Angazhimet dhe pritshmëritë mbi bashkëpunimin rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë takimit Ministerial në Durrës

Angazhimet dhe pritshmëritë mbi bashkëpunimin rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë takimit Ministerial në Durrës


Ky takim zhvillohet në vazhdimësi të samitit të mëparshëm në Vjenë dhe paraprin Samitin e Parisit që pritet të realizohet në korrik. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të gatshme të hedhin hapa të mëtejshëm bashkëpunimi dhe partneriteti, dhe kjo u vu re më së miri kur ata kërkuan unanimisht finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Për Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Z. Ditmir Bushati puna duhet vazhduar me kusht që Samiti i Parisit të jetë efektiv në pesë fusha kryesore:

1. Implementimi i plotë i të gjithë masave të vendosura në samitin e Vjenës, që do të lejonte financimin e projekteve rajonale për vitin 2016
2. Fokus mbi rininë, duke përfshirë programe studimi dhe trajnime profesionale
3. Zgjidhje e mosmarrëveshjeve në rajon
4. Bashkëpunim mes vendeve ballkanike dhe Bashkimit Europian për përballimin e krizës së refugjatëve , por edhe në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm
5. Roli i një shoqërie civile aktive si një moderator në implementimin cilësor të marrëveshjeve të arritura.

Në diskutimet e mbajtura në Durrës u dallua se ndërlidhja dhe konektiviteti mbeten fushat kryesore të investimit dhe zhvillimit të mëtejshëm të rajonit. Edhe projektet e prezantuara nga Shqipëria për tu financuar në Samitin e Parisit bën pjesë në fushën e transportit dhe infrastrukturës, pasi lidhet më ndërtimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, dhe krijimin e një dege drejt Aeroportit Nënë Tereza. Ministri Bushati përmendi dhe projektet e mbështetura financiarisht nga BE në Konferencën e Vjenës për Shqipërinë, si ndërtimi i sistemi elektrik që do të ndërlidhet edhe me Maqedoninë. Projekte tjetër madhor infrastrukturor i diskutuar ishte edhe Vija Blu, një projekt që planifikon të lidhë brigjet e Kroacisë me Bosnjën, Malin e Zi dhe Shqipërinë duke përfunduar me Greqinë, dhe vlerësohet si një nismë që do të rrisë turizmin dhe do të lehtësoje lëvizjen e qytetarëve. Vendet që do të përfitojnë më shumë nga ky projekt janë Shqipëria dhe Mali i Zi, pasi do të marrin nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim një grant prej 4 milion €.

Komisioneri i Bashkimit Europian për Fqinjësinë, Johannes Hahn përshëndeti takimin dhe arritjen e deritanishme në fushën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të bërë nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Fushat kryesore të përmendura gjatë fjalës së tij përfshinin ndërlidhjen dhe energjinë, rininë dhe financimin ekonomik të BE-së si dhe pritshmëritë e Samitit të Parisit.

Axhenda për Rininë: Nisja e një skeme pilot për ata të rinj që janë pjesë e shërbimit civil, do t’u japë mundësinë të marrin pjesë në një program 4 javor në Universitetin Po të Parisit apo në London School of Economics, si dhe një eksperiencë 2-3 mujorë në një nga administratat e vendeve fqinje. Për BE-në ka një rëndësi të madhe zhvillimi i të rinjve dhe planifikohet gjithashtu të krijohet një portal që do të lehtësojë mbledhjen e informacionit për të rinjtë e rajonit që duan të punojnë apo studiojnë jashtë vendit, duke mundësuar si zhvillimin e potencialit të kapitalit njerëzor të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe përafrimin me vlerat dhe parimet e vendeve europiane.

Ndërlidhja dhe konektiviteti: Nuk është vetëm infrastruktura e rëndësishme por edhe marrëveshjet dhe masat e tjera ligjore dhe administrative që lehtësojnë bashkëpunimin dhe shkëmbimin mes vendeve të rajonit, bizneseve dhe njerëzve. Kjo do të forcojë aftësinë konkurruese të vendeve dhe do të krijojë një rrjet transporti dhe energjie, duke zhvilluar marrëdhëniet dhe paqen në rajon. Traktati i Komunitetit të Transportit dhe krijimi i një Tregu Rajonal për Elektricitetin për Vendet e Ballkanit shihen si dy elemente thelbësore për progresin e mëtejshëm në këtë fushë.

Mbështetja Financiare: BE vazhdon të jetë e angazhuar në ndihmën financiare që i ofron rajonit të Ballkanit, ku për axhendën e ndërlidhjes për periudhën 2014-2020 kjo shumë arrin 1 bilion €. Kuadri i Investimeve të Ballkanit Perëndimor është platforma kyçe për bashkëpunimin dhe në Samitin e Parisit pritet të prezantohet paketa e investimeve për vitin 2016 që sipas Balkan Insight mund të arrijë deri në 150 milion €.
Në planet e së ardhmes përfshihen edhe krijimi i Fondit për Ballkanin Perëndimor që do të themelohet në Tiranë, si dhe hapja e Zyrës Rajonale e Bashkëpunimit Rinor, nismë e filluar nga Serbia dhe Shqipëria që gjithashtu do ta ketë selinë në Tiranë.
                                                                                                                 Komisioni Europian, mars 2016

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk