Prolog
“Një drejtues politik duhet të shikojë pas shpine nëse të rinjtë e ndjekin. Nëse kjo nuk ndodh, nuk do të jetë një drejtues politik për shumë kohë”, thoshte Bernard Baruch. Një lajtmotiv që duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për udhëheqësit politikë të ardhshëm në Shqipëri, ku rinia duhet të bëhet pjesë integrale e programeve të tyre, kjo jo vetëm për konsum politik siç ndodh rëndom, por si një nga aktorët kryesorë të shoqërisë, si motorri lëvizës i saj, dhe pasqyrimi i predispozitave që brezi i ri do të ketë në strukturën shoqërore të mëvonshme.
Do përpiqem që ta trajtoj subjektin në një këndvështrim filozofik dhe antropologjik, për vetë faktin se të rinjtë dhe roli i tyre në shoqëri nuk është vetëm i përcaktuar nga fati, ata mund të vektorizojnë rrjedhat e jetës së tyre jo thjeshtë në mënyrë mekanike apo matematikore sikurse bënin stoikët (Papathanassiou, 1994), por si qenie racionale dhe të bindur se çdo hap i tyre duhet të jetë produkt i intelektit dhe jo i biologjizmit të tyre. Për më tepër, ata duhet të jenë të përgjegjshëm për veprimet apo mosveprimet e tyre në situata të caktuara, dhe më kryesorja që pasojat e zgjedhjeve të tyre t’i përballojnë me dinjitet dhe krenari, të bindur se nuk ishte ky përfundimi që donin, por të sigurt se për t’iu afruar të vërtetës, ka vetëm një rrugë, rruga nëpërmjet gabimeve tona. Vetiu, në subkoshiencën tonë, kur përmendet fjala rini, cilësitë e para që formohen nxitimthi janë dinamizmi, vitaliteti, pakujdesia dhe të tjera karakteristika që sigurisht nuk janë invektive, por ne mendojmë se këto cilësi stigmatizohen si të “këqija” pikërisht prej faktit se ato evidentohen prej një gjenerate tjetër që janë rritur me frymën e hermetizimit të kastave shoqërore dhe shuarjes që në ngjizje të Sapere Aude. Kur në fakt të rinjtë nuk e kanë “luftën” me të vjetrit por me veten e tyre.
Mishërimi më i mirë i kësaj është filozofia e Sokratit që mendonte se lufta e vërtetë e njeriut është me egoizmin dhe injorancën, dhe se sa më i ditur të jetë njeriu aq më i virtytshëm është. Ai mendonte se asnjë njeri nuk është i keq me dashje, kjo vjen vetëm prej injorancës, prej kësaj të fundit nis edhe diferenca që gabimisht bëhet mes brezave, kur në fakt s’ka pse të jetë nëse çdo kush e ka të përcaktuar rolin e vet në shoqëri. Nëse shohim me kujdes tek togfjalëshi stabilitet dhe ndryshim, që ndoshta në pamje të parë për disa individë mund të duket kontradiktor, faktikisht urdha lidhëse mes tyre qëndron pikërisht te fjala demokraci. Ne zgjedhim demokracinë, jo se na siguron paqe, por sepse ajo është e vetmja forcë dinjitoze në të cilën mund të jemi plotësisht përgjegjës për veten tonë. Rëndësia bazë e saj qëndron te fakti se demokracia na jep mundësinë të largojmë qeverinë ekzistuese pa derdhur gjak, kjo është karakteristika më e veçantë që ajo mbart. Në antagonizmin kasik midis stabilitetit të fosilizuar dhe novacioneve që vijnë prej rinisë janë shkruar pafund artikuj dhe libra, shpeshherë është trajtuar si një “armiqësi”, por kjo nuk është asgjë tjetër veçse një interpretim cinik dhe lexim i realitetit me një mëndjengushtësi meskine. Përvoja e gjeneratës se vjetër është aset i çmuar që duhet konservuar dhe kultivuar me respektin më masksimal, për vetë faktin e thjeshtë se ajo ishte infrastruktura morale dhe jovetëm që të rinjtë ndoqën derisa erdhën në pjekurinë e mendimit të tyre. Duke dëshmuar se ndryshimi i gjeneratës nuk nënkupton eliminim apo përjashtim, përkundrazi, qartazi dallohet sinergjia midis tyre duke bërë që një shoqëri të ecë e sigurtë në rrugën e prosperitetit dhe të ketë një vijushmëri lineare të shëndetshme. Binomi intelektual dhe jo vetëm, që krijohet duke gërshetuar dy prej karakteristikave më domethënëse siç janë eksperienca me dinamizmin nuk ka diskutim që prodhon një stabilitet demokratik të admirueshëm. Nëse historia na ka mësuar diçka është fakti se pikërisht keqpërdorimi i cilësive që rinia posedon, ka sjellë luftëra dhe shkatërrime pa masë, pa përjashtuar këtu edhe botën e qytetëruar. Nëse bëjmë një retrospektivë përmes historisë evidentojmë se para ose pas çdo lufte, rëndësi i jepet formimit të brezit të ri, dhe kjo jo rastësisht, por për faktin se në riformimin e shoqërisë asgjë nuk është më e rëndësishme sesa edukimi. Cilësitë e sipërpërmendura, gërshetuar me ideologjitë totalitare ose jo, çimentojnë mentalitetin e tyre duke i bërë ata gati për epokën e re që do të vijë.
Duke u nisur nga ky fakt, ne mendojmë se të rinjtë janë të aftë për të shkatërruar por njëkohësisht dhe ndërtuar shoqëritë ku aderojnë. Fokusi i organizatave ndërkombëtare duhet të jetë jo thjeshtë në përkrahjen e rinisë, pasi kjo bëhet prej vitesh sidomos tek demokracitë e brishta dhe hibride si në Shqipëri, por roli teorik edukativ duhet të shoqërohet edhe me faktorë të tjerë praktikë për të bërë të mundur që rinia të jetë imune ndaj nacionalizmave të skajshëm dhe ideologjive të së djathës apo së majtës ekstreme.
Shumë domethënës është artikulimi i Aristotelit, ai mendonte se qytetari duhet të formësohet për t’iu përshtatur formës së qeverisjes nën të cilën jeton. Çdo qeveri ka një karakter të veçantë, që e ka formuar në fillim dhe e ruan atë. Karakteri i demokracisë krijon demokraci, ndërsa karakteri i oligarkisë krijon oligariki.
Sigurisht që vendi ynë është një shembull për ta ilustruar këtë citat. Vitet e vështira të periudhës komuniste u përpoqën të farkëtonin një rini të re, pa bosht moral apo fetar, vetë Marksi u përpoq të bënte një kalim nga metafizika në histori duke fajësuar krahas të tjerave shtetin demokratik dhe sistemin kapitalist për problemet që bota kishte, por që në fakt përfundoi me një rënie dramatike të regjimeve jo-demokratike por edhe të mendësisë që ato u përpoqën të impononin. Por pse regjimet totalitare dështojnë, dhe demokracia me gjithë problematikat e veta është zgjidhja më e mirë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje mendoj se duhet analizuar me kujdes analogjia e tezës së shoqërisë së hapur që Popper artikulon me një elegancë të admirueshme tek libri i tij “The Open Society and Its Enemies”. Në artikulimin që Popper bën, afirmon se të ashtuquajturat shoqëri të mbyllura (sistemet totalitare në rastin tonë) janë të destinuara të asgjësojnë vetveten, ai e ilustron këtë me teorinë biologjike shtetërore. Gjithashtu, ai arsyetonte se në këto shoqëri konkretisht në rastin tonë gjatë diktaturës, komuniteti është çdo gjë ndërsa individi asgjë. E kundërta ndodh në një shoqëri të hapur, individualiteti nuk është thjeshtë krahu i kundërt i komunitetit pasi kështu do ishte thjeshtë një vokacion i dëshpëruar që njeriu ka për të kërkuar të kundërtën që e ka pasur të ndaluar prej vitesh, por është një instrument i çlirimit të dijes dhe kapitalit njerëzor, duke e bërë njeriun jo thjeshtë një skelet dhe mish, por një krijesë unike që ka mundësi të shfrytëzojë gjithë potencialin e vet.
Kjo lloj autonomie ndryshe nga robëria e shoqërisë së mbyllur ka impuls pozitiv tek individi, duke pasur mundësinë të ketë një repertor të larmishëm zgjedhjesh, në këtë mënyrë, sigurisht që jep më të mirën për veten pasi motivimi është më i madh dhe në mënyrë indirekte më të mirën edhe për shoqërinë ku aderon.
Zhvillimi i një ontologjie ku shoqëria demokratike, tolerante dhe liberale është më e parapëlqyer sesa një shoqëri autoritare dhe totalitare është një parim jo vetëm moral dhe etik, por një domosdoshmëri jetike për emancipimin kulturor të të rinjve.
Kjo tezë lidhet pazgjidhshmërisht me boshtin se si të rinjve u duhen krijuar hapsira dhe infrastruktura të nevojshme për të manifestuar idetë dhe mendimet e tyre. Ata nuk duhet të mënjanohen nga pjesa tjetër e shoqërisë e sidomos nga elitat politike me pretekstin e mungesës së përvojës, apo me çfarëdolloj justifikimi tjetër.
Nëse duam të ndërtojmë një shoqëri të hapur dhe me vlera, pikë së pari duhet të nisim të edukojmë brezin e ri me frymën e valorizimit europian. Siç vet autori rrëfen, libri “The Open Society and Its Enemies” është një teori dhe mbrojtje e demokracisë kundër sulmeve të reja dhe të vjetra prej armiqëve të saj. Sulmet e reja mendojmë se janë tendencat që tangent i prekëm më sipër, ato lëvizje apo ideologji që kërkojnë të eskalojnë në krahun e kundërt me parrulla groteske për liri absolute apo liri pa kufi. Mendimtarët e mëdhenj e kanë mohuar këtë parim për shkak të pasojave që ajo lloj lirie mund të sjellë me frazën:”nëse jam i lirë të bëj çfarë të dua, atëherë jam i lirë që tjetrit t’i marr edhe jetën”, që ka derivuar prej dimensionit teologjik të Krishterë prej shprehjes brilante të Apostull Pavlit:”të gjitha më lejohen, por jo të gjitha janë të mira”. Për sa i përket sulmeve të vjetra, mendoj se përveç përpjekjeve për ringjallje të sistemeve neonaziste dhe gjithë spektrit të ekstremeve politike, referimet janë edhe për atë kastë njerëzish që mendojnë se bota ka aq shumë faqe të errëta të jetës ku ne jetojmë, sa ne jemi dënuar të “vuajmë” në mënyrë sifiziane.
Popper thoshte se përhapja e këtyre gënjeshtrave është krimi më i madh i kohës sonë sepse kërcënon rininë dhe përpiqet t’i zhvasë asaj të drejtën për të patur shpresë dhe optimizëm, duke stimuluar siç thoshte dhe Hegeli “një ankth që e shtyn krijesën jashtë qendrës së saj”. Kësisoj, jo vetëm që vjen një mungesë stabiliteti por dhe demokracia ka të ngjarë të konvergohet si e tillë vetëm në emër, ekuivalent si diktaturat, që de jure mund të mbajnë termin demokraci, por de facto nuk transmetojnë asnjë vlerë të saj. Demokracia është stabël kur shoqëria është e tillë, kjo nuk lidhet vetëm me gjendjen social-ekonomike, por dhe qasjen dhe mentalitetin se si përballon sfidat që globalizmi sjell. Ëndrra për bashkim global nuk është e re, por panevropianizimi ishte dhe është një vizion madhështor. BE, ku Shqipëria aspiron të integrohet është një krijesë unike dhe hibride, nuk është as shtet federativ si SHBA-të, as organizatë si OKB, është në mes të tyre me një sistem vlerash universale dhe një sekuencë rrymash të larmishme.
Familja e madhe europiane nuk duhet të jetë një utopi, integrimi nuk është vetëm një proces burokratiko-ekonomik mes shtetesh, por shumë më tepër. Ai përfshin sferën kulturale, psikologjike, fetare etj., dhe kjo paraprihet nga një përgatitje e shëndoshë në mentalitetin e gjithsecilit prej nesh.
Epilog
Sa më shumë rinia të anashkalohet nga politkëbërja dhe struktura integrale shoqërore, aq më shumë do thellohet hendeku mes realiteteve të ndryshme që do prodhojë gjithësecila palë dhe konfrontimi mes tyre do jetë i pashmangshëm. Krejt e kundërta do ndodhë, dhe kjo është provuar në vendet perëndimore nëse të rinjtë bëhen qelizë vitale e shoqërisë, duke marrë rolin dhe vendin që i takon, eventualisht, kjo jo vetëm që do garantojë stabilitet por do fuqizojë dhe demokracinë si mjet për të lënë një trashëgimi më të mirë se ajo që gjetën për brezin e ri, gjithashtu nuk duhet harruar se një tjetër përfitim i kësaj filozofie është edhe fakti se kjo do të ndihmonte në konsolidimin e një tradite demokratike aq të munguar për Shqipërinë.
Vasiljano Buba, qershor 2022
Vasiljano Buba ka mbaruar me rezultate të larta Bachelorin për Histori në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Filologji-Histori. Aktualisht është duke vazhduar Masterin Shkencor po në të njëjtin fakultet. Fushat e tij të interesit përfshijnë shkencat shoqërore si teologjia, filozofia dhe historia.
Referenca:
Maria K. Papathanassiou, “Stoic philosophy and modern cosmology”, Hellenistic Philosphy, vol. II, Athinë, 1994, 140
Karl R. Popper, Mendime për Historinë dhe Politikën, (Tiranë: Plejad, 2015), 49
Samuel Enoch Stumpf, Filozofia, Historia & Problemet, (Tiranë, Toena), 395
Aristoteli, Politika, (Tiranë: Plejad, 2003), 204
Chantal Millon-Delsol, Idetë politike në shekullin e XX-të, (Tiranë: Onufri, 2000), 12
Karl Popper, The Open Society and Its Enemies, (Londër: Routledge, 1995), 173-4
Joseph Raz, The Morality of Freedom, (Oxford University Press, 1986), 204
Gianni Vattimo, Nihilizmi dhe Emancipimi, (Tiranë: Ipls&Dita2000), 31
K. R. Popper, Mendime, 79
Hans-George Gadamer, Historia e Filozofisë, (Plejad, 2008), 288-289
Anthony D. Smith, Kombet dhe Nacionalizmi në erën Globale, (Tiranë: Dudaj, 2008), 29