Migrimi dhe integrimi: Kush do e bëjë Shqipërinë si gjithë Europa?

Migrimi dhe integrimi: Kush do e bëjë Shqipërinë si gjithë Europa?

Rezultatet e Censit të vitit 2023 u përcollën në media dhe në debate publike më një psherëtimë të lehtë kolektive. Ndoshta sepse të gjithë e prisnin. Rreth një gjysmë milionë banorë më pak u numëruan në Shqipërinë gjithnjë e më të plakur. Mosha mesatare në vend u rrit me plot 7 vite, duke arritur tashmë 42.5 vjeç, një kapërcim dramatik në krahasim me vitet e fillim-tranzicionit.

Shqipëria ka kaluar përmes disa valëve migrimi me profile të ndryshme: nga ato masive të krahut të punës të pakualifikuar nëkërkim të një rrogë më të lartë e deri tek të mëvonshmet ku profesionistë të rinj e të edukuar lënë vendin nëkërkim të standarteve më dinjitoze të jetesës.

Sipas një sondazhi kombëtar tëInstitutit të Studimeve Ndërkombëtare të zhvilluar vetëm disa muaj më parë, rreth 70 përqind e shqiptarëve do të ishin gati ta linin vendin po t’ju krijohej një mundësi.[1] Një e treta e tyre nuk do të ktheheshin më kurrë pas. Për shumë prej tyre planet e ikjes ishin në përfundim dhe momenti i lënies së vendit nuk ishte më larg sesa 12 muaj. Nëse fokusohemi tek grupmosha e të rinjve, Studimi i Rinisë Shqiptare ndër vite (FES) ka treguar se dëshira për të migruar ka shënuar vetëm rritje.

Debati në shoqëri për pasojat e migrimit, i cili i kombinuar me tendencat në rënie të rritjes demografike ka krijuar një situatë pothuaj kritike, ka qenë i politizuar e në kërkim agresiv të një fajtori.

Ekspertët bien dakord se këto tendenca demografike ushtrojnë presion mbi financat publike, krijojnë vështirësi të panumërta në gjetjen e forcës punëtore sidomos në sektorë si turizmi por krijojnë dhe hapësira për futjen në treg të faktorit të huaj.

Më pak diskutohet për pasojat sociale siç mund të jetë mungesa e frikshme e përgatitjes në shoqërinë tonë jo vetëm për sa i përket infrastrukturës, por dhe mentalitetit për përkujdesjen e të moshuarve të cilët nga dita në ditë po e shohin veten të vetmuar, në mos të braktisur.

Një tjetër element është largimi nga Shqipëria e segmentit më energjik dhe më ‘kërkues’,i cili do të jepte një shtysë për ndryshime dhe konsolidim të demokracisë dhe forcimin e institucioneve, si dhe për risi të domosdoshme në përfaqësimin politik.

Të gjithë këto faktorë ndërthuren dhe ndërlidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë. Konsolidimi idemokracisë dhe shtetit ligjor si dhe përgatitja e një ekonomie të qëndrueshme ndaj presioneve tëtregut të përbashkët kanë nevojë për një shoqëri aktive, vitale dhe me segment profesionistësh të aftë për të zbatuar e monitoruar reformat e nevojshme. Në Shqipërinë e tkurrur e të rrudhur kjo po bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Ndër vite janë eksperimentuar disa forma të ndryshme të mekanizmave dhe incentivave për të inkurajuar jo vetëm kthimin, por dhe kontributin në distancë të asaj pjese të diasporës që mund të transferojë kapital financiar apo akademik në Shqipëri në shërbim të zhvillimit. Në një përpjekje për të kufizuar rrjedhjen e trurit dhe për te inkurajuar qarkullimin ose dhe rikthimin e elitave akademike dhe profesionale, institucione të ndryshme qeveritare, por dhe donatorë të huaj kanë ofruar platforma, bursa dhe programe, disa prej të cilave kanë pasur një shkallë të caktuar suksesi.

Megjithatë, ajo që i përmbledh këto nisma është natyra e tyre e përkohshme dhe e parregullt dhe ndonjëherë për fat të keq jo gjithëpërfshirëse. Duke marrë parasysh madhësinë e sfidës duket e natyrshme që të kërkohen ndërhyrje të forta dhe sistemike, afatgjata dhe bipartizane në mënyrë që mos të preken nga ndryshimet e kahëve politikë.

Përtej ndërhyrjeve të shënjestruara, disandryshime të tjera të domosdoshmepër ta përballuar këtë sfidë janë ato që prekin kulturën e mungesës së meritokracisë. Një shembull mund ta marrim nga zhvillimet e botës akademike. Edhe këtë vit në Shqipëri shumica e zgjedhjeve për rektorë dhe dekanënëpër universitet publike u zhvilluan pa konkurrencë reale dhe nën hijen e dyshimeve për integritetin e disa kandidatëve. Dukepasur parasysh diasporën akademike të shkëlqyer jashtë vendit, nuk mund të mos mbetesh thellësisht dyshues për dëshirën e tyre të mundshme për t’u kthyer ndonjëherë në vend. Fundja, çfarë do i tërhiqte ata në këtë sektor nëShqipëri kur shohin sesi avancimi i karrierës në arsimin e lartë ndeshet me pengesa tejet të vjetruara e të dala boje?  Ndërkohë arsimi i lartë mbetet ende i etur për inovacion, ndërlidhje dhe përputhshmëri me tregun e punës.

Një shembull tjetër është faza aktuale në të cilën Shqipëria ndodhet: negociatat me Bashkimin Europian, një proces kompleks e afatgjatë, i cili ka nevojë për gjithëpërfshirje, e legjitimitet, por dhe për ekspertizë të detajuar si dhe shkëmbime intensive përvojash e mësimesh me vendet e tjera.

Procesi i negociatave i strukturuar në kapituj tematikë përmban një sfidë të dyfishtë. Nga njëra anë është ngarkesa voluminoze e legjislacionit ekzistues dhe nga ana tjetër dinamika e përhershme e përmirësimit dhe përditësimit nga vetë Unioni. Pra, ndërkohë që vendet kandidate vijojnë me përgatitjet e tyre në secilën kategori, vetë BE-ja vijon të miratojë legjislacion dhe të ngjizë nisma të reja për t’ju përgjigjur sfidave të kohës duke e bërë procesin e përafrimit një përpjekje për të kapur një tren që është gjithnjë në lëvizje.

Për ta ilustruar këtë vështirësi mund të shqyrtojmë shkurtimisht një dimension pa u larguar nga shembulli i mëparshëm i arsimit. Kapitulli përkatës i Arsimit dhe Kulturës (Kapitulli 26) sigurisht që përmban korpusin e kushteve ekzistuese që vendi ynë duhet të përmbushë që të jetë gati për anëtarësim.

Ndërkohë, Bashkimi Europian në këtë fushë ka shpalosur një axhendë shumë ambicioze në kornizën strategjike të Zonës Europiane të Arsimit (European Education Area), me objektiva madhore afatet e së cilave janë shumë afër në kohë, 2025 dhe 2030. Akademikët shqiptarë që tashmë janë integruar si pjesë e universiteve dhe projekteve të mëdha arsimore në vendet anëtare, por dhe studentët në përfundim të studimeve janë për vendin tonë një aset më shumë vlerë. Ata mund të lehtësojnë përafrimin dhe mbajtjen e ritmit me ndryshimet dinamike në këtë fushë duke qenë se kanë një kontakt të drejtpërdrejtëdhe intensiv me zhvillimet përkatëse.

Në këto kushte, duhet një vizion krejtësisht tjetër jo vetëm për të mbajtur dhe sjellë në vend aktorë dinjitozë të dijes por dhe për të investuar në dhënien e njohurive dhe eksperiencës në largësi ose duke mundësuar kontributin e herë pas hershëm me programe që kombinojnë prezencën dhe angazhimin në distancë.

Ky investim është i domosdoshëm që të lehtësojë e përshpejtojë këtë fazë, më të rëndësishmen e gjithë procesit të integrimit. Është pjesë e një vizioni, çelësi i suksesit të së cilit do të jetë motivimi, meritokracia dhe përqafimi i risive.

Në mungesë tëkëtij vizioni e ndërsa të gjithë shohim sesi mbushen plot bankat e çdo kursi privat të gjuhës gjermane në Shqipëri, mbetet vetëm të pyesim se kush do e realizojë ëndrrën e parë të demokracisë së brishtë shqiptare.

Kush do e bëjë Shqipërinë si gjithë Europa?

 

Alba Çela, nëntor 2024

*Alba Çela është Drejtore Ekzekutive e Institutit të Studimeve Ndërkombëtare (AIIS) në Tiranë, si dhe anëtare e Western Balkans Strategy Group (HBS). Alba Çela mban një diplomë në Shkenca Politike/Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin Amerikan të Bullgarisë, si dhe një diplomë Master në Studimet për Nacionalizmin në Universitetin Qendror Europian. Fushat kryesore të hulumtimit për Albën janë: demokratizimi, partitë politike, integrimi europian dhe bashkëpunimi rajonal. Ndër të tjera, Alba është një eksperte e pavarur e përfshirë në hulumtimin, monitorimin dhe vlerësimin e projekteve, si dhe në politikat advokuese për një numër organizatash ndërkombëtare.  

 

 

Referenca

Balla, A. (2023). Albania- Emigration, Depopulation and Solutions - Understanding root causesand offering recommendations. Albanian Institute for International Studies (AIIS), pg 8. https://www.aiis-albania.org/sites/default/files/ALBANIA-%20Emigration%2C%20Depopulation%20and%20Solutions.pdf

 

European Education Area, https://education.ec.europa.eu/about-eea/strategic-framework

 

Kamberi, G & Cela, A. (2019): Rinia Shqiptare 2018/1019. Fondacioni Friedrich Ebert Shqipëri.

 

Kamberi, G; Cela, A, Pici, E. (2015): Rinia Shqiptare 2015. Fondacioni Friedrich Ebert, Shqipëri.

 

 



[1]Balla, A. (2023). Albania- Emigration, Depopulation and Solutions - Understanding root causes and offering recommendations. Albanian Institute for International Studies (AIIS), pg 8. https://www.aiis-albania.org/sites/default/files/ALBANIA-%20Emigration%2C%20Depopulation%20and%20Solutions.pdf

1085Ndjekës
6323Ndjekës
1989Ndjekës
23Abonues

Youtube Videos

European Movement International
European Movement International
Ambassade_Niva2_Engelsk