen e Shqipërisë ndaj referendumeve lokale. Olta është shkruese e mjaft artikujve shkencorë për qeverisjen e mirë, administratën publike, përafrimin e legjislacionit tonë me të BE etj. 

Referenca

I. Akte normative
Ligj nr.9590, dt. 27.07.2006 "Për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe komuniteteve europiane e shteteve të tyre anëtare"
Mendim i Këshilli të Ministrave drejtuar Kuvendit për progresraportin e vitit 2019 të Komisionit Evropian

II.Webliografia
www.euobserver.com
www.europa.eu
www.kas.de
www.logincee.org
www.mfa.gov.al
www.mie.gov.al
www.qbz.gov.al
www.parlament.al
www.ema-al.org
www.koha.net
www.dap.gov.al

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk