Marrëveshjet u nënshkruan nga ministri serb i Financave, Dusan Vujoviç dhe nga pala shqiptare, me firmën e ministrit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Për Vuk Drashkoviç, ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve me karakter europian jo vetëm që do t’i europianizojë marëdhëniet midis të dyja vendeve, por edhe do të europianizojë të gjithë rajonin e Ballkanit. Sipas Shkëlzen Maliqit, Këshilltarit të Kryeministrit shqiptar për Çështjet e Rajonit, midis të dyja vendeve kanë ekzistuar 17 marrëveshje, madje të përgatitura edhe tekstualisht por për shkak të mungesës së kontakteve të vazhdueshme ndërmjet të dyja vendeve, si pasojë ka munguar edhe vullneti për t’i nënshkruar ato. Pra, kontaktet midis të dyja vendeve, të cilat janë anëtare të Këshillit të Europës, OSBE-së (Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunim Europian), CEFTA-s (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Europës Qëndrore), si dhe të BSEC-së (Organizata e Bashkëpunimit Ekonimik të Detit të Zi), kanë qenë të vazhdueshme por për herë të parë që pas 68 vitesh ato kanë shkuar më tej, duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi.
Si Rama, ashtu edhe homologu i tij serb Aleksandër Vuçiç treguan gatishmërinë e tyre për ta kapërcyer të shkuarën dhe për të hapur një faqe të re të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve- integrimi i të dyja vendeve ballkanike në një të ardhme të afërt në Bashkimin Europian. Kryeministri serb, Vuçiç shprehu dëshirën e tij për mundësinë e rritjes së investimeve serbe në Shqipëri ndërsa homologu i tij shqiptar Rama theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta bilaterale ekonomike midis Shqipërisë dhe Serbisë, e cila do të ketë ndikimin e vet në të gjithë rajonin.
“Kjo vizitë shënon një fillim të ri dhe shpresoj se marrëdhëniet pragmatike midis Serbisë dhe Shqipërisë do të fokusohen jo vetëm në progresin e marrëdhënieve tona politike dhe ekonomike, por gjithashtu edhe në progresin e e marrëdhënieve midis të gjitha vendeve të rajonit tonë. Ne do të bëjmë gjithçka brenda mundësive tona për të punuar për afrimin e të dyja vendeve si dhe për të siguruar mbështetjen financiare të BE-së veçanërisht për projektet tona të përbashkëta infrastrukturore, sepse kjo është mjaft e rëndësishme për rritjen tonë ekonomike,” deklaroi kryeministri serb Vuçiç.
Ndërkohë homologu i tij shqiptar Rama u shpreh se “Shqipëria është e gatshme ta lërë pas të shkuarën dhe të fokusohet totalisht në të ardhmen e saj europiane bashkarisht me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat do të bashkohen permes paqes në rugën e tyre të përbashkët europiane. Armiku real janë varfëria, papunësia, mungesa e perspektivës pë të rinjtë, borxhi publik dhe defiçiti i trashëguar nga e kaluara dhe jo njëri tjetri.”
Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë për Politikat e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së Federica Mogherinit-kjo e fundit promotori kryesor i kësaj vizitë- krahas rëndësisë historike që pati kjo vizitë si një fillim i ri drejt normalizimit të marrëdhënieve dy palëshesi dhe inkurajimin e të dy lidershipeve për ta çuar përpara në të ardhmen këtë proçes sa delikat aq edhe sfidues përmes dialogut, përsëriti rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si një pjesë mjaft e rëndësishme përsa i përket Integrimit Europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Perspektiva europiane e këtyre vendeve, të dala nga konfliktet e zgjatura ndëretnike, nëpërmjet liberalizimit të tregtisë ndërrajonale, do t’i ndihmojë mjaft për të rritur bashkëpunimin e tyre të përbashkët politik dhe ekonomik. Pra siç shihet qartë kapërcimi i problemeve aktuale si dhe zgjidhja e çështjeve të hapura, e cila është një prej objektivave kryesore në axhendën e BE-së, shërben për të krijuar një të ardhme më të mirë për këtë rajon kaq të brishtë. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë bërë vende anëtare ose potencialisht vende kandidate por fakti që i gjithë rajoni i Ballkanit të bëhet pjesë e BE-së, fatkeqsisht është larg nga realiteti. Proçesi i anëtarësimit ka nevojë si për përpjekjet e vendeve kandidate ashtu si edhe për vullnetin e anëtarëve dhe institucioneve të BE-së për të pranuar të porsaardhurit në familjen e tyre të madhe europiane.
EurActiv, nëntor 2014