Covid-19 dhe thellimi i krizës së besueshmërisë së medias

Covid-19 dhe thellimi i krizës së besueshmërisë së medias

Ndryshe gazetari do të telendiset nga observuesi i gjithçkaje që ka kaluar prej tij, në filtra të shumtë dhe shpesh të abuzueshëm për të shkuar tek personi, grupi shoqëror apo mbarë opinioni publik. Covid-19 hapi një marrëdhënie të re mes medias dhe publikut në të gjithë globin, kryesisht në vendet që u prekën më shumë nga ky virus.

***

Përballja me një pandemi me rregulla të hekurta, mbyllja dhe moskalimi i asnjë kufiri fizik të përcaktuar nga OBSH dhe të zbatuar edhe në vendin tonë, solli jo vetëm një mbulim të turbullt të të gjithë situatës, por, shpesh, gazetarët u detyruan të ishin përçuesit e parë të lajmeve të rreme. Kaosi i vdekjeve të panumërta, sidomos në vendin fqinj, Italinë, me të cilin na lidh gjaku dhe jeta prej tre dekadash, bëri që paniku të shoqëronte çdo mbulim të kësaj përballjeje të re, nga e cila u kuptua shumë pak. Terrori me tanke, ushtri dhe polici të armatosur nëpër rrugë nxiti një lloj trysnie tek gazetarët e terrenit, të cilët lëvizen në hapësira të ngushta për të marrë dhe transmetuar informacion që tregonin mbi personat që ishin mbartës të virusit.

Spitalet mbyllën kanalet e informacionit. Ministria e Shëndetësisë nisi të komunikojë me format të gatshëm të testuar më herët nga kreu i qeverisë. Gjithçka që transmetohej për publikun ishte shkruar dhe formuluar nga personat që morën përsipër menaxhimin e situatës, kryesisht mjekë që trumpetonin sigurinë e zotërimit të çelësit të Covid-it. Media mbeti në kurth. U çua tek opinioni vetëm informacioni i gatshëm. Asnjë e dhënë tjetër. Më kot u përpoqën pak televizione të organizonin tryeza mbrëmjesh nëpër ekrane. Aty edhe të ftuarit vinin me deklarata dhe reagime të dala nga vetë dikasteri i Shëndetësisë. Derisa, edhe ato, në emër të ‘distancës social-fizike’, u mbyllën.

Por çfarë ndodhi në të vërtet në vendin tonë gjatë kësaj periudhe? Sa të përgatitur ishim për gjithçka ndodhi që nga muaji mars e deri sot? Si dhe sa u mbulua situata që krijoi Covid-i? A pati Fake News-e? Foto e histori të sajuara për të rritur klikime, por edhe për të ‘minuar’ besueshmëri. Si dolën jashtë loje gazetat e përditshme? Për të gjitha këto, për ‘Eurospeak’ ka komunikuar me një sërë ekspertësh të komunikimit, gazetarë dhe persona që menaxhojnë opinione duke u përballur të parët me pasojat e një ‘Fake’. Është analisti i njohur dhe një ndër emrat më të spikatur të studimeve në vendin tonë, Behar Gjoka, që vë theksin në shkaqet dhe pasojat mbi gjithçka është transmetuar në këto muaj. Po ashtu ekspertja e komunikimit, Valbona Sulçe, është ndalur, ndër të tjera, tek dy raste ‘Fake’ me autor atë që s`duhej për asnjë arsye të ishte i tillë. Mimoza Gjoka, mësuese gjimnazi, me një eksperiencë prej dy dekadash, tregon përvojën e vet në menaxhimin e informacionit që nxënësit marrin dhe transmetojnë tek njëri-tjetri.

Në lidhje me opinionin mbi mbulimin e situatës së epidemisë nga ana e mediave në vendin tonë, z. Gjoka vë theksin tek fasada: “Ka mbizotëruar mbulimi zyrtar dhe fasadë, që do të thotë se merren lajmet të gatshme siç pohohen nga ERTV dhe Ministria e Shëndetësisë, si dhe nga Komiteti Koordinues, që ka si drejtuese zëvendës-ministren e mjekësisë. Prania e ndonjë kronike më pranë situatës, nuk ka mundur të shpëtojë nga lëngata median këtyre kohëve, për të qenë megafon zyrtar dhe fasadë, i pushtetit, vendor dhe qendror. Media, sidomos ajo vizive, ka rënë në kthetrat e lajmit-kasetë e gatshme, të qeverisë dhe partive politike, më tepër konfirmon se vetëm nga vetja nuk është e varur”.

Ndërsa Sulçe gjendet në krah të gazetarëve por gjatë analizimit ajo nxjerr në pah edhe një problem që në fakt është i dukshëm në mediat tona; specializimi i gazetarëve në këtë fushë: “Mendoj se pas një hutimi fillestar dhe rendjen pas sensacionalizmit dhe negativitetit, mediat shqiptare ia dolën të kenë një mbulim të mirë të pandemisë. Fillimisht pati një rendje pas shifrave të tragjedisë në vendin fqinj Itali dhe vendet e tjera europiane si dhe një njehsim të qëndrimeve të gazetarëve me ato të qeverisë për zbatimin e rregullave të karantinës, duke mos mbajtur distancën e nevojshme nga qeveria dhe duke u sjellë si policë me qytetarët. Gjithashtu për shkak të mungesës së gazetarëve të specializuar në fushën e shëndetësisë, mjedisit apo shkencës, lajmet e prodhuara vareshin më shumë tek burimet qeveritare, duke mos pasqyruar gjithë gamën e burimeve në dispozicion për mbulimin e pandemisë”.

Në lidhje me rolin e medias, Sulçe ka nënvizuar edhe faktin se televizionet, të cilat zunë një rol kyç në informimin e popullatës, e kapën shpejt ritmin dhe shfrytëzuan lidhjet teknologjike duke afruar pranë ekranit ekspertë shqiptarë të shëndetësisë nëpër botë si mjekë, infermierë apo dhe kërkues shkencorë, të cilët pasuruan panoramën e informacioneve mbi pandeminë. Nuk munguan edhe shkrimet investigative për tenderat e pajisjeve respiratore apo vendime të tjera të qeverisë, dhe kjo tregon për cilësi të gazetarisë në Shqipëri, ndonëse jo shumë media e aplikojnë këtë.

Mbyllja e gazetave

Përgjatë pandemisë, një urdhër në rrjetin social i dhënë nga kryeministri Edi Rama, detyroi botuesit e shtypit të shkruar të mbyllnin zyrat. Qëllimi në dukje ishte frika e ndonjë infektimi. Por në fakt në asnjë vend të botës nuk ndodhi diçka e tillë. Italia, në kulmin e dëshpërimit dhe të tronditjes, arriti të shumëfishonte pikat në të cilat do të shiteshin gazetat. Kryesisht u afruan me furrat e bukës, apo supermarketet e lagjeve, me qëllimin që qytetari në momentin kur bënte furnizimin me ushqime të merrte edhe gazetën e preferuar. Në vendin tonë, ndodhi e kundërta. Nuk u lejuan të dalin në treg për më shumë se 40 ditë. Po si e komentojnë ekspertët këtë çështje.

Behar Gjoka e konsideron ‘humbje gjurmësh’: “Fjala popullore “Ujku mjegull kërkon” paralajmëron shpërdorimin e besimit të marrëdhënieve njerëzore, në kohë dhe hapësirë. Mbyllja e gazetave, më pak fjalë që mund të thuhet, është humbje e gjurmëve, e fakteve që kanë ndodhur, përpos se cenon fjalën e lirë, e po kaq një krim shtetëror që pengon thënien e së vërtetës. Nuk besoj se ka ngjarë rastësisht, ka qenë dhe është një projekt ogurzi, për ta mbështjellë të vërtetën me propagandë, e cila vetëm e fsheh atë”.

Ndërsa për Valbona Sulçen mbyllja e gazetave duket se nuk përbën ndonjë shqetësim: “Nuk e konsideroj tragjike, sepse shtypi në letër nuk është e vetmja mënyrë informimi sot. Shtypi pati mundësi të vazhdonte punën online dhe duke ditur që konsumi i medias në Shqipëri anon nga televizioni, është një çështje dinamike e zhvillimit të mediave”.

Lajmet e rreme

Valbona Sulçe teksa komenton situatën e medias në përballimin e mbulimit të pandemisë ndalon konkretisht tek lajmi i rremë. Ajo është e bindur se duhej të bëhej më shumë punë për ta parandaluar këtë fenomen, ndërsa ndalon konkretisht në raste specifike: “Sigurisht që ka lajme të rreme dhe shumica e tyre dolën në pah gjatë pandemisë që nga kurat për koronavirusin deri tek videoja që shpërndau kryeministri për policinë në Spanjë që në fakt ishte marrë nga protestat në Algjeri. E fundit fare është një foto e shpërndarë po nga kryeministri për radhët e gjata në kufirin me Bullgarinë dhe Greqinë si kundërpërgjigje ndaj krizës treditore që ndodhi në kufirin tonë me emigrantët. Faktoje verifikoi që kjo foto ishte e vitit 2018 dhe nuk i përgjigjej situatës së sotme. Ndërsa për të parën pati ndjesë nga kryeministri, për të dytën s’ka ende reagim”.

Ndërsa z. Gjoka e shikon në kompleksitet këtë dukuri që është e pashmangshme të ndodh në një vend ku lajmet serviren dhe që gazetari e ka të pamundur për shumë arsye të ndërhyjë: “Lajme fasadë, që zbukurojnë, duke gënjyer, si në rastet e aerodromeve, rrugëve, tuneleve, qendrave të banimit me 3D, të paraqitura bukur, që në thelbin e tyre, janë lajme të rreme, sepse projektojnë të ardhmen, për të harruar problemet e përditshmërisë. Kur të marrin fund kasetat e qeverisë, bashkisë dhe partive, atëherë mundet të pretendojmë se media është duke realizuar misionin e saj, gjetjen dhe pohimin e të vërtetave. Po kaq, rrëmimi në jetën private, bazuar në thashetheme, është mënyrë e paraqitjes së shpifjeve si të vërteta, duke “orientuar” me anë të mashtrimit opinionin publik. Një fije e ndanë mashtrimin nga e vërteta”!

Por znj. Sulçe shkon më tej duke qëmtuar shkaqet e lajmeve të rreme që transmetohen nëpër mediat tona; ajo ka një fajtor dhe sigurisht edhe një zgjidhje: “Kuptohet që ndikimi kryesor i këtyre lloj lajmeve është çoroditja e publikut, manipulimi me qëllim shitjen e produkteve ose manipulimi i audiencave për qëllime propagande. Është për të ardhur keq që Shqipëria është e fundit në rajon që nuk e ka në kurrikulë edukimin mediatik, me gjithë këmbënguljen e vazhdueshme të shoqërisë civile dhe ekspertëve për futjen e saj si lëndë shkollore. Nga ana tjetër, lajmet e rreme i faturohen gazetarëve dhe medias, duke dëmtuar reputacionin e tyre, kur në fakt gazetarët janë ata që diktojnë lajmet e rreme dhe demaskojnë dizinformimin. Pra rreziku është i dyfishtë dhe nëse nuk merren masa, nuk do jetë e largët dita kur njerëzit të marrin vendime bazuar në dizinformacion. Duhet urgjentisht futja e edukimit mediatik në shkolla dhe angazhimi i gazetarëve për të luftuar lajmin e rremë kudo ku ai shfaqet”.

Një shqetësim dhe një mesazh...

Pandemia, veç të tjerash, bëri që fëmijët ta kenë detyrim lidhjen më teknologjinë. Duke qenë të detyruar të qëndrojnë me orë të zgjatura para mjeteve teknologjike për shkak të mësimit online, ata ishin të parët që përballeshin me krejt të rejat e fundit që hynin në pajisjet e tyre. Sigurisht që shqetësimi më i madh lidhej dhe lidhet konkretisht me përthithjen dhe përvetësimin e çdo informacioni që ata hasin dhe gjejnë në labirintet e pafundme të rrjeteve sociale dhe mediave elektronike. Është mësuesja Mimoza Gjoka nga Lezha që ngre shqetësimin jo vetëm qytetar po edhe atë prindëror dhe profesional. “Ka ardhur koha e internetit dhe teknologjisë. E pranojmë të gjithë. Megjithatë nga njëra anë prindi "lufton" me fëmijën për sa më pak telefon, i-pad apo kompjuter në duar, dhe mësuesi dëshiron dhe merr urdhër për mospërdorimin e telefonit nga nxënësi në klasë, por pandemia solli një realitet të ri. Sot edhe fëmija i ‘pamundur’ duhet të ketë së paku një telefon. Deri këtu e gjejmë një justifikim. Po lind pyetja; a jemi të gatshëm të paguajmë çmimin e asaj që lë pas ky realitet? Fëmijët, pra nxënësit, janë kontigjenti më i pambrojtur përballë ‘Fake News’, ku çdo informacion e marrin të papërpunuar dhe janë të parët që e përvetësojnë”. Sipas Mimoza Gjokës, duhet të ngrihen mekanizma të posaçëm kryesisht pranë mediave për të mundësuar filtrimin e krejt informacionit që prek moshat e papjekura. Duke kërkuar zgjidhje për një problem që s`mund të jetë thjesht çështje zgjedhjeje, mësuesja kërkon angazhim nga e gjithë shoqëria për të minimizuar rrugën e lajmit të rremë që mos të shkojë tek fëmijët...qoftë ky i dhënë edhe nga kryeministri...

Nikoleta Kovaçi, tetor 2020

*Nikoleta Kovaçi punon në media prej 19 vitesh  e orientuar më së shumti në fushën e Drejtësisë, sektori i problemeve që i mbulon Policia, Prokuroria, Gjykatat dhe krejt sistemi i drejtësisë. Ka punuar si gazeater, drejtuese dhe kryeredaktore në media të shtypit dhe online. 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk