Dritëhijet e përdorimit të inteligjencës artificiale dhe zhvillimet e saj në Shqipëri

Dritëhijet e përdorimit të inteligjencës artificiale dhe zhvillimet e saj në Shqipëri

Në datën 2 Tetor 2023, shumë nga ne u surprizuan me të ashtuquajturën “Tokyo Tirana”, risinë e sjellë nëpërmjet inteligjencës artificiale (në vijim referuar si “IA”) në një nga televizionet shqiptare Euronews. Një spikere virtuale e krijuar tërësisht prej Inteligjencës Artificiale, për të prezantuar lajmet gjatë emisionit “Good Morning Albanians”. Por, nuk është kjo e vetmja risi për sa i përket zhvillimit të IA në vendin tonë dhe më tej. Kryefjala dhe një nga më të kërkuarat në Google për 2023-in ishte edhe ChatGPT, që ngjalli jo pak polemika duke shkaktuar reagime nga më të ndryshmet.

Për disa pedagogë, përdorimi i ChatGPT nga studentët është përhapur gjerësisht, kryesisht për punimet e diplomave dhe detyrave të kursit. Disa të tjerë pohojnë se përdorimi i tij mbetet në nivele të ulëta. Pavarësisht shkallës së përdorimit të ChatGPT, për pedagogët mbetet shqetësues fakti se përveç shtimit të rasteve të plagjiaturës, edhe pse disa universitete private kanë shtuar masat për kontrollin e punimeve të dorëzuara nga studentët, përdorimi i IA po dëmton krijimtarinë te brezi i ri. [1]

Ama, vlen të përmenden edhe të mirat që ka IA. Ndër të tjera, IA ka arritur të depërtoj në ritme të shpejta në fushën e sektorit të biznesit, duke ofruar shumë lehtësira për konsumatorët; në arsim duke ofruar një sërë opsionesh të reja në ndjekjen e studimeve të ndryshme në këtë fushë, opsione të reja për të avancuar kërkimin shkencor; në mjekësi duke ofruar gjithnjë e më shumë aparatura të avancuara drejt kurimit të pacientëve etj. Siç edhe duket, IA është kudo dhe kurdo me ne…por, si është ajo e rregulluar në aspektin ligjor? Çfarë drejtimesh kanë marrë organet ligjvënëse në rregullimin e kësaj fushe sa të gjerë, aq edhe dinamike në rang europian dhe atë kombëtar?

 

Bashkimi Europian po e merr seriozisht rregullimin e teknologjisë duke bërë një hap të rëndësishëm me Aktin e Inteligjencës Artificiale (IA), i cili u propozua fillimisht nga Komisioni Europian në prill 2021. Mbas një qëndrimi dhe qasjeje të përgjithshme pozitive ndaj legjislacionit u miratua nga Këshilli Europian në fund të vitit 2022. Disa amendamente të tij u miratuan më 14 qershor 2023 dhe tani draft teksti i legjislacionit shërben si pozicion negociues ndërmjet shteteve anëtare dhe Komisionit Europian, i cili mund të jetë një proces i gjatë në transpozimin e këtij akti. Synimi ishte që të arrihej një marrëveshje deri në fund të 2023 dhe ky synim u arrit me sukses.[2] Kjo sepse më 08 Dhjetor 2023 eurodeputetët e Parlamentit dhe Këshilli arritën një marrëveshje të përkohshme mbi Aktin e Inteligjencës Artificiale.

 

Në vija të përgjithshme, Akti i IA synon "të forcojë pozicionin e Europës si një qendër globale e përsosmërisë në IA nga laboratori në treg, të sigurojë që IA në Europë të respektojë vlerat, rregullat dhe të shfrytëzojë potencialin e IA për përdorim industrial". Guri themeltar i Aktit të IA është një sistem klasifikimi që përcakton nivelin e rrezikut që një teknologji dhe produkt i IA mund të paraqesë për shëndetin dhe sigurinë ose të drejtat themelore të një personi. Kuadri përfshin katër nivele rreziku: të papranueshëm, të lartë, të kufizuar dhe minimal.[3]

 

Akti i Inteligjencës Artificiale propozon dënime të ashpra për mospërputhje. Për kompanitë, gjobat mund të arrijnë deri në 35 milionë euro ose 7% e xhiros globale deri në 7.5 milionë ose 1.5% e xhiros[4]. Dorëzimi i dokumentacionit të rremë ose mashtrues tek rregullatorët mund të rezultojë në gjoba gjithashtu.[5] Gjithsesi edhe pse në faza të hershme, ky Akt ka filluar tashmë të marrë vëmendjen e shumë vendeve anëtare, por jo vetëm.

 

Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Europian, kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të qenë sa me pranë masave dhe fortifikimit të tyre në fushën e dixhitalizimit.  Një shembull konkret është edhe Samiti i 5-të Dixhital i Ballkanit Perëndimor që u zhvillua në Prishtinë, Kosovë, më 21 dhe 22 shtator 2022, ku mbi Inteligjencën Artificiale (AI), Ballkani Perëndimor u angazhua të krijojë Grupin Punues rajonal të nivelit të lartë, i cili do të punojë në të gjitha aspektet e IA për të siguruar sinergji me BE-në. Për të përballuar më mirë kërcënimet e sigurisë kibernetike, Ballkani Perëndimor vendosi të përmirësojë bashkëpunimin brenda rajonit, por edhe me BE-në, veçanërisht me Komisionin Europian dhe Agjencinë e Bashkimit Europian për Sigurinë Kibernetike. Qëllimi është rritja e mbrojtjes së infrastrukturës kritike, parandalimi dhe zbulimi i kërcënimeve kibernetike, si dhe zbulimi dhe reagimi efektiv ndaj incidenteve. [6]

 

Duhet thënë që, shteti ynë ka bërë përmirësime dhe ka pasur ecuri në fushën e IA, vënë re kjo, nga nismat ligjore që janë ndërmarrë, ku më e fundit paraqitet ai i miratimit dhe hyrjes në fuqi të Ligjit Nr. 43/2023 “Për Qeverisjen Elektronike“, me një fushë të gjerë aplikimi, ku ndër të tjera përcakton qartazi edhe detyrimet e autoriteteve publike dhe subjekteve private në ofrimin e shërbimeve elektronike[7], e cila shënon një hap pozitiv drejt rregullimeve në fushën e teknologjisë. Shtojmë këtu përpjekjet e shumta të shtetit tonë në harmonizimin e iniciativave dhe hapave që duhen ndërmarrë në fushën e teknologjisë së informacionit në raport me zhvillimet në rajon dhe kërkesat e Bashkimit Europian.

 

Në aspektin kombëtar, vendi ynë në Strategjinë Ndërsektoriale “Agjenda Dixhitale E Shqipërisë” dhe të Planit Të Veprimit 2022–2026 ka përcaktuar hapa të qartë dhe synime që kërkon të arrijë në fushën e IA. Për periudhën 2022–2026 synohet digjitalizim i mëtejshëm i shërbimeve publike për marrjen e përgjigjes online me nënshkrim ose vulë elektronike për të gjitha shërbimet në e-albania që janë vetëm aplikime. Gjithashtu, planifikohet integrimi i teknologjive të reja si blockchain, inteligjencë artificiale, për të përmirësuar cilësinë e ofrimit të shërbimeve.[8]

 

Fushat që preken në këtë strategji, renditen si më poshtë:

-       Qytetarët dixhitalë: Ku flitet për orientimin e marrjes së shërbimeve nga ana e qytetarëve online dhe ofrimi i këtyre shërbimeve online nga ana e institucioneve publike. Reformimi i e-albania mund të përmendet si një shembull, ku qytetarë shqiptarë qofshin ato rezidentë në Shqipëri apo jo, të huaj dhe biznese mund të marrin shërbime të shumta nëpërmjet aksesimit të llogarisë së tyre në këtë platformë.

-       Edukimi dixhital: Duke qenë dhe herë pas here edhe subjekt sulmesh kibernetike, duket sikur vendi ynë nëpërmjet financimit financiar për bursa të ndryshme në kurset e teknologjisë, po përpiqet që të krijojë profesionistë të së ardhmes që potencialisht do të kontribuonin në vendin e tyre.

-       Mbështetja e bizneseve: Fokus në këtë drejtim, ka pasur edhe përdorimi i teknologjisë së informacionit në funksion të përmirësimit të shërbimeve që bizneset marrin, siç është për shembull vulat elektronike, me miratimin e ligjit nr.9880, datë 25.2.2008 “Për Nënshkrimin Elektronik[9]”, përmirësimit të shërbimeve që ofrohen nga Qendra Kombëtare e Biznesit dhe Licencimit etj.

 

Të shumta janë edhe aspektet që në vlerësimin personal mbeten kritike, siç janë kërkimi shkencor në fushën e IA, në mënyrë që të bëhet një studim më i thellë i tregut, sesi IA ndikon në vendin tonë, popullatën, ekonominë, turizmin etj. duke evidentuar problematikat kyçe dhe propozimi i masave që mund të ndërmerren, minimizimin e pasojave negative etj. Duke pasur parasysh sa sipër, zhvillimi konceptual i kategorizimeve të rreziqeve dhe përfitimeve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut që rrjedhin nga IA ka rëndësinë shkencore dhe shoqërore. Në terma akademikë, ai identifikon pikat e fokusit për më tej hulumtimin, kurse në aspektin shoqëror informon diskursin mbi qeverisjen dhe rregullimin e aplikacioneve të IA.[10] Shteti ynë patjetër ka ende shumë rrugë përpara për të qenë sa më pranë standardeve të BE por edhe një hap më para mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve të saj si pjesë e rëndësishme e shtetit të së drejtës. Kjo sepse, në ditët e sotme pasojat që vijnë nga IA janë shumë të mëdha, kostot financiare janë të larta, rruga për të ndjekur "fajtorët" dhe për ta provuar është tejet e vështirë dhe dëmet sociale janë të ndryshme.

 

Duket klishe në fakt, por sado të përpiqemi, pasojat dhe kapacitetet e IA do të zbulohen dhe shihen me kohën. BE, vendet anëtare, por edhe ato që aspirojnë të bëhen pjesë e saj janë duke ndërmarrë politika dhe nisma nga më të ndryshmet për rregullimin e IA, përdorimit të saj dhe menaxhimit të pasojave. Vendi ynë gjithashtu në bazë të asaj çfarë u përmblodh më lart, ka arritur të kushtojë vëmendjen e duhur dhe është kujdesur që aspektet teknologjike të jenë gjithnjë e në përmirësim, por nuk duhet harruar që pasja e shërbimeve teknologjike dhe qasja drejt dixhitalizimit të shërbimeve, kërkon një mbrojtje sa më të fortë dhe të gatshme kundrejt çdo sulmi, sepse një gjë është e sigurt, IA nuk njeh kufij.

 

 

Xhina Vezi, janar 2024


*Xhina Vezi është diplomuar në Universitetin e Tiranës (2019) dhe zotëron diplomë Master të Shkencave në të Drejtë Penale (2021) nga i njëjti universitet. Me më shumë se 4 vjet praktikim të ligjit shqiptar dhe ekspertizë të konsiderueshme edhe në arenën ndërkombëtare, ka qenë në gjendje të mbështes disa entitete kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjithashtu në vitin 2019 është certifikuar në fushën e anti-korrupsionit dhe pastrimit të parave me ndjekjen e një kursi 3 mujor (online) nën drejtimin e Washington and Lee University (SHBA) dhe Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti Tiranës. Që nga 2019 punon si konsulente ligjore në fusha të ndryshme ligjore, Compliance, çështjet e të dhënave personale dhe së fundmi edhe aspektet që lidhen me teknologjinë me fokus sigurinë e informacionit. Më tej, ka kontribuar në projekte të shoqërisë civile në reduktimin e çështjeve të prapambetura në Gjykatën e Lartë dhe ka si fokus ndër të tjera edhe studimin e legjislacionit europian, përafrimin me atë shqiptar - EU acquis dhe aspekte të tjera të lidhura me të.

REFERENCA:

[1] Artikull online “Inteligjenca Artificiale, cilët janë profesionet që po rrezikon në Shqipëri”, Gazeta Dita, 12.08.2023, për më shumë: “ Inteligjenca Artificiale, cilët janë profesionet që po rrezikon në Shqipëri - Gazeta Dita

[3]Artikull online, The European Union’s Artificial Intelligence Act – explained, 30 Qershor 2023, https://www.weforum.org/agenda/2023/06/european-union-ai-act-explained/ aksesuar më 29.10.2023

[7] Neni 2, pika b, LIGJ Nr. 43/2023 PËR QEVERISJEN ELEKTRONIKE

[8]VENDIM Nr. 370, datë 1.6.2022 PËR MIRATIMIN E STRATEGJISË NDËRSEKTORIALE “AGJENDA DIGJITALE E SHQIPËRISË” DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT 2022–2026, fq. 5

[9] Për nënshkrimin elektronik -ndryshuar me aktin normativ nr. 8, datë 30.9.2009, miratuar me ligjin nr. 10 178, datë 29.10.2009; - ndryshuar me ligjin nr. 122/2016, 15.12.2016)

[10] Kostina Prifti, Alberto Quintavalla and Jeroen Temperman, Chapter 29 “Artificial Intelligence and Human Rights:Understanding and Governing Common Risks and Benefits”, fq 5, 2023

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk