Marrëveshja e firmosur mes kryeministrit shqiptar dhe kryeministres italiane për krijimin e një kampi në të cilin do të priten një pjesë e emigrantëve të nisur drejt Italisë, e firmosur më datë 6 nëntor 2023, ka bërë një bujë të madhe mediatike dhe jo vetëm. Prej metodës deri te rëndësia, marrëveshja nuk mund të kalonte pa diskutime dhe analiza. Kjo marrëveshje është e re si model përballimi të flukseve migratore, aq edhe e vjetër në tentativat e deritanishme për të zgjidhur këtë problem, që, herë pas here, duket si pa zgjidhje.
Në këtë analizë të shkurtër do përpiqemi të ndalojmë në disa pika të cilat i shohim me interes për të analizuar marrëveshjen.
Fillimisht do të shohim raportin e sheteteve të BE-së ndarazi apo të Bashkimit Europian në tërësi me valën e migrantëve që tentojnë të futen në këto shtete, duke u munduar të bëjmë një lexim diagonal dhe të shpejtë të ndikimit që kjo krizë e re, që mund ta quajmë pa frikë kriza më serioze pas krizës ekonomike të viti 2008, po ndikon në demokracinë dhe stabilitein politik të këtyre vendeve ndarazi, njëjtë edhe në idenë e Bashkimit Europian në tërësi.
Për të bërë një analizë të tillë do të hedhim një shikim mbi populizmin e djathtë europian dhe shinat kryesore në të cilat ai e mban dhe e rrit veten nga viti në vit. (The Guardian)
Nëse do të marrim në analizë të parën lideren italiane, ajo erdhi në qeveri ndër të tjera me dy premtime kryesore. Ajo deklaroi që do të kishte përplasje me Brukselin për çështjet e buxhetit dhe se do të zgjidhte çështjen e migrimit përmes një bllokade detare në brigjet e Afrikës Veriore. Duket se sa i përket çështjes së parë ajo nuk u tregua aq e guximshme sa pati premtuar, por vlen të theksohet se po shtyn fort drejt një zgjidhjeje për migracionin duke u ndihmuar edhe nga Brukseli. Fillimisht ishte marrëveshja me Tunizinë e tashmë dhe me Shqipërinë që duket se do ta shpëtojnë fushatën e kryeministres italiane.
Po të zhvendosemi drejt Francës, përsëri në qendër të diskutimeve do të kemi rritjen e të djathtës populiste që përsëri kërcënon demokracinë liberale dhe vetë Bashkimin Europian. Tezat e saj janë të ngjashme me kryeministren italiane: veçse herë pas here radikalizohet edhe më shumë. Në ligjërimin e saj është më i qartë dështimi i një shoqërie multukulturore si Franca, ashtu edhe Bashkimi Europian si model funksionimi. Në zgjedhjet e kaluara ajo arriti të marrë fillimisht rreth 23% të votave, dhe më pas në balotazh ajo shkoi deri në 41%. Në Mbretërinë e Bashkuar po ashtu, BREXIT, ishte pikërisht vendimi që shënjoi vulosjen e një modeli tanimë popullor, të përhapur në të gjithë Europën. Përveç largimit nga BE, vijuan edhe fushatat anti-migratore që në qendër të tyre kishin migrantët e parregullt shqiptarë që kishin hyrë në vend përmes gomoneve.
Rritje të ngjashme shohim dhe në vendet e tjera europiane. Hollanda, Gjermania, Austria, por edhe vende si Finlanda apo Norvegjia po përballen me këtë frymë të re të populizmit të djathtë që problemet tanimë po i sheh ndarazi prej njëra-tjetrës, edhe zgjidhjet po propozohen po ashtu ndarazi. Gjithsesi, në këto vende duke qenë se dhe demokracia ka qenë më e konsoliduar, edhe rezistenca ndaj këtyre lëvizjeve është relativisht më e konsiderueshme.
Po të afrohemi më shumë drejt Europës Qendrore, si për shembull në Hungari, prej kohësh tanimë edhe në Sllovaki, vërejmë një ndryshim të populizmit të djathtë, për shkak se këto vende duke qenë se krizën e migrantëve e kanë përjetuar thjesht si shtete që kanë qenë në një prej rrugë-kalimeve migratore dhe si portat e para të hyrjes drejt Bashkimit Europian. Në këto shtete përveç një nacionalizmi të shtuar, kemi tendenca të herëpashershme të një qëndrimi pro-rus, që i bën këto qeveri akoma më të rrezikshme nga pikëpamja perëndimore. Kriza e migrantëve e ka gjetur pa zgjidhje dhe e ka zhytur në krizë Bashkimin Europian. Këtë më së shumti e tregojnë raportet e ngritura me liderë si Orban apo edhe më larg si Erdogan, që herëpashere e kërcënojnë perëndimin përmes kësaj krize.
Tanimë të kërcënuar nga brenda dhe jashtë duket se rruga përmes të cilës Bashkimi Europian do të tentojë të zgjidhë këtë krizë, e kthyer tashmë në krizë politike të shumë prej këtyre vendeve, me sa më pak kosto të brendshme. Thënë ndryshe, kompromiset sa do të vijnë dhe dot të zgjerohen. Prej këtyre kompromiseve do të humbasin fillimisht imigrantët, që do të jenë të parët që do e vuajnë; do të humbasë demokracia dhe respektimi i të drejtave të njeriut, që tanimë do të jenë thjesht një instrument politik. Në fund, do të humbasë dhe vetë Bashkimi Europian, që do të gërryejë veten dhe do të humbasë legjitimitetin, që deri më tani e ka mbajtur, pavarësisht kërcënimeve politike në momente krizash.
Marrëveshja me Shqipërinë si një model i ri në zgjidhjen e flukseve migratore
Në vijim të modeleve dhe tentativave për të zgjidhur këtë krizë, qoftë në nivel shtetëror apo europian, një model i ri zgjidhjeje erdhi përmes një marrëveshjeje mes kryeministres italiane dhe atij shqiptar. Ata firmosën një marrëveshje që parashikonte se shteti italian do të ndërtonte një kamp me kapacitet 3000 personash në Shëngjin dhe Gjadër, në të cilin do të vendosen imigrantët që tentojnë të futen në mënyrë të parregullt në Itali. Sipas marrëveshjes, kampi pritet të ketë një kapacitet vjetor prej 36 000 personash, ndërkohë që për sigurinë brenda kampit do të kujdeset shteti italian, ndërsa për sigurinë jashtë dhe rreth tij shteti shqiptar.
Lajmi për këtë marrëveshje u bë i ditur vetëm përmes një postimi në rrjetin social Instagram nga kryeministri shqiptar. Duke marrë parasysh edhe rëndësinë e marrëveshjes, por edhe injorimin e një procesi transparent, rrugëve zyrtare të komunikimit dhe institucioneve të shtetit shqiptar, si dhe lehtësinë me të cilën u mor ky vendim ishin të pashmangshme reagimet në nivele të ndryshme. Ato më të zëshmet, më të zhurmshmet dhe më masivet ishin reagimet në rrjete sociale, duke e kthyer këtë vendim të rëndësishëm në një meme kolektive, pjesë e së cilës u bë dhe kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu.
Përtej këtij reagimi masiv, por jo në raport të drejtë me rëndësinë e ngjarjes, pati edhe reagime dhe qëndrime serioze, disa prej të cilave do të mundohemi t'i shtrojmë më poshtë.
Fillimisht, një grup aktivistësh zhvilluan disa protesta në Lezhë dhe iu drejtuan dhe Parlamentit me një peticion, ku i kërkonin atij mosvotimin e marrëveshjes "Rama-Meloni". Më tej, marrëveshja u dërgua në Gjykatën Kushtetuse nga një grup deputetësh opozitarë në vend, në të cilën u zhvendosën dhe protestat e qytetarëve. Qytetarët kanë kërkuar rrëzimi nga Gjykata si antikushtetuese marrëveshjen për dy arsye. E para se është marrë një vendim që me kushtetutë mund ta marrë vetëm presidenti i Republikës dhe e dyta se është kundër të drejtave të njeriut që emigrantët që janë nisur për diku tjetër të devijohen drejt vendit tonë”. (Nyje.al)
Për marrëveshjen, në momentin kur ajo ishte për shqyrtim pranë Gjykatës Kushtetuese, pati dhe reagime të tjera nga aktorë të tjerë në vend. Për avokatin Gentian Sejrani nga organizata “Drejtësi Sociale” marrëveshja kishte mjaftueshëm argumente për të mos kaluar, sipas tij: "Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj ka nënvizuar se mosmarrja e plotfuqisë nga Presidenti i Republikës për lidhjen e marrëveshjes ose dhënien e plotfuqisë, sipas ligjit, bie ndesh edhe me nenin 7 të Kushtetutës, i cili garanton parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Referuar precedentit në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për antikushtetueshmërinë e marrëveshjes detare midis Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Greqisë, mund të themi se mospajisja e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës në nënshkrimin e këtij protokolli (midis RSH dhe RI) ka sjellë si pasojë cenimin e kompetencës së kreut të shtetit si organi kompetent për përfaqësimin e shtetit shqiptar në marrëdhënie me jashtë. Si pasojë, vlerësoj se protokolli i nënshkruar midis RSH dhe RI është lidhur në kundërshtim me kërkesat e neneve 4, 7 dhe 92/ë të Kushtetutës."
Kundër kësaj marrëveshjeje kanë reaguar haptazi edhe shumë organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ndër to edhe Amnesty International, e cila shprehet se:
"Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për trajtimin e emigrantëve, i tejkalon kufijtë ligjorë dhe rrezikon të drejtat e njeriut. Amnesty International dënon politikën e vazhdueshme të Italisë të menaxhimit të proceseve migratore jashtë vendit ndonëse kjo praktikë e ka treguar përgjatë kohës jo-efektivitetin e vet."
Edhe aktivistë të të drejtave të njeriut që kanë punuar me të drejtat e shqiptarëve azil-kërkues në Mbretërinë e bashkuar janë kundër ngritjes së kampeve në Gjadër. Kristina Millona, ndër të tjera, shprehet se "ndërtimi i kampeve “pritëse” për migrantët e padokumentuar dhe refugjatët është i shtrenjtë, jo-efektiv dhe mbi të gjitha i padrejtë. Ne e kemi parë në Britani, një vend me struktura shtetërore të konsoliduara, se si azilkërkuesit/et të vendosur/a në qendra të tilla shfaqin përkeqësim të shëndetit mendor, deri në raste vetëvrasjesh, për shkak të kushteve të izolimit. Paçka premtimeve politike nga kryeministrja e Italisë, ekspertë të çështjeve të migracionit kanë theksuar se azilkërkuesit e transferuar në Shqipëri do të kenë akses të cunguar në drejtësi, për shkak të rrethanave procedurale krahasimisht me azilkërkuesit/eset që do të aplikojnë për statusin e refugjatit/es në Itali."
Por këto deklarata dhe qëndrime janë vetëm njëra anë e medaljes. Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese shqiptare ishte ende në shqyrtim të kushtetueshmërisë së marrëveshjes, marrëveshja, ashtu siç edhe pritej, kaloi në parlamentin Italian me 155 vota pro dhe 115 kundër. Përveç kësaj, edhe kryeministri bavarez, Markus Söder deklaroi se kjo marrëveshje mund të jetë një model i mundshëm për t'u ndjekur edhe nga shtetet e tjera europiane.
Pak kohë më vonë, pavarëisht qëndrimeve, ankimimeve dhe protestave të aktivistëve, edhe Gjykata Kushtetuese shqiptare vendosi që marrëveshja "Rama-Meloni" nuk ishtë anti-kushtetuese. Në një ndarje të votave 5 me 4, Gjykata vendosi që ta kalojë këtë marrëveshje për ratifikim në Parlamentin Shqiptar, ku do të bëhet edhe kalimi përfundimtar i marrëveshjes, duke qenë se mazhoranca, e përfaqësuar nga Edi Rama, kryeministër dhe nismëtar i marrëveshjes, i ka votat e mjaftueshme për ta kaluar përfundimisht atë.
Edhe njëherë, tregohet se ky precedent i parë, duket i rrezikshëm sepse e gjen edhe Europën në një krizë totale, të dëshpëruar për të gjetur një zgjidhje. Gjithsesi vlen që edhe njëherë të kthehemi te pasqyrimi i kësaj marrëveshjeje në vendin tonë.
Tre pyetjet kryesore të cilat vlejnë të shtrohen në raport me vendin tonë janë çfarë niveli demokracie kemi në vend, si mund ta ndikojë marrëveshja turizmin dhe përmes kësaj marrëveshje a jemi më afër apo më larg Bashkimit Europian.
Edhe njëherë vendimi i pakonsultuar me asnjë prej grupeve të interesit, si dhe i mbrojtur me fanatizëm nga ana e kryeministrit, po tregon një mos interesim për opinionin e palëve të tjera nga qeveria, fakt që e bën këtë marrëveshje që në gjenezë antidemokratike. Sipas aktivistes Arilda Lleshi - “ky vendim do të kishte kosto të lartë politke po të ndërmerrej në secilin vend ballkanik. Nëse në vendin tonë kjo merret me lehtësinë më të madhe, do të thotë se kemi një krizë të demokracisë në vend. Fakti që ne duam të zgjidhim një problem global tanimë përmes mbajtjes së 30 mijë imigrantëve në vit, nuk e fsheh dot faktin se prej statistikave prej vendit në dhjetë vitet e fundit janë larguar shumë më shumë se 30 mijë persona në vit nga vendi ynë. Kështu që njëra prej zgjidhjeve të mundshme që ne mund të jepnim është mbajtja e qytetarëve në vend.”
Pra, ne jemi një shtet që nuk po arrijmë të mbajmë qytetarët tonë këtu. A duhet dhe a mundemi ne si shtet, që në këto kushte të bëhemi garantuesit e të drejtave të disa të tjerëve dhe me më pak të drejta se ne? Kjo mbetet për t'u parë.
Një tjetër pikë shumë e rëndësishme në të cilën kjo marrëveshje mund të analizohet është orientimi i vendit tonë drejt turizmit. Shifrat thonë se vitin e ardhshëm në vend pritet të hyjnë rreth 14 milionë turistë. A mundet një vend i cili e kthyer turizmin në kartën e tij ligjërimore, ekonomike dhe politike t'i lejojë vetes të kthehet në një vend që njëkohësisht shërben edhe si vend kampesh/burgjesh për një pjesë tjetër të globit? Kujtojmë që Shëngjini është njëkohësisht dhe një prej pikave turistike më të frekuentuara, në të cilin pushojnë qindra mijëra turistë në vit. Për t'i kthyer përgjigje kësaj pyetje, mjafton të sjellim në mendje pasojat që vendimmarrje të tilla kanë pasur në zona turistike. Kjo praktikë ka dëshmuar që sjell ulje të turizmit edhe në vendet e tjera ku është implementuar, për shembull në Lampeduza, Giandaciamo Lombardo, presidenti i lidhjes së hotelerisë Federalberghi deklaron për BBC: ”Kemi 0 turistë të huaj, sepse mendojnë se Lampeduza është vendi ku mbahen të burgosur emigrantët. Nëse humbasim ekonominë tonë, rrezikojmë të bëhemi emigrantë vetë...duket se turistët italianë vazhdojnë të vijnë, por nëse ata do ndryshonin destinacion turistik, kjo do ju rrezikonte jetesën. Disa rezidentë kanë filluar t’i shesin pronat e tyre shumë poshtë vlerës së tyre."
Pyetja që do të ishte me vlerë të shtohej është se a do të vlente që vendi që u zbulua si "Maldivet e Europës" të vetëidentifikohej edhe si një geto në të cilën burgosen njerëz?
Argumenti dhe njëkohësish dyshimi i fundit përmes të cilit do të mbyllim dhe analizën është nëse zbatimi i kësaj marrëveshjeje e afron apo e largon më shumë Shqipërinë me Europën dhe Bashkimin Europian. Duke qenë se kjo praktikë është tentuar edhe në dy vende të tjera, duke pasur parasysh dhe shqetësimin e ekspertëve rreth eksternalizimit të kufijve të Europës - "trajtimi i tjetrit jashtë territorit të vet", ngre shqetësimin se edhe vendi ynë, vullnetarisht, shprehet i gatshëm që tani të jetë njëri prej shteteve “gogol” për të ndaluar migirmin masiv.
Kjo marrëveshje nuk do të jetë zgjidhje për situatën, por do të fshehë poshtë tapetit krizat politike që tashmë janë serioze në mbarë Europën. Për të mirëmbajtur këto kriza dhe për t'ju përgjigjur kërkesave të reja të elektoratit në Perëndim, po krijohen modele të reja problematike të akomodimit të problemit dhe të krijimit të aleancave të reja, duke shkelur të drejtat e njeriut dhe nivelin e demokracisë në këto vende.
Edison Lika, shkurt 2024