Transparenca në financimin e fushatave zgjedhore: ku qëndron Shqipëria?

Transparenca në financimin e fushatave zgjedhore: ku qëndron Shqipëria?

Secili Shtet Palë duhet të konsiderojë marrjen e masave ligjore dhe administrative të përshtatshme, në përputhje me objektivat e kësaj Konvente dhe parimet themelore të legjislacionit të brendshëm, për të rritur transparencën në financimin e kandidaturave për t’u zgjedhur në një post publik dhe, për sa është e zbatueshme, financimin e partive politike.

(Neni 7(3), Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit)

Partitë politike dhe zgjedhjet janë themelet e një sistemi demokratik (Komisioni i Venecias, KiE).Qytetarët mund të organizohen lirisht në parti politike, të cilat përfaqësojnë një ideologji të caktuar dhe që, nëpërmjet proceseve zgjedhore, shprehin vullnetin politik të popullit. Kështu, partitë politike dhe zgjedhjet i shërbejnë thelbësisht funksionit përfaqësues të një prej institucioneve kyç të shtetit, parlamentit. Për një kohë të gjatë, partitë politike kanë njohur pak ose aspak rregullim ligjor përtej dispozitave kushtetuese dhe ligjore që njohin të drejtën e organizimit kolektiv në të tillë formë dhe përcaktojnë procedurat e themelimit të tyre, të drejtat dhe detyrimet si persona juridikë, jo shumë të ndryshëm nga format e tjera të organizimit. Megjithatë, gjithnjë e më tepër po del në pah nevoja e rregullimit të partive politike, veçanërisht në kuadër të financimit të tyre.

Për të zhvilluar fushatat e tyre në periudha zgjedhore, nëpërmjet të cilave synojnë të marrin mbështetjen e qytetarëve, partitë politike kanë nevojë për para. Përfshirja e parasë në politikë, ndonëse e domosdoshme, përmban edhe rreziqe që mund të ndikojnë në cilësinë e demokracisë, qeverisjes dhe shtetit të së drejtës. Prandaj, shtetet po vendosin mekanizma mbikëqyrjeje dhe kontrolli për mënyrën sesi partitë politike financohen dhe si i shpenzojnë paratë e tyre gjatë fushatave zgjedhore. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, politika demokratike, qeverisja efektive dhe korrupsioni janë të gjitha të lidhura me financat politike, dhe financimi i partive politike dhe fushatave mund të ndikojë secilën pozitivisht ose negativisht (Ohman, M et al, 2009).

Në mënyrë të thjeshtuar, më poshtë renditen disa arsye pse ka rëndësi rregullimi i financave politike (Idea.int).Së pari, rregullimi parandalon partinë në pushtet të përdorë burime publike – qofshin këto njerëzore, financiare apo logjistike – për të mbështetur fushatën e saj zgjedhore në një mënyrë që do t’i krijonte përparësi të padrejtë. Së dyti, rregullimi krijon një “fushë loje” të barabartë: të gjitha palët i nënshtrohen të njëjtave dispozita ligjore që rregullojnë qasjen e tyre në burimet e financimit, ku rëndësi të veçantë merr financimi nga fonde private. Një tjetër arsye e ndërlidhur ka të bëjë edhe me aspektin gjinor: sipas Unionit Ndërparlamentar, gratë përbëjnë vetëm 25.5% të deputetëve në botë (IPU 2021) dhe një pengesë thelbësore për të kandiduar e përbën mungesa e aksesit në financat politike (Falguera, E et al, 2014).  Rregullimi ligjor mund të sigurojë më shumë barazi për gratë, por edhe për grupet e tjera të nënpërfaqësuara, sa i përket aksesit në burime për të financuar fushatat e tyre. Së treti, rregullimi dhe kontrolli efektiv i financave politike zvogëlon hapësirat për abuzim me burimet publike, korrupsion dhe financim të fushatave me para të paligjshme. Secili prej këtyre aspekteve kontribuon në garantimin e transparencës së financave politike, promovimit të integritetit zgjedhor, dhe rritjes së llogaridhënies të partive politike ndaj qytetarëve.

Në raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë të botuar në tetor 2020 (KE 2020), Komisioni rendit transparencën në financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore si një ndër gurët e themelit në luftën kundër korrupsionit. Teksa raporti njeh një lloj progresi të Shqipërisë në këtë aspekt, gjithashtu konsideron se “zbatimi efektiv dhe cilësor i ligjit mungon”. Me ndryshimet ligjore që pësoi Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë (Ligji Nr. 10 019, i ndryshuar) në korrik 2020, si rezultat i arritjes së konsensusit në Këshillin Politik mbi reformën zgjedhore më 5 qershor 2020, mes të tjerash, u zgjerua dhe përmirësua kuadri ligjor që mbulon financimin e zgjedhjeve dhe fushatës në Kod, si dhe u mirëpërcaktuan kompetencat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) si rregullatori në këtë fushë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve doli si një institucion i riformatuar, i përbërë nga tre organe drejtuese: Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve si organ monokratik (me kompetenca ekzekutive), dhe dy organe kolegjiale Komisioni Rregullator (miraton aktet me karakter normativ) dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (shqyrton ankimimet administrative dhe vendos sanksione për shkelje të ligjit zgjedhor). KQZ-ja është institucioni përgjegjës për administrimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Ndër të tjera, ai është edhe rregullatori kyç që mbikëqyr dhe monitoron subjektet zgjedhore në kuadër të financimit të tyre, sjelljes së tyre në pajtim (ose jo) me normat mbi financimin e fushatës dhe vendosjen e sanksioneve kur gjenden në shkelje.

Kodi Zgjedhor përcakton katër burime financimi për subjektet zgjedhore: 1. buxheti i shtetit; 2. të ardhurat e vetë subjektit; 3. dhuratat (monetare, në natyrë ose në shërbime); 4. huatë dhe kreditë që marrin partitë politike dhe kandidatët e tyre. Ndërkohë që përfitimi i partive politike nga buxheti i shtetit varet nga një sërë faktorësh që përcaktohen në raport me zgjedhjet pararendëse, si kalimi i pragut kombëtar prej 1%, numrit të votave që ka marrë secila parti në ato zgjedhje dhe totali i shumave të shpërndara për partitë politike, subjektet zgjedhore mund të marrin edhe fonde jopublike. Rregullimi i këtyre të fundit është veçanërisht i rëndësishëm për të siguruar transparencën e çdo financimi të ardhur nga burime jopublike.

Sipas Kodit Zgjedhor, për qëllime të financimit të fushatës së tyre, subjektet zgjedhore mund të marrin fonde jopublike vetëm nga personat fizikë dhe juridikë vendas dhe shuma (ose kundërvlera në sende apo shërbime) që mund t’i japë një person fizik ose juridik subjektit zgjedhor, apo kandidatëve të tij, nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë. Për më tepër, Kodi vendos një sërë kushtesh për donatorët që kanë qëllim të identifikojnë dhe parandalojnë konfliktin e interesit apo ndikimin e paligjshëm ndaj subjektit zgjedhor, si dhe abuzimin me fonde publike. Në funksion të transparencës së financimit të fushatave, mbi subjektet zgjedhore dhe kandidatët e tyre bie detyrimi që të hapin llogari bankare të posaçme për të marrë fonde jopublike me vlerë më të madhe se 50 mijë lekë, të cilat deklarohen në KQZ në momentin e regjistrimit si subjekte zgjedhore. Në këtë kuadër, është e rëndësishme të theksohet se ndonëse ligji vendos të njëjtat detyrime si mbi subjektin zgjedhor, ashtu mbi kandidatët e tij sa i përket trajtimit të fondeve jopublike, në kushtet e një shkeljeje, është vetë subjekti ai që mban përgjegjësi për veprimet apo mosveprimet e kandidatëve të vet. Përjashtimisht, kandidati mban përgjegjësi vetëm kur provohet se subjekti nuk mund ta parandalonte apo korrigjonte shkeljen e kryer.

Kodi vendos kufizime edhe sa i përket shpenzimeve që mund të kryejë çdo subjekt zgjedhor në kuadër të fushatës – kjo shumë nuk mund të jetë më e madhe se trefishi i shumës më të lartë që ka marrë një subjekt zgjedhor nga fondet publike. Vendosja e limitit mbi shpenzimet ka si qëllim kryesor ruajtjen e “barazisë së armëve” mes garuesve në një zgjedhje. Kjo sepse partitë e mëdha, që kanë akses në shumë burime financimi, mundet që lehtësisht të lënë në hije partitë më të vogla apo të krijuara rishtazi.

Për të reflektuar çdo të ardhur që kanë marrë, si dhe çdo shpenzim të bërë për qëllime të fushatës zgjedhore, subjektet zgjedhore janë të detyruara të paraqesin një raport financiar në KQZ brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Për më tepër, jo më vonë se 5 ditë pas shpalljes së rezultatit, KQZ-ja emëron ekspertë kontabël të licencuar për të kryer auditimin e të gjitha fondeve të përfituara dhe shpenzimeve të bëra nga subjekti zgjedhor gjatë fushatës.

Por, kjo nuk është e vetmja formë kontrolli që KQZ-ja ushtron ndaj subjekteve zgjedhore. Katër muaj para ditës së zgjedhjeve e deri në atë ditë, KQZ-ja monitoron, nëpërmjet monitoruesve të fushatës zgjedhore, respektimin e rregullave që lidhen me financimin e fushatës dhe shpërdorimin e burimeve publike në funksion të saj. Përgjatë fushatës, monitoruesit raportojnë rregullisht, si dhe menjëherë në KQZ kur vërejnë një shkelje. Ata dorëzojnë edhe një Raport Përfundimtar të Monitorimit, brenda 7 ditëve nga dita e zgjedhjeve. Ndonëse ky lloj raportimi është risi që rrjedh prej ndryshimeve ligjore, monitoruesit nuk janë një koncept krejt i ri në të drejtën zgjedhore shqiptare, por atyre nuk u kërkohet më të llogarisin shpenzimet për fushatë, siç ndodhte më parë.

KQZ-ja ka detyrimin ligjor që të bëjë publik çdo raport që do t’i dorëzohet duke filluar nga raportet e monitoruesve, raportet financiare të subjekteve zgjedhore dhe ato të audituesve. Një tjetër mekanizëm mbikëqyrjeje që mund të përdoret tashmë nga kushdo është edhe portali i denoncimeve në faqen zyrtare në internet të KQZ-së. Përmes tij, çdo qytetar, parti politike, organizatë e shoqërisë civile etj. mund të raportojë shkeljet e vërejtura në lidhje me financimin e fushatës. Ndaj subjekteve zgjedhore të gjetura në shkelje të rregullave që lidhen me financimin e fushatës vendosen sanksione administrative, të përcaktuara në Kodin Zgjedhor.

Shqipëria mbajti zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin më 25 prill 2021. Fushata zgjedhore u zhvillua për një muaj,  edhe pse në kushtet atipike të një pandemie globale, partitë politike dhe kandidatët zhvilluan takime elektorale. Megjithatë, dukshëm fushata u zhvillua paralelisht edhe në media sociale. Në këto të fundit, u vu re që një pjesë e mirë e postimeve të kandidatëve për deputetë përmbajnë shënimin “Paid for by ...” ndjekur nga emri i partisë që përfaqësojnë apo i vetë kandidatit, në varësi se kush e ka sponsorizuar. Ky element i fundit me gjasa do të përbëjë një zë të vlefshëm në raportet financiare të subjekteve zgjedhore, edhe pse deri më tani, nuk ka rregullime ligjore sa i përket fushatës në media sociale në një plan më të gjerë sesa thjesht në kuadër të regjistrimit të shpenzimeve për reklamat përkatëse.

Ndërkohë, fusha e financave politike është tejet e gjerë dhe e ndërlikuar dhe aspektet e trajtuara më lart mbulojnë modestisht vetëm një pjesë të saj. Deri më tani, të paktën në kuadrin ligjor, Shqipëria ka bërë disa hapa të rëndësishme në rregullimin e financave politike, mënyrën e ushtrimit të kontrollit mbi subjektet zgjedhore dhe vendosjen e mekanizmave mbikëqyrës mbi mënyrën sesi partitë politike financohen dhe i shpenzojnë të ardhurat e tyre për qëllime të fushatës zgjedhore. Për më tepër, një risi e Kodit Zgjedhor, e cila meriton trajtim krejtësisht më vete, lidhet me dispozitat që normojnë ndalimin e përdorimit të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore dhe rregullojnë sjelljen e institucioneve publike në fushatë.

Në vijim, pothuaj një muaj pas zgjedhjeve mbetet për t’u parë se sa efekt do të kenë mekanizmat mbikëqyrëse të KQZ-së për të identifikuar shkeljet, edhe për shkak të disa sfidave me të cilat u përball i gjithë procesi për të arritur deri në këtë pikë – hyrja në fuqi e tij më pak se një vit nga data e zgjedhjeve, riformatimi thuajse rrënjësor strukturor dhe në funksione i KQZ-së, por edhe ndryshimet pasuese të Kodit Zgjedhor në tetor 2020, që ndonëse nuk prekën këtë fushë, krijuan pakënaqësi në sferën politike të vendit. Reforma zgjedhore në tërësinë e saj konsiderohet akoma e papërfunduar. Një ndër hapat e radhës mund të jetë hartimi i një ligji të posaçëm me fokus financimin e fushatës, në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare dhe europiane. Ky i fundit do të detajonte edhe më tej parimet dhe normat e përcaktuara nga Kodi Zgjedhor, si dhe do të rriste efikasitetin e raportimit në garantimin e plotë të transparencës, mes të tjerash, edhe në kuadër të luftës kundër korrupsionit. Për më tepër, financat politike transparente rrisin besimin e qytetarëve tek qeverisja, demokracia dhe institucionet e qëndrueshme, dhe i bëjnë forcat politike më llogaridhënëse ndaj elektoratit të tyre. Zgjedhjet e 25 prillit janë një test i rëndësishëm për Shqipërinë për të matur efikasitetin e mekanizmave mbikëqyrës dhe pajtueshmërinë e subjekteve me ligjin, por edhe për të vlerësuar hapësirat për përmirësim.

Sabina Babameto, maj 2021

* Sabina Babameto ka një diplomë master shkencor për “Ekonomi Europiane dhe të Drejtë Biznesi” nga Universiteti i Romës Tor Vergata, si dhe është diplomuar për “Drejtësi” në Universitetin e Shkodrës Luigj Gurakuqi. Aktualisht është asistente projekti pranë zyrës në Shqipëri të Institutit Demokratik Amerikan (NDI), ku punon kryesisht me programet e zgjedhjeve, partive politike dhe parlamentit

Referencat:

·       https://www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-AD(2020)032-e

·       Ohman, M., Santucci, J., Walecki, M.; Zainulbhai, H.; Political Finance Regulation: the Global Experience, IFES, 2009

·       https://www.idea.int/sites/default/files/publications/money-in-politics-EN.pdf

·       Falguera, E., Jones, S., Ohman, M., Funding of political parties and election campaigns, International IDEA, 2014

·       Ligji Nr. 10 019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk