Besa Shahini: Është e çuditshme në fakt përfshirja e komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri. Në asnjë rajon tjetër-përveç Kosovës e Bosnjës, që kanë qenë të qeverisura nga komuniteti ndërkombëtar për disa vite pas luftërave-nuk i sheh përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar më shumë nëpër gazeta e televizione. Qëndrimet dhe mendimet e tyre mbi ngjarjet e përditshme politike në Shqipëri zënë hapësirë veçanërisht të madhe në diskursin politik vendor. Por kjo hapësirë mediatike nuk është ekuivalente me ndikimin real të komunitetit ndërkombëtar.
Komuniteti ndërkombëtar ka ndikim në politikën shqiptare për aq sa ka “karota” apo “shkopinj” për Shqipërinë. Për shembull, ShBA-të kanë pasur një ndikim më të madh para anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kur në shkëmbim të anëtarësimit ata mund t’i kërkonin Shqipërisë reforma të mirëfillta. Sot, ndikimi i tyre është më i kufizuar dhe kjo shihet qartë nga një mospërfillje që i bëhet qëndrimeve politike te ambasadorëve të SHBA-ve në Tiranë nga aktorët politikë në Shqipëri.
BE-ja është ndryshe. Shqipëria synon të anëtarësohet në BE, kështu që ajo mund të kishte shumë më shumë ndikim. Por mesazhet që dërgohen nga Brukseli nuk janë gjithmonë të qarta dhe të fuqishme. Kjo u pa edhe gjatë përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare 2013, kur BE-ja ishte mjaft e shqetësuar mbi zhvillimet ne lidhje me KQZ-ne, por nuk dha ndonjë deklaratë të fuqishme për atë çështje. Zyrtarët e ndryshëm europianë u benë thirrje palëve kryesore politike që të gjejnë një zgjidhje politike për KQZ-në. Por në fakt, ata do të duhej t’i kërkonin parlamentit ndryshimin e vendimit mbi largimin e jashtëligjshëm të një anëtari të KQZ-së. Kjo lloj ambivalence lë shumë për tu interpretuar dhe nuk pati efektin e duhur. Shqipëria shkoi në zgjedhje me një KQZ me katër anëtar, që nuk frymëzoi besim se gjithçka do të shkonte si duhet.
EuroSpeak: Është folur shumë për një kthesë në qëndrimin e SHBA-ve mbi zgjedhjet, veçanërisht pas vizitës së dytë të Z. Moore. Është komentuar se nëse më herët SHBA-të vinin theksin tek mbajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme, në respekt të standardeve ndërkombëtare, tashmë theksi vihet tek mos-protestimi dhe ruajtja e qetësisë pas rezultatit, pra sido që të menaxhohet procesi zgjedhor. A ka pasur realisht një kthesë në gjykimin tuaj? Nëse po, si mendoni se ka ndikuar tek fushata elektorale?
Besa Shahini: Nuk e shoh si kthesë në qëndrime. E shoh më shume si një moment kur zyrtarët e ndryshëm nga SHBA-të filluan të ndihen të frustruar me mospërfilljen që përjetuan nga politika shqiptare. Fillimisht ata mbajtën një qëndrim parimor për respektimin e standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve, që do ta parandalonte ndonjë krizë të mundshme pas zgjedhjeve si pasojë e kontestimit të mundshëm të rezultatit. Z. Arvizu foli qartë dhe fuqishëm edhe ditën kur parlamenti votonte heqjen e një anëtari të KQZ-së. Por kur deklarata e tij nuk u përfill, e vetmja gjë që i mbeti
SHBA-ve të thotë ishte që në qofte se ka kontestim dhe protesta, së paku të mos ketë dhunë.
EuroSpeak: Shqiptarët shquhen për adhurim në masë të autoritetit të huaj dhe pritshmëri më të larta ndaj tij se sa nga vetë institucionet e vendit. Si do ta komentonit këtë fakt, edhe nën dritën e qëndrimeve të BE-së dhe SHBA-ve para zgjedhjeve?
Besa Shahini: Kam përshtypjen se bashkësia ndërkombëtare ka hequr dorë nga ideja se në Shqipëri mund të mbizotërojë rendi e ligji dhe se mund te krijohen institucione të qëndrueshme demokratike. Marrëveshjet politike qëndrojnë mbi ligjin dhe mbi institucionet, dhe bashkësia ndërkombëtare duket se e ka pranuar këtë si fakt të pandryshueshëm. Si rezultat, ekziston një pritshmëri që problemet politike do të zgjidhen vetëm me marrëveshje politike, kështu që bashkësia ndërkombëtare gjatë krizave vazhdimisht bën thirrje për “vullnet politik.”
Kjo nuk i ndihmon vendit dhe është pikërisht ky qëndrim që e zhgënjen popullin shqiptar. Nuk ka asnjë arsye pse Shqipëria të mos jetë në gjendje të krijojë institucione demokratike që mund të qëndrojnë mbi politikën ditore. Procesi i integrimit në BE ka qenë instrumental për Kroacinë në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme pas luftës. Vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë arritur një gjë të tillë gjithashtu – edhe Shqipëria mundet.
Stafi i EuroSpeak, korrik 2013