Kambanat e diplomacisë së vaksinave në Ballkanin Perëndimor

Kambanat e diplomacisë së vaksinave në Ballkanin Perëndimor

Viti 2020 solli ndryshime rrënjësore për mbarë globin. Shfaqja e Covid-19 duket se vuri në kërcënim jo vetëm shëndetin e njerëzve por edhe vetë globalizmin. Fragmentimet e shfaqura që me krizën ekonomike të 2008 u thelluan shumë më tepër. Masat për mbrojtjen nga Covid ngelën në domenin kombëtar, pasi secili shtet u pa të ndiqte politikën e vet në përshtatje me rastet dhe sistemin shëndetësor. Covid bashkë me pasigurinë shëndetësore solli mbylljen e kufijve, kufizimin e lëvizjes, kufizimin e tregtisë mes shteteve madje arriti deri sa të vërë në pikëpyetje edhe vetë efektivitetin e institucioneve dhe organizatave shumëpalëshe, pa kursyer as Bashkimin Europian.

Pa diskutim që rrjedha e 2020, ka ndikim për sa do vijojë në politikat që do të ndjekë Bashkimi Europian. Gjatë 2020 dhe tashmë në vazhdim duket se janë sfumuar çështje që shqetësonin BE deri dje, të tilla si migracioni, azilkërkimi, radikalizmi, populizmi në rritje apo qasjet mbi sigurinë, zgjerimin etj. Kërcënimet nuk vijnë më as nga armët, as nga radikalizmi, as nga dyndjet migratore, as nga fryma nacionaliste. Kërcënimi i momentit  është një virus i cili sulmon, jo vetëm shëndetin e qytetarëve por bashkë me të cenon ekuilibrat social, ekonomik dhe gjeopolitik të BE dhe botës mbarë.

Ndodhur në ndikimin e pandemisë logjika të shpie në dy skenarë të mundshëm në të cilët BE mund të projektohet për vitet në vazhdim; shtetet anëtare të BE-së do të rrisin bashkëpunimin duke i dhënë një rigjallërim të ri Brukselit, si qendra e vendimmarrjes përfshirë edhe mbrojtjen e shëndetit publik. Në mbështetje të këtij skenari ish-kryeministri i Italisë, tashmë Komisioneri i BE për  Ekonominë shprehej në fund të 2020 se: “Këtë vit, institucionet e BE-së dhe vendet anëtare kanë demonstruar kolektivisht një vendosmëri të fortë për të vepruar me vendosmëri së bashku në rrethana shumë sfiduese(Intereconomics.eu).”

Skenari tjetër mund të ishte që shtetet anëtare do të vazhdojnë përforcimin e ndjekjes së politikave kombëtare, me të njëjtin diversitet duke lëkundur dhe dobësuar kështu pozitat e Brukselit (kupto BE). Nëse shikojmë ndër vite kjo nuk është kriza e parë me të cilën BE përballet dhe as nuk mund të pretendohet se do të jetë e fundit. Sidoqoftë, nëse analizohen në detaje diskurset mbi krizat e hershme kombëtare, europiane ose globale që kur BE-ja ose KEE-ja u krijuan- të tilla si gjatë Luftës së Ftohtë (Hungari 1956, Republika Çeke 1968, Poloni 1981) ose në lidhje me pasojat e 11 shtatorit, rrëzimi i bankave dhe kriza financiare e vitit 2008, apo lëvizja globale e refugjatëve në 2015/16 - bëhet e qartë se perspektivat individualiste të shteteve mbizotërojnë, dhe se edhe konfliktet tradicionale ideologjike (midis së majtës dhe së djathtës,) janë margjinalizuar( Open Democracy). Fakt mbetet që pavarësisht këtyre krizave BE ja ka dalë të mbetet dhe të vazhdojë ti shërbejë qëllimit për përforcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe social të vendeve anëtare.

Tashmë Bashkimi Europian me gjithë Komisionin e tij “gjeopolitik” (ashtu siç deklaroi Kryekomisionerja e Ursula Von der Leyen gjatë betimit për marrjen e këtij pozicioni) përtej qëllimeve të bashkëpunimit dhe zhvillimit të brendshëm,  në rolin si aktor global i duhet të përballet me probleme të shumta, të tilla si migracioni, konflikti në dhe përreth Ukrainës, Covid, tensionet mes Turqisë dhe shteteve të Mesdheut Lindor etj.

Skenari i dytë, edhe pse pesimist argumenton se gjeopolitikës i janë shtuar edhe sfidat brenda përbrenda unionit. Tre nga shtyllat e BE-së janë tronditur nga Covid-19: Shengeni (mbylljet e kufijve), rregullat e ndihmës shtetërore, të destinuara për të siguruar konkurrencën e ndershme dhe Pakti i Stabilitetit dhe Rritjes, i cili mbetet grupi kryesor i rregullave makroekonomike për anëtarët e zonës euro (London School of Economics blog). Pandemia nxori edhe një herë në dukje se vendet anëtare ndjekin politika kombëtare jo vetëm për sa i përket migracionit dhe azilkërkimit, por edhe mbrojtjes së shëndetit të shtetasve.

Në këtë dinamikë dy janë ndër çështjet me rëndësi për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Së pari, politika e zgjerimit dhe qasja që do të ketë BE në vijim ndaj saj në këto realitete të reja, si dhe lëvizja e lirë e qytetarëve të këtyre vendeve drejt zonës Shengen. Zgjerimi i BE me shtetet e Ballkanit Perëndimor, duket se është kthyer në “viktimën” e gjithë kësaj dinamike, ku BE përpiqet të luajë si një fuqi me rëndësi globale në planin e jashtëm por edhe të ruajë qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e shtyllave të egzistencës së saj.  Pavarësisht realiteteve të reja me të cilat po duhet të përballet BE, rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk duhet të mbesë jashtë vëmendjes, nëse vërtetë BE kërkon të luajë gjeopolitikisht si një aktor global.

Pandemia ka ndikuar që të dal më në pah brishtësia e rajonit me rëndësi të padiskutueshme gjeopolitike për BE-në. Këto shtete për vite me radhë aspirojnë anëtarësim në BE përmes përpjekjeve për përmbushjen e kritereve dhe jo rrallë të kushtëzimeve të vendosura nga BE. Nëse është folur vite më parë për lodhje nga procesi i zgjerimit, kjo lodhje për shkak të dobësive që nxori në pah Covid 19, është sot akoma më e dukshme. Dhe jo vetëm kaq, por pandemia ka sjellë më afër dhe më prezentë se kurrë aktorë të tjerë gjeopolitikë.

Këta aktorë përpos investimeve (fondet e të cilave nuk jepen kundrejt kushtëzimeve si në rastin e fondeve të BE-së) tashmë po rrisin influencën edhe përmes diplomacisë së vaksinave. Në ditët e sotme, për ndarjen e sferave të influencës, nuk ka më nevojë për konferenca të mëdha dhe takime të liderëve të fuqive të mëdha të tipit të pas Luftës së Dytë Botërore. Jo, influencat tashmë po diktohen nga tipi i vaksinës dhe shteti prej nga shtetet në nevojë po arrijnë t’i sigurojnë ato. Era e diplomacisë së vaksinave duket se po i bie kambanave, se një rrezik i ri po shfaqet në marrëdhëniet mes Bashkimit Europian dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor, dhe më tej. Në mos me zgjerimin, çfarë do të ndodh me lëvizjen e lirë të qytetarëve të këtyre shteteve drejt zonës Shengen?

Zhvillimet më të fundit tregojnë qartë se lëvizja e lirë e qytetarëve në zonën Shengen do të jetë në korrelacion me vaksinimin ndaj Covid. Këtu bëhet fjalë jo vetëm për lëvizjen e lirë të qytetarëve nga vende të treta por edhe të vetë qytetarëve të BE, lëvizja e të cilëve në zonën Shengen duket se do kthehet në një peng të Certifikatës së Udhëtimit Covid 19. Më 28 prill 2021, Parlamenti Europian i ka dhënën dritën e gjelbër këtij dokumenti me 540 vota pro, 119 kundër dhe 31 abstenim (schengenvisainfo.com). Me masat që po merr aktualisht BE lindin shumë pikëpyetje të aspektit etik, por edhe praktik për sa i përket lëvizjes së lirë. 

Së pari, ç’do të ndodhë me lëvizjen e lirë të qytetarëve të BP drejt zonës Shengen? A do të duhet të pajisen edhe ata me një dokument të tipit Certifikatë e Udhëtimit Covid 19? Dhe nëse po, këtu hyn në lojë diplomacia e vaksinave e lëvruar më së miri nga vendet e fuqishme prodhuese të llojeve të ndryshme të vaksinave. A do të njoh Agjencia Europiane e Barnave (EMA) të gjitha tipet e vaksinave të përdora nga BP? Le të sjellim këtu në mend një fakt, vaksina Sputnik V është ende nën shqyrtim dhe e pamiratuar nga EMA (The Moscow Times). Nëse Sputnik nuk e kalon “provimin” e EMA-s, çdo të ndodh me gjithë qytetarët e BP të cilët kanë marrë ndërkohë këtë vaksinë? Për më tepër që sot për sot ende nuk mund të parashikohet se si do të zhvillohet dhe ndryshojë virusi dhe se cila vaksinë do të jetë më efektive ndaj variantit/eve të reja që mund të dalin.

Së dyti, ç’do të ndodhë me atë pjesë të qytetarëve qofshin të BE apo të BP që do të zgjedhin të mos vaksinohen? Mos ndoshta mosvaksinimi do të përkthehet në kufizim udhëtimi, ose anasjelltas lëvizja e lirë do të përkthehet në vaksinim të detyrueshëm!

Pra, lodhjes nga zvarritja e procesit të zgjerimit nga ana e BE-së, për qytetarët shqiptarë dhe ata të BP, i shtohet tashmë dhe mundësia për kufizimin e lëvizjes së lirë, që mbetet një çështje e ndjeshme dhe e prekshme drejtpërdrejt nga qytetarët. Për të mos thënë që për qytetarët anëtarësimi në BE identifikohet në një masë të madhe me mundësinë për të lëvizur lirshëm, për të punuar e studiuar në vendet anëtare të BE-së. Por tërheqja nga BE kur bëhet fjalë për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor nuk është një zgjidhje (Euronews Albania).

Me gjithë dështimet e saj dhe ritmin e ngadaltë, rruga drejt integrimit europian ka qenë shpesh forca e vetme shtytëse për reformat në Ballkanin Perëndimor(Euronews Albania).Në këtë situatë kur BP përpëlitet mes influencave të Lindjes dhe Perëndimit, reformimit të vazhdueshëm të institucioneve në përputhje me standardet demokratike të vendosura nga BE, shëndetit të rrezikuar të qytetarëve, kufizimeve të lëvizjes dhe rënies ekonomike si pasojë e pandemisë etj., lipset më shumë se kurrë një BE më e vendosur në qasjen e saj ndaj BP, për ti dhënë këtij rajoni vendin që i takon, dhe jo thjesht ta trajtojë si studenti që vetëm merret në provime por nuk i jepet diploma kurrë.



*Blerta Derhemi, maj 2021

*Blerta Derhemi është diplomate karriere në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, që nga viti 2006. Nga shtatori 2014 deri në qershor 2019 mbajti postin e Sekretares së Parë në Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, Bruksel. Në këtë pozicion ndoqi një sërë çështjesh të marrëdhënieve Shqipëri-BE ndër më kryesoret ato të migracionit, pas liberalizimit të vizave, azilkërkimit, sigurisë, mbrojtjes etj. Nga korriku 2019 deri më tani Znj. Derhemi ka mbajtur postin e Shefes se Sektorit për Dimensionin Human në Task Forcën për Kryesimin e OSBE-së 2020 nga Shqipëria

 

Referenca:

https://www.intereconomics.eu/contents/year/2020/number/6/article/the-eu-s-pandemic-response-tackling-covid-19-building-the-future.html (dt. 30.04.2021)

https://www.opendemocracy.net/en/pandemic-border/what-future-eu-after-covid-19/ (dt. 27.04.2021)

https://blogs.lse.ac.uk/europpblog/2020/12/14/relaunch-or-disintegration-what-covid-19-means-for-the-future-of-europe/ (dt.29.04.2021)

https://www.themoscowtimes.com/2021/04/29/eu-regulators-complete-special-ethics-probe-into-sputnik-v-clinical-trials-ema-a73783 (dt. 30.04.2021)

Cit. G.Gjipali https://www-euronews-com.cdn.ampproject.org/c/s/www.euronews.com/amp/2021/04/23/albania-is-no-closer-to-joining-the-eu-its-leaders-might-prefer-it-that-way (30.04.2021)

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk