Zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe dinamikat politiko-ekonomike transatlantike

Zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe dinamikat politiko-ekonomike transatlantike

Kur jemi tek politika e jashtme, një nga partnerët më të rëndësishëm të SHBA, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, është Bashkimi Europian. Për më tepër, SHBA kanë besuar gjithmonë se e vetmja zgjidhje për të ardhmen e Europës së porsadalë nga Lufta e Dytë Botërore, ishte integrimi europian. Idetë e Schuman dhe Monnet u mbështetën nga miliardat e Planit Marshall. Në këtë mënyrë, integrimi europian u shndërrua në një nga proceset më të sukseshme integruese në histori.

Ky partneritet mes SHBA dhe BE rëndom njihet si partneriteti transatlantik dhe përbën një nga akset kryesore të diplomacisë botërore. Produkt i proceseve integruese europiane ishte nga njëra anë një Europë e bashkuar, ndërsa nga pikëpamja strategjike, SHBA siguruan që në anën tjetër të Atlantikut të ketë një hapësirë të zhvilluar ekonomikisht dhe nga pikëpamja sociale, me institucione dhe demokraci të konsoliduar. Për më tepër, qasjet në politikën e jashtme të establishmenteve në dy anët e Atlantikut kanë qenë në dhjetëvjeçarët e fundit konvergjente në një shkallë të konsiderueshme.

Ndërsa tradicionalisht, që nga presidencat e Truman dhe Eisenhower, SHBA kanë punuar dhe i kanë qëndruar besnike një qasjeje të tillë, presidenti aktual, Donald Trump e ka përqendruar vëmendjen e tij jo thjesht në ruajtjen dhe forcimin e një partneriteti të tillë në marrëdhëniet transatlantike, por tek një marrëdhënie më racionale midis partnerëve në dy anët e Atlantikut. Racionalizimi i këtij parneriteti në këndvështrimin e Trump do të konsistonte në racionalizimin e burimeve, në radhë të parë atyre financiare, ekonomike dhe tregtare, dhe këtë Trump e ka parë në një lidhje të ngushtë me marrjen e përgjegjësive më të mëdha nga aleatët europianë. Kjo qasje ka qenë më e dukshme në kërkesat për rritjen e shpenzimeve ushtarake ndaj aleatëve europianë të NATO-s, si dhe në përpjekjen për të mos lejuar përfundimin e ndërtimit të gazsjellësit “Nord Stream 2”.

Sfidanti i Trump, tashmë fitues në zgjedhjet presidenciale amerikane, Joe Biden, i kandiduar nga Partia Demokrate, beson tek një qasje tjetër, më tradicionale në politikën e jashtme amerikane. Së pari, ndryshe nga Trump, qasja e tij është ajo e një politikani të establishmentit. Që nga viti 1972 e këtej, Biden është në politikën amerikane dhe në atë botërore si anëtar i Senatit Amerikan, si zëvendëspresident dhe, tashmë, si president i zgjedhur i SHBA. Së dyti, Biden vjen me një stazh prej disa dekadash si përfaqësues Partisë Demokrate. Ndryshe nga presidentët që vijnë nga Partia Republikane dhe që i ka karakterizuar gjithmonë një prirje drejt realpolitikës, presidentët demokratë të SHBA, janë dalluar historikisht për idealizmin e tyre, për perceptimin e një bote siç ajo duhej të ishte dhe jo siç është në të vërtetë. Kjo i ka dalluar këta presidentë në politikën e tyre të jashtme dhe ka bërë që në teoritë e diplomacisë të flitet për një mision kryqëzatës.

Nisur nga kjo traditë historike dhe premisa të tilla aktuale, si: dalja në skenën botërore e faktorëve të rinj me një potencial ekonomik në rritje, tendencat dhe prirjet autoritariste, jo vetëm në kufijtë e BE, por edhe në disa prej vendeve anëtare të tij, sfida e pandemisë së Covid-19, kërcënimi i përhershëm terrorist, presidenca e Joe Biden pritet të sjellë një riforcim të partneritetit SHBA-BE me synim sigurimin e një konvergjence më të madhe dhe, ndoshta, të një zëri të përbashkët kundër sfidave aktuale dhe atyre potenciale, një rikthim në qasjen tradicionale të politikës së jashtme amerikane në raport me Bashkimin Europian dhe pjesën tjetër të botës.

Kjo, në radhë të parë, nënkupton një vëmendje të shtuar në përpjekjet për zhvillimin dhe konsolidimin e demokracisë në kontinentin europian e më gjerë. Një nga premtimet e Biden është ai i organizimit të një Samiti Botëror për demokracinë gjë që duhet parë si shprehje e qartë dhe prova më e mirë e përkushtimit të presidencës Biden ndaj përpjekjeve për forcimin dhe konsolidimin e demokracisë, përpjekje e cila ka çeduar në vitet e ndonjërës nga presidencat e mëparshme.

Referuar planeve të Biden, ky samit pritet të organizohet gjatë vitit të parë, e, ndoshta, gjatë 100 ditëve të para të presidencës së tij. Synimi është të bëjë bashkë demokracitë e botës për të rinovuar frymën dhe qëllimin e përbashkët të vendeve demokratike, të asaj pjese të rruzullit që ndryshe njihet si Botë e Lirë. Nuk ka asnjë dyshim se Europa dhe formati i saj më i evoluar politik, Bashkimi Europian, pritet që të luajnë një rol domethënës krah SHBA në sendërtimin e kësaj nisme. Nëpërmjet samitit, synohet “forcimi i institucioneve demokratike në SHBA dhe në vendet e tjera për të përballuar me ndershmëri sfidën e kombeve që po kthehen prapa dhe për të krijuar një agjendë të përbashkët për të adresuar kërcënimet ndaj vlerave të përbashkëta”.

Samiti do t'u japë përparësi rezultateve duke kërkuar angazhime të reja të rëndësishme në tre fusha: lufta kundër korrupsionit; mbrojtja kundër autoritarizmit, përfshirë sigurinë e zgjedhjeve; përparimi i të drejtave të njeriut. Përbën interes ideja se samiti i propozuar do të përfshijë organizata të shoqërisë civile nga e gjithë bota dhe që qëndrojnë në vijat e frontit në mbrojtje të demokracive. Detajet e samitit do të punohen pas fillimit të vitit të ardhshëm.

Në vlerësimin tonë, përtej ambicieve për rikthimin e lidershipit amerikan në botë dhe sfidave që mbart në vetvete organizimi i një eventi të tillë global, samiti përbën një lëvizje të shkëlqyer në funksion të rikonfirmimit të politikës tradicionale amerikane, dhe, njëkohësisht, përmbush aspiratat e popujve dhe elitave të vendeve të ndryshme të botës për një frymëmarrje të re demokratizuese.

Njëkohësisht, kur është fjala për dinamikat ekonomike e sociale, pritet rikonfirmimi i përkushtimit ndaj vlerave të ekonomisë së tregut, por me një theks tek politikat sociale. Edhe për shkak të një tradite historike të themeluar me “Kursin e Ri” të Roosevelt, sipas së cilës çdo president amerikan nga radhët e Partisë Demokrate ka ardhur me një program të personalizuar masash ekonomiko-sociale, por edhe për shkak të situatës së krijuar brenda dhe jashtë SHBA me pandeminë Covid-19, si dhe të diferencave në programit të Biden dhe politikave të ndjekura nga Trump në katër vitet e fundit, e parë kjo në nivel global dhe në fokusin transtlantik, janë evidente nevojat e përmirësimit dhe zhvillimit të mëtejshëm të politikave sociale në kushtet e goditjeve të rënda për ekonominë, përballimi i emergjencës nga sistemet shëndetësore dhe domosdoshmëria e një reagimi më efektiv në situatën e krijuar.

Janë këto premisa që na cojnë në një përfundim të tillë mëse logjik. Për më tepër, provë për përkushtimin e Joe Biden ndaj një qasjeje të tillë është edhe qëndrimi ndaj “ObamaCare”. Nga ana tjetër, Biden ka pohuar krijimin e një Task-force për të adresuar më mirë problematikat e lidhura me Covid-19 në SHBA. Pritet që qasje të tilla të ndikojë edhe në vendet europiane.

Edhe pse axhenda ekonomike e sociale e 78-vjeçarit duket se nuk është aq e detajuar, mund të konstatohen disa linja kryesore në të: rigjallërimi i klasës së mesme, kujdesi shëndetësor, taksat, borxhi studentor, të drejtat e punëtorëve dhe Amerika rurale. Kur është fjala për klasën e mesme, SHBA ka një klasë të mesme proporcionalisht më të vogël se shumë ekonomi të përparuara dhe pabarazia e të ardhurave midis grupeve në klasën e mesme po rritet. Kjo përbën një mekanizëm, efektet e të cilit mund të prodhojnë në të ardhmen problematika të mprehta jo vetëm në rrafshin ekonomik e social, por edhe atë politik.

Prej këtu, vijmë në konkluzionin se prioritetet e Biden synojnë rikthimin e bazës ekonomike e sociale për një demokraci funksionale, jo vetëm në SHBA, por edhe në mbarë botën, përfshi edhe Bashkimin Europian.Parë në tërësi, mund të themi se për marrëdhëniet e SHBA me Bashkimin Europian, po troket një periudhë e re, ajo e përmirësimit të marrëdhënieve me aleatin e saj kryesor. Në kushtet e rrezikut imediat të pandemisë, pritet të ketë një koordinim më të shpejtë dhe efikas në dy anët e Atlantikut. Politikanët në SHBA dhe në Europë, përmes perceptimit të saktë të zhvillimeve aktuale dhe sfidave të së ardhmes, leximit të drejtë të votës në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe marrjes përsipër të përgjegjësive që koha dikton, do të rikthehen tek bashkëpunimi intensiv në terma ekonomikë, politikë, diplomatikë dhe teknologjikë. Joe Biden, prej gati pesë dekadash në politikën e madhe amerikane dhe botërore, me programin dhe me një kompleks politikash mjaft koherent, do të jetë, pa dyshim, promovuesi kryesor i këtij rikthimi në partneritetin tradicional në dy anët e Atlantikut.

 

Lulzim Abdiaj, dhjetor 2020

*Lulzim Abdiaj ka përfunduar studimet e larta në degën e Historisë dhe Gjeografisë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit. Ai mban gradën Master i Shkencave në të Drejtë Civile, dhe po ashtu titullin “Avokat”. Ai ka marrë pjesë dhe po ashtu ka ligjëruar në konferenca të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, seminare e trajnime profesionale. Është autor i shumë artikujve në fushat e historisë, gjeografisë, marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe fusha të tjera. Ai flet gjuhët: angleze, frënge, ruse, italiane dhe serbokroate.

 

 

Referenca:

https://thewire.in/external-affairs/joe-biden-global-summit-democracyhttps://www.ft.com/content/3c6f033d-6469-4e2e-bbf8-52a3f66fba1b

https://joebiden.com/americanleadership/?fbclid=IwAR1wk-LdXs9p7QK8YIV3BDygoY1vFjZOOF246qFQm81H8NTlaH-s0VnWdO4

https://www.investopedia.com/joe-biden-s-economic-plan-save-the-middle-class-4769869

 

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk