Takimi i 11-të i Këshillit të Stabilizim-Asociimit midis BE dhe Shqipërisë

Takimi i 11-të i Këshillit të Stabilizim-Asociimit midis BE dhe Shqipërisë

Procesi i Stabilizim Asociimit në kuadër të vendeve të Ballkanit Perëndimor ka pësuar ndryshime kohore në qasje por krijimi i një terreni të përshtatshëm politiko-ekonomik për aderim në Bashkimin Europian vazhdon të jetë synimi kryesor. Marrëveshjet e nënshkruara kanë lënë hapësirë për ndërtimin e një strukture institucionale që siguron përmbushjen e detyrimeve reciproke dhe arritjen e rezultateve optimale edhe në fushat ku ka asimetri mes palëve.

Shqipëria e ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) me vendet anëtare të BE-së në vitin 2006 por vetëm në prill të 2009 arriti që të ratifikohej plotësisht dhe të hynte në fuqi. Gjatë kësaj kohe vendi ynë ka treguar vullnet për përmbushjen e pritshmërive në dialogun politik dhe bashkëpunimin rajonal, kalimin në ekonominë e tregut, arritjen e një standardi për liritë e tregut dhe prioritetet e tjera të brendshme.

Mbikëqyrja e procesit në tërësi dhe dhënia e vlerësimeve për zbatimin e MSA-së që përfshin strategjinë për anëtarësim, harmonizimin e legjislacionit kombëtar me Acquis e BE etj. bëhet në mbledhjet e përvitshme të Këshillit të Stabilizim Asociimit (KSA) mes Shqipërisë dhe  BE-së.

Mbledhja e njëmbëdhjetë u zhvillua në Bruksel më 1 Mars 2021. Takimi u drejtua nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, z. Josep Borrell, njëherësh nënkryetari i Komisionit Europian. Delegacioni shqiptar u përfaqësua nga kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama ndërsa Komisioni Europian nga Komisioneri për politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, z. Olivér Várhelyi.

Takimi u konsiderua i frytshëm nga të dy palët pasi tabloja e temave të diskutuara ishte gjithëpërfshirëse dhe përveç zhvillimeve në Shqipëri u prekën edhe çështjet me interes të Ballkanit Perëndimor. Miratimi për hapjen e negociatave në mars të 2020 u mirëprit nga Këshilli për Stabilizim Asociim duke dalë në përfundimin se Shqipëria është e fokusuar te rezultatet e qëndrueshme dhe është gati për të hedhur hapat e radhës. Një nga këta është dhe organizimi i Konferencës së Parë Ndërqeveritare sipas principeve që përmban korniza e negociatave. Në perspektivën e Shqipërisë, kjo konferencë simbolizon progres në bërjen e reformave dhe arritje të kënaqshme në plotësimin e kushteve të vendosura nga BE. Nga ana tjetër shërben dhe si një përforcim i pohimit që Ballkani Perëndimor ka një rëndësi gjeopolitike për BE-në dhe përfshihet në strategjitë e zgjerimit të mëtejshëm.

KSA risolli në vëmendje tërmetin e viti 2019 dhe pandeminë si sfida që e gjetën Shqipërinë të papërgatitur. Vlera prej 1.15 miliard € që u mblodh për vendin tonë në Konferencën e Donatorëve për pasojat e tërmetit, 46 milion €për mbështetje socio-ekonomike dhe një kredi prej 180 milionë € paketë ndihme makro financiare për të prekurit nga Covid-19 janë dëshmi të prekshme të partneritetit dhe solidarizimit që BE ka treguar. Periudha e tranzicionit ka mbaruar për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe që prej datës 1 Prill të 2019 Shqipëria është tërësisht e përfshirë me BE-në duke rritur kërkesën e llogarisë për progres në përputhje me Politikat e jashtme dhe sigurisë të BE-së.

Një rëndësi të veçantë në takim pati reforma në drejtësi me theks te procesi i  vetingut për gjyqtarët dhe rikthimi i funksionimit të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Në luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave veprimtaria e Task Forcës së Veprimit Financiar u vlerësua me nota pozitive si pikë kyçe në funksionimin e shtetit ligjor. Gjithashtu, në mbledhje u shqyrtua dhe përparimi i bërë në fusha të tjera si respektimi i të drejtave themelore, reformat në administratën publike, punësimi, edukimi, politikat ekonomike, dhe axhenda e gjelbër. Mes kritereve parësore për anëtarësim në kornizën e negociatave do të ketë prioritet dhe përmirësimit i procedurave ligjore për azilkërkuesit dhe liria e plotë e medias.

Në vija të përgjithshme kjo mbledhje rezultoi e suksesshme por testi i vërtetë për Shqipërinë do të jenë zgjedhjet që do të zhvillohen në datën 25 prill. Ndryshimi i Kodit Zgjedhor që solli miratimin e listave të hapura nxiti debate në mbarë opinionin publik dhe këto zgjedhje pritet të mbahen në kohë pandemie sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe të Komisionit të Venecias. Tensioni mes partive opozitare dhe asaj në fuqi në prag zgjedhjesh bëhet pengesë për vendosjen e një dialogu të hapur që do t’i shërbente jo vetëm vendit por dhe perspektivës Europiane. Zhvillimi i një procedure të rregullt zgjedhore do të ishte përpos të tjerave një plus për vendosjen më shpejt të një date për Konferencën e Parë Ndërqeveritare dhe për një vendim pozitiv nga BE për fillimin zyrtar të procesit të negociatave në 2021.

 

*Endrita Shehu, Stafi i EuroSpeak, mars 2021

 

Referenca:

Joint press statement following the 11th meeting of the Stabilisation and Association Council between the EU and Albania

 https://www.consilium.europa.eu/en/press/press-releases/2021/03/01/joint-press-statement-following-the-11th-meeting-of-the-stabilisation-and-association-council-between-the-eu-and-albania/?fbclid=IwAR36mneJULtzq6bgap2mv-GhspkYbgPbnrEZzT0LdCuwIOZXM60ikSyLF

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ndërmjet Komuniteteve Europiane e shteteve të tyre anëtare dhe Republikës së Shqipërisë

 http://dap.gov.al/publikime/dokumenta-strategjik/61-marreveshja-e-stabilizim-asociimit

Projektplani kombëtar për integrimin europian 2020 – 2022. (n.d.). Retrieved from https://punetejashtme.gov.al/wp-content/uploads/2019/12/pkie_shqip_24.12.2019.doc

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk