Mediatizimi i COVID dhe sfida e lajmeve të rreme-fake news

Mediatizimi i COVID dhe sfida e lajmeve të rreme-fake news

***

Mediat ishin përballuar në vitin 2009, me epideminë e gripit H1N1. Në këtë kohë u krye studimi i parë i ndikimit të rrjeteve sociale në përhapjen e lajmeve të pandemisë. Studiuesi t u përqendruan mbi pasojat e sjelljeve sociale ndaj pandemisë që prodhonte komunikimi në Internet. (Chew et al, 2010). Komunikimi mediatik dhe informacioni masiv bazuar në teknologjinë dixhitale përcaktoi reagimin e vonuar, por atë të duhur të shoqërisë ndaj epidemisë. Nisi njëherësh dhe një qasje e re kritike e vlerësimit të publikut ndaj medias.

Mediat u gjendën përballë një presioni të jashtëzakonshëm të prurjes së informacionit zyrtar dhe atij nga terreni, si dhe përballë konkurrencës për të dhënë lajmin në prime time. Nga ana tjetër “gazetaria qytetare” përmes rrjeteve sociale krijoi efektin e informacionit ortek, ku mungesa e filtrave të vërtetësisë dhe profesionalizmit, krijuan një realitet kompleks, që nga ekspertët e komunikimit u cilësua info-pandemia.

Mediat elektronike, më së shumti ato të internetit (mediat online- portalet, blogjet dhe faqet publike të personazheve të njohur) ranë shumë herë në kurthin e lajmeve të rreme (fakenews) si dhe shkeljes së parimeve të një gazetarie profesionale dhe të paanshme.

Disa qasje teorike dhe zyrtare për informimin publik mbi epideminë COVID

Paralelisht me ecurinë dhe rezultatet e sëmundjes epidemike, studiuesit e medias dhe komunikimit në shumë vende të botës nisën monitorimin cilësor dhe sasior të pasqyrimit mediatik të fenomenit. Me qindra analiza shkencore dhe artikuj me fokus vecanërisht, komunikimin e rrjeteve sociale gjatë karantinës, janë publikuar në internet dhe në botime të ndryshme. Rezultati i përbashkët ku konvergojnë studimet analitike lidhet me dy drejtime:

1) Dominimi i rrjeteve sociale dhe mediave të Internetit në informimin masiv gjatë epidemisë’

2) Shtimi i konsiderueshëm i lajmeve të pavërteta ( fake news )

Supremacia e shpërndarjes së informacionit nga mediat e internetit dhe veçanërisht rrjeteve sociale ka qenë e pranishme në të gjithë vendet e prekura nga Covid. Vetëm në Itali gjatë 4 javëve të para të karantinës janë bërë publike 486 605 raportime në web, televizione, radio dhe gazeta. 421 354 informacione janë publikuar në web , 48 903 në gazeta, 10 071 transmetuar në televizione dhe 6 277 në radio (Kantarmedia, 2020).

Gazetari i një portali të ndjekur në Itali, Stefano Nicoletti thotë se në rastin e epidemisë, Interneti ka globalizuar të gjitha format e komunikimit dhe aksesin në informacion (AgendaDigitale, 2020). Veçanërisht dhe riprodhimi i përmbajtjes së kronikave të televizionit, radios dhe gazetave përmes faqeve të tyre të Facebook dhe web solli një përhapje masive të informacionit

Profesori i Komunikimit, Stephen Croucher në Universitetin Massey në Zelandën e Re, një nga vendet e pacënuara nga epidemia, me studimin e tij mbi pasqyrimin e COVID 19 në mediat online theksoi se publiku tentoi ti besojë shumë informacionit të shpërndarë në rrjetet sociale. (Frontiersin.org, 2020) Tiparet e këtij komunikimi që lidheshin me algoritmin e shtuar të përhapjes së informacionit në kohë rekord dhe nga burime komerciale, ndikuan negativisht në perceptimin publik të sëmundjes.

Në kulmin e pandemisë brenda 24 orëve, COVID 19 u përmend 19 milion raste në të gjithë rrjetet e mediave sociale në botë (Molla, 2020). Qasjes kritike të informacionit online iu bashkëngjitën shumë gazetarë e studiues të cilët vlerësuan se epidemia e virusit Corona shënoi kulmin e manipulimit të informacionit ose dezinformacionit të publikut. Në artikullin online të BBC “a po përhapin virusin mediat sociale”, Cellan-Jones (BBC, 2020) thekson se rrjetet dhe portalet në internet më së shumti dhanë informacion por jo fakte profesionale mbi sëmundjen edhe pse në shumë vende pati filtra të informacionit. Schultz mendon se mediat sociale luajtën një rol thelbësor në perceptimin dhe reagimin e publikut ndaj Covid duke influencuar ndjeshëm komunikimin publik (Schultz et al, 2011).

Tendencës për përhapje masive të informacionit online nuk i shpëtuan dhe institucionet. Autoritetet shëndetësore përmes web dhe rrjeteve sociale shkëmbyen informacionin e kërkuar për epideminë, duke sjellë kështu një dimension të shtuar social të komunikimit të institucioneve me publikun. (Li et al, 2020)

Sipas statistikave të Kombeve të Bashkuara më 8 prill 2020, 167 vende kishin ngritur platformat e tyre të dedikuara vetëm për informacion mbi COVID (WHO, 2020)

Në Shqipëri, krahas informacioneve zyrtar online dhe deklaratave të Ministrisë së Shëndetësisë u publikua një platformë e posaëme për gjendjen e shkaktuar nga COVID-19 - Coronavirus.al (ATA, 2020). Televizionet dhe radiot që nga 9 marsi filluan të transmetojnë mesazhin informues dhe ndërgjegjësues pa pagese për publikun, përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Autoriteti i mediave orientoi mediat audiovizive që “Informacionet dhe të dhënat të jenë të verifikuara, ndërkohë që trajtimet dhe udhëzimet me natyrë higjenike dhe shëndetësore do të bazohen tek ekspertët e fushës, elementë këto që evitojnë dhe refuzojnë lajmet e rreme dhe të pabazuara që shkaktojnë dhe stimulojnë panik dhe trazim të panevojshëm tek ndjekësit e transmetimeve audio dhe audiovizive” (AMA, 2020).

Infopandemia - qasja e BE )

Studiuesit e komunikimit dhe të sistemit shëndetësor konstatuan që në fillim të pandemisë ndjesitë e pasigurisë frikës dhe panikut që po prodhonin trafiku i informacionit në internet. Duke i cilësuar si media sociale infodemike, studiuesit vunë theksin tek domosdoshmëria e publikimit të informacionit të certifikuar për parandalimin dhe trajtimin mjekësor të COVID (Wongkoblap et al, 2017). Nga ana tjetër institucionet politike të Brukselit ndezën menjëherë motorët për ti paraprirë krizës së informacionit fake duke i kërkuar zyrave të platformave sociale strategji pune të përmuajshme për ndalimin e përhapjes së informacioneve të rreme.

Në dokumente të herëpahershme Komisioni Europian dhe përfaqësuesit e lartë theksuan se “koordinimi mes shteteve anëtare do të kontribuojë në mënyrë aktive në implementimin e strategjive të komunikimit në linjë me planin e veprimit kundër dezinformacionit, plan veprimin e demokracisë europiane dhe aktet e shërbimeve dixhitale”(Faqja zyrtare e BE, 2020). Ndër çështjet e trajtuara për ndalimin e informacionit të rremë dhe të manipuluar, Komisioni Europian ka kërkuar zbatimin e politikave dhe marrjen e masave për ngritjen e një sistemi alerti në ndalimin e dezinformimit, përhapjen e sjelljeve të urrejtjes, diskriminimit. Ndër të tjera Komisioni Europian theksoi domosdoshmërinë e ngritjes së shërbimit të verifikimit të burimeve të informacionit përmes Fact- checkers dhe metodologjisë së motorëve të kërkimit

Covid 19 në mediat shqiptare

Covid 19, parashtroi sfida të shumta në ecurinë profesionale të mediave online dhe ato elektronike në Shqipëri. Por këto çështje do të zbardhen më të plota kur të realizohen studime mbi pasqyrimin e epidemisë, me fokus cilësitë dhe sasinë e informacionit, avantazhet, problematikat dhe mësimet e nxjerra nga kjo përvojë e pazakontë edhe për mediat shqiptare.

Duke iu referuar një monitorimi sasior të kryer nga vetë autorja gjatë muajit prill dhe maj në portale dhe televizione, rezultoi se, në 3 televizione (ato informative si News 24, Ora News dhe Fax News )janë transmetuar mesatarisht tre kronika në ditë përgjatë edicioneve te lajmeve, ku nuk përfshihen lidhjet direkte me Ministrinë e Shëndetësisë apo me gazetarët që kryenin standup në Spitalin Infektiv. Në portale (u monitoruan panoramaonline.com.al, balkanweb.com.) peizazhi mediatik u paraqit më i pasur në përmbajtje. Informacioni lidhur me Covid përcillej dhe nga statuse të personaliteteve të ndryshme të fushës së mjekësisë apo edhe të fushave të tjera

Niveli hierarkik i lajmeve përcjellë në media mund të prezantohet në këtë diagrame, ku nivelin e parë e zënë portalet - rrjete sociale, të dytin televizionet dhe të tretin gazetat.

Televizionet e kanë pasqyruar informacionin në tri akse shprehet drejtori i Programacionit në AMA, gazetari Arben Muka (Intervistë -Drejtori i Programacionit në AMA, gazetari Arben Muka)

  • informim mbi situatën në terren,
  • ekspertize mbi parandalimin dhe luftën ndaj përhapjes së virusit dhe
  • transmetim njoftimesh promocionale të autoritetit shëndetësor.

Televizionet shqiptare kanë pasur pluralitet në ekspertizë dhe shpjegime që kanë dhënë specialistët e fushës (kryesisht mjekët a studiuesit infeksionistë). Të gjitha televizionet i janë bindur Ligjit 97/2013 për transmetimin e mesazheve pa pagesë në rastin e COVID 19. Ato iu janë përgjigjur thirrjeve të AMA-s për emetimin e spoteve audiovizive shpjeguese që i ka shpërndare autoriteti zyrtar shëndetësor.

Lidhur me cilësinë e informacionit në televizione shefi i Urgjencës në QSUT, doktor Skënder Brataj vlerëson pasqyrimin objektiv në javët e para të pandemisë, gjë që tregoi sipas tij, mundësinë dhe forcën që kanë mediat në përcjelljen e informacionit të nivelit të lartë profesional.(Intervistë -Shefi i Urgjencës në QSUT doktor, Skënder Brataj): “Në muajin e dytë deri në përfundimin e karantinës pati një përfshirje të mjekëve shqiptarë nga të gjitha vendet e botës, gjë e cila pasqyroi pasurinë intelektuale shqiptare nëpër botë dhe nivelin e lartë profesional mjekësor të tyre. Gjatë karantinës dhe në vazhdim hyri në lojë politika, e cila filloi të luante një rol qëndror, por të gabuar në disa raste.”

Profesor Brataj si një nga zërat më aktivë në publik gjatë pandemisë sheh si problematike dhënien e hapësirës mediatike njerëzve jo kompetentë. “Gjëja më negative ka qenë fakti i dhënies hapësirë në disa televizione i njerëzve të pakualifikuar, pa baza shkencore në interpretimin e situatës që për fatin e keq vazhdojnë edhe sot. Nuk ka një kontroll etik apo institucional nga ana e mediave të vërtetojnë profesionalizmin e këtyre personave që dëmtojnë rëndë imazhin e institucioneve por mbi të gjitha dëmtojnë shëndetin e qytetarëve.”

Kryeredaktorja e Tv Fax News, Nertila Spiri shprehet se kanali i saj është munduar të ruajë karakterin informues mbi bazat e paanshmërisë dhe profesionalizmit. (Intervistë Kryeredaktorja e Tv Fax News, Nertila Spiri) “Stafi i gazetarëve ka mbajtur vazhdimisht kontakte me mjekë, specialistë të shëndetit vendas dhe te huaj. Në disa raste TV luajti edhe rol këshillimor për publikun përmes specialistëve të fushës së psiko-analizës”. Në përballje me epideminë dhe me mungesa të theksuara të kushteve socio-ekonomike (të gjithë gazetarëve iu ul ndjeshëm paga edhe pse punuan mbi 10 orë në ditë), gazetarët e terrenit theksojnë se u përballën me mungesë të informacionit shpjegues zyrtar. Gazetari i News 24 Erion Skendo shpjegon: (Intervistë Gazetari i News 24, Erion Skendo ) “Të dhënat zyrtare në shumë raste kanë qenë jo bindese ballafaquar me të dhënat e mbledhura në terren nga gazetarët përmes burimeve brenda spitalit si dhe vetë të afërmve të pacientëve. Të afërmit në vijimësi kanë akuzuar edhe publikisht për fshehje dhe mungesë informacioni. Për këtë arsye ka një përplasje të dhënash që shkakton pështjellim tek audienca që nuk di se cilin lajm të besojë. Ka munguar totalisht bashkëpunimi nga komiteti teknik me përjashtim të disa mediave të privilegjuara.”

Gazetarja e Platformës Together for life, Denisa Cenameti vlerëson se portalet kanë qenë interpretuese, dhe kjo metodologji pune sipas saj “ka qenë një nga arsyet pse u krijua dhe ndjenja e pasigurisë dhe e ankthit midis njerëzve( Interviste Gazetarja e Platformës Together for life, Denisa Cenameti ). Duke iu referuar problemit më të hasur në këtë situatë atij të verifikimit të burimit, gazetarja Cenametaj shprehet se: “Mediat kanë pasqyruar çdo informacion të mundshëm, pa u kujdesur për burimin e informacionit, veçanërisht portalet. (Pa)anshmëria e mediave duket që në titull, ku ka midis tyre që raportojnë vetëm rastet që humbin jetën, një pjesë raportojnë të shëruarit.”

Sfida për të informuar dhe jo interpretuar, mbeti e tillë, pra sfidë që nuk mendoj se e kapërcyem. Në Shqipëri nuk ka gazetarë të specializuar në fushën e shëndetësisë. Për rrjedhojë gazetarët me apo pa dashje ranë pre e informacionit të shumtë dhe shumë herë jo të saktë. Dhe nën presionin e njohur nga redaksitë për lajmin e fundit, gazetarët pasqyruan gjithçka, pa asnjë kontroll dhe shumë herë duke u bërë interpretues të asaj që shkruhej apo thuhej.

Disa sugjerimet nga eksperienca e krizës.

Nga intervistat e kryera për këtë artikull dhe referencat në studimet dhe bibliografinë përkatëse rezultojnë të përafërta përfundimet dhe sugjerimet mbi pasqyrimin mediatik të epidemisë. Disa nga këto çështje lidhen me :

-Vërtetësinë e informacionit, intervista me profesionistë të certifikuar të mjekësisë dhe sistemit shëndetësor në tërësi

-Referimi në burime të certifikuara në sistemin shëndetësor

-Transparencë dhe akses më të lartë në informacionin dhe komunikimin me institucionet shëndetësore.

-Vendosje e filtrave pengues ndaj fake news në portale dhe rrjete sociale

-Edukimin, trajnimin e gazetarëve që pasqyrojnë fenomene të tilla

Suela Musta, nëntor 2020

*Suela Musta është diplomuar për Gazetari në Fakultetin Filologji –Histori, Universiteti Publik, Tiranë (dega : Gazetari ). Ajo zotëron një Master mbi Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe është në prag të mbrojtjes së titullit Doktor (PHD) - Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit. Nga korrik 2010 ajo është anëtare e Bordit drejtues të Autoritetit të Mediave Audiovizive(AMA).

Referencat


Chew C, Eysenbach G. Pandemics in the age of Twitter: content analysis of Tweets during the 2009 H1N1 outbreak. PLoS One 2010 Nov 29;5(11):e14118

https://www.kantarmedia.com/it/sala-stampa/comunicati-stampa/il-virus-e-i-media-il-contagio-nel-mondo-dell-informazione

https://www.agendadigitale.eu/cultura-digitale/coronavirus-il-ruolo-dei-media-nella-diffusione-del-panico/

https://www.frontiersin.org/articles/10.3389/fcomm.2020.00039/full

Molla R. How coronavirus took over social media 2020.  https://tinyurl.com/ycwtmx3u

https://www.bbc.com/news/technology-51510196

Schultz, F., Utz, S., and Göritz, A. (2011). Is the medium the message? Perceptions of and reactions to crisis communication via twitter, blogs and traditional media. Public Relat. Rev. 37, 20–27. doi: 10.1016/j.pubrev.2010.12.001

Li, L., Zhang, Q., Wang, X., Zhang, J., Wang, T., Gao, T.-L., et al. (2020). Characterizing the propagation of situational information in social media during Covid-19 epidemic: a case study on Weibo. IEEE Transac. Comput. Soc. Syst. 7, 556–562. doi: 10.1109/TCSS.2020.2980007

World Health Organization (2020). Coronavirus Disease (Covid-19) Pandemic. https://www.who.int/emergencies/diseases/novel-coronavirus-2019

https://ata.gov.al/2020/03/27/coronavirus-al-platforma-ofron-informacion-dhe-keshillat-per-situaten-nga-covid-19/

http://ama.gov.al/2020/03/09/njoftim-per-mediat-audio-dhe-audiovizive/Mar 9, 2020 RK

Wongkoblap A, Vadillo MA, Curcin V. Researching Mental Health Disorders in the Era of Social Media: Systematic Review. J Med Internet Res 2017 Jun 29;19(6):e228

https://ec.europa.eu/info/sites/info/files/communication-tackling-covid-19-disinformation-getting-facts-right_en.pdf

Intervistë -Drejtori i Programacionit në AMA, gazetari Arben Muka

Intervistë -Shefi i Urgjencës në QSUT doktor, Skënder Brataj

Intervistë Kryeredaktorja e Tv Fax News, Nertila Spiri

Intervistë Gazetari i News 24, Erion Skendo

Intervistë Gazetarja e Platformës Together for life, Denisa Cenameti

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk