Në konferencën e saj për shtyp në samitin e BE-së, Mogherini hodhi poshtë akuzat e të qenurit e njëanshme ndaj Rusisë dhe vuri në dukje se ajo së pari shkoi në Kiev dhe më pas në Moskë, si pjesë e "përpjekjeve të koordinuara" me Catherine Ashton dhe me ministra të tjerë të huaj për ndërmjetësimin e paqes.
"Unë e di se sfidat janë të mëdha, sidomos në këto kohë krize," tha Mogherini. Ajo u zotua se do të përkushtohet me të gjitha energjitë e saj në interes të të gjitha vendeve anëtare dhe të gjithë qytetarëve të BE-së.
Përsa i përket përvojës, ajo përmendi përfshirjen e saj në çështjet e jashtme për rreth 20 vite- si pjesë e grupeve të shoqërisë civile dhe si deputete italiane në komitetin e punëve të jashtme. Mogherini, një politologe e cila është zgjedhur në Parlamentin Kombëtar në vitin 2008 dhe përfaqësoi Italinë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Ajo ka qenë një anëtare e think-tankeve si German Marshall Fund, si dhe ka marrë pjesë në grupet e çarmatimit bërthamor, si paraardhësja e saj Catherine Ashton . Ndryshe nga Ashton, e cili flet vetëm anglisht, Mogherini flet frëngjisht dhe anglisht dhe përveç gjuhës së saj kombëtare, italishtes dhe pak spanjisht.
"Mosha është një nga disa gjërat që ne nuk mund ta ndryshojmë," tha ajo duke listuar emra si Kryeministri italian Matteo Renzi- 39 vjeç, Kryeministri i Estonisë Taavi Roivas 34 vjeç, Ministri i jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz -28 vjeç. "Ka një brez të ri liderësh europianë dhe ne duhet t’i përgjigjemi dhe të përfaqësojmë të gjithë Europën," tha ajo.
Herman Van Rompuy, duke paraqitur emërimin e saj, tha se Mogherini "ka qenë në vijën e parë në këtë periudhë të vështirë dhe intensive në skenën ndërkombëtare, duke udhëtuar në të gjithë globin". Në korrik dhe në gusht, ajo shkoi në Strasburg, Bruksel, Paris, Kiev dhe Moskë. Ajo gjithashtu udhëtoi për në Kroaci, Palestinë, Jordani, Egjipt, Serbi, Mal të Zi, Kili, Kolumbi dhe Moldavi.
E martuar dhe nënë e dy vajzave të moshës katër dhe nëntë vjeç, Mogherini shkruan në blogun e saj se ajo pëlqen të udhëtojë kudo, në çdo kohë dhe me çdo mjet, të lexojë romane rreth krimit dhe të kalojë kohë me familjen e saj.
Para se të marrë postin e saj më 1 nëntor, Mogherini duhet të kalojë përmes seancave dëgjimore në Parlamentin Europian, si dhe do të jetë pjesë e Komisionit të BE-së kryesuar nga Jean-Claude Juncker.
EUObserver, shtator 2014