Politika “Kritikkërkuese” e Shqipërisë dhe përgjigjja kozmopolite e Bashkimit Europian

Politika “Kritikkërkuese” e Shqipërisë dhe përgjigjja kozmopolite e Bashkimit Europian

Në një situatë tensionesh dhe kërcënimesh, BE-ja shfaqi qasjen kozmopolite si përgjigje ndaj kritikave dhe kërkesave të Shqipërisë. Këtë strategji të palës shqiptare për efekt studimi do ta emërtojmë si politika “kritikkërkuese”. Bashkimi Europian e ka rritur prezencën e tij në Europën Juglindore, duke kërkuar që vendet e Ballkanit Perëndimor të plotësojnë kushtet sa më parë në mënyrë që të integrohen në BE. Por cila është politika “kritikkërkuese” që ka shfaqur Shqipëria dhe vendet e rajonit ndaj Bashkimit Europian? Si i përgjigjet BE-ja kësaj politike? Çfarë efektesh pozitive dhe negative ka shfaqur?

 

Politika “Kritikkërkuese” dhe elementët e saj

Vitet e fundit, qasja e Shqipërisë për integrimin europian ka shfaqur një tjetër natyrë. Shqipëria pranonte se do të përmbushte kushtet e integrimit pa kundërshtime. Edhe pse bëri disa përpjekje dhe ndërmori reforma, por ishin të pamjaftueshme për të plotësuar kushtet e BE-së. Më vonë, Shqipëria filloi të shfaqte një politikë aktive dhe kërkuese ndaj Bashkimit Europian. Politika shqiptare (kritikkërkuese) për integrimin europian përçon disa qasje, saktësisht si më poshtë:

a) Qasja kërkuese ndaj Bashkimit Europian;

b) Qasja kritike për Bashkimin Europian;

c) Përdorimi i ndikimit rus për të qenë sa më pranë BE-së;

d) Përmbushja e kritereve për integrimin europian. 

Dy qasjet e para janë të reja dhe janë shfaqur vitet e fundit tek nisma e bashkëpunimit rajonal “Ballkani i Hapur”, Konferenca e parë Ndërqeveritare për anëtarësimin e Shqipërisë, si dhe Samiti i Procesit të Berlinit.

Së pari, qasja kërkuese ndaj Bashkimit Europian vërehet kur Shqipëria kërkon që BE-ja të vazhdojë të përshpejtojë procesin e integrimit dhe të fillojë sa më parë hapjen e negociatave. Për shembull, kryeministri shqiptar vazhdimisht thekson me një ton satirik për të nxjerr në pah dinamikën aktuale se ”Dhëndri është gati, por nusja nuk po vjen”. Gjithashtu, kjo qasje për të pasur një angazhim të ndërsjellë vërehet kur kryeministri kërkon më shumë mbështetje financiare nga BE-ja. Sipas Gazetës Sinjali pala shqiptare tregonte se: “Ka shumë kërkesa që ne duhet të plotësojmë në mënyrë që të bëhemi anëtar. Por dy kombet tona, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur të gjitha kushtet për të filluar me të vërtetë procesin e negociatave me Brukselin. Anëtarësimi i këtyre dy vendeve në BE do t’i mundësonte mjetet e duhura për zgjidhjen e problemeve në drejtësi.” (Gazeta Sinjali, 2021). Këtë element pala shqiptare e ka theksuar më shumë gjatë takimeve të mbajtura në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”. Kjo qasje është kërkuese edhe kur Shqipëria kërkon që BE-ja të qëndrojë sa më pranë rajonit.

Së dyti, qasja kritike për Bashkimin Europian ka qenë prezente në shumicën e rasteve në bashkëpunim edhe me vendet e tjera si Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Qëllimi i tyre ishte që BE-ja ta kthente vëmendjen nga Ballkani Perëndimor, pra edhe nga Shqipëria. Sipas Gazetës Tema, kryeministri shqiptar kritikon BE-në me deklaratën: ”A mund ta paramendoni ku mund të ishim nëse BE mund të ishte më serioze. Është një proces që ndodh njëherë në vit, një ditë, prandaj filluam me Ballkanin e Hapur, ishte një lloj për projekte ditore, ishte qëllim për luftën e forcës. Derisa presim, le të aderohemi vetë ne.” (Gazeta Tema, 2024) Por pala shqiptare i ka bërë kritika të tjera BE-së për më shumë fonde, për bllokimin e negociatave, se nuk ka strategji zhvillimore, nuk ndihmoi me vaksina kundër COVID-it dhe sulmeve kibernetike. Kritikat ndaj BE-së shfaqeshin edhe në takimet e Ballkanit të Hapur, konkretisht kur kryeministri shqiptar  kritikon BE-në duke e ironizuar si nuse. Të gjitha këto elemente janë shfaqur si pjesë e politikës shqiptare.

Së treti, pala shqiptare ka përdorur ndikimin rus për t’u afruar sa më shumë me BE-në. Ky qëndrim ka qenë dhe vazhdon të përdoret si një mënyrë për të tërhequr vëmendjen e Bashkimit Europian. Pra, ajo është munduar të përdorë kontekstin ndërkombëtar për të arritur përqasjen ndaj BE-së,  duke analizuar kështu ndikimin rus në Ballkan dhe në Europë ka kërkuar përshpejtimin e integrimit dhe rritjen e bashkëpunimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ose duke theksuar se lideri rus dëshiron të gjunjëzojë BE-në, por ajo duhet të zgjerohet që t’i bëjë ballë këtij vërshimi. Të gjitha këto qëndrime synojnë që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë më afër BE-së dhe të integrohen në unionin Europian. Sipas Euronews Albania: “Gjatë Samitit në Bruksel kryeministri shqiptar kërkon që vendet e Ballkanit dhe BE-ja të jenë të bashkuar sepse ndikimi rus është real në rajon dhe në të është e përfshirë edhe Serbia.” (Euronews Albania, 2022)

Së katërti, përmbushja e kritereve për integrimin europian mbetet një nga elementët më vendimtare që duhet të arrijë vendi ynë. Shqipëria ka bërë disa përparësi të vogla në plotësimin e kushteve për anëtarësimin në BE, por ka ende nevojë të bëjë më shumë përpjekje. Ajo ka mbajtur deri më tani Konferencën e Parë Ndërqeveritare dhe Konferencën e dytë Ndërqeveritare, kjo e fundit shënoi dhe hapjen zyrtare të negociatave për Grupkapitullin I – Themeloret, ku Komisioni Europian ka parashtruar piketa të ndërmjetme (interim benchmarks) për Kapitullin 23 dhe 24, dhe piketa mbyllëse (closing benchmarks) për mbylljen e përkohshme të negociatave për Kapitullin 5, 18 dhe 32.[1] Sipas Këshillit të Bashkimit Europian:Shqipëria duhet të miratojë reformën zgjedhore plotësisht në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR, duke siguruar financim transparent të partive politike dhe fushatave elektorale, të sigurojnë zbatimin e vazhdueshëm të gjyqësorit duke marrë parasysh opinionet e aplikueshme të Komisionit të Venecias”. (Këshilli i Bashkimit Europian, fq 5, 2020).Shqipëria akoma nuk ka miratuar reformën zgjedhore sipas kushteve të OSBE/ODIHR. Që me ndryshimet e vitit 2020 nuk u arrit plotësisht që sugjerimet e OSBE-së të realizoheshin. Ndryshimet zgjedhore u realizuan në kundërshtim me Kodin e Praktikës së Mirë për Çështjet Zgjedhore. Shqipëria duhet të sigurojë lirinë dhe pavarësinë e medias, të bëjë më shumë për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Çështja e integrimit nuk duhet të kthehet në politikë argëtuese, por duhet që Shqipëria të marri seriozisht plotësimin e kushteve. Të marri seriozisht rregullimin e marrëdhënieve dypalëshe me vendet fqinje. Nëse dëshira për integrim kthehet në vullnet për të bërë politikë, kjo do të zbehi ëndrrën europiane.  

Katër elementët të shqyrtuar më lartë janë shfaqur bashkërisht. Kjo qasje nga poshtë-lartë u shoqërua edhe me presione ndaj BE-së. Kulmi i përdorimit të kësaj politike është arritur në periudhën kur janë mbajtur takimet për Ballkanin e Hapur. Referuar disa studimeve, kontekstit rajonal dhe prezencës së Bashkimit Europian në Ballkan, Ballkani i Hapur u krijua qëllimisht që BE-ja të kthente vëmendjen e saj në rajon dhe të ishte më aktive. Me samitet, konferencat, takimet dhe ndihmat e saj, Bashkimi Europian arriti që të forconte bashkëpunimin me vendet e rajonit. Kjo forcoi pozitën e Shqipërisë në rajon dhe me vendet europiane, siç është bashkëpunimi dhe forcimi i marrëdhënieve diplomatike me Francën. Shqipëria e ka filluar këtë politikë kërkuese dhe kritikuese së bashku me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut te takimet në kuadër të Ballkanit të Hapur. Më pas e vazhdoi e vetme, ndërsa, tani po e shfaq me Turqinë. Politika kritikuese ndaj Bashkimit Europian po shndërrohet në një sëmundje, sepse po përdoret nga Serbia dhe Kosova.  Politika “kritikkërkuese” në Shqipëri forcoi pozitën e lidershipit, rriti potencialin e vendit në rajon dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

 

Përgjigja kozmopolite e Bashkimit Europian

Gjatë kësaj qasje që ka shfaqur rajoni i Ballkanit, Bashkimi Europian u kundërpërgjigj duke zhvilluar takime me vendet e rajonit në kuadër të procesit të integrimit, si Konferenca Ndërqeveritare, takime të Këshillit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, Samiti i Procesit të Berlinit. Sipas Këshillit Europian: ”Këshilli përshëndeti progresin e reformave që Shqipëria ka realizuar, përparimin e Shqipërisë në sundimin e ligjit dhe zbatimin e vazhdueshëm të reformës në sistemet e drejtësisë dhe administratës publike. Përshëndeti qëndrueshmërinë dhe rimëkëmbjen e fortë të ekonomisë së Shqipërisë. Ai vlerësoi përparimin e saj në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por Shqipëria duhet të shtojë përpjekjet për të bashkëpunuar në hetime, të forcojë më tej mbrojtjen e të drejtave themelore duke përfshirë lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes, të konsolidojë të drejtat e pronësisë në një mënyrë transparente, të përmbushë kërkesat e tregut të brendshëm të BE-së dhe të përballet me presionin konkurrues dhe forcat e tregut.” (Këshilli Europian, 2024)

Përgjigja e BE-së ndaj politikës “kritikkërkuese” ishte kozmopolite. Në një artikull të Gazetës Shqiptarja.com theksohet se ”Shqipëria çeli negociatat. BE shprehej se me Tiranën bëhemi më të plotë. Varhelyi dhe Borell vlerësuan përpjekjet dhe u shprehën se tashmë duhet konsensus politik për të ecur më tej.” (Gazeta Shqiptarja.com, 2022) Bashkimi Europian kërkon nga Shqipëria që të plotësojë kushtet dhe të ecë përpara procesi i anëtarësimit. Sipas Raportit të Komisionit Evropian për progresin e Shqipërisë 2023 “Roli i shoqërisë civile i përfshirë në procesin e negociatave për anëtarësim në BE duhet të forcohet më tej.” (Komisioni Evropian, fq 13, 2023) Shqipëria duhet të ketë një shoqëri civile sa më të fortë dhe të pavarur, të pandikuar nga interesat politike. Sa më e fuqishme të jetë shoqëria civile, aq më shumë do të fuqizohet Shqipëria. Sepse ajo ndikon në përmirësimin e legjislacionit, politikëbërjes dhe ndihmon vendin që të përmbushi kriteret për anëtarësimin europian. Bashkimi Europian përdor qasjen kozmopolite si përgjigje ndaj situatës së vendeve të Ballkanit. Si qasje nga poshtë – lartë ajo ka të bëjë me mbrojtjen e qenieve njerëzore, respektimin e të drejtave të njeriut, mbështetjen e shoqërisë civile dhe bashkëpunimin rajonal.[2]Bashkimi Europian iu përgjigj Shqipërisë me këtë qasje. Nëpërmjet kushteve për demokracinë, lirinë e medias, respektimin e ligjeve, përafrimin e legjislacionit shqiptar me BE-në tregoi se vendi ynë nuk i ka përmbushur kushtet dhe nuk është gati për anëtarësim. Këto kërkesa rëndojnë mbi qeverinë shqiptare, e cila shfaq lodhje dhe vështirësi në përmbushjen e kritereve europiane. Si pasojë, ky presion që ushtrojnë qytetarët së brendshmi për të përmbushur kushtet e vendos qeverinë në presion. Për t’i rënë shkurt dhe për të rritur jetëgjatësinë e pushtetit,  ajo përpiqet të gjejë një politikë tjetër, që ta shfajësojë për vonesën e integrimit europian. Kjo politikë është “kritikkërkuese”. Përdorimi i qasjes kozmopolite nga Bashkimi Europian vendos në dilemë qeverinë dhe i bën presion psikologjik për të përmbushur kushtet.

Si përfundim, politika “kritikkërkuese” ka funksionuar për të rritur prezencën e BE-së në rajon dhe për t’i bërë ballë ndikimit rus. Kjo politikë me kritikat dhe kërkesat e saj ka vendosur në pikëpyetje funksionalitetin e BE-së. Bazuar tek konteksti ndërkombëtar i Bashkimit Europian dhe Europës Juglindore do të ishte efektive anëtarësimi sa më i shpejtë i vendeve të rajonit në union. Bashkimi Europian e dëshiron më shumë se vendet e rajonit integrimin e tyre. Sa më shumë të zgjasë ky proces, aq më shumë do të lodhet BE-ja dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Nëse politika “kritikkërkuese” vazhdon të jetë në plan të parë, nga pala shqiptare do të shfaqet një neglizhencë në përmbushjen e kushteve. Fillimisht, ajo duhet të europianizohet së brendshmi dhe kur BE-ja të mos i përgjigjet punës së saj mund të përdori politikën kritikkërkuese. Politika “kritikkërkuese” përgatit rrugën për përçarje dhe acarime, aq më tepër kur përdoret në një kohë të gabuar. Këtë politikë po e përdor Kosova dhe Serbia në një moment tensionesh dhe ndikimesh ruse. Kjo i krijon lodhje dhe vështirësi BE-së që të normalizojë situatën në rajon. Duhet që vendet e Ballkanit Perëndimor të maturohen sa më shpejtë dhe të rendin drejtë plotësimit të kushteve para se të jetë vonë.  

 

Fetah Salliu, tetor 2024

*Fetah Salliu ka përfunduar Masterin Shkencor për “Studime Rajonale Politike” në degën “Shkenca Politike”, pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës. Ai ka zhvilluar një praktikë profesionale pranë Kuvendit të Shqipërisë. Ka marrë pjesë në disa çështje që lidhen me aktivizmin në kujdesjen e disa organizatave. Gjithashtu, Fetahu është autor i artikujve për “Financimin dhe ndërveprimin e qeverisjes vendore” në Buletinin Shkencor (Universiteti i Elbasanit) dhe për “Financimin e Partive Politike në Shqipëri 2017-2021 (Kuadri ligjor & Realiteti)”.  Ai ka marrë pjesë në trajnime për politikën dhe integrimin europian, siç është shkolla dimërore me temë “Financimi i Partive Politike”. Për një periudhë të shkurtër kohore ka punuar tek INSTAT-i si mbikëqyrës në një zonë të Njësisë Administrative Nr. 4, Tiranë, në kuadër të zhvillimit të Cens-it 2023. Salliu ka marrë pjesë në disa konferenca të ndryshme në Shqipëri.

 

 

Referenca

 

Dokumenti i anëtarësimit. Pozicioni i përbashkët i Bashkimit Evropian – Grupkapitulli 1: Themeloret CONF-ALB 3, Bruksel, 11 tetor 2024. https://data.consilium.europa.eu/doc/document/AD-18-2024-INIT/en/pdf

 

Euronews Albania, (2022) “Ndikimi rus është real”, Rama: Rajoni duhet të jetë i bashkuar me BE-në, Tiranë, https://euronews.al/ndikimi-rus-eshte-real-rama-rajoni-duhet-te-jete-i-bashkuar-me-be-ne/

Gazeta Tema, (2024) Rama kritika vendeve të BE: A jeni të gatshëm të jepni diçka, mos luani vetëm lojëra, Tiranë, https://www.gazetatema.net/politika/rama-kritika-vendeve-te-be-a-jeni-te-gatshem-te-jepni-dicka-mos-luani-v-i424286

Gazeta Shqiptarja.com, (2022) Historike/ Shqipëria çel negociatat! BE: Me Tiranën bëhemi më të plotë! Rama: Evropa fati ynë, vijmë sot këtu pas një pune të gjatë! Integrimi e bën Ballkanin më të mirë, Tiranë, https://shqiptarja.com/lajm/sot-mbahet-konferenca-e-pare-nderqeveritare-shqiperibe-vrapi-i-fundit-drejt-anetaresimit-te-plote

Gazeta Sinjali, (2021) Rama për Bild: Anëtarësimi në BE si “në pritje të Godosë”, Tiranë, https://sinjali.com/rama-per-bild-anetaresimi-ne-be-si-ne-pritje-te-godose/

Këshilli i Bashkimit Evropian, (2020) Enlargement stabilization and association process, Republic of North Macedonia and Republic of Albania, Bruksel, https://www.consilium.europa.eu/en/press/press-releases/2020/03/25/council-conclusions-on-enlargement-and-stabilisation-and-association-process/

Komisioni Europian, (2023) Albania report 2023, Bruksel, https://neighbourhood-enlargement.ec.europa.eu/albania-report-2023_en

Salliu. F, (2024) Qasja e Bashkimit Europian ndaj Ballkanit Perëndimor (rasti Kosovë – Serbi), EuroSpeak Albania, https://www.eurospeak.al/news/fuqia-e-bute/kosova-serbia-be-dialogu/

 

 

 

 

 

 



[1]Dokumenti i anëtarësimit. Pozicioni i përbashkët i Bashkimit Evropian – Grupkapitulli 1: Themeloret CONF-ALB

3, Bruksel, 11 tetor 2024. https://data.consilium.europa.eu/doc/document/AD-18-2024-INIT/en/pdf

[2]Salliu. F, (2024) Qasja e Bashkimit Europian ndaj Ballkanit Perëndimor (rasti Kosovë – Serbi), EuroSpeak Albania, https://www.eurospeak.al/news/fuqia-e-bute/kosova-serbia-be-dialogu/

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk