Prokurimet publike, fusha me natyrë ndërsektoriale, ku si qëllim kryesor ka mirëmenaxhimin e fondeve publike, luan një rol të vecantë dhe sensitiv në sektorin publik pasi aty është i pranishëm dhe rreziku më i lartë i korrupsionit në nivel shtetëror. Duke parë zhvillimet e fundit në Shqipëri në legjislacionin e kësaj fushe si dhe duke mbajtur në konsideratë objektivin e vendit tonë drejt integrimit të plotë europian, mund të themi se të gjithë aktorët shtetërorë që lidhen drejtëpërsëdrëjti me këtë veprimtari e kanë në prioritetin e tyre përshtatjen dhe përafrimin sa më parë me kuadrin legjislativ europian të prokurimeve publike.
Por, parë kjo në vështrim krahasimor, situata aktuale e implementimit të parashikimeve të reja ligjore dhe nga ana tjetër pengesat faktike që po vihen re gjatë fazës së zbatimit, sa gati është Shqipëria në fushën e prokurimit publik për të qenë pjesë e hapësirës Europiane?
Hyrje
E rëndësishme për tu vënë në dukje është fakti që fondet publike, të cilat alokohen për përdorim në prokurimet publike kërkojnë një zbatimin tejet rigoroz të procedurave ligjore të vendit për shkak të rëndësisë dhe impaktit që kanë në buxhetin e shtetit. Si rrjedhojë, përdorimi eficent i tyre shërben për të garantuar ofrimin e shërbimeve të duhura publike tek qytetarët.
Shqipëria, përafrimin e legjislacionit të prokurimit publik me atë të unionit europian e ka si obligim nga detyrimet që rrjedhin si pasojë e ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA, Neni 70 pika 3) në vitin 2006 dhe në zbatim të saj vendi ynë ka amenduar herë pas here ligjin e vjetër të prokurimit publik.
Sa i përket Ligjit shqiptar “Për prokurimin publik”, ky i fundit është një ligj i vlerësuar nga aktorët vendas, ndërkombëtarë dhe vetë organizmat e Bashkimit Europian si një ligj i mirë në përputhje me standardet më të mira të kësaj fushe (AIS, 2023).
Referuar direktivave europiane, ato nuk kërkojnë të imponojnë një regjim të përbashkët rregullator në shtetet anëtare të BE-së në fushën e prokurimit, prandaj shtetet anëtare mund të vazhdojnë të zbatojnë procedurat e tyre kombëtare të përshtatura me Direktivat (SIGMA, 2016) . Kështu, ato i lejojnë Shtetet Anëtare që të mbajnë ose të miratojnë rregullat themelore dhe procedurale në masën që këto rregulla nuk janë në konflikt me dispozitat e Direktivave ose të Traktatit.
Ndryshimet e fundit në kuadrin rregullator shqiptar të prokurimeve publike
Synimi i ndryshimeve të kuadrit ligjor në prokurimin publik është të lehtësojë kryerjen e procedurave të prokurimit, por njëkohësisht dhe përafrimin e mëtejshëm me Direktivat përkatëse të Bashkimit Europian (Kashta) . Gjithashtu ndër qëllimet e tjera mund të përmendim: transparencën, shmangien e informalitetit dhe luftimin e korrupsionit në nivel shtetëror me fondet publike.
Aktualisht në vendin tonë paketa e re ligjore me ndryshimet e miratuara në fushën e prokurimeve publike adreson domosdoshmërinë për të rritur integritetin dhe përgjegjshmërinë e të gjithë palëve të përfshira në këtë proces dhe jo vetëm të autoriteteve kontraktore, por edhe të operatorëve ekonomikë, si dhe për të forcuar mekanizmat monitorues dhe ndëshkues për shkeljet e konstatuara.
Një prej ndryshimeve që u miratua ishte sistemi i parë elektronik i ankesave në Shqipëri (Ligji Nr 162/2020, i ndryshuar) . Përmes këtij sistemi të gjithë ankesat për procedurat e Prokurimit Publik, Koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat, Ankandeve Publike dhe Garave Konkurruese për Leje Minerare do të dorëzohen në formë elektronike përmes platformës qeveritare e-Albania. Të gjithë operatorët ekonomikë vendas dhe të huaj kanë mundësi të dorëzojnë elektronikisht ankesat dhe argumentet e tyre duke eleminuar çdo kosto dhe çdo kontakt të drejtëpërdrejtë me zyrat shtetërore, përfshirë këtu dhe Komisionin e Prokurimit Publik.
Tashmë konkurrimi dhe marrja e një tenderi bëhet më e vështirë për operatorët ekonomikë, që kanë abuzuar me një kontratë të mëparshme. Ndryshimet në ligj bëjnë të mundur që operatorët ekonomikë që janë tërhequr mbi pesë herë nga nënshkrimi i kontratës përjashtohen nga pjësëmarrja në procedurat e tenderimit për një periudhë tre muaj deri në tre vite.
Ndryshime kanë pësuar edhe afatet kohore për pritjen e ofertave për procedurat e prokurimit ndërkombëtar dhe vendas, duke u shkurtuar si afate. Në ligjin e vjetër afati për pritjen e ofertave për procedurën e prokurimit ndërkombëtar ishte minimalisht 45 ditë, tashmë parashikohet afati minimalisht 30 ditë. Ndërsa për procedurat vendase është 15 ditë, ndërkohë që ishte 23 ditë.
Është parashikuar gjithashtu procedura që do të njihet si dialogu konkurrues. Kjo procedurë zhvillohet në tre faza: faza parakualifikuese, faza e dialogut dhe faza e paraqitjes së ofertës përfundimtare. Sa i përket procedurës së prokurimit me negocim pa shpallje, ajo do të kryhet kur asnjë operator ekonomik nuk interesohet apo operatorët që kanë shpallur kërkesën nuk plotësojnë kushtet e publikuara në dokumentet e tenderit.
Gjithashtu afati i marrëveshjeve kuadër tashmë me ligjin e ri është rritur duke shkuar në katër vite, ndërsa marrëveshjet sektoriale do të zgjasin deri në tetë vite.
Situata aktuale në aspektin e ekzekutimit të legjislacionit
Vendi ynë sipas Strategjisë Kombëtare për Prokurimin Publik 2020-2023 synon të përmbushë këto objektiva në fushën e prokurimit publik, për të cilat institucioni i Agjencisë së Prokurimit Publik luan rolin e institucionit monitorues dhe mbikëqyrës:
-Prokurim publik i qëndrueshëm;
-Përmirësimi i kuadrit ligjor për koncesionet dhe partneritetin publik-privat;
-Riorganizimi i prokurimeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë;
-Blerja e përqendruar;
-Shqyrtimi dhe kontrolli i ankesave
Nga të dhënat e publikuara në Raportin Vjetor të vitit 2022 nga APP , sipas hetimeve/verifikimeve të kryera nga kjo e fundit janë konstatuar shkelje dhe mangësi të ndryshme të aspektit procedural në procedurat e prokurimeve nga ana e autoriteteve kontraktore, të tilla si:
-Mosspecifikim i personit/ave përgjegjës në urdhrin e prokurimit, sikurse përcaktohet në rregullat e prokurimit publik. Ndërkohë që, personi përgjegjës për prokurimin ka për detyrë ndjekjen në mënyrë të vazhdueshme të mbarëvajtjes së procesit të prokurimit, sipas detyrimeve që i ngarkon VKM këtij roli.
-Mospërcaktim i specialistit të fushës në procedurat e prokurimit, objekti i të cilave kërkon njohuri specifike. Edhe në përbërjen e komisionit të vlerësimit të ofertave ka rezultuar mospërcaktim i ekspertit të fushës.
-Përcaktimi në përbërjen e komisionit të vlerësimit të ofertave të personave që kanë marrë pjesë në përgatitjen e dokumenteve të tenderit, në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik.
-Mospërcaktimi i specifikimeve teknike në shtojcën përkatëse të dokumenteve të tenderit.
-Kërkesa, në të cilat nuk është përcaktuar qartë dokumenti konkret për t’u paraqitur nga operatorët ekonomikë, çka mund të krijojë problematika apo konfuzion si në plotësimin e vet kriterit nga operatorët ekonomikë ofertues, ashtu edhe gjatë vlerësimit të ofertave.
-Mosdokumentim i procesit të verifikimit të dokumentacionit të dorëzuar në formë të shkruar, të operatorit ekonomik fitues.
Sipas raportit, janë konstatuar gjithashtu shkelje me karakter thelbësor, të tilla si:
-Kritere të veçanta apo specifikime teknike që pengojnë pjesëmarrjen e gjerë të opera-torëve ekonomikë.
-Kualifikim i gabuar i operatorëve ekonomikë, me mangësi ose parregullsi në dokumentacionin e paraqitur, në përmbushje të kritereve të kualifikimit.
-Në disa procedura ka rezultuar mosplotësim i formularëve të deklarimit mbi gjendjen e konfliktit të interesit sipas rregullave të prokurimit publik. Konkretisht, ka rezultuar se, anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave kanë nënshkruar deklaratat përkatëse lidhur me ofertuesit pjesëmarrës, përpara ditës së hapjes së ofertave, duke e bërë këtë deklarim formal, pasi në datën e deklarimit anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofer-tave nuk kanë pasur dijeni mbi ofertuesit pjesëmarrës.
Nga analizimi i të dhënave të formularëve standarde të raportimit të zbatimit të kontratave, të administruar në APP, gjatë periudhës Janar – Dhjetor 2022, rezulton se janë raportuar problematika për 113 kontrata, gjatë zbatimit të tyre. Sipas të dhënave nga Sektori Menaxhimit të Bazës së të Dhënave, rezulton se gjatë periudhës Janar – Dhjetor 2022, 16 autoritete kontraktore kanë pasqyruar si zë në regjistrin e parashikimeve modifikimin e 22 kontratave, përsa i përket vlerës së tyre.
Problematikat serioze
Në Shqipëri, ende vazhdon të jetë prezent korrupsioni në fushën e prokurimeve publike. Sipas Raportit për të Drejtat e Njeriut për Shqipërinë 2022, korrupsioni ekziston në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisë, nëpërmjet prokurimeve publike dhe partneriteteve publike-private (DASH, 2022).
Në kuadrin ligjor ende ekzistojnë vakume, të cilat lënë shteg për abuzime si nga autoritetet kontraktore ashtu edhe nga operatorët ekonomikë.
Nisur nga ndryshimet e fundit ligjore në këtë fushë, disa nga problematikat kryesore që mund të përmendim janë:
-Vazhdimi i procedurave të prokurimit edhe me pjesëmarrës një operator të vetëm ekonomik. Lidhur me këtë fakt, jemi në shkelje të një prej parimeve bazë themelore të prokurimit që është “konkurrenca”.
-Hartimi i dokumenteve të tenderit: nga situata aktuale rezulton që një pjesë e mirë e autoriteteve kontraktore shfaqin mangësi të ndryshme në hartimin e dokumenteve standarde të tenderit. Referuar kësaj problematike shtohet dhe një tjetër element shqetësues që lidhet me hartimin e specifikimeve teknike, të cilat nuk hartohen nga specialistë të fushës. Efektet që vijnë nga një situatë e tillë bëjnë që të ketë më pas ndikim negativ në cilësinë e produktit, vlerën e tij, kohëzgjatjen e marrjes së shërbimit/punës etj.
-Mangësi të shumta vihen re në procedurat e tenderimit të Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, që lidhen me një konkurrencë minimale dhe disa procedura prokurimi ku janë skualifikuar operatorë, të cilët kanë pasur ofertat ekonomike në vlerë më të ulët se vlera e ofertave të operatorëve të shpallur fitues (Zëri i Amerikës) .
-Largimi i investitorëve të huaj, është një problematikë jo pak e rëndësishme që vihet re kohëve të fundit. Korrupsioni në prokurimet publike, mungesa e transparencës dhe konkurrencës, ekonomia informale dhe zbatimi i dobët i kontratave janë disa nga problemet më të mëdha që pengojnë klimën e biznesit në Shqipëri (www.state.gov) .
Rekomandime dhe sugjerime
Lidhur me gjendjen aktuale të fushës së prokurimeve publike në Shqipëri disa nga rekomandimet dhe sugjerimet që mund të merren në konsideratë për përmirësimin dhe rritjen e eficencës së kësaj veprimtarie janë:
-Sjellja e operatorëve ekonomikë: autoritetet kontraktore duhet të monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme operatorët ekonomikë me sjelljet e tyre: tërheqjet nga gara, nënshkrimet e kontratave, rotacionet në ofertim, ofertimet fiktive dhe të marrin masa për të referuar rastet në institucionet përkatëse për hetime administrative.
-Rritja e konkurrencës: Duhet një punë e posaçme dhe bindëse në këtë pikë nga ana e institucioneve publike, pasi është e nevojshme rritja e besimit tek operatorët ekonomikë, që procedurat e prokurimit zhvillohen në mënyrë transparente dhe bazë meritokracie, në mënyrë që kjo të çojë në rritjen e numrit të pjesëmarrësve në këto procedura duke siguruar kështu procedura tenderuese të arrira.
-Rritja e kapaciteteve audituese: Është e nevojshme gjithashtu shtimi i kapaciteteve audituese rreth procedurave të prokurimit të zhvilluara nga autoritetet publike, pasi janë ende problematika të ndryshme prezente të cilat mund të nxirren më qartësisht në pah nga proceset audituese të pavarura.
Si përfundim, duhet të kuptojmë që nëse duam një sistem efektiv dhe transparent të mirëpërdorimit të fondeve publike duhet që i gjithë procesi i prokurimeve publike të izolohet nga ndërhyrja e të gjithë agjentëve politikë, ekonomikë, socialë e me radhë. Problematikat janë ende të shumta në këtë fushë dhe duhen adresuar me vendosmëri dhe këmbëngulje të madhe. Nuk duhet më humbje kohe që Shqipëria të marrë atë që i takon nga fondet publike. Ndaj rritja e efektivitetit në implementimin e plotë dhe të gjithëanshëm të ligjit dhe transparenca mbeten çelësi i një rrugëtimi të suksesshëm europian të Shqipërisë në fushën e prokurimeve publike.
Herlina Muça, shtator 2023
*Herlina Muça është specialiste në fushën e prokurimeve publike në të cilën ka 3 vite eksperiencë pune. Ajo ka mbaruar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës si dhe është specializuar në Master Shkencor në të drejtë publike në të njëjtin fakultet. Ajo ka qenë pjesë e shumë trajnimeve dhe akademive të ndryshme ku më së fundmi ishte pjesëmarrëse e edicionit të tretë të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave. Interesat e saj lidhen me punën kërkimore në fushën e sundimit të ligjit, shtetit të së drejtës dhe integrimit europian.
[1] Neni 70 pika 3 Marrëveshja e Stabilizim Asociimit BE - Shqipëri
[2]www.ais.alPërmbledhje dhe Konkluzione “Prokurimi Publik në lupën e Integrimit Europian” Tiranë, më 28 shkurt 2022, faqe 3.
[3] SIGMA Udhëzim Nr.1 Shtator 2016 - Prokurimi Publik në BE: Kuadri legjislativ, parimet themelore dhe institucionet.
[4]Reida Kashta (Shahollari): “Ndryshimet në legjislacionin e prokurimit publik dhe kryerja e prokurimit me vlerë të vogël nëpërmjet sistemit të prokurimit elektronik” faqe 3.
[5] Neni 109-121 Ankimi Administrativ Ligji Nr 162/2020 “Për prokurimin publik” (i ndryshuar)
[6] Strategjia Kombëtare për Prokurimin Publik 2020-2023, faqe 13-43.
[7]www.app.gov.al Agjensia e Prokurimit Publik: Analiza Vjetore 2022, faqe 92.
[8]www.app.gov.al Agjencia e Prokurimit Publik: Analiza Vjetore 2022, faqe 104.
[9] Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara - Zyra për Demokracinë, të Drejtat e Njeriut dhe Punën:
“Përmbledhje Raporti për të Drejtat e Njeriut Shqipëria 2022”, faqe 16
[10]www.zëriamerikës.com Mimoza Picari “Prokurimet publike dëm në buxhet mbi 120 milionë dollarë”
[11]www.state.gov 2023 Report Investment Climate Statements: Albania