Kriza, si mundësi rigjallërimi për BE-në/ Asnjë vend nuk mund të përballojë i vetëm krizën e refugjatëve
Jens Spahn, anëtar i parlamentit gjerman shprehet mbi situatën e vështirë sociale dhe politike me të cilën po përballet Europa duke mbajtur qëndrim kritik ndaj Gjermanisë. Sipas tij, roli duhet të jetë më mbështetës për vendet e Europës jugore, me qëllim parandalimin e rritjes së numrit të të ardhurve drejt saj. “Situata kërkon qëndrim fleksibël të vendeve, duke e parë këtë sfidë si një mundësi që Europa të hedhë hapa përpara. Kriza e migrantëve nuk është problem vetëm i Gjermanisë por i gjithë Europës, gjë që kërkon marrjen përsipër të përgjegjësive mbi faktin dhe nisjen e një fillimi të ri për Unionin, me qëllim rivitalizimin e politikës së tij”-shprehet anëtari i Unionit Kristian Demokrat(CDU).
Në diskutimin e tij ai shtron tre çështje kryesore, të cilat duhen ndërmarrë për përballimin e situatës:
- Nevoja për sigurimin e kufijve të jashtëm të Europës, si një përpjekje që garanton lirinë në zonën Shengen;
- Rritja e ndihmës për vendet fqinje të BE-së, duke synuar parandalimin e nevojës për migrim ekonomik të shtetasve të tyre;
- Rimodelimin e rregullave për azil, duke synuar qartësi dhe krahasueshmëri për të gjithë ata që përkohësisht kanë nevojën e ndihmës nga BE dhe detyrohen të aplikojnë.
Për t’i mbijetuar situatës, duhet rivendosur një ndjenjë kontrolli
Kreu i Qendrës për Strategjitë Liberale në Sofje, Ivan Krastev mbron idenë se kriza e emigrantëve nuk është nga ato kriza që mund ti sigurosh zgjidhje të menjëhershme, por mbijetesë për daljen nga situata. Ai mbështet propozimin e Merkel për Planin e Zhvillimit nga Iniciativa Europiane për Stabilitet, i cili po diskutohet nga liderët europianë si plan bindës me ndryshime të arritshme brenda një kohe të shkurtër. Qëllimi kryesor i këtij plani është zhvendosja e qindra emigrantëve nga Turqia në një grup të shteteve anëtare të BE-së dhe paralelisht kthimin e të gjithë emigrantëve aktualisht në Greqi për në Turqi. Ky kthim i emigrantëve do të legjitimonte kërkesat e tyre për azil.
Në të njëjtën kohë, duke konsideruar vështirësitë për arritjen dhe dakordësimin e menjëhershëm për propozimin e ngritur, z.Krastev sugjeron ngritjen e një proçesi kontrolli për situatën. Arritja e emigrantëve në Europë pa rrezikuar jetën dhe krijimi i një plani rregullues, vlerësohen si vendimtare për të ardhmen europiane.
Europa të flasë më pak dhe të veprojë më shumë
Demetrios G. Papademetriou, president i Institutit të Politikave të Migracionit për Europën thekson se Europa duhet të flasë më pak dhe të bëjë më shumë për rregullim e situatës. Sipas tij, zgjidhja e krizës kërkon mbështetjen në tre pika kryesore të çështjes:
Së pari, duhen identifikuar gabimet dhe korrigjuar ato, duke përfshirë këtu faktin e eliminimit në mënyrë të njëanshme të kufijve mesdhetar nga Europa. Ngritja e operacioneve të kërkim-shpëtimit vlerësohet si tepër e nevojshme ligjërisht, por edhe moralisht përgjegjëse për arritjen e shpëtimit të emigrantëve brenda kufijve të Bashkimit Europian. Politikëbërja e BE-së duhet të reflektojë shembuj pozitiv për vendet fqinje. Së dyti, Papademetriou shprehet se qeveritë duhet të përballen me detyrën e vështirë që kanë përpara, duke vendosur si prioritet politik mbrojtjen e integritetit të sistemit europian. Ai sugjeron ndërmarrjen e një programi me përmasa të mëdha për risistemim humanitar, si dhe krijimin, mbrojtjen dhe zgjerimin gradual të "zonave të sigurta" brenda Sirisë.
Dhe së treti, konsideron si të rëndësishme zhvillimin e një plan-emergjence të mirëmenduar për implementimin sa më të mirë të politikave europiane.
Kontrolli i kufijve, rritja e solidaritetit
Jeroen Lenaers, Raporteri për propozimin e një mekanizmi të përhershëm për rishpërndarjen e emigrantëve , vendos në qendër të problematikës zgjidhjen e krizës së migrimit nga politikëbërësit e qeverive rajonale dhe lokale në të gjithë Europën. Mekanizmi rishpërndarës duhet ringjallur në mënyrë që çështja të zgjidhet në mënyrë të drejtë në mesin e vendeve europiane.
Për Lenaers, vendosja e kontrollit në kufijtë e jashtëm dhe implementimi i kësaj strategjie nëpërmjet veprimeve konkrete përbën një pikë të rëndësishme në diskutimin e tij. Mungesa e qartësisë mbi numrin e refugjatëve që vijnë në Europë, sjell si nevojë të menjëhershme adresimin dhe identifikimin e atyre refugjatëve që vijnë si pasojë e luftës dhe persekutimit. “Nëse bashkëpunimi mbi bazën e solidaritetit nuk po funksionon vullnetarisht, Komisioni duhet të shqyrtojë mundësitë e mekanizmave korrigjuese për vendet që kategorikisht refuzojnë të marrin pjesë në një qasje të përbashkët”- shprehet Lenaers.
“Nuk duhet të presim zgjidhje të artë, përveç se implementimit të rregullave”
Më tej, Syed Kamall kryetar i Konservatorëve dhe Reformistëve të Grupit Europian në Parlamentin Europian, thekson përgjegjësinë morale që duhet të karakterizojë vendet e BE-së lidhur me mbështetjen që duhet të ofrojnë për të gjithë ata njerëz që vijnë nga regjime vrasëse, por duke bërë të qarta rregullat e një migrimi ekonomik, pasi Europa s’mund të jetë destinacioni ku të gjithë kërkojnë për një jetë më të mirë. “Nuk ka zgjidhje që të vijë si mrekulli, përveç implementimit të rregullave për të cilat vendet evropiane kanë rënë dakord tashmë”-thotë Kamall.
Kontrolli mbi legjitimitetin e kërkesave për azil duhet forcuar, në mënyrë që të arrihet lehtësisht zgjidhja e krizës. Sipas tij, nëse një vend nuk mund të veprojë në përputhje me përgjegjësitë e tij në bazë të Shengenit, vendet e tjera janë të justifikuara për të mbrojtur kufijtë e tyre kombëtare. Ai mbështet fort veprimin sipas rregullave, e përmendi Rregulloren e Dublinit, e cila u pezullua në Greqi pesë vjet më parë për shkak të kushteve të këqija të përshtatjes me të, por në 2015 Gjermania në sajë të një ftese të hapur e risolli në sipërfaqe. Z. Kamall përfundon se nuk është nevoja e transformimeve të rregulloreve por domosdoshmëria për zbatimin e tyre.
Europa ka nevojën e politikave koherente për azil
Zbatimi i një qasjeje të vërtetë europiane përballë çështjes, ritheksohet edhe një herë nga Guy Verhofstadt, kreu i grupit Parlamentar Europian Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve më Europë(ALDE). Për të, përbën një pikë kritike identifikimi i emigrantëve që janë drejtuar nga Europa, për të kërkuar më pas një ndërhyrje të menjëhershme.
Gjithashtu një çështje me rëndësi që del nga intervista e Verhofstadt, është nevoja për ndihma direkte që duhet të shkojnë tek refugjatët. Mbështetja e tyre me kujdes shëndetsor, arsimim dhe ushqim do mund të arrijë ta vendosë situatën disi nën kontroll. Këshilli duhet të bjerë dakord për një grup rregullash të azilit që duhen zbatuar në të gjithë kufijtë, si dhe një skemë mbi kuotën e detyrueshme që shpërndan refugjatët në të gjitha 28 vendet e BE-së. Për z. Verhofstadt shtrohet nevoja e ndërtimit të një vije kufitare me të drejta të plota europiane, si dhe krijimin e një Roje Bregdetare. Krijimi i Kufirit Europian dhe Rojës Bregdetare sigurisht që do të thotë se duhet rënë dakord mbi një sërë rregullash, që të mund të përcaktohet qartë veprimtaria e tyre.
Lërjani vendeve anëtare të vendosin për politikat migratore
György Schöpflin eurodeputeti hungarez nga partia Fidesz, tregon mbi ndërtimin e një gardhi për mbrojtjen e kufirit hungarez që erdhi si pasojë e lëvizjes së madhe të njerëzve pa marrë parasysh sovranitetin e vendit, si dhe mungesën e arritjes së një mirëkuptimi nga ana e Brukselit. Gjithashtu, popullsia në rënie e Europës Qendrore ka krijuar frikën se normat lokale, zakonet dhe vlerat e tyre mund të ndryshojnë nga fluksi dhe ndikimi i emigrantëve. Eurodeputeti hungarez thekson edhe një herë faktin e respektimit rreptësisht të ndarjes mes interesave të azilkërkuesve, që vijnë si pasojë e luftës dhe emigrantëve ekonomikë. Ai shprehet se të gjitha aspektet e politikave migratore duhen diskutuar në nivel shtetesh.
“Ne i kemi zgjidhjet, tani duhet t’i zbatojmë ato”
Ndoshta si kundërpërgjigje ndaj “gardhit” hungarez vjen qëndrimi i Gianni Pittella, kryetar i Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian. Sipas tij, shumica e shteteve europiane nuk i përmbushin detyrimet e tyre si dhe shpërfillin vendimet që janë marrë vazhdimësisht. “Duke ngritur mure dhe izoluar kufijtë rrezikojmë shëmbjen e Europës”-thotë Pittela. Ai mbron idenë e Europës si familje, e cila ndan vlerat dhe detyrimet e përbashkëta prandaj bën përgjegjëse të gjithë ato shtete që nuk zbatojnë marrëveshjen e bashkëpunimit, duke theksuar si të nevojshme edhe marrjen e masave kundër mosveprimit të tyre.
“Europa duhet të ndalet së bëri naiven, jemi të mbingarkuar”
Mbi diskutimin për vlerat europiane dhe standardin europian të jetesës, Jimmie Åkesson anëtar i parlamentit suedez dhe Sekretari i Përgjithshëm i European Stability Initiative shprehet se është e pamundur për tu arritur i njëjti standard europian jetese për të gjithë emigrantët. Me këmbengulje ai konsideron si me rëndësi dy drejtime kryesore, në të cilat mund të asistohet:
-Fillimisht vendos si prioritare zgjidhjen e nevojave bazike të migrantëve si ushqimi, shëndeti, veshmbathja, si dhe mbështetja nëpërmjet arsimimit të fëmijëve.
-Qasja e dytë, sipas tij arrin t’i sigurojë rajonit kompetencat e nevojshme lokale për rindërtim. Një numër i caktuar i këtyre personave të zhvendosur janë emigrantë ekonomikë dhe jo refugjatë. Disa janë doktorë, avokatë, inxhinierë dhe nivele të caktuara të arsimit. Është e rëndësishme që këto njohuri të mbeten, në mënyrë që rriten shanset për rimëkëmbje pasi konfliktet në vendet e tyre të jetë zgjidhur.
Mos harroni emigrantët ekonomikë
François De Smet, drejtor i Myria- Qendra Federale e Belgjikës për Migracionin, shprehet kritik në mungesën e politikës europiane proaktive dhe ndjekjen e politikave jokonsistente ndërkombëtare për sigurinë dhe migrimin. Për arritjen e zgjidhjes, ai sugjeron qasjen e dyfishtë: nga njëra anë, një kontinent të gjerë i politikave të përbashkëta për azil; nga ana tjetër, një politikë migrimi që pranon dhe organizon flukset e migrimit ekonomik, në vend të mohimit të tyre. Gjithashtu, krijimi i një sistemi që lejon azilkërkuesit të regjistrojnë kërkesat nga vendet e tyre, ose shtetet fqinje për në BE mund të ndihmojë në regjistrimin dhe shpërndarjen e drejtë të emigrantëve. Në kuadër të bashkëpunimit, me rëndësi të veçantë është hapja e kanaleve ligjore që mund të lejojnë dhe lehtësojnë trajnimin dhe punësimin e emigrantëve, si në punë të nivelit të lartë apo të ulët.
Europa ka nevojë për të ndërhyrë sa më shpejt
Së fundmi, në serinë e intervistave dedikuar çështjes më të diskutuar sot në Europë, shprehet edhe Josef Janning, kreu i zyrës së Berlinit në Këshillin Europian për Marrëdhëniet me Jashtë. Sipas tij, për zgjidhjen e krizës duhen ndërmarrë 5 veprime konkrete të ndërlidhura:
- së pari, krijimi i një solidariteti të brendshëm në kufijtë e europës;
- së dyti, zbatimi i rregullave të forta për azil dhe kthimi i emigrantëve mbrapsht nëse aplikimi i tyre dështon;
- së treti, ndërhyrje e fortë humanitare, duke konsistuar në ndihmë qysh në çastin që emigrantët lënë shtëpinë e tyre;
- së katërti, angazhimi i fuqive rajonale me njëra-tjetrën në mënyrë konstruktive;
- dhe së pesti, nevoja për politika të përbashkëta azili dhe migracioni, që do të bënin të mundur ndarjen në mënyrë të barabartë mes shteteve anëtare.
Sipas z. Janning, Gjermanisë i duhet të krijojë një koalicion të vullnetit të përbashkët për daljen nga situata dhe për zgjidhjen afatgjatë të krizës.
Politico, shkurt 2016