Si po reflektohen ngjarjet e Parisit në lëvizjen Pegida?
Në mjedisin gjerman po pasqyrohet frika e përhapjes së një lëvizjeje politike kundër islamizimit të quajtur Pegida (Patriotët Europianë kundër Islamizimit të Perëndimit), e cila duket se ka qenë organizatorja e marshimeve kundrejt emigracionit dhe shifrave tepër të larta që kanë shënuar një rritje rekord të azilkërkuesve. Si pasojë e këtyre protestave masive, Pegida është dënuar prej politikanëve dhe figurave publike ku përfshihet Kancelarja Merkel, të cilët e kanë akuzuar lëvizjen se është plot me paragjykime dhe urrejtje. Sipas një sondazhi të një kompanie gjermane, pavarësisht se 29% e gjermanëve i cilësojnë këto protesta si të drejta dhe të justifikueshme, vetëm 10% do të votonin një parti anti – islamike.
AfD e pavendosur rreth bashkëpunimit me Pegida
Pegida po kërkon aleatë të mundshëm brenda spektrit politik gjerman. Nga të gjitha partitë politike gjermane vetëm njëra duket se po flirton me mundësinë e këtij bashkëpunimi, Alternativa për Gjermaninë (AfD), një parti euroskeptike. Shumë prej figurave kryesore të kësaj force politike si zëvendëskryetari Aleksandër Gauland, kanë dhënë vlerësime dhe komente pozitive lidhur me Pegida-n. Gauland, duke iu referuar sulmit mbi Charlie Hebdo, ndër të tjera u shpreh se “ata që i kanë injoruar dhe përqeshur shqetësimet e shumë njerëzve lidhur me një kërcënim të pashmangshëm prej islamizmit morën ndëshkimin e merituar permes kësaj vepre të përgjakshme,” ndërsa kryetari i rajonit të Saksonisë (një figure kyçe e protestave) u shpreh entuziast rreth mundësisë së bashkëpunimit me Pediga-n.
Por duket se lidhur me këtë ide paksa të nxituar jo të gjithë anëtarët e kësaj partie janë të një mendjeje për të ndërmarrë një aventurë të tillë politike. Kështu lideri më liberal, Bernd Lucke si Hans Olaf Henkel (ish Presidenti i Federatës të Industrive Gjermane) e kanë refuzuar bashkëpunimin zyrtar me Pegida-n, duke deklaruar se “ksenofobia është e papranueshme për AfD.’ Kjo çështje është bërë pjesë e luftës për pushtet brenda partisë dhe pasqyron një ndarje të thellë ndërmjet liberalëve ekonomikë, të cilët e shohin partinë si një pasardhëse natyrale të Partisë së Demokracisë së Lirë si dhe të konservatorëve socialë dhe patriotikë.
AfD si një barometër ndjesish publike
Se me kë apo ku do të orientohet AfD në të ardhmen, kjo do të përbëjë një fakt interesant për shumë arsye. Siç e kemi përmendur edhe më sipër, AfD rrezikon të shndërrohet në një parti populiste, pasi vitet e fundit ka përdorur një qëndrim miqësor ndaj Presidentit të Rusisë Vladimir Putin dhe pjesa më e madhe e kundërshton TTIP (Partneritetin Transatlantik të Tregtisë dhe të Investimeve), marrëveshjes së tregtisë së lirë BE – SHBA si dhe po i afrohet partive të tilla si UKIP.
Pavarësisht vendimit që do të marrë lidershipi i kësaj partie, i cili do të ketë ndikim në zhvillimet e ardhshme të kësaj force politike, do të shërbejë si një lloj testi për të parë nëse në Gjermani po përhapet nervozizmi dhe lodhja ndaj çështjeve si emigracioni dhe Islami. Nëse AfD do ta përqafonte qasjen politike të Pegida-s, kjo do të përbënte një kumar tepër të rrezikshëm sepse votuesit që kanë shprehur simpatinë e tyre ndaj mesazhit të saj ekonomik kundër euros mund të largoheshin prej kësaj force politike.
Open Europe, janar 2015