Reflektime pas zgjedhjeve parlamentare në BE 22-25 maj 2014

Reflektime pas zgjedhjeve parlamentare në BE 22-25 maj 2014

-    Ky vit i zgjedhjeve nxori në dukje partitë kundërshtare të projektit Europian, veçanërisht në Francë dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Problematika më e madhe e këtyre zgjedhjeve ishte fitorja e ekstremistëve të djathtë në Francë, me në krye Marine Le Pen dhe euroskeptikëve në Britaninë e Madhe. Kjo ishte hera e parë në më shumë se një shekull që në zgjedhjet kombëtare nuk kanë fituar Partia Konservatore apo Partia Laburiste në Britani.

Rezultatet e zgjedhjeve

Sipas rezultateve të zgjedhjeve, Partia Popullore Europiane e qendrës së djathtë ka marrë numrin më të madh të vendeve në parlament duke zënë 208 vende, ndërkohë partitë socialiste dhe demokratike të qendrës së majtë kanë në bllok 186 vende. Partitë radikale të majta dolën mirë me krizën që ka goditur shtetet jugore të Eurozonës, por në Greqi ekstremistët e djathtë kanë rritur mbështetjen e tyre. Në Spanjë, Partia Popullore ruajti kryesinë, por së bashku me opozitën socialiste, pësuan humbje të thella duke humbur respektivisht 8 dhe 9 vende në parlament. Opozita socialiste në Portugali arriti të merrte drejtimin pas 3 vjetësh te vështira. Surprizuese ishin rezultatet në Itali, ku ka kryesuar Partia Demokratike e qendrës së majtë, pasuar nga Lëvizja me 5 yje euroskeptike e Beppe Grillo. Ndërkohë Forca Itali e Silvio Berluskoni renditet e treta. Rëndësia e zgjedhjeve parlamentare europiane u eklipsua nga zgjedhjet kombëtare në Belgjikë, ku nacionalistët fiamingë fituan vendin e parë. Kryeministri Elio Di Rupo, një socialist nga pjesa frëngjisht-folëse e vendit, dha dorëheqjen. Euroskeptikët e Partisë së Lirisë në Hollandë ranë nga vendi i dytë në vendin e katërt. Hollandezët i dhanë një vend në Parlamentin Europian Partisë për të drejtat e kafshëve për herë të parë. Gjermania vjen e stabilizuar. Bashkimi Kristian-Demokrat i Gjermanisë dhe Bashkimi Social-Kristian i Bavarisë, partitë e qendrës së djathtë të Angela Merkel ruajtën epërsinë e tyre në zgjedhje. Partia Social Demokratike, pjesë e koalicionit me to, pati një rritje të konsiderueshme. Zgjedhjet në Danimarkë u kryesuan nga Partia kundër imigracionit të njerëzve, e cila fitoi 4 vende. Suedia zgjodhi deputeten e parë europiane nga Nisma Feministe, e vetmja parti feministe formale në PE. Partia Euroskeptike e Finlandezëve të Vërtetë fitoi 2 vende në PE, duke rezultuar kështu më poshtë parashikimeve. Polonia, shteti me numrin më të madh të vendeve në PE nga shtetet e anëtarësuara rishtazi (51), u ndesh me zvogëlim të numrit të vendeve të fituara nga Partia Platforma Qytetare dhe nga opozita, Partia për Ligj dhe Drejtësi, konkretisht 19 vende secila. Në Hungari, partia e kryeministrit Viktor Orban kryesoi duke fituar 12 vende në PE. Në Bullgari Partia konservatore opozitare Gerb mundi Partinë Socialiste në zgjedhjet europiane.


Presidenti i Parlamentit Europian

Martin Schulz është presidenti i parë në historinë e parlamentin europian që është zgjedhur për një term të dytë për dy vjet e gjysmë. Eurodeputeti gjerman 58 vjeçar do të drejtojë Parlamentin Europian deri në janar 2017. Pas rezultatit të votimit, Schulz falenderoi eurodeputetët që besuan te ai dhe he theksoi se deputetët duhet të " Nëse BE-ja mbron njerëzit, ne do të fitojmë  besimin e qytetarëve, pavarësisht origjinës apo gjinisë. Rregulli i respektit dhe dinjitetit njerëzor duhet të udhëheqë në çdo gjë që bëjmë dhe unë e di se një shumicë e madhe do të ndajnë këtë mendim. Le të punojmë dhe të kemi debat konstruktiv!”

Jean- Claude Junker si President i Komisionit Europian

Zgjedhjet parlamentare të majit e kanë mbuluar me një hije të zymtë sfidën e integrimit. Lufta tanimë është për të ardhmen demokratike të Bashkimit Europian dhe proçesi i zgjedhjes së presidentit të KE-së e tregon sa reale është bërë kjo luftë. Në maj, liderët e BE-së, përfshirë znj. Merkel, thanë se do të kërkojnë në një gamë të gjerë kandidatësh për të zgjedhur presidentin e KE-së dhe do të merren edhe me cështje të tjera si vendosja e më shumë femrave në poste të larta, si dhe mirëpritja e kërkesave të shteteve anëtare të bllokut. Pavarësisht kundërshtimit të ashpër të kryeministrit britanik David Cameron, liderët e Bashkimit Europian votuan për të emëruar Jean-Claude Juncker në pozicionin e presidentit të Komisionit Europian.
Përfundimi i këtij votimi tregoi qartë se shtetet anëtare zgjodhën të përkrahin Gjermaninë, fuqia ekonomike më e fortë në Europë, dhe jo Britaninë e Madhe e cila pritet të largohet nga Bashkimi Europian në vitet në vazhdim. Presioni në rritje nga çështja e zgjedhjes së Juncker mund të përshpejtojë largimin e Britanisë së Madhe. Drejtimi që do të marrë Britania e Madhe do të varet nga zgjedhjet elektorale të ardhshme. Cameron është shprehur se, nëse i fiton zgjedhjet, do të mbajë një referendum në 2017 për të vendosur nëse Britania e Madhe do të qëndrojë apo do të dal nga blloku.
                                                                                                                Stafi i EuroSpeak, qershor 2014

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk