Duke qenë mbledhja e parë pas vendimit të Këshillit Europian më 27 Qershor 2014 ku Shqipërisë ju dha statusi i vendit kandidat, Këshilli e mirëpriti këtë moment si shumë të rëndësishëm në procesin e integrimit të Shqipërisë pasi nënkupton gjithashtu dhe forcimin e marrëdhënieve BE-Shqipëri.
Këshilli SA vuri në dukje se Progres Raporti 2014 i Komisionit për Shqipërinë tregon se vendi ka bërë përparime drejt përmbushjes së kritereve politike për anëtarësim, duke miratuar masa kyçe për reformën gjyqësore dhe administratën publike dhe duke ndërmarrë hapa te mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar , si dhe në çështjet e të drejtave të njeriut.
Gjatë takimit u diskutuan konkluzionet e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të datës 16 dhjetor 2014, i cili vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe aktivitetet e intensifikuara për zbatimin e ligjit të cilat kanë rezultuar në rritjen e e konfiskimeve të drogës, si dhe në avancimin e reformës gjyqësore. Këshilli SA theksoi se hapja e negociatave për anëtarësim do të shqyrtohet nga Këshilli Europian, pasi Komisioni ka vlerësuar se Shqipëria ka arritur shkallën e nevojshme të përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit. Delegacioni shqiptar u shpreh se shpreson se vendimi për hapjen e negociatave të anëtarësimit do të bëhet nëpërmjet një procesi të besueshëm në bazë të përparimit të vendit në përmbushjen e pesë kritereve. BE vuri në dukje se disa sfida ende qëndrojnë përpara dhe se Shqipëria duhet të intensifikojë përpjekjet e saj për reformim, veçanërisht në kuadrin ligjor. BE inkurajoi Shqipërinë për të konsoliduar arritjet e reformave të ndërmarra deri më tani dhe të ofrojë zbatimin e qëndrueshëm të tyre.
Këshilli rikujtoi se BE do të vazhdojë të mbështesë plotësisht integrimin e Shqipërisë dhe inkurajoi angazhimin e autoriteteve shqiptare për të përforcuar dhe zbatuar axhendën e reformave në vend.
Këshilli SA vuri në dukje se dialogu politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në Parlament mes mazhorancës dhe opozitës është thelbësor për qëndrueshmërinë e reformave integruese europiane. Në këtë kontekst, BE vlerësoi marrëveshjen politike ndërpartiake të 24 Dhjetorit 2014 dhe u bëri thirrje të gjitha palëve shqiptare për të siguruar zbatimin e saj. U mirëprit edhe krijimi i Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, i kryesuar nga opozita, si një instrument i rëndësishëm për një qasje gjithëpërfshirëse në reformat e integrimit në BE. Megjithatë, përfaqësuesit europianë vunë në dukje me shqetësim tensionet e vazhdueshme politike midis aktorëve kryesorë politik.
Këshilli i Stabilizim Asociimit theksoi se është shumë e rëndësishme që zgjedhjet e ardhshme të kryhen në përputhje me standardet europiane. Organet e administratës duhet të kryejnë detyrat e tyre në mënyrë të pavarur brenda kornizës përkatëse ligjore. Reforma për një administratë publike efikase dhe të depolitizuar mbetet prioritet kyç për Shqipërinë dhe është një nga shtyllat themelore të procesit të integrimit në BE. U vlerësuan hapat e ndërmarra nga Shqipëria deri më tani në zbatimin e Ligjit të ri të Shërbimit Civil, dhe u shprehën kundërshtime për çdo ndryshim të këtij ligji që mund të pengojnë perspektivën afatgjatë dhe angazhimin e Shqipërisë për të pasur një shërbim civil profesional. BE mirëpriti gjithashtu miratimin e Strategjisë për Reformën e Administratës Publike 2015-2020 dhe Kodin e ri të Proçedurave Administrative, bëri thirrje për zbatimin e tyre.
Ndërkohë që reforma e sistemit gjyqësor mbetet sfida kryesore, Këshilli tha se pavarësia, neutraliteti, transparenca, efikasiteti dhe përgjegjësia e sistemit gjyqësor janë elementët kyç për anëtarësim në BE dhe të rëndësishëm për të siguruar zbatimin e ligjit dhe progresin në luftën kundër korrupsionit. Këshilli inkurajoi Shqipërinë të vazhdojë bashkëpunimin e saj me shoqërinë civile dhe Komisionin Europian për Demokraci nëpërmjet Ligjit. Duke rivënë në dukje se lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet kyç për Shqipërinë, BE vlerësoi angazhimin dhë përpjekjet e Shqipërisë për të forcuar kuadrin ligjor, koordinimin dhe monitorimin e politikave, dhe Planin e Veprimit për Strategjinë Anti-korrupsion. BE vlerësoi lancimin e portalit online ku qytetarët mund të paraqesin ankesat dhe denoncimin e rasteve të korrupsionit, duke theksuar këtu rëndësinë e trajtimit efektiv dhe ndjekjen konkrete të rasteve.
Lufta kundër krimit të organizuar mbetet një tjetër sfidë për Shqipërinë. Këshilli bëri thirrje që përpjekjet të rriten, në mënyrë që të arrihet një bazë të dhënash solide dhe të besueshme për demaskimin e rrjeteve kriminale dhe në mënyrë që të zbatohet plotësisht kuadri ligjor të hiqet çdo pengesë e mundshme ndaj hetimeve, duke përfshirë këtu miratimin e ndryshimeve në Kodin e Proçedurës Penale.
Pasi vlerësoi përpjekjet e autoriteteve shqiptare për të siguruar respektimin e kushteve për liberalizimin e vizave, BE vuri në dukje se kërkesat e qytetarëve shqiptarë për azil në vendet anëtare të BE-së vazhdojnë të rriten. BE i bën thirrje autoriteteve shqiptare të zbatojnë masa afatshkurtra dhe afatgjata në luftimin e kësaj dukurie negative, duke ndjekur deri në fund rekomandimet e dhëna nga Komisioni Europian në kuadër të Mekanizmave Monitoruese të Post-Liberalizimit të Vizave. Më tej u vu në dukje se Shqipëria ka bërë përpjekje për forcimin e mbrojtjes të të drejtave themelore duke përmirësuar kornizën relevante legjislative. Gjithsesi u bë thirrje për përpjekje të mëtejshme dhe zbatim efektiv, veçanërisht në mbrojtjen e personave që u përkasin minoriteteve. Në këtë aspekt miratimi i një kuadri më të plotë ligjor, në përputhje me standardet europiane dhe ndërkombëtare, ende mbetet një arritje e rëndësishme për t'u siguruar.
Për sa i përket aspektit ekonomik përfaqësuesit e institucioneve të BE-së u shprehën se Shqipëria ka bërë progres të mëtejshëm duke qenë një ekonomi tregu funksionale dhe ka ruajtur stabilitetin makroekonomik. Megjithatë, vendi ende përballet me sfida të rëndësishme. Në përputhje me konkluzionet e përbashkëta të Dialogut Ekonomik dhe Financiar mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, Shqipëria u inkurajua për përpjekje të mëtejshme në vendosjen e financave publike në një bazë të qëndrueshme, duke ruajtur hapësirën fiskale për investimet e nevojshme publike. BE vlerësoi angazhimin e plotë të autoriteteve shqiptare në përgatitjen e IPA II, në veçanti bashkëpunimin e mirë për finalizimin e qasjes strategjike dhe përgatitjen e dokumenteve të planifikimit për IPA 2015.
Këshilli SA vlerësoi pjesëmarrjen aktive të Shqipërisë në nismat rajonale dhe marrëdhëniet pozitive dhe konstruktive me vendet fqinjë. Në këtë kontekst, BE përgëzoi Kryesinë Shqiptare për përpjekjet pozitive dhe përkushtimin e saj në procesin e Bashkëpunimit të Europës Juglindore. BE inkurajoi Shqipërinë që të mbetet e angazhuar duke përfunduar konventat dypalëshe, dhe të promovojë më tej bashkëpunimin rajonal pasi marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe stabiliteti rajonal janë elemente thelbësore të procesit të Stabilizim-Asocimit. Gjithashtu Këshilli SA vlerësoi pajtueshmërinë e plotë të Shqipërisë me vendimet e Politikave të Jashtme dhe të Sigurisë dhe vendimet e Këshillit Europian.
Këshilli Europian, maj 2015